Mendime
Prend Buzhala: Nga ekstremizmi politik e deri te dialogu (II)
E hene, 25.05.2020, 12:41 PM
NGA EKSTREMIZMI POLITIK E DERI TE DIALOGU E MENDJA E HAPUR; II
(Kundrime
anash) 2
Nga
Prend BUZHALA
Pushteti
shpall armiq imagjinarë, dhe Njeriu i Margjinalizuar shpallet fajtor, e ndien
veten fajtor e të padëshirueshëm për shoqërinë. Kësisoj, përmes eksponentëve të
veçantë (të një regjimi a force politike), për t'i mbuluar paaftësitë e
dështimet e veta, shpiken armiqtë e një religjioni kundër tjetrit, armiqtë e
kombit, mundësisht ata të jenë krejt fqinjët, të cilët janë shkaktari i
fatkeqësive tona nacionale e sociale edhe për këto 30 vjet a 20 vjet. Kështu,
mbasi jemi "të rrezikuar" nga të gjitha anët, atëherë duhet krijuar
Kultin e Të Fortit, siç janë SHBA-të (një miqësi e drejtë me të shndërrohet në
kult patologjik, prej frikësimit të vazhdueshëm irracional apo edhe real).
1. Krijimi i Kultit të
Shpëtimtarit Politik
Nga
ana tjetër, shënjestra e sulmit drejtohet kundër "të padëshiruarve, të
sëmurëve, të devijuarve, të pamoralshmëve në radhët e shoqërisë" që
absolutisht nuk përbëjnë asnjë fatkeqësi për kombin a shoqërinë. Armiku pra,
nuk është pushteti, por "i sëmuri", "imorali", njeriu i
vogël, i parëndësishëm, besimtari i thjeshtë.
Kështu
shfaqet "frika nga liria "(Sartri), e njeriu i frikësuar ndien nevojë
që të ketë mbështetjen e tij: fetari te Njeriu i Tij nga orienti apo nga
Institucioni fetar, "i përcaktuari për demokraci" nga oksidenti"
apo nga "Njeriu Demokrat" etj etj.
Kryesorja,
Njeriu i Rrezikuar, kur i mungon ndërgjegjja vepruese politike adekuate,
domosdo duhet ta shpikë Mbrojtësin e tij, Shpëtimtarin e tij, Mbështetësin e
tij. Kur i nevojitet, ky mbështetës kërkohet herë në Stamboll e herë në shtetet
tjera orientale, dhe kur mungon, së andejmi kjo mbështetje, atëherë duhet
kërkuar te SHBA (mundësisht, për t'i ikur identitetit real evropian të
shqiptarëve, sepse ashtu e kanë përgatitur ideologjitë ekstreme politike, me
anë të frikësimit; ose, "pala tjetër", te europerëndiorët si ledh
mbrojtës nga orienti etj etj). Prandaj ndodh nënshtrimi total ndaj Autoritetit
(politik, fetar, ndërkombëtar). Këtu ndodh edhe një deformim i palejueshëm i
një miqësie proverbiale amerikane-shqiptare: që mikut Të Fortë t’ia atribuosh
ato vlera (frikësimi) kundër kundërshtarëve tu politikë e që del si shpifje e
egër për përfitime të ulëta politike!
Tashmë
anëtari i thjeshtë (i partisë apo i një komuniteti) shndërrohet në Njeriun e
Bindur ndaj Autoritetit: do t'i bindet pa kushte, bie fjala, Autoritetit
Ndërkombëtar kundër "armikut të brendshëm", sepse ai tashmë e ka
krijuar vetëdijen dhe perceptimin se bota vepron sipas logjikës
vartësi-autoritet. Ky është një ekstremizëm i sojit të veçantë ndër ne, posaçërisht
në dekadat e fundit: armiku i përjetshëm i shqiptarëve, "Evropa
kurvë" dhe "imperializmi amerikan", shndërrohen në "miqtë
më të mëdhenj"; mbase, për t'u çliruar nga mëkati i përparshëm i
ideologjive totalitare; por rënia në ekstremin tjetër, po ashtu prodhon ekstremizëm
irracional politik, të dëmshëm, që godet brenda vetvetes, aty ju nuk duhet( siç
ishin etiketimet "proamerikan" e për "antiamerikanizëm").
2. Nga hyjnizimi i
verbër e deri te çnshenjtërimi i këtij hyjnizimi politik
S'ka
më pavarësi të personalitetit të njeriut, ai shkrihet në ndërvarësi ndaj Të
Fortit, ndaj të cilit duhet të bindemi verbërisht në gjithçka e për gjithçka! I
Forti i Gjithëpushtetshëm botëror, gati sa nuk shpallet Hyjni në vend të
Perëndisë! Paçka se edhe ata janë njerëz prej mishi e gjaku, siç na e dha
porosinë pandemia: ajo godet të fortët e të dobëtit!
Por,
a është e sinqertë kjo bindje e verbër ndaj Autoritetit (i njerëzve të vegjël
ndaj partisë së tij, apo i një kombi të vogël ndaj Të Gjithëpushtetshmit)?!
Jo,
nuk është e sinqertë, për faktin që aty nuk mbretëron ndërgjegjja e
vullnetshme, por frika, ankthi: Aty, pas perdes së nënshtrimit, strehohet
urrejtja e shtypur. Në momentin e çshenjtërimit të këtij hyjnizimi, shpërthen e
del haptas kjo urrejtje e tulatur.
Partia
ekstreme e Udhëheqësi ekstrem, përfaqëson Të Përsosurën, Epërsinë, Qëllimin e
Lartë. Përbuzja drejtohet ndaj Të tjerëve, ndaj Të pazgjedhurve, ndaj atyre që
nuk hyjnë në vathin e Të Zgjedhurve (shenjtërimi i deputetit, që sjell shpëtim
apo që premton lumturi e shpëtim). Të Tjerët, Të pazgjedhurit, janë të
përbuzur. T Zgjedhurit janë racë e epërme, kurse Të pazgjedhurit janë
inferiorët, të paaftët që duhet shtypur a që duhet të shërbejnë Të zgjedhurit.
A
është forcë etike e njerëzore sjellja e tillë?
Jo,
është tregues i ligështisë së brendshme, etike e shpirtërore. Duke e shpallur
vetveten I Zgjedhuri i Përhershëm në Parlament apo Pushtet, ai krijon ndjesinë
e epërsisë, arrogancës, mendjengushtësisë, e që në fakt nuk e ndien veten të
sigurt. Ndaj Autoritietit të Gjithëpushtetshëm Ndërkombëtar) ai shfaq
servilizëm të skajshëm, inferioritet pasiurie, ndaj të vetëve arrogancë të
pafund, narcizëm vetjak.
3. Nga dera e mbyllur e
mundësve e deri te mendja e hapur
Njerëzit
bashkëbisedojnë. E në mungesë të Fjalës së Gjallë, të drejtpërdrejtë,
zhvillohet edhe shkrimi. Shkrimi si bashkëbisedim.
Secili
shkrim është dialog më vete.
Ashtu
sikundër thotë Amin Maluf, sociolog libanez, gazetar e reporter lufte,
ekstremisti politik apo fetar, e redukton gjithçka në një përkatësi kryesore,
tejet të reduktuar, për të vlen vetëm përkatësia e tij (etnike, klasore, racore
ose fetare), duke e shpallur veten krenar për këtë përkatësi monolite, të
tjerat dhe të tjerët nuk vlejnë, e ky është "identitet fisnor, i cili
është burim i fanatizmit, ksenofobisë, intolerancës dhe grindjeve, një
identitet vrastar.”
Bota
që ata e shohin, perceptohet si botë bardh e zi: dogmatizmi i tyre është besim
i verbër, ky besim nuk lejon kundërshtime, nuk i nënshtrohet kritikës. Duke
shikuar botën bardh e zi, atëherë nuk janë në gjendje që t’i shohin edhe
ngjyrat tjera, qofshin ato politike apo dhe të fushave të tjera të j jetës.
Bardh e zi do të thotë që bota, kombi, politika apo shoqëria ndahet në armiq e
miq, në tradhtarë e në patriotë, në njerëz të dobët e në njerëz të fortë. S’ka
më dallime, nuk vlejnë larushia pluraliste politike. Në emër të një politike
partiake, edhe vëllai shpallet e perceptohet ndryshe, po qe se nuk k takon
taborit tënd politik. Në SHBS e në Evropë janë të njohura raste, kur vëllezërit
apo babë e bir u takonin taborëve politike të ndryshme, por vëllazërinë dhe
përkatësinë familjare e kanë ruajtur si gjënë më të shenjtë.
Kurse
ekstremistët politikë a të sferave të tjera të jetës, kanë mendje të mbyllur,
mbasi mendjet e mëdha e kërkojnë të jenë të hapura. Mendja e mbyllur,
dogmatike, mbyll edhe perspektivat shoqërore e nacionale, personale e
njerëzore. Së këndejmi, demokracia e mirëfilltë, arsimi i hapur universitar,
debati e dialogu qytetar, janë ilaçi më i mirë për t’i thyer muret e kësaj
mbylljeje, këtë tirani të marrëzisë mendore. Është ajo mizori që shpie në
qorrsokak, që mbyll çdo shteg të ecjes përpara. Dhe kjo tashmë ishte provuar,
kur pëlcitën muret e ndalesave të tilla ultradogmatike të totalitarizmave
politikë (komunizmit e fashizmit).
Dogmatiku
i tillë (partiak, ideologjik a fetar), ekstremisti i tillë politik, i përdhos
edhe vlerat e mirëfillta: përdhos miqësinë e vërtetë, vlerat familjare e
nacionale, vlerat kulturore e njerëzore.
Përdhosen
edhe besimi në vlerat reale të qenies njerëzore, sepse dogmatiku i tillë
mendjengushtë mbyt besimin, guximin apo trimërinë e shpirtit. Ai shpall vetëm
një shteg dhe e redukton gjithçka te vetëm një mundësi, kurse mendja e hapur
hap shumë shtigje dhe krijon shumë mundësi.
Mendjet
e hapura mbajnë qëndrim kritik e dyshues në përqasje e tyre, në kërkimet e
tyre, nxit e frymëzon ndriçimin e trurit njerëzor, ndriçimin e shoqërisë e të
kombit të vet, kurse ekstremisti politik e mendjengushtë nxit vetëm injorancën,
shuarjen, zhbërjen, fatkeqësinë dhe izolimin total.
Mendjet
e mbyllura shfaqen në të gjithë krahët politikë e që janë burim i
autoritarizmit.
Përpos
dialogut, mendja hapur është ajo që njerëzit i bashkon për t’i sqaruar gjërat,
realitetet shoqërore, politike e nacionale dhe për të vendosur për to. Nëse partitë
politike, me ekstremizmin e vet të dëmshëm, i mjegullojnë gjërat, mendja e
hapur i kthjellon. Ndodh mu ashtu kur dritaren e mbuluar nga avulli apo
papastërtia, detyrohemi për ta pastrua dhe për ta parë të qartë botën jashtë:
më saktësisht, për ta lejuar të hyjë drita brenda hapësirës ku qëndrojmë. Do të
thotë: duke i shembur muret ndaluese të këtij ekstremizmi, ne e marrim dritën
që depërton në mendjen tonë . Mospajtimi me mendimin e tjetrit është një shteg
drite që hap mundësi tjera, por assesi secilin mendim të tjetrit nuk është e
thënë ta hedhim poshtë. Kjo do të ishte fitore e madhe jo vetëm e demokracisë,
por përgjithësisht e qytetarisë sonë.: të mposhtet kjo injorancë e ekstremizmit
jo vetëm politik.
Shembulli
më i mirë i shembjes së mbretërve hyjnorë, i autoriteteve totalitare që çfarëdo
regjimi qofshin, janë shoqëritë europerëdnimore dhe këtë model e përqafuan edhe
vendet tjera evropiane nën komunizëm, cili u shemb si kështjellë prej letre, pa
pasur nevojë për ndërhyrje. Kjo do të thotë se liria dhe demokracia janë vepra
tëa tij kombi e shteti e nuk janë një “demokraci e bartur” apo e imponuar nga
kushdooqftë. Është produkt e burim i fuqive të pashtershme qytetare për liri,
demokraci e pavarësi.
(Prend N. Buzhala, 24 maj 2020)