Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Të shkruash për ikjen e atit
E shtune, 21.11.2020, 09:20 AM
Të shkruash për ikjen e atit…
…shënime
për librin “At…një ëndërr e gjatë” të Fatmir Terziut
Nga
Timo Mërkuri
Ka pak kohë që
Fatmir Terziu publikoi librin e tij
poetik me titullin “At…një ëndërr e gjatë” ose më saktë është të themi se
përmblodhi në një libër një cikël të madh
poezish të publikuar në një kohë relativisht të shkurtër te gazeta Fjala
e Lirë. Poezitë ndrinin si pika lotësh në rrënie, shkaktuar nga një dhimbje e
madhe. Ky cikël poezish ishte si një ditar mbi situatën e rrënduar shëndetësore
të të atit, ecurinë e sëmundjes, dhimbjen e birit, mendimet e meditimet e tij,
dhe së fundi…ikjen e atit. Miqtë dhe
shokët ju ndodhën pranë shpirtërisht me komente të ngrohta në momentin e
publikimit të poezive, por cikli vijoi gjer sa një ditë u publikua libri i tij
poetik “At…një ëndërr e gjatë”, ku ishin përmbledhur gjithë krijimet e tij për
këtë dhimbje e këtë ikje..Në pamje të parë duket një libër i zakonshëm poetic
me temën e dhimbjes për atin, por në thelb ka shumë më shumë se kaq.
Në anët tona edhe
zia e mortit ka vezullime arti oral, që ndrijnë si yje në netët e pastra të
dimrit. Djali e vajton babain me ligjërime tradicionale me tekst poetik, në
shtëpi e në përcjellje në varr, ditëve të mortit, në të dyzetat dhe në ditën e
vitit. Kjo është ligjësi e pashkruar. (Sigurisht që biri u lë radhë vajtimi
zakonor edhe miqve e shokëve që kanë ardhur për ngushëllim, pa përmëndur
ligjërimet e grave në odën e tyre, që
skanë të pushuar, por ne nuk do flasim për ato). Pas një viti, vajtimi ( jo
vetëm i të birit, por cilido vajtim i arirë artistikisht, dmth që u ka bërë
përshtypje të pranishmëve apo atyre që e mësuan
më pas, dhe që u ka mbetur në
mëndje) shndrohej në logatje, një tip këngëvaji, sa këngë aqë dhe vaj. Tej
vitit të dytë logatja shndrohej në këngë isopolifonike dhe këndohej, fillimisht
nga i biri ( si për të dhënë lejen nga familja) e më pas e këndonte kushdo.
Kështu shpjegohet që laboratori krijues i artit oral, nëpër shekuj dhe epoka e
shndronte vajtimin me ligjërime në këngë iso-polifonike.
Ky laborator
funksionon akoma edhe sot, ndonëse “mekanizmat” e tij janë tepër të
“vjetëruara”, më se antikë dhe vajtimet e kanë humbur atë yllësi qiellore.
Vajtimet mund të kenë humbur yllësinë, por dhimbja është e njëjta, gërryese dhe
shtypëse. Dhe aty ku është shtypja më e madhe mbi disa lëndë organike, aty
krijohen diamantet.
Kjo ligjësi e
funksionimit të mekanizmit të shndrimit të vajtimit në këngë iso-polifonike vijon
edhe sot. Po të shohësh, gati të gjithë të rinjtë e kthyer nga kurbeti të
vdekur apo të vrarët e trazirave të ’97 kanë këngë të ardhura ngë bota e
ligjërimeve, pavarësisht sa jetëgjata janë ato.
