Mendime
Enver Bytyçi: Qeveria e Rilindjes çertifikoi gënjeshtrat e antropologut serb
E diele, 14.06.2020, 11:23 AM
Qeveria e Rilindjes çertifikoi gënjeshtrat e antropologut serb, Vuk Karaxhiç, të shek 18-të, për Eposin e Kreshnikëve!
Nga Enver Bytyçi
Ishte
studiuesi dhe antropologu i shquar serb, Vuk Karaxhiç, ai që në gjysmën e dytë
të shekullit 18-të udhëtoi në Kosovë e në Malësinë e Shqipërisë dhe gjatë këtij
udhëtimi u përball me folklorin e epikës shqiptare të kënduar me lahutë e
çifteli. Gjatë këtij udhëtimi ai qëndroi gjatë, me javë e muaj në këto
territore të banuara nga shqiptarët dhe mblodhi gjithë trashëgiminë e kulturës
sonë. Më të rëndësishmet ishin Eposi i Kreshnikëve dhe këngët për Betejën e
Fushë-Kosovës.
Pasi
i mblodhi ato Karaxhiç u kthye në Beograd dhe gjithë çfarë kishte grumbulluar
nga trashëgimia e shqiptarëve e përpunoi dhe e hodhi në një libër, duke i
paraqit këngët e Eposit dhe ato të Betejës së Fushë-Kosovës të 28 qershorit
1389 si trashëgimi të kulturës serbe. Ai ishte një personalitet i madh i
kulturës serbe dhe kishte tërhequr vëmendjen e kolosëve evropianë të kohës,
përfshirë Wolfgang Amadeus Goette. Madje me Goetten kishte krijuar një lidhje
të ngushtë miqësore e për këtë arsye studimet e tij të deformuara u botuan më
parë në gjermanisht sesa në gjuhën serbe. Po ashtu ato botime shërbyen për
krijimin e një imazhi pozitiv të Serbisë në Europën Perendimore.
Bazuar
në shtrembërimet e Karaxhiç, historiografia serbe prej më shumë se dy shekujsh
e trajtoi Eposin e Kreshnikëve si pasuri të kombit serb. Po kështu bazuar në
këngët e rapsodëve shqiptarë kushtuar Betejës së Fushë-Kosovës midis
Perandorisë Osmane dhe popujve ballkanikë, ai hapi rrugën për ndërtimin e një
platforme nacionaliste mitike në popullin serb. Me folklorin shqiptar për atë
betejë rilindësit serbë të shekullit 19-të ndërtuan platformën nacionaliste
bazuar në mitin e viktimizimit, heroizmit dhe atë të tradhtisë. Ajo platformë shkaktoi
tragjedi të shumta në Ballkan.
Në
vitin 2015 qeveria shqiptare legalizoi pretendimet e Serbisë për pronësinë e
Eposit të Kreshnikëve, kur ministria jonë e kulturës pranoi që këtë trashëgimi
unikale në kulturën evropiane e botërore ta delegojë si trashëgimi të
Beogradit, pra të Serbisë. Ishte kjo prova e parë e besnikërisë së
kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama, ndaj kryeministrit të atëhershëm, sot
president i Serbisë, Aleksandër Vuçiq!