E enjte, 28.05.2020, 09:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmir Minguli: Urat dhe muret në narracionin e veçantë të Qemal Vrionit

E merkure, 20.05.2020, 03:36 PM


Urat dhe muret në narracionin e veçantë të Qemal Vrionit

(Shënime kritike për librin me tregime dhe meditime"Ura e Tamarës" të Qemal Vrionit, Emar, Durrёs, 2014)

Nga Fatmir Minguli

Libri "Ura e Tamarës" është libri i parë me prozë narrative i Qemal Vrionit, por krahasuar me librat e tjerë që më vonë ky shkrimtar ka botuar, ze një vend të veçantë, si të thuash një pikënisje drejt një rruge të re e të pashkelur për të. Eshtë një libër mes librave të mëparshëm të këtij autori, libra me karakter monografik si "Pinjollë të tjerë të fisit të madh Vrionas", "Kontribut i përhershëm patriotik" dhe librave me tregime apo roman si "Lartëmadhëria e tij dhe filozofi", "Ikja e madhe", që vazhduan me dy libra për klerikun Refik Ajazi.

Kuptohet që nuk po përmend veprat e tij të pikturës të cilat veç tabllove janë shoqëruar kohë pas kohe me disa albume, që edhe këta janë libra.

Libri “Ura e Tamarёs” u botua nё vitin 2014, por kaloi pa u vёnё re ashtu siç  i takonte njё libri tё tillё. Prandaj le të kthehem te libri "Ura e Tamarës" për të cilin autori shprehet, apo pretendon se është një libër i thjeshtë, më i thjeshtë se librat e tjerë të tij. Duke e kundërshtuar këtë pretendim, unë mendoj se pikërisht ky libër është më esenciali që shpreh, që nxjerr mё mirё në pah talentin e tij prej shkrimtari, një shkrimtari të kohës, një shkrimtari të mendimit.

Prandaj duke qenë kështu njeri i thjeshtë, siç pretendon edhe për librin, ai është i mbrujtur me edukimin intelektual qytetar dhe di se çfarë të shkruaj, ose nëse shprehem më mirë, ai shkruan ato që ia do zemra. Ky është dhe triumfi i letërsisë puritane, i një letërsie pa kufinj, pa gardhe partiake dhe pa mbeturina militantizmi fshataresk.

Këtu më duhet të bëj një konstatim timin personal. Qemal Vrioni  është piktor dhe si i tillë kërkon që të jetë dhe në letërsi. Më kujton Uillam Bllekun që diti të ekuilibrojë në peshoren e inteligjencës, pikturën me poezinë, ku në të dyja ai shkëlqeu. Mu për këtë konstatim që kam zhvillohet dhe analiza për tregimet apo meditimet  që autori Qemal Vrioni na jep në librin e tij "Ura e Tamarës".

Ky libër përmban 27 tregime dhe meditime të cilat shtrihen me subjekte nё një hark kohor shumë të gjatë. Janë subjekte të marra nga jeta e këtij autori, të cilat duke i hedhur nё libër ai krijon “autobiografinë e shkrimtarit artist” duke nënkuptuar piktorin dhe shkrimtarin. Lutem që të vijë koha për të promovuar veprat e Qemal Vroinit, ato të shkruara me stil krej të veçantë, pёr tё vetmen arsye se ai duhet njohur mё shumё me librat e tij tё prozёs. Eshtë koha që duhen demonstruar nё të gjithë Shqipërinë jo veprat e pikturës, për të cilat i ka hapur disa ekspozita, por e kam fjalën për librat me prozë dhe librat monografikë.

Eshtë një mision që kritikët jo vetëm durrsakë të merren me këto vepra por dhe për kritikë të tjerë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e më tej. Normal, se ai është thjeshtë një shkrimtar né Durrës, por kjo nuk do të thotë se vepra e tij është provinciale. Jo, ajo ka vlera kombëtare dhe duhen njohur sepse aty është historia e shqiptarëve.