Poezitë e Fatmir
Terziut janë ligjërime. Në këtë ne libër, unik në llojin e vet në letërsinë
artistike, nëpër rreshta, të duket se ecën mes gulçeve shpirtërore të poetit
që...vajton prindin. Po të lexosh me vëmëndje ato poezi, të vjen natyrshëm që
t'i shtosh vargut të mesit apo vargut të fundit atë klithmën gjëmëtare oi,
oiiii...të vajtimit. Realisht ajo aty është, e mbuluar me një vel të tejdukshëm
poezie, në një qoshe te vargjeve. Brenda këtyre poezive është vajtimi, në
skajet e tyre është klithma. Madje në qoftë se do tua recitosh këto poezi
plakave të fshatit tim të origjinës, ato menjëherë do ti “qëndisin” këto vargje
në një vajtim tradicional dhe në një situatë të ngjashme mortore edhe mund ti
ligjërojnë me vajtim. Unë edhe ju i dashur lexues jemi shumë “modern” për ta realizuar këtë process “kthimi mbrapa” të
poezisë në vajtim, por ne duhet të jemi aq të ditur sa ta dallojmë lotin
brenda zanoreve të vargjeve, sepse siç
thotë autori… Në zanoret e tyre lahen shtatë palë heshtje,/shtatë palë
retina lajnë grimin e mishtë syve...”Zoti lexon në gjuhën e heshtjes” (f.q.
9). Sepse…dhimbja …gjithnjë është një nga ato dhimbjet/që theksohen vetëm me
zanore…/… unë u ngjaj dhimbjeve të tua/nuk jam katarakti/jam etja/para etjes
ndjej lëvrima trupi /shkëpus dihama nga vetja…”Unë u ngjaj dhimbjeve të tua”
(fq 16)
Kjo është llogjika
e arsyes pse Fatmir Terziu na dha librin “AT...një ëndërr e gjatë”, një
përmbledhje vajtimesh të shndruar në poezi.
Funksionimi i
mekanizmit të trasformimit të vajtimit, në rastin e Fatmir Terziut ka ecur më tejë, vajtimi i të birit (s'ka
rëndësi i heshtur apo gjëmimtar) ka kapërcyer ylberin e këngës dhe na është
paraqitur në një poezi të bukur, ku në
çdo degë kanë çelur gonxhet e dhimbjes. Eshtë një vazhdimësi sa llogjike aq dhe
befasuese, por gjithsesi është pjesë e jetës dhe sidomos pjesë e traditës sonë,
dhimbja krijon art. Mund të themi se është libri i parë i këtij lloji, plot me
poezi të buruara direkt nga shndrimi i ligjërimeve mortore në art..
Përkundër
komenteve të shumta që shoqëruan publikimin e poezive fillimisht, për këtë
libër nuk u shpreh asnjë, vec komenteve të zakonëshme, nga droja se mos i
lëndonte plagën autorit. Poeti, në faqet e këtij libri ka palosur zemrën e tij të mbushur me plagë nga dhimbja,
shpirtin e tij të mbushur me vrima nga dënesat, krojet e syve që ridhnin lotë
papushim, klithmën njerëzore, vajtimin tradicional të trasformuar në art dhe të gjitha këto plagë të mahisura
skaj më skaj, ky vetë i ka vënë para lexuesit,. Plaga e mahisur nuk shërohet
duke e përkëdhelur lehtazi me gisht, por kjo përkëdhelje i lehtëson dhimbjen
(apo i krijon iluzionin e lehtësimit) të dhimbjes njeriut.
Unë e di që Fatmir
Terziu do shkruajë ende shume poezi të tilla, për një kohë të gjatë duke na
shkaktuar neve një gulç rrënkimi gjatë leximit, dhe duke lexuar poezitë e
ardhëshme, mua do më kujtohet një foto e tij me portretin e të atit në duar.
Atëherë do më kujtohet ai vajtim-logatje e famshëm:O Hasim (Jaho) o çepe
krënde/ S’dimë si tja bëjmë sat’ëme/../ Kullon lot mbi pallën tëndë…që me
një përshtatje emri te vargu i parë, një ndryshim nga “sat’ëme” në “tët biri” te vargu i dytë dhe te vargu i fundit të
zvëndësohet fjala “pallë” me fjalën ”foto”, konkretizohet teksti
dhe të lotojnë sytë.
Kjo është jeta,
prindërit tanë dhe me ikjen e tyre, na mbjellin në shpirt filliza të bukur të
artit, pavarësisht se vetë ata s'kanë qenë poetë apo nuk kanë lexuar me pasion
poezitë tona. Ata janë prindërit tanë që na mbollën në shpirt farën e të
bukurës, pavarësisht se kur mbin ajo, pavarësisht se mbin, rritet e çel gonxhe
përmes një dhimbjeje.
Dhimbje si ajo e
lindjes së fëmijës.
Sarandë, më
20.11.2020