Mendime
Enver Bytyçi: Beogradi nuk dëshiron as dialogun, as integrimin në BE!
E marte, 14.07.2020, 07:21 PM
Beogradi nuk dëshiron as dialogun, as integrimin në BE!
Nga
Enver Bytyçi
Po
bëhen shumë ditë që protestues të shumtë në Beograd mblidhen te parlamenti dhe
demonstrojnë me dhunë kundër, siç ata e quajnë, masa izoluese të Vuçiç në kohë
pandemie. Këto demontrata u shitën fillimisht si përpjekje për
"demokraci", si "luftë kundër izolimit", si
"kundërshti ndaj autoritarizmit të presidentit të Serbisë", madje
edhe si kërkesë për një "Serbi ndryshe"!
Por
në fakt gjithçka mbeti një fasadë, një propagandë e pastër. Asgjë nuk është
ashtu si duket. Aleksandër Vuçiç është ideatori dhe frymëzuesi i këtyre
protestave. Ato po dëshmojnë karakterin e tyre të vërtetë, se nuk drejtohen
kundër qeverisë dhe mazhorancës së frikshme të Vuçiç, por drejtohen kundër
Kosovës, kundër dialogut Kosovë-Serbi e madje kundër integrimit të Serbisë në
Bashkimin Europian. Si të tilla, protestat e Beogradit vijnë si tentativë e
politikave dhe strategjisë ruse për të mbajtur Serbinë nën çadrën e saj.
Protestat
e Beogradit brenda pak orësh e shfaqën qëllimin, orientimin dhe kundërshtinë e
tyre. Një grup protestuesish u drejtua kundër liderit të opozitës serbe, duke e
akuzuar atë se "ka shitur Kosovën"! Ishte ky akt, i cili dekonspiroi
faktin se protesta është instrument i Aleksandër Vuçiç, i projektuar në dukje
si kundështi ndaj tij. Në vend që kjo protestë të shfrytëzohej nga opozita
serbe për të kundërshtuar autoritarizmin dhe shkeljen flagrante të parimeve të
demokracisë nga ana e presidentit Vuçiç, ajo u shndërrua shpejt dhe papritmas
në mjet të vetë presidentit kundër opozitës dhe qëndrimit të Jeremiq sa i
përket Kosovës.
Jeremiq
është shfaqur publikisht si ekstremist në raport me zgjidhjen që duhet të ketë
konflikti shqiptaro-serb. Por ai, me ose pa dije, i bëri një shërbim Kosovës
kur e dërgoi në vitin 2009 çeshtjen e saj dhe aktin e shpalljes së pavarësisë
në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky akt i tij dha mundësinë që kjo
gjykatë të konfirmojë që pavarësia e Kosovës ishte në përputhje me të drejtën
ndërkombëtare dhe me Rezolutën 1244. Ishte goditje e pariparueshme kjo për
diplomacinë serbe. Nëse presidenti Thaçi dhe kryeministri Rama do të donin ta
shfrytëzonin këtë vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata do të
kishin zgjedhur presionin ndaj Vuçiç për të shkuar drejt finalizimit të një
marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë. Por ata e hodhën menjënaë vendimin në
fjalë dhe u vunë për interesa personale në dispozicion të projektit të
presidentit serb.
Ky
projekt i Vuçiç vijon tashmë në kushte të reja të rrethanave politike e
diplomatike. "Kali i karrocvës" së dialogut, që përfaqësonte Kosovën,
pra Hashim Thaçi, nuk e tërheq më karrocën në fjale përkrah Vuçiç. Për pasojë
edhe roli i Edi Ramës në projektin serb është. Ndaj presidenti i Serbisë
aplikoi një mënyrë të re për bllokimin e dialogut dhe refuzimin e integrimit të
Serbisë në BE. Kjo mënyrë e re është protesta e shpallur fillimisht si protëstë
kundër masave të izolimit për shkak të COVID-19, por e orientuar te Kosova.