Unë nё përgjithësi i jap shumë rëndësi shkrimtarëve që qasin narracion të veĻantë, pavarësisht se nuk jetojnë nё metropole, ndryshe jam kundër gradimeve me atribute mediatike për shumё shkrimtarё tё kryeqytetit.

Të lexosh tregimet dhe novelat e Qemal Vrionit ke lexuar jetën e shkrimtarëve dhe do të dalldisesh pas trilleve të sajuara të disa shkrimtarëve që i quajnë “elitë”. Trillet e sajuar janë si të thuash artifica ku ecën koncepti i parasë apo një lloj narcizmi i cuditshëm.

Le të vimë të libri “Ura e Tamarës” përsiatjet dhe ndodhitë personale që shkrimtari Qemal Vrioni  përshkruan  nё këtë libër vihen nё ekuilibër narrativ që jo kushdo autor e bën, sado i mirë ai është.

E kam theksuar dhe nё shkrimin tim kritik për librin “Lartëmadhëria e tij dhe filozofi” se Qemal Vrioni ka stilin e narracionit të hapur. Por nё librin “Ura e Tamarës” ky narracion e ka intonacionin mё të lartë, ka më thurje të dialogut  me meditimin. Në të kundërt, nё këtë libër të parë me prozë  shfaqet puritanizmi nё narracionin horizontal  të Qemal Vrionit.

Ky është konstatimi i parë.

Duke lexuar tregimet dhe meditimet nё këtë libër duket sikur ai nxiton të tregojë, sikur të jetë i “pangopur” sё treguari, sepse këtu shkon për shtat thënia obeliske e At Zef Pëllumbit: “Rrno për me tregue”. Ai mendon se ajo që ka shkruar akoma nuk mjafton. Ka të drejtë! Le të shikojmë ngjarjet politike dhe sociale të ditëve të sotme ku po rilind e kaluara e hidhur. Por ai me thjeshtësinë e tij proverbiale, intelektuale të një qytetari të fisëm durrsak, vazhdon të jetë ekzìgjent ndaj shkrimeve të tij, ndaj stilit të tij të të treguarit. Ai kërkon të mirën.

Por është hera e parë qё ai boton njё libёr me prozё dhe meqë po diskutoj stilin e Qemal Vrionit më vjen mirë të them se ai kombinon të hollësishmen ditore, ngjarjen e thjeshtë me idenë madhore që kaloi shoqëria shqiptare nё periudhën moniste.

Ky është konstatimi i dytë.

Në tregimet e Qemal Vrionit ngre krye “ e fshehta magjike” e cila shihet  jo si superticizёm apo si rastësi, por si magji pozitiviste. Vetë kreu i teoricienëve oklutë Albert Piche thotë se magjia ekziston. Këto aspekte të sё fshehtës magjike shihen qartazi nё tregimet “Zeneli”, “ Litari e fali”, “Portreti i malësorit”, etj.

Në tregimin “Zeneli”, parashikimi i të madhit shkrimtar të shqiptarëve, Migjenit, del më së miri. A ka studim më të madh se sa ky konstatim!? Në gjuhën e Qemal Vrionit ky konstatim është më se i lexueshëm dhe i besueshëm. Ndërsa parashikimi i Prenk Calit  nё tregimin “Ura e Tamarës” është i magjishëm  tek ai parashikon të ardhmen kur pushteti do të ndodhej nën dorën e komunistëve, mbas vitit 1944. Jo vetëm për veten e tij, por edhe për shumë intelektualë ai    parashikoi.

Kjo e fshehtë magjike është konstatimi i tretë mbi narracionin e Qemal Vrionit.

Por duhet theksuar se raporti  mes ngjarjeve të jetuara dhe strukturave të narracionit, anon pa tjetër nga kjo e fundit.

Pse?

Sepse ky është fakti që të jesh shkrimtar, ndryshe arti nuk është art por një inçizim i ftohtë i ngjarjeve, objekteve, njerëzve. Kjo shpjegohet nё analizën  që po i bëj nё esencë dy elementëve  si fjalë kyçe të  tregimeve të Qemal Vrionit. Janë fjalët “mure” dhe “ura”. Nuk është fjala për tregimet e tij të shkëlqyera “Ura e Tamarës” dhe “Muri”. Eshtë shumë më tepër se sa dy tituj tregimesh nё një libër. Qemal Vrioni godet me armët e analistëve më të mëdhenj jo vetëm nё Europë por edhe më gjerë, ai e ndjen veten europian, një qytetar intelektual dhe jo një provincial fshatar që militon nё partitë e qytetit për një rrogë. Qemal Vrioni, e di shumë mirë se që të bëhesh qytetar duhet të pyesësh veten se “ nga vjen” cila “ është e kaluara juaj” etj, etj.

Pikërisht duke shkruajtur për librin e Qemal Vrionit “ Ura e Tamarës” unë dua të konkludoj mendimet e mia për të theksuar diferencat normale, jo raciste mes qytetarëve të hershëm me një histori fisi dhe militantëve të fshatit që nuk kanë asnjë lloj historie për të treguar. Këto janë “muret” dhe “urat” që i urti artist Qemal Vrioni na sjell nё botën shqiptare.

Për urat dhe muret kanë shkruar shumë shkrimtarë noblestë si Sartër me romanin “Muret”, Ivo Andriç me “ Ura mbi Drin”, Miller me “Pamje nga ura” etj, por secili ka folur për nacionalizmin e vet.

Por Qemal Vrioni i ndan gjërat, mendimet dhe përfundon me shprehjen popullore se “ Më mirë të ndërtojmë ura se sa mure”. Ura të fton për bashkëpunim, muret të nxisin për hasmëri. Simbolet e kartmonedhave europiane “Euro”  nga  njera anë janë urat dhe nga faqja tjetër janë porta. Pra ndërtohen ura aty ku nuk ka dhe hapen porta nё ato mure ku nuk ka hapje.

Narracioni me ura dhe mure si simbole i futur nё disa tregime të librit “Ura e Tamarës” është konstatimi i katërt për stilin e këtij shkrimtari. Këto konstatime qëmtohen herë lehtë e herë nёn idenë e metaforës, një nga figurat më të preferuara të autorit. Herë herë ato luajnë rolin e katalizatorit që e ndihmojnë rrjedhën e subjektit nё mënyrë të natyrshme, nё rrymë llogjike të rrjedhshme. Kësisoj lexuesi është shumë afër me idetë e autorit, duke mos u mjaftuar me leximin e subjektit por i hyn atij nё thellësi.

Qemal Vrioni, i ndikuar nga jeta që ka kaluar ai vetë dhe pjestarë të fisit të tij të Vriona na ka paraqitur ngjarje shpesh të vërteta por që nën penën e shkrimatrit marrin ato veti që e kthejnë ngjarjen nё art duke i dhënë jetë një stili të vet origjinal që e bën tejet të dallueshëm ndër shumë shkrimtarë.

Qemal Vrioni shpërthen ashtu siç kanë shpërthyer autorë të mëdhenj  të letërsisë botërore ku pjesë të tëra të veprave të tyra janë të bazuara nё jetën e tyre.

Si model madhor ne shqiptarët kemi Jeronim De Radën me veprën e tij “Autobiografia” ku shkrihen arti, letërsia, dashuria për mëmëdheun dhe vetë jeta reale.

Nё librin “Ura e Tamarës” është dhe një tregim me titullin “Dialog me Hitlerin” i cili dallon për mënyrën e veçantë të të treguarit. Fantazia e autorit nëpërmjet një alegorie elastike jap detaje paralele me kohën e sotme dhe ku abstraktja triumfon ndaj konkretes ose e thënë ndryshe, abstraktja  është më e aftë për të shpjeguar qëllimin e vërtetë të autorit.

Durrës 17 maj 2020



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora