Mendime
Gani Qarri: Protestë për jetësimin e ndarjes apo çfarë
E merkure, 08.07.2020, 07:47 PM
Protestë për jetësimin e ndarjes apo çfarë
Nga
Gani Qarri
Ata
të cilët nuk e kanë ngritur zërin kurrë për zbardhjen e mijëra vrasjeve të
pasluftës në Kosovë, digjnin para mëngjesit flamujt e Dardanisë në mes të
Prishtinës, nuk u pengoi asnjëherë defilimi i strukturave paralele serbe as
valimi i flamujve të Serbisë, gati në të gjitha pjesët e Kosovës, që nga
Leposaviqi, Graqanica e deri në Shterpcë, tani dashkan të ngritën edhe kundër
Gjykatës Speciale, për të shpëtuar “heroin” e tyre, ideatorin e ndarjes së
Kosovës, kinse Gjykata atakuaka UÇK-n dhe Luftën Çlirimtare, gjë që nuk është
aspak e vërtetë.
Në
fakt siç dihet tanimë botërisht nga të gjithë edhe nga OVL-t, e famshme, detyrë
e Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të merret me persona të
veçantë dhe të trajtojë vetëm përgjegjësitë e tyre individuale, por jo edhe me
organizata të caktuara dhe as me gjykimin e UÇK-s, siç ngritët tym e mjegull pa
asnjë arsye dhe bëhet zhurmë kaq e madhe pa argumente fare, nga të
ashtuquajturat OVL, qëllimi i të cilave shihet qartë se është vetëm mbrojtja e
të inkriminuarve, pa të cilët edhe atyre do tu dobësohen benifitet pa djersë.
Madje
duke pasur parasysh se Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë komandant i përgjithshëm
i UÇK-s, por vetëm udhëheqës i një dikasteri të saj, si drejtoria politike, nga
9 sosh sa ka pasur gjithsejtë UÇK, shpallja e aktakuzës ndaj tij, nuk nënkupton
në asnjë mënyrë, që Gjykata Speciale akuzon edhe UÇK-n, si organizatë, por
vetëm Thaçin & CO si individ të dyshuar, për veprime kriminale të cilat pas
miratimit të saj nga Kuvendi i Thaçit, pardon-i Kosovës, Gjykata e ka për
detyrë ti shqyrtojë se janë apo jo, aktakuzat të vërteta.
Nëse
dikush që nga paslufta e këtej,shkeli me të dy këmbët mbi statusin e UÇK-s dhe
theu çdo rregull etik e moral, fajtorët duhet ti kërkoni brenda vetes,juve të
plotfuqishmëve për të cilët nuk vlente asnjë ligj, sepse askund në programin e
Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk figuron që pas lufte, të gjithë ju, medoemos
duhej të bëheshit milioner, secili ti mbante nga pesë-gjashtë apo edhe shtatë
vendpunime, kur papunësia në Kosovë arrinte nga 40 deri në 50% dhe varfëria e
skajshme deri në maksimium, ndërsa për të gjitha këto, derisa ju uzurponit e
grabisnit gjithandej pa mëshirë, për skamnorët dhe të varfërit e lënë pa asnjë
mbështetje,të cilëve u hiqej edhe ndihmesa e vogël sociale prej vetëm 70
eurosh, duhej të përkujdesej populli dhe diaspora, tu ndihmonte me miell e
gjëra tjera ushqimore dhe tu ndërtonte edhe shtëpi për strehimin e tyre,
përderisa ju trashnit milionat tuaja në mënyrë të paligjshme.
Par
në prizmin e të drejtës juridike, siç shprehet edhe avokati i mirënjohur nga
Shqipëria, z.Spartak Ngjela, pas deklaratave publike të ish këshilltarit për
Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, z. John Bolton i cili dëshmoi në mënyrë
të përsëritur se vet Thaçi është ai që ka kërkuar ndarjen e Kosovës, edhe Prokuroria e Kosovës, sikur Kosova vërtetë të
kishte një prokurori dhe gjyqësi të pa-kapur e të njëmendtë, do duhej të
ngriste padi menjëherë pas dëshmive të z. Jon Bolton kundër Hashim Thaçit për
tradhti kombëtare, e jo të organizohen tani edhe protesta në mbrojtje të tij,
gjë që do ta vej gjithë popullin në lajthitje se për çfarë kauzash vërtetë,
"luftohet" në Kosovë.
Një
njeri si Thaçi i cili edhe në postin e presidentit të shtetit të Kosovës, për
zëdhënës të parë, tash e sa vite mbanë kryespiunin e Serbisë Baton
Haxhiun-Stanishiqin dhe për këshilltar të preferuar kishte pjesëtarin e
sigurimit të fshehtë shtetëror serb BIA- Branisllav Nikoliqin, i cili në një
video të publikuar vite më parë nga RTK, shihej qartë se si paguante qytetar të
Kosovës, për të dëshmuar rrejshëm kundër UÇK-s, obligon secilin qytetar përfshi
edhe OVL-t e hardisura, ti kërkohet drejtësisë që të merret me të, jo të bëhet
propagandë se kinse po akuzohet UÇK dhe të hidhen në mbrojtje të tij.
Argumenti
më bindës se vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më i lartë
juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka respektuar në plotëni UÇK-n,
dhe nderuar në mënyrën më të fuqishme luftën tonë çlirimtare, ishte vendimi i
saj historik në korrik të vitit 2010, se: "Deklarata e shpalljes së
pavarësisë së Kosovës është në përputhje të plotë me të drejtën
ndërkombëtare", duke vendosur në favor të pavarësisë tonë dhe vulosur
përgjithmonë legjitimitetin e të drejtës së Kosovës për shpalljen e saj Shtet i
Lirë dhe i Pavarur.
Ndërsa
z.Thaçi fatkeqësisht ka shkuar aq larg, sa përveç kërkesës për ndarjen e
Kosovës, ka kërkuar amnisti edhe për krimet makabre serbe, si dhe faljen e
gjenocidit të Serbisë të ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke shpresuar se
të gjitha këto edhe do të votohen në Parlament nga po ata 82 deputet palaço, që
rrëzuan një Qeveri legjitime, për të sjellë në pushtet një Qeveri Kukull e cila
jo vetëm se varet nga Lista serbe e kriminelit Goran Rakiq, por pas hyrjes në
qeveri dhe zgjedhjes nënkryetar i parë i saj, Rakiq e ka kthyer Veriun e vendit
tonë, në shtet të vetin privat ku pa lejen e askujt, vendosë për çdo gjë.
Një
qeveri marionetë e Thaçit, që nuk mbështetet nga populli as nuk e ka
legjitimitetin e votës së lirë, lëre që nuk mund ta udhëheq shtetin,por nuk
guxon as edhe të zhvilloj bisedimet me Serbinë, kur dihet fakti se nuk mund ti
sigurojë-jo 61, por as 58 vota në Kuvend.
Në
shtetet normale dhe me drejtësi të njëmendtë, kudo në botë tradhtia kombëtare,
shkelja e Kushtetutës dhe cenimi i integritetit territorial të vendit,
konsiderohet si tradhtia më e lartë dhe gjykohet e dënohet në formën më të
rëndë, ndaj është shumë e habitshme se si Hashim Thaçi edhe pas dëshmive të
z.John Bolton mund të qëndrojë edhe më tej në pushtet i cili në bashkëpunimin
me Aleksandër Vuçiqin, tash e sa vite kanë bërë pazare të fshehta për toka të
Kosovës dhe ndryshimin e kufijve në dëm të shtetit tonë.
Kjo
vërtetë është e pakuptueshme dhe vetëm injorantët që duan të shkelin qëllimisht
me të dy këmbët mbi të kaluarën e dhimbshme e tragjike të popullit të
shumëvuajtur shqiptar mund ta bëjnë një veprim të tillë antikombëtar, në vend
se, në këtë moment historik, ti drejtohen me një thirrje publike edhe Kuvendit
të Kosovës që Hashim Thaçit urgjentisht
t`i hiqet imuniteti dhe votoj një rezolutë për arrestimin e tij.
Për
aq më tepër, ngritja e aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve dihej dhe
është pritur që nga miratimi i raportit të Dick Marty-it, në Asamblenë e
Përgjithshme të Këshillit të Evropës me 26 janar të vitit 2011, ku të parin në
listë, Dick Marty akuzonte Hashim Thaçin & CO për rrëmbime, trajtim brutal,
vrasje tortura etj, kundër të cilit Thaçi pati paralajmëruar edhe ngritje
padie, por që nuk ngriti padi kurrë, megjithëse senatori famëkeq zviceran Dick
Marty, i nxitur nga diplomatë të shërbimit të fshehtë rus dhe serb, ngriti
akuza tepër të rënda dhe kërkoi pikërisht ngritjen e një Gjykate Speciale për
gjykimin e krimeve të supozuara.
Por
në anën tjetër, ai që mjerisht jetësoi kërkesën e Dick Marty-it, tamam ashtu
siç kërkonte ai për formimin e Gjykatës Speciale, ishte vet Hashim Thaçi, madje
duke bërë presion të pashembullt tek të gjithë deputetët për votimin e saj në
parlament, e për aq më keq, edhe që ajo të vendosej në një shtet të tretë, në
vend se qysh atëherë, të insistohej që Gjykata në fjalë, të paktën ta kishte
selinë në Kosovë dhe të mos merrej vetëm me krimet e supozuara të shqiptarëve
por edhe me krimet e dëshmuara të serbëve, si dhe gjenocidin e paprecedent të
Serbisë të shkaktuar në mënyrë sistematike shtetërore ndaj shqiptarëve të
pambrojtur në Kosovë.
Kështu
që rreth gjashtë vite pasi Këshilli i Evropës, me pretendimet e Dick Marty-it
se nga individ të caktuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin kryer krime
gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-99,deri në vitin 2000, me vendim të
Kuvendit të Kosovës u aktivizua Gjykata Speciale me detyrë që të gjykojë
personat përgjegjës për krimet e supozuara, por jo edhe UÇK-n, si organizatë.
Madje
edhe vet Kryetarja e dhomave të specializuara në Gjykatën Speciale për Krime
Lufte, Ekaterina Trandafilova, e cila e shoqëruar nga administratorja e Dhomave
të Specializuara, Fidelma Donlon, me 23 nëntor të vitit 2017 vizituan Kosovën,
pati deklaruar publikisht, se "Gjykata Speciale do të trajtojë vetëm
pretendimet për krime lufte të individëve të cilat bien nën juridiksionin e
Gjykatës Speciale, kushdo që ka kryer ato, por nuk do të merret me organizata,
apo etni, duke siguruar edhe se kjo Gjykatë, do të jetë e paanshme dhe e
pandikuar politikisht”.
Ushtria
Çlirimtare e Kosovës, siç dihet nga të gjithë, zhvilloi veprime mbrojtëse në
vend të vet, luftoi për dëbimin e okupatorit serb dhe çlirimin e Kosovës nga
Serbia, ndaj pas përfundimit të suksesshëm me ndihmën e NATO-s, të misionit të
saj çlirimtar, ajo si organizatë, me të drejtë gëzon status të veçantë jo vetëm
në Kosovë por edhe më gjerë, dhe nuk ka asnjë arsye që për fajin e supozuar të
disa individëve, qoftë edhe nën emblemën e saj, të mbaj përgjegjësi apo edhe
gjykohet nga kushdo qoftë
Ajo
që habitë më tepër, me këtë rast, është fakti se OVL,ka paralajmëruar protestë
më 9 korrik në Prishtinë, qëllimi i së cilës qenka ndryshimi i ligjit për
Gjykatën Speciale, ndaj lind pyetja se ku ishin këta njerëz deri më tash dhe
nga kush duhet të kërkohet përgjegjësi tani, kur dihet që Kosova me insistimin
e Hashim Thaçit, vet ka votuar krijimin e një Gjykate të tillë,për të ndjekur
krimet e supozuara të shqiptarëve, praktikisht të shqiptarëve të shtyrë për vetëmbrojte
nga agresioni gjenocidial i Serbisë gjatë kohës së okupimit të Kosovës.
Ndaj
protesta e paralajmëruar "gjithëpopullore" në Prishtinë kinse “Në
mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, për të kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të
ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale në mënyrë që të gjykohen të gjitha
krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë”, duke pasur parasysh faktin
se autoritet i formimit të saj, ishte vet Kuvendi i Kosovës, duket se mbahet
kot dhe nuk mund të ketë asnjë sukses në kërkesën e saj.
Për
aq më tepër, marrë parasysh faktin se si u cekë edhe më lartë, detyrë e
Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të mos merret me organizata të
caktuara, por me persona të veçantë dhe vetëm për përgjegjësitë individuale të
tyre, vet motoja e kësaj proteste, me apo pa qëllim, parashtrohet në mënyrë
shumë të gabuar dhe bëhet përgjithësim i papranueshëm, për shqiptarët dhe
bashkësinë ndërkombëtare, sepse Gjykata Speciale, nuk ka ngritur asnjë padi
kundër UÇK-s, si organizatë dhe kurrsesi aktakuzë kundër Luftës Çlirimtare të
shqiptarëve.
Përkundrazi
aktakuza është shpallur kundër individëve të caktuar, që as në atë kohë, por
edhe më vonë, nuk ishin kurrë komandantë të përgjithshëm dhe kanë udhëhequr
vetëm ndonjë dikaster të saj, por jo gjithë organizatën e UÇK-s, ndaj krejt ajo
që Kuvendi mund të bëjë në këtë situatë, nëse vërtet bën diçka në këtë drejtim,
është votimi i një rezolute parlamentare, për zhvendosjen e Gjykatës Speciale
nga Haga në Kosovë dhe tu parashtrojë kërkesë të gjitha instancave relevante
ndërkombëtare që kjo Gjykatë të përfshij trajtimin e të gjitha krimeve të
kryera pa dallim etnie, megjithëse tanimë duket të jetë bërë tepër vonë për çdo
gjë.
Kështu
që nëse nuk arrihet të paktën,që Gjykata në fjalë të vendoset në Kosovë dhe ti
trajtoj të gjitha krimet pa dallim etnie, do të ishte mese e drejtë dhe shumë
korrekte, që për një ligj të tillë i cili amniston krimet serbe dhe gjenocidin
e Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, të kërkohet sqarim dhe
përgjegjësi nga vet Hashim Thaçi.
Sepse
pikërisht nën presionin e tij, janë detyruar edhe deputetët e Kuvendit të
Kosovës, ta votojnë ligjin në fjalë dhe të formohet Gjykata Speciale, me detyrë
që të ndjek vetëm dyshimet për krimet e supozuara të shqiptarëve, duke lënë
krejtësisht jashtë trajtimit juridiko-gjyqësor krimet që kanë bërë serbët dhe
gjenocidin që ka kryer Serbia në mënyrë të organizuar sistematike, si shtet
okupator në atdheun tonë.
Madje
nga frika se mund ti hidhërohet Vuçiqi, Hashim Thaçi ka detyruar edhe gjykatat
vendore që ti hedhin poshtë të gjitha padit private të shqiptarëve, kundër
kriminelëve serb dhe gjenocidit që ka kryer Serbia në Kosovë, duke shkuar deri
atje, sa së fundmi të kërkoj jo kërkim falje dhe dëmshpërblim nga Serbia, por
faljen e gjenocidit dhe amnistinë e të gjithë kriminelëve serb, përderisa
Serbia e Aleksandër Vuçiqit mban edhe sot, pas 21 vitesh nga përfundimi i
luftës e këndej, trupat e mbi 1643 të kidnapuarve shqiptar, të cilët qysh
atëherë, ende i presin familjet me varre të hapura në Kosovë.