Me
numrin e madh të deputetëve në parlamentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç ka bërë
"vetëvrasje". Ai tashmë i ka votat që ta ndryshojë kushtetutën dhe të
heqë dorë nga Kosova. Fitorja e tij e thellë antidemokratike ka zbuluar dhe do
ta zbulojë hipokrizinë e Aleksandër Vuçiç ndaj Perendimit. Gjithmonë ai është
justifikuar para partnerëve të Perendimit se "për të heq dorë nga Kosova i
duhet të ndryshojë kushtetutën dhe se për këtë nuk i ka votat"! Tani që
votat i ka, ai po provokon një qasje tjetër. Dëshiron t'u thotë perendimorëve
se "është i gatshëm për kompromis, por nuk e lejon opozita, populli
protestues"! Manovrat dhe makinacionet e lideshipit serb nuk kanë fund.
Mjafton që ato të jenë në funksion të qëllimit kryesor, krijimit të Serbisë së
Madhe!
Në
fakt jo pak rraste Aleksandër Vuçiç është treguar i sinqertë si me shqiptarët
dhe me ndërkombëtarët. P.sh, para dy vitesh ai gjatë një vizite ne veriun e
Mitrovicës pati lavdëruar Milosheviçin dhe pati deklaruar se "atë që nuk
mundi ta bëjë Milosheviçi me luftë, Vuçiç do ta bënte me paqe"! Se çfarë
kishte projektuar Milosheviçi gjatë viteve 1990 dihet: - Lufta, konflikti, vrasjet,
masakrat kundër popujve jo serbë për të krijuar Serbinë e Madhe - Të njëjtën
gjë ka të projektuar në mendjen dhe skicat e tij edhe bashkëpunëtori i
Milosheviçit, sot president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Për
këtë arsye dialogu i udhëhequr nga Brukseli do të dështojë. Beogradi, sa kohë
do të jetë Vuçiç në krye të shtetit serb, nuk do të pranojë dialog dhe pajtim
me shqiptarët e për pasojë as integrim në Bashkimin Europian. Eshtë shumë
vështirë të përceptosh se politika serbe do të mund të shkëputet ndonjë ditë nga
kthetrat e politikës ruse. Rusia krijon probleme për Perendimin atje ku duket
krejt e pamundur, jo më në Beograd, ku i ka të gjithë instrumentet e nevojshëm
për ta nënshtruar atë. Para së gjithash Rusia ka si mbështetje opinionin serb.
Ndaj dhe protestat anti-Kosovë dhe jo anti-Vuçiç në Beograd janë mjet presioni
kundër BE-së, me qëllim që të destabilizohet sërishmi rajoni dhe më pas të
përcaktohen zonat e influencës ruse e perendimore në Ballkan!
Por
nuk e di nëse qeveria e zotit Hoti i ka ose jo parasysh këto rrethana të reja,
apo vërtet beson qorrazi se dialogu do të përfundojë me njohjen e Kosovës nga
ana e Serbisë! Zoti Hoti vijon deklaratat e tij të tipit të deklaratave të
Hashim Thaçit, duke premtuar se shpejt Kosova do të njihet nga Serbia! Kjo lloj
politike e ka dëmtuar Kosovën. Prandaj dhe duhet përgatitur për skenarë të
tjerë. Ndaj e çmoj kërkesën e zotit Hoti që BE të bëjë presion që pesë vendet
anëtare të saj ta njohin shtetin e Kosovës. Këtu duhet këmbngulur fort. Sepse
njohja e Kosovës nga vendet anëtare të BE-së, njëherazi anëtare të NATO-s, bën
që shteti më i ri në Europë të integrohet në strukturat euro-atlantike dhe
kësisoj do të vinte natyrshëm proçedura e pranimit në OKB. Përmes një
marrëveshjeje me Serbinë, Kosova nuk do të mund të hapë perspektivën e saj
euro-atlantike. Sepse prapa Serbisë qëndron Rusia.