Kulturë
Dukagjin Hata: Intervistë me poeten Neviana Shehi
E diele, 22.11.2020, 01:49 PM
Brenda çdo gruaje fle një poete, që pret orën e saj për t’u “zgjuar”...
Intervistë me poeten Neviana Shehi
Takimi me poezinë e Neviana Shehit nuk është një
takim i zakonshëm, pasi edhe mjetet dhe tekonolgjia e saj poetike nuk janë të
zakonshme. Neviana është poete e imazhit, e figurës së gjallë dhe të freskët, e
depërtimit në thellësi të vetvetes dhe në raportet ndërpersonale, ku gjen dhe
sendërton trajtat dhe gjendjet, formën dhe përmbajtjen e poezive të saj.
Poezia e saj dallohet për sinqeritetin, ngrohtësinë,
thellësinë e ndjenjës dhe sofistikimin e mendimit poetik. Dallohet për
elegnacën e fjalës dhe befjen e imazhit, gjetjet e holla dhe finesën e
përcjelljes së mesazheve tek lexuesi. Në këtë poezi ka ritme jete, vrullim
ndjenjash, vlim pasioni, por mbi të gjitha ka kërkim harmonie e bukurie, tek të
cilat me sa duket beson poetja dhe tenton t’i gjejë dhe t’i artikuloj në çdo
varg e strofë, në çdo poezi.
Poezia e saj thuret e shthuret në alkiminë e
një pasioni të qëndrueshëm, që herë herë endet në kurba të epërme dhe ritmet me
të cilat na fton poetja të ecim në rrugëtimin jetësor nuk janë ato të së
rëndomtës, të së zakonshmes e të së përditshmes, pasi lënda e parë me të cilën
ajo gatuan “bukën poetike” janë rezistenca ndaj të keqes, ndaj manipulimit, janë
flirti, joshja dhe emocioni, të cilat përcjellin gjendje të dridhshme, të
etshme, kërkuese, klithëse e trallisëse të unit.
Në këtë intervistë, ajo rrëfën me zemër në
dorë “sekretet” e poezisë që shkruan, shtysat dhe motivimet e brendshme,
rruëgtimin jetësor, pjesë e të cilit është dhe rrugëtimi i saj në fushën e
poezisë…
-Çfarë është poezia për Ju?
-Është aq i gjërë dhe njëherësh specifik një përcaktim i mundshëm rreth
termit poezi. Poezia për mua është një akt dashurie e poetit për jetën, për
veten dhe ata që e rrethojnë, për vetminë, iluzuionin, ëndrrën, është një
depërtim në të panjohurën, që banon në thellësitë e shpirtit dhe të
pavetëdijes. Poeti dallohet nga njerëzit e tjerë, njerëzit e zakonshëm që ka
pranë, pasi me anë të shkrimit estetik, konkretisht poezive, e kthen në energji
pozitive gjithçka, gjendjen, kujtesën, emocionin, dhimbjen, vuajtjen, dështimin
dhe duke bërë këtë, ai çlirohet nga pengesat brenda vetes dhe ecën me hap më të
sigurtë përpara. Thënë ndryshe, poezia është një lloj kat’harsisi shpirtëror,
një lloj “liturgjie”, që pastron shpirtin dhe e bën më të pastër qenien humane.
-Kush është Neviana Shehi? Diçka rreth jetës suaj
dhe fillimeve letrare…
Kam lindur në qytetin e Durrësit, në një familje
arsimdashese...
Deti, aroma e jodit, stërkalat e valëve dhe loja e
dritëhijeve, që përthyhen në këtë bregdet magjik, do të ishin substrakti i një
kujtese që me kohë do të përcillej nga unë si ndjesi malli e pritjeje, me anë
të poezive që do të pasonin njëra tjetrën. Edhe sot këto imazhe janë aq të
afërta e të prekshme, sa më duket se me anë të vargjeve dhe strofave i rrok dhe
i rikthej në kohë, tashme si metafora
dhe simbolika në ikje.
Shkollimin e mesëm e kreva në vendlindje Durrës, në
gjimnazin me shumë tradita “Naim Frashëri”. Ambienti letrar i këtij gjimnazi
dhe puna e mirë e mësuesit të letërsisë me nxënësit me prirje, më nxitën
pasionin dhe talentin në fushën e poezisë. Të kësaj periudhe janë disa cikle
poetike, të cilat për vetë kushtet e kohës, nuk munden te shikonin dritën e botimit.
Megjithatë, kjo shkollë u b? stacioni i parë dhe i
rëndësishëm i kontaktit tim me emrat e mëdhenj te letrave shqipe dhe botërore.
Leximet e shumta të romaneve, novelave, tregimeve, si dhe leximet kolektive të
veprave letrare në familje, ndikuan në rritjen time kulturore dhe të dashurisë
së ndërsjellte midis meje dhe librit, zgjeruan diapazonin tim krijues dhe
liritë e fantazisë.
-Ikja nga Shqipëria, kontaktet me
poezinë dhe kulturën perëndimore, duket
i dhanë një implus të ri talentit tuaj poetik…Çfarë mund të na thoni në lidhje
me këtë?
-Ikja nga atdheu, si shumë të tjerë, në kërkim të një
jete tjetër, më krijoi mundësi të reja në të gjitha drejtimet. Së pari, bëri që
të vendosja kontakte me kulturën letrare italiane dhe gjermane, solli
rifomatime të ndjeshme brenda meje, duke bërë që ta vështroja gjithçka nën një
optikë të re, sociale, etike e, sigurisht, edhe estetike. Pra, m’u zgjerua
vizioni i lirisë dhe ana konceptuale e poezisë, të cilën tani e vështroja në
një plan tjetër dhe në rrafshin krahasues, me atë çfarë shkruhej e botohej në
lëmin e poezisë italiane, gjermane dhe evropiane në përgjithësi.
Gjatë qëndrimit në Gjeramani, kreva studimet e larta në
FU, Berlin, në degën Hospitality Management dual studium, studim-punë. Për disa
vite kam punuar në agjensinë e menxhimit të eventeve të ndryshme kultutore,
shkencore, politike -Unitech und Reisen- në Berlin. Kjo përvojë, përveçse më
shërbeu në krijimin e një shtrati të qëndrushëm profesional, ishte dhe një
shkollë e çmuar, një proces njohjeje e thellë e vetvetes dhe psikologjisë së
këtyre vendeve perëndimore, pa të cilën udhëtimi im poetik do të ishte, në
mos i mangut dhe i cunguar, të paktën, i
pa plotë.
Këto kontakte do të thosha ma zgjeruan vizionin e lirisë
si dhe anën konceptuale të poezisë, e cila u pasurua me elementë të rinj
artistik, ku vendin kryesor e zënë figurat e gjetura dhe simbolikat e
guximshme.
-Poezia juaj dallohet për një një
simbolikë të fortë, figura të gjalla dhe imazhe fluide që të mbeten në mendje.
Cilat janë disa “sekrete” të saj?...
-Mendoj se poezia është një
gjendje trazimi të gjithëkohshëm, që vjen një çast e del nga thellësitë e
shpirtit në sipërfaqe, në formën e vargjeve dhe strofave, si një komunikim i
veçantë, përtej diskursit të së folurës dhe të së shkruarës sonë të përditshme.
“Sekretet” e saj janë të shumta, por “sekreti” im mendoj se është spontaniteti.
Ky spontanitet më ka çuar dhe më çon tek ato gjendje dhe imazhe, të cilat i
hedh në letër siç më vijnë, pa artifice dhe shtirje. I hedh të gjitha ngjyrat
pa retushim në telajon poetike; mungesën, flirtin, dashurinë, ëndrrën, ngjyrat e trishta, pezmin, dhimbjen, ankthin, gjithçka që gëlon në jetë, por
që unë në poezi i rikonfiguroj në diçka tjetër, në energjinë pozitive të
shpirtit, që ka një nevojë urgjente për t’u çliruar nga rëndomësirat dhe që
vjen tek lexuesi si një mesazh për ndryshim dhe përsosje.
Në vargjet e mia hedh copëra realiteti dhe imagjinate,
endjet e mia kërkimtare, si kohë arkitipale, si lëvizje fizike, si perceptim,
si kujtesë, si arkeologji e ëndrrës së kulluar. Nuk ka një definacion rreth
gjithë kësaj, është më tepër një gjendje e kulluar përjetimi metafizik, që më
shtyn drejt poezisë si drejt një “meshe” të shpirtit, duke më mundësuar të
rikrojoj një minibotë, me anë të një strukture të moderuar të sendërtimit të
artit tim poetik. E gjithë kjo tingëllon mbase disi e sofistikuar dhe do të
doja ta thjeshtoja në maksimum, duke pohuar se fundja poezia më bën të ndihem
mirë, e plotësuar dhe në harmoni me veten dhe të tjerët. Kaq më mjafton.
-Në Itali duket se gjetët, si të
thuash, “Itakën”poetike dhe shpërhimet e tua qenë befasuese. Nga njëri vëllim
me poezi në tjetrin duket një hop cilësor dhe një pasurim mbresëlënës i
spektrit meditativo-lirik dhe modernitetit. Diçka më shumë rreth kësaj…
Pas Gjermanisë, më pas veprimtaria ime transferohet ne
Arezzo, Itali, ku kontaktet me poezinë moderne italiane dhe evropiane ishin në
pikën më të lartë dhe gjatë kësaj periudhe i kam dhuruar lexuesit tre vellime
poetike: “VJESHTE FATESH” 2018, Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”, “PËRTEJ
VALEVE” 2019, Shtëpia botuese “Klubi i poezisë”, “BURRI I NETËVE TË MIA” 2020,
shtëpia botuese “Armagedoni”, Prishtinë, Kosovë. Gjithashtu krijimet e mia janë
botuar në gazeta dhe revista të ndryshme letrare, Kosovë, Shqipëri dhe
Maqedonia e Veriut. Në konkursin kombëtar kushtuar pandemisë botërore, Covid
19, poezia ime konkuroi me shumë sukses, krahas qindra konkuruesve të
tjerë,duke merituar vendin e dytë.
Nëse tek libri “Vjeshtë fatesh” isha në fillesat e rrugës
poetike, me një lloj tërheqje, krejt normale për poetët e pa afirmuar, pritja e
ngrohtë nga lexuesi dhe kritika e këtij libri, do të thosha modest, më bëri që
në librin tjetër me titull “Përtej valëve” të “sulmoja” më me “vrull”, duke e pasuruar qoftë fjalorin dhe figurën
poetike, qoftë strukturimin formal me elemente të rinj, çfarë me kohë do të më
jepte një farë sigurie në këtë rrugëtim sa të bukur, aq dhe të vështirë.
Libri i tretë “Burri i netëve të mia” sapo ka dalë dhe
vërej se ka një interes në rritje nga ana e lexuesit për ta pasur në raftin e
librave, plus interesimi i kritikës ka qenë në një shkallë të kënaqshme, çfarë
më shtyn të mendoj se jam në një kurbë rritjeje estetike dhe do ta vazhdoj pa u
ndalur për asnjë çast rrugëtimin poetik.
-Poezia juaj dallohet për sinqeritetin,
ngrohtësinë, thellësinë e ndjenjës dhe sofistikimin e mendimit poetik.
Gjithashtu spikat për elegnacën e fjalës dhe befjen e imazhit, gjetjet e holla
dhe finesën e përcjelljes së mesazheve tek lexuesi…Ndiqni ndonjë “shkollë”
poetike apo gjithçka ju vjen natyrshëm dhe sponatnisht?
-Faleminderit për konsideratën. E thënë nga një kritik profesionist si ju,
më pëlqen. Ju thashë, kontaktet me poezinë aktuale moderne që shkruhet në
Gjermani dhe Itali, njohjet me poetë të ndryshëm evropianë, kanë pasur dhe
vazhdojnë të kenë ndikimin e tyre. Por poet nuk të bën asnjë lloj shkolle,
poeti lind dhe spontaniteti, ajo që të fal natyra si dhunti dhe talent, janë
kryesorja dhe i vënë “vulën” çdo shkrimi letrar, në rastin tim, artit poetik.
Pra, e thënë më shkoqur, unë nuk ndjek asnjë “shkollë” poetike, por ritmet e
zemrës dhe ndjesitë e shpirtit, që më shtyjnë drejt zbulimit të oazeve
estetike, drejt vargjeve dhe strofave, që shprehin unin tim, kujtesën dhe
emocionin me të gjitha raportet e ndërlikuara të aktit poetik.
-Të qenit bashkëshorte dhe nënë, a duket se e tkurr
dimensionin poetik, a e kufizon mundësinë e arritjes së maksimimit nga ana
juaj?
- Jo, përkundrazi. Të
qenit nënë dhe bashkëshorte, sigurisht që është një ngarkesë dhe përgjegjësi e
madhe në familje. Një gruaje dhe një nëne i duhet shumë përkushtim për të bërë
më të mirën e mundshme për familjen e saj dhe kjo në një farë mënyre ka
“koston” e vet në krijimtari. Por kjo, mua jo vetëm nuk më ka penguar, por më
ka nxitur të vazhdojë më me këmbëngulje rrugëtimin poetik, të kemë prurje të
kënaqshme, me vlera cilësore në krijimtarinë time, siç është shprehur kritika
profesioniste. Motivimet poetike të një nëne, të një bashkëshortje, mendoj se
janë shumëfishi i atyre të një femre “të lirë”, pasi brenda çdo gruaje dhe çdo
nëne “fle” një poete, që pret vetëm orën e saj për t’u “zgjuar”.
-Cilat janë projektet e tua në të ardhmen?
-Kam shumë plane dhe “ëndrra”, por të sendërtuara
në projekte konkrete, që mendoj t’i realizoj së shpejti, janë dy libra të
tjerë, një me haiku dhe tjetri me prozë.
Intervistoi: Dukagjin HATA