Mendime
Eshref Ymeri: Në pritje të aktit të tretë të tradhtisë së lartë?
E merkure, 16.09.2020, 06:53 PM
Në pritje të aktit të tretë të tradhtisë së lartë?
Nga Prof.
dr. Eshref Ymeri
Mbarë populli shqiptar në trojet tona etnike, është në
pritje të aktit të tretë të tradhtisë së lartë. Kjo është një gjendje ankthi,
që janë duke e përjetuar të gjithë ata bashkëkombasit tanë, deri larg në
diasporë, të cilët janë të edukuar me ndjenjën e dinjitetit të lartë kombëtar.
Në një shënim të shkurtër, me titull “Akti i tradhtisë
së lartë”, të botuar në internet më 26 mars 2020, pata theksuar se rrëzimi
i qeverisë Kurti ishte një akt i tillë. Kuvendi i Kosovës, me shumicë
deputetësh mercenarë, në shërbim të Beogradit, e rrëzoi qeverinë Kurti, sepse
në programin e saj, ajo, mes shumë objektivave, kishte shpalosur dy prej tyre,
të cilët ishin të një rëndësie të jashtëzakonshme:
1. Shpronësimin e të gjitha pasurive të paligjshme të
oligarkëve politikë.
2. Ngritjen e padisë kundër Serbisë në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë, për vënien e saj para përgjegjësië materiale për
dëmshpërblimin e të gjitha masakrave dhe shkatërrimeve që ajo pati kryer në
Kosovë gjatë viteve ’90.
Këto dy objektiva e alarmuan tmerrësisht shumicën e
deputetëve mercenarë, sepse u prekeshin rëndë interesat e tyre, si hajdutë të
oligarkisë politike. Veç kësaj, padia kundër Serbisë, ishte largim nga misioni
i tyre antikombëtar, mision ky, i kryesuar nga Thaçi për mbrojtjen e interesave
të Serbisë, në përputhje me detyrat që ajo u kishte vënë për të mos ngritur
kurrë padi kundër saj. Këtë mision, Thaçi, duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve, mbi nderin dhe mbi dinjitetin e
popullit shqiptar të Kosovës, mbi nderin dhe mbi dinjitetin e 20 mijë vajzave
dhe zonjave kosovare, të cilat i poshtëroi aq barbarisht egërsia e kriminelëve
serbë, e pati kryer në mënyrën më shembullore, që prej takimit të parë me
përfaqësuesit serbë në Bruksel më 19 prill 2013.
Akti i dytë i tradhtisë së lartë u krye më 04 shtator, në
Marrëveshjen e Vashingtonit. Përgatitja e këtij Akti pati filluar që në
Kuvendin e shumicës mercenare të deputetëve, e cila nuk aprovoi paraprakisht
platformën e prezantimit të delegacionit kosovar në takimin e Vashingtonit. Në
atë platformë, kryeministrit mumje të Kosovës
dhe anëtarëve të delegacionit të tij, u duheshin dhënë porosi të prera që, në takimin me
Vuçiçin, në prani të palës amerikane, të mos bëhej absolutisht kurrfarë lëshimi
nga pikat e asaj platforme. Prandaj ndodhi ajo që ndodhi: kur Vuçiçi, agai i kryeministrit Hoti
dhe i pjesëtarëve mercenarë të delegacionit, kërkoi që pika për njohjen e
pavarësisë të hiqej nga diskutimi, kryeministri mumje Hoti dhe ata që e
shoqëronin, si njerëz të dobët dhe servilë, ranë në bark në mënyrën më
vetëposhtëruese para serbosllavizmit, në prani palës amerikane, në vend që të
çoheshin nga tryeza e bisedimeve dhe të braktisnin takimin.
Ky qëndrim revoltues i mumjeve të delegacionit kosovar,
që drejtohej nga kryemumja Hoti, më kujtoi një shprehje bukur të goditur të
shkrimtarit dhe të poetit brazilian Paulo Koelo (Paulo Coelho - 1947), në
të cilën thuhet:
“Njerëzit e dobët, në të gjitha
kuptimet e kësaj fjale, janë të prirur për tradhti, çka është pasojë e mungesës
së forcës së vullnetit, e mungesës së karakterit, e nivelit të ulët të
zhvillimit intelektual, e varfërisë shpirtërore dhe morale”.
Në raste të tilla vendimtare në takime ndërkombëtare,
dobësia, servilizmi dhe vetëposhtërimi para bashkëbiseduesit të huaj, është
baras me tradhti kombëtare. Sepse marrëveshjet ekonomike me Serbinë, pa një
marrëveshje politike fillimisht, janë një zero me xhufkë. Por, në këtë mes, nuk
ka asgjë për t’u çuditur. Për arsye se delgacioni kosovar, me në krye një
kryeministër pa kurrfarë dinjiteti kombëtar, nuk mund të mbante tjetër qëndrim.
Sepse nuk mund të lëvizte nga piketat tradicionale që Beogradi kishte vënë para
argatit të vet Enver Hoxha që më 08 nëntor 1941. Prandaj jo më kot argati i
Beogradit Thaçi, Enver Hoxhën e ka pasur dhe vazhdon ta ketë kultin e jetës së
vet.
Akti i tretë i tradhtisë së lartë pritet të ndodhë në
Kuvendin e Kosovës, nëse do ta aprovojë Marrëveshjen e Vashingtonit.
Dukuria tradhti është e njohur në mbarë botën. Por,
fatkeqësisht, në historinë e kombit shqiptar, ajo ka pasur dhe vazhdon të ketë
përmasa tragjike në radhët e politikanëve shqiptarë. Gjatë përsiatjeve për një
dukuri të tillë të shëmtuar, mendova se do të ishte mjaft interesante t’u
propozoja lexuesve të nderuar një ese fort kuptimplote të një analisti të
njohur të botës arabe, në të cilën ai bën fjalë për psikologjinë e tradhtisë.
Po e jap të plotë në vijim.
“Është interesante,
a mundet ndokush nga ata që e ka tradhtuar njëherë mikun, çështjen ose atdheun,
të na shpjegojë psikologjinë e tradhtisë?
A e keni vrarë
mendjen ndonjëherë se cila është gjendja psikike e tradhtarit? Kohët e fundit
unë kam përsiatur gjatë për këtë çështje. Askush nuk i kursen përpjekjet e veta
për të demaskuar ata që kryejnë një veprim të pabesë. Po, në themel të atij
veprimi është pozicioni kriminal, por mua më shqetëson diçka tjetër. Për mua
është interesant jo aq komponenti kriminal i tradhtisë, sesa psikologjia e
tradhtarit dhe baza psikologjike e veprimeve të tij. Nëse tradhtinë do ta
trajtojmë si krim dhe mëkat, atëherë ka rëndësi që të nxjerrim në pah jo vetëm
motivet e kësaj bëme, por edhe të kuptojmë se si ajo ndikon mbi psikikën e
njeriut.
Natyrisht, më e
drejtë është t’i drejtohesh këndvështrimit të psikologut ose të psikiatrit. Por
unë jam munduar ta kuptoj psikologjinë e tradhtisë nëpërmjet gjykimeve dhe
vëzhgimeve personale. E pranoj se ka mundësi që të mos kem qenë në gjendje ta
bëj një gjë të tillë plotësisht.
Po ndaj me lexuesit
disa ide që më kanë lindur në kokë.
Si ta përshkruash
gjendjen psikike të njeriut, i cili tradhton mikun e vet, bashkëluftëtarin?
Përfytyroni për një
çast kur njeriu juaj i afërt, me të cilin keni ecur dorë për dorë për vite me
radhë, doli keqbërës. Me të marrë vesh tradhtinë e tij, ju, natyrisht, do të
shtroni menjëherë pyetjen: “Pse e bëri këtë?”. Në këto e sipër, ju
lindin edhe pyetje të tjera: “Kur i paska lindur në kokë mendimi për
kryerjen e tradhtisë?. Kur ne bashkë kemi ndarë tryezën, kemi falur namazin,
kemi përballuar bashkë një rrugë të gjatë, kemi bërë shaka me njëri-tjetrin? A
dëshironte vallë të më bënte keq kur më shikonte dhe buzëqeshte?”. Mendoj
se nuk është kështu, ndryshe një qëndrim të tillë mund ta përfshish në listën e
sëmundjeve psikike.
Në qoftë se gjatë
takimit me një armik, rival ose kokurrent, njeriu buzëqesh në një mënyrë të
shtirur, kurse me vete thotë: “Do të vijë edhe ora e ndëshkimit tend”, kësaj
mund t’i gjendet një shpjegim i arsyeshëm. Por në qoftë se fjala është jo për
armikun ose për rivalin, por për mikun tuaj, me të cilin keni ndjekur prej
kohësh të njëjtën rrugë, atëherë gjasat janë se këtu kemi të bëjmë me një
tjetër psikologji. Pasi e ka larguar nga koka mendimin për miqësinë
shumëvjeçare, ai duhet të krijojë një përfytyrim kaq negativ për ju, saqë të
arrijë të kryejë një poshtërsi ndaj shokut dhe mikut të tij të vjetër.
Ç’gjendje psikike
është ajo që të nxit të kryesh një krim shtetëror? Si mund të tradhtohet atdheu
ku ke lerë, ku jetojnë prindërit e tu, familja, ku kanë burimin kujtimet më të
shkëlqyera? Për çfarë mendon tradhtari, cila është logjika e tij orientuese kur
ai i përcjell ndonjë shteti tjetër sekretet që ruan atdheu i tij? Në ç’masë
paratë janë një argument i mjaftueshëm për justifikimin e tradhtisë? Mendoj se
çështja nuk ka të bëjë vetëm me paratë. Dikush vërtet mund të pasurohet kur merr
një shpërblim në të holla në shkëmbim të tradhtisë, por ama paratë, besoj, janë
të pamjaftueshme për vetë faktin e kryerjes së kësaj tradhtie.
Çështja më
interesante lidhet me pyetjen e mëposhtme:
Dikush që ka
tradhtuar mikun, atdheun ose familjen, në ç’mënyrë e justifikon tradhtinë para
vetvetes? Jam i bindur se deri në momentin e kryerjes së tradhtisë, tradhtari
përjeton një luftë të vërtetë brenda vetvetes. Çfarë i thotë një zë i brendshëm
i së keqes? Me siguri që ai i jep urdhër: “Ti duhet ta tradhtosh atdheun
tend”. Kam mendimin se ai zë e bind në këtë mënyrë: “Kjo nuk është
tradhti, kjo është revoltë kundër padrejtësisë”. Për kryerjen e së keqes
kundër mikut, ai zë mund ta nxitë në këtë mënyrë: “Po, gjatë shumë viteve ai
ka pasë qenë miku yt, por, në thelb, ai të ka shtypur”.
Por ama ekziston
edhe një zë i brendshëm i së mirës. Kam bindjen se ai zë ushton në një mënyrë
shurdhuese: “Kjo është tradhti, mos e bëj në asnjë mënyrë një gjë të tillë”.
Sipas jush, në ç’mënyrë i kalon netët njeriu që ka dëgjuar këtë zë, por që
ka parapëlqyer t’i bindet atij zërit tjetës? A mundohet ai vallë ta shuajë
zërin e brendshëm të së mirës, i cili i thotë: “Ti po kryen tradhti. Hiq
dorë nga kjo rrugë sa s’është vonë”. A e përjeton ai ndjenjën e pendesës
kur është duke përsiatur për tradhtinë?
Tradhtia është një
veprim i ndërgjegjshëm i njeriut. Ajo është një krim i paramenduar, para
kryerjes së të cilit hartohet një plan, përpunohet një ide, përdoret një
logjikë. Mandej merret vendimi pë kryerjen e tradhtisë. Pikërisht për këtë
arsye, çmimi i tradhtisë është shumë i lartë. Njeriu nuk mund të bëhet tradhtar
në çastin e një indinjate ose kur i shpërthen tërbimi.
Tradhtia është një e
keqe që kërkon përhershmëri. Kjo është një e keqe që ka vazhdimësi”(Citohet
sipas: Ali Nur Kutlu: “Psikologjia e tradhtisë”. Faqja e internetit “Molot”.
18 shkurt 2018).
Ka shumtë të drejtë
analisti arab. Tradhtia e kastës politike shqiptare në atdheun amë, në shërbim
të grekosllavizmit, është në përhershmërinë dhe në vazhdimësinë e vet, që prej 08
nëntorit 1941. Po ashtu, në përhershmrinë dhe në vazhdimësinë e vet është edhe
tradhtia e kastës politike të Republikës së Kosovs në shërbim të
serbosllavizmit, tradhti që filloi që asokohe kur Thaçi, pa nisur lufta ende,
hyri në shërbim të Beogradit, mandej u vendos në krye të UÇK-së dhe grumbulloi
rreth vetes bandën e tij, për të vrarë kundërshtarët politikë gjatë dhe pas
luftës, ashtu si edhe krimineli Enver Hoxha, për ta grabitur dhe poshtëruar
popullin kosovar, duke e katandisur në gjendjen e sotme të mjeruar. Qeveria Kurti shërbeu si një rreze drite në
botën e errësirës së oligarkisë kriminale politike kosovare, por që Thaçi, me
ndihmën e bandës rreth vetes dhe të mikut të Serbisë, homoseksualit Grenell, i
lëvizi të gjithë gurët e tradhtisë për ta shuar.