E enjte, 18.04.2024, 08:44 PM (GMT+1)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare

E merkure, 20.05.2020, 05:28 PM


Autori në shpellën e Klosit

MAGJIA E BUKURIVE TË NËNTOKËS SULOVARE

Nga Pëllumb Gorica

Të endesh në hapësirat e nëntokës, të flet një emocion, një ortek ndjenjash, një mbështjellje shpirtërore. Të merr me vete mendimi i rrëmbyeshëm, që do të thotë po ashtu, të pushton një ndjesi e bukur kur prek këtë botë, të çuditshmen, të veçantën, magjinë…

Peizazhet e nëntokës, të veshura jo vetëm me bukuri, por edhe hijerënda e kërcënuese në thellësitë e tyre ruajnë të fshehta. Në mendimet e njerëzve shfaqen të frikshme, të ushqyera nga bestytni, e të lidhura me histori që ngjajnë pak misterioze. Aty gjen gjurmët më të hershme të njeriut prehistorik, e përmes tyre zbërthehet edhe rruga e jetës që ka ndjekur ai në rendin primitiv, sepse sapo arriti të njohë vetveten, hyri në shpellë që të mbrohej.

Të mos kesh parë shpellat e famshme në botë, sigurisht nuk është gjë e mirë, por të mos shohësh ato të vendit tënd, është e pafalshme. Disa shpella, si ajo e Pëllumbasit në Tiranë, e Kabashit në Gramsh, e Duk Gjonit në Orikum, e Gojës së Ujkut në Prespë, apo e Shkamit të Rajës në Nikaj Mërtur të Tropojës, etj., përtej madhësisë së tyre drithëruese me dekoret përrallore, të flasin me gjuhën e periudhës së neolitit e më vonë.

Në Klos të Sulovës është zbuluar një shpellë e veçantë, si pasojë e gërryerjes së shpatit shkëmbor. Një zbulim tepër interesant, që kurrsesi nuk mund të anashkalohet për t’u vizituar. Ajo gjendet në kodrat shkëmbore të Sulovës, të ashpra në pamje, të veçanta në format dhe përmasat, e që shtrihen me kilometra të tëra. Ato të ndara nga qafa rrafshesh e përrenj, herë të ngushtë e herë të gjerë, me pjerrësi të tilla, ku në disa vende nuk mund të ngjitet as këmba e njeriut, i qëndrojnë luginës së Devollit, si gjysëm kurorë. Ndjesia më e këndshme është, se kur je në këto lartësi, ndonëse nuk i kalojnë 811 m, si në një ballkon përshëndetesh me malin mitik të Tomorrit. Në gdhendjen e kësaj natyre ka luajtur rol ndërtimi gjeologjik, që ruan gjurmët e epokave të largëta, të një njësie të moçme sedimentare e strukturës së tokës, e moshës së oligocenit, e formuar 40 milion vjet më parë.

Kujtdo mund t’i lindë pyetja:, Sa të zotët jemi t’i ruajmë këto bukuri që i ka krijuar natyra? Sepse, asgjë nuk është si më parë. Pakujdesia e njeriut, si qenie e çuditshme që është, zgjedh të shkatërrojë në mënyrë të dhimbshme, duke ç’orientuar rregullsinë e bashkëjetesës së pozicionimit të hapësirës, me shëmtim të elementëve përbërës. Këtu shpatet shkëmbore po pësojnë ndryshime, si pasojë e gërryerjes së materialeve të gurta, për ndërtime të gjithëçfarëshme, dhe i ka kthyer ato në një shkretëtirë vrasëse, aq sa t’i errësojnë sytë, të zhdukjes së tonelatave gurë, nga mjegullat e kohës dhe etja për të përfituar.

Me syrin e një adhuruesi të natyrës vështron edhe peizazhet gjeomorfologjike, me stade të ndryshme degradimi, nga rrjedhat ujore në shekuj, që duke vepruar mbi to, kanë krijuar pamje, aq sa në ndonjë rast, të krijohet përshtypja se janë vepër e njeriut. Nëpër gurët dallohen lehtazi fosile organizmash të gjalla, si guaska midhjesh, yje, kërmij, që kanë lënë format dhe ngjyrat e tyre. Ndërsa humnerat, zgavrat, gropat dhe shpellat, të befasojnë me hyrjet e mundimshme, por edhe të thelluarat që shtrihen në thellësi, me përmasa të tilla, aq sa mund të strehohen dhjetëra e qindra njerëz e kafshë. Shumë syresh prej tyre kanë shërbyer në kohëra për strehimin e barinjve, kaçakëve apo të atyre që përndiqeshin nga sisteme e pushtues.

Ecim në të përpjetën e shpatit shkëmbor, që lëpihet nga rrëpirat. Në një faqe pylli këmborat, zilet dhe blegërimat e një tufe dhish tingëllonin si simfoni e mrekullueshme, sa mund t’i krahasosh me muzikën e Bethovenit. Tej, së largu, një tufë sorrash të trembura fluturojnë, duke lënë pas kakarritjet e tyre karakteristike. Hapat tanë trazojnë heshtjen e një vendbanimi të lashtë, me gurë, tjegulla e tulla të shpërndara, mure të rrënuara me ngjyrë të myshkët, dhe fragmente të një rruge të lashtë, që diku shfaqet e diku humbet, e rreket të lëshojë rreze drite prej kohës së largët.

Kur vështron fizionominë e vendosjes së tij bindesh pa asnjë mëdyshje se ishte një vendbanim i madh, sa macja kalonte çati me çati, për të mbetur sot si përfytyrim i një qytetërimi arbëror dhe pikërisht për këtë arsye u shkatërrua nga të huajt që kafshonin egërsisht tokat tona, me rreshtat e tyre të panumërta, e si era që fryn, nxinin gjithçka dhe sillnin shkatërrim.

Nga pleqtë e Sulovës dhe shfletimet e dokumentave mëson shumë histori për vendet historike të saj, të gurëve që flasin. Historiani elbasanas Shyqyri Demiri në librin “Vështrim i shkurtër historik i trevës së Elbasanit”, faqe 28, sjell dëshmi: “Është shfaqur një mendim se këtu kemi të bëjmë me një qytet të lashtë, që u shkretua prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore: me pishtarët e ndezur mbi brirët e dhive’’, duke vazhduar më tej shkruan se: “para pushtimit turk i përkiste dinastisë së Muzakajve dhe kalaja ishte pjesë e këtij qyteti.” Kalaja e Qafës hyn në radhën e atyre të ndërtuara në epokën e perandorit bizantin Justiniani (526-565). Po ç’të qëmtosh më parë nga shkatërrimi i mureve uloke të saj, të mbështjella me hijen e zezë të zbraztësisë, që vetëm gojë nuk kanë të flasin, e vetëm të prek një trishtim, nga ato që s’ka të rrëfyer. Mungesa e përkujdesjes është e qartë dhe ajo do të harrohet. Veçse do të thuhet se dikur këtu ishte një qytet e një kala me histori të lashtë. Këto të bëjnë të besosh edhe jehonat e legjendave që mbajnë të fshehur enigma të shumta. Dhe ndonjëra syresh, si ajo e flijimit, të duket më e afërt se kurrë. “Në kohën e Arbërisë, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka, e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë për t’i shpëtuar turqve, që e kishin rrethuar me një ushtri të madhe në numër, “fluturon” së bashku me mushkën nga kalaja në një pllakë të gjerë shkëmbore e cila ende edhe sot njihet si Gjurma e Mushkës.”

Duke ngjitur të përpjetën drejt shpellës karstike të Klosit nëpër një shteg të rrëpirtë, një e çarë, si një gojë e madhe, të bie në sy pingulthi pranë gurëve të shkëputur nga gërryerjet e shpatit shkëmbor. Edi, fotografi i apasionuar pas natyrës e historisë së Sulovës (të tjerët të “zhytur” në faqet e rrjeteve sociale, duke i kundruar fotot e videot e tij, në vend që të motivohen për t`i parë me sytë e tyre), të shoqëron atje, ku e bukura të tërheq.

Të pushtuar nga kureshtja, duke ndriçuar hyrjen e ngushtë, e cila të detyron të përkulesh, që në hapat e para të fut në kaosin e një salle, si një sallon i madh mode prej më shumë se njëzet metra gjatësi e po aq në gjerësi, dhe tavan të ulët sa një bojë njeriu. Në atë çfarë na rrokin sytë mbetemi të gozhduar për një çast nga habia dhe kënaqësia e madhe, e stalaktiteve dhe stalagmiteve e vetëvetiu sejcili prej nesh s’rri dot pa nxjerrë pasthirrmën: Ah, çfarë mrekullie!

Ne përparojmë në brendësi të shpellës, ku kalimi zgjerohej në kënd të drejtë, në zgjatje të saj, me plot dallgëzime dhe përthyerje. Heshtja thyhet nga hapat dhe pikëzat kumbuese të ujit. Mes freskisë së ajrit të lagësht që regëtin, shpella të krijon rrënqethje. Drita e elektrikut ndriçonte brendinë e dekorit piktoresk të tavanit ,të mbushur me kristale të bardha të përmbysura, që kur i prek tingëllojnë si xham. I krahasojmë me një ekspozitë të vërtetë ornamentesh artistike.

Atje kjo bukuri, kjo madhështi, kjo magji, pa as me të voglin kujdes është sakatuar nga kërkuesit e thesareve. Ata, duke besuar në mistikën e legjendave dhe fantazisë së panjohurës së tyre kanë gërmuar në jo pak vlera të papërsëritshme të nëntokës dhe lashtësisë sonë. Natyrisht, i japim të drejtë të madhit Faik Konica, se “armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët