Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Banaliteti i së keqes nuk ka të ndalur në Shqipëri
E merkure, 21.10.2020, 09:45 PM
“BANALITETI I SË KEQES”, NUK KA TË NDALUR NË SHQIPËRI
Nga
Frank Shkreli
Të marten në
Tiranë gjëndej për vizitë Ministri i jashtëm grek, Z. Nikos Dendias për takime
me udhëheqsit më të lartë të shtetit dhe qeverisë shqiptare. Ndër të tjerë, Kryediplomati grek pati takim
me Kryeministrin e Shqipërisë, Z. Edi Rama, të pasuar me një konferencë për
mediat nga zyrtarët e lartë të dy vendeve fqinje.
Kryeministri i
Shqipërisë, Z. Rama e ka zakon, që në raste të tilla publike të komunikojë, jo
vetëm, nepërmjet fjalëve e deklaratave, por përdor edhe simbole, sipas nevojës
dhe rrethanave. Disa javë më parë, ai
deklaroi nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë se “komunizmi dhe komunistët
ishin në anën e duhur të historisë”, një deklaratë kjo që u pasua, 2-3 javë më
vonë, me një deklaratë tjetër, në të njëjtën frymë dhe domethënje, në mbrojtje
të komunizmit nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Z, Gramoz Ruçi, i cili tha
me krenari se, “Jemi ndarë komunistë dhe ballistë, që në vitin 1944…”
Unë jetoj dhe kam
punuar në Shtetet e Bashkuara Amerikës për 50-vjet dhe falënderës Zotit nuk kam
asgjë të përbashkët me ballistët, e me komunistët, jo se jo. Prandaj nuk
dëshiroj t’i futem ndonjë debati për të
mbrojtur njërin as tjetrin, por si shqiptaro-amerikan më shqetësojnë prirjet e
kohëve të fundit, të udhëheqësve më të lartë aktualë të Shqipërisë, ndërsa
mbrojnë një ndër periudhat më të zeza të historisë së Shqipërisë dhe të
shqiptarëve – komunizmin sllavo-aziatik -- madje edhe 30-vjet pas shembjes së
komunizmit zyrtar.
Sipas fotografive
dhe disa portaleve në takimin me Ministrin e Jashtëm grek, Kryeministri i
Shqipërisë, kësaj radhe, nuk bëri ndonjë deklaratë në mbështetje të komunizmit
enverist, por dërgoi një mesazh të qartë, realisht dhe simbolikisht -- me
veshjen e tij -- me një kollare pra, me flamurin kuqezi -- simbolin më të
shenjtë dhe përbashkues të të gjithë shqiptarëve pa dallim -- dhe shqiponjën
dykrenore, të përdhosur me yllin komunist, simbol i një ideologjie të dështuar
e kriminale sllavo-aziatike, të hedhur tanimë në koshin e plehrave të historisë
-- siç thonte dikur ish-presidenti i Amerikës, Ronald Reagan -- nga mbarë bota
e qytetëruar, por, siç duket, jo nga Kryeministri i Shqipërisë dhe nga Kryetari
i Kuvendit të atij vendi. Kishim menduar
dhe shpresuar se ky yll --që nuk
shëndriti kurrë për askënd dhe të cilit ia pau sherrin mbarë bota për krimet që
u bënë në emër të tij, e sidomos Shqipëria dhe shqiptarët -- ishte shlyer
njëherë e mirë nga simbolet kombëtare të shqiptarëve.
Por, jo, paskemi
qenë gabim dhe vazhdojmë të jemi gabim. Banaliteti i së keqës së komunizmit
shqiptar vazhdon, me shfaqjen zyrtare të mjeteve, deklaratave dhe simboleve të
tjera nostalgjike të komunizmit. “Banaliteti
i së keqës…” dhe “Banaliteti burokratik…” do t’a quante, Hannah Arendt, ndoshta filozofja më me influencë dhe ndër
shkrimtarët më të njohur të shekullit të kaluar, edhe sot në 45-vjetorin e
vdekjes së saj – 30-vjet pas shembjes së komunizmit zrytar në Shqipëri.
Kështu e ka
përcaktuar Hannah Arendt bashkpunimin e kategorisë së këtyre njerzëve duke
përshkruar të keqën e nazizmit dhe të komunizmit, në periudhën e jetës dhe
veprimtarisë së saj: “Subjekti ideal i
sundimit totalitar nuk është nazisti i bindur ose komunisti i bindur, por
njerëzit për të cilët dallimi midis faktit dhe trillimit, dhe dallimi midis të
vërtetës dhe gnjeshtrës, nuk ekzistojnë më.” (Hannah Arendt, Origjinat e
Totalitarizmit).
Më habit tepër
fakti se pse përfaqësuesit ndërkombëtarë në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre
dukurive dhe prirjeje, por edhe deklaratave publike, pro-komuniste të
autoriteteve më të larta të Shqipërisë, një vend që gjithnjë pretendon se
dëshiron të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.
Të nderuar
ambasadorë, duhet të jeni të sinqertë me shqiptarët: me Enver Hoxhën dhe me
nostlagji për komunizëm, sidomos të atij të llojit enverist, nuk shkohet në
Evropë! Ambasadori i nderuar i
Gjermanisë në Tiranë, Z. Peter Zingraf, paralajmëroi sot nga Shkodra se,
“Shqipëria ka shumë për të bërë…”. Një
ndër ato kushte që duhej të plotësonte Shqipëria është përballimi i saj -- i
udhëhequr, zyrtarisht, nga qeveria dhe entet shtetërore, përfshir parlamentin –
me të kaluarën e saj komuniste dhe me krimet e regjimit të Enver Hoxhës. Është kjo një kërkesë kjo në përputhje të
plotë dhe të domosdoshme me vendimet që kanë marrë, vite më parë, shumë prej
vendeve të tjera anëtare të Bashkimit Evropian dhe në NATO, përfshir
Gjermaninë, e cila është shembull i përballjes së saj me nazizmin dhe me
komunizmin.
Thuhet se
diplomatët ndërkombtarë të perëndimit në Tiranë nuk reagojnë ndaj këtyre
dukurive në Shqipëri sepse janë të interesuar më shumë në stabilitetin e vendit
se sa në zhvillimin e një demokracie të vërtetë. Hannah Arendt do të këshillonte se edhe,
“Hitleri e Stalini i mbajtën premtimet për stabilitet, për të fshehur qëllimin
e tyre të vërtetë, për të krijuar një gjëndje paqëndrueshmërie të
përhershme.” Për 30-vjet tani, ju flisni
dhe shpenzoni fonde për vendosjen e drejtësisë në atë vend. Për çfarë drejtësie
e kini fjalën, kur Kryeministri i vendit marshon para kamerave të televizionit
me kollare kuqezi me yll të kuq në qafë, simboli i regjimit më të pa drejtë e
kriminel komunist në Evropë. Të nderuar
diplomatë perëndimorë! Nëqoftse vazhdoni
me heshtjen tuaj ndaj këtyre dukurive pro-komuniste në Shqipëri -- ndaj këtyre
prirjeve nostalgjike komuniste të autoriteteve shqiptare – atëherë ju ia kini
arritur qëllimit drejt krijimit të një paqëndrueshmërie politike të
përhershme në Shqipëri dhe jo objektivit të përfolur për forcimin e një
demokracie perëndimore, ashtu siç e gëzoni ju në vendet tuaja. Me ndihmën tuaj,
të na rrojë, jo vetëm i ashtuquajturi “stabilitet” por dhe përjetësimi i frymës
komuniste në Shqipëri! U lumtë! Efkaristo dhe
ejvalla, u qoftë të gjithëve!
Nga takimi i
Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama me Ministrin e Jashtëm grek, Z.
Dendias të marten në Tiranë, 20 tetor, 2020 – Vini re yllin e kuq në kollaren
kuqezi të Z. Rama, me shqiponjën dy krenore të Gjergj Kastriotit – Skenderbe,
të njollusor me yllin komunist sllavo-aziatik) të Kryeministrit shqiptar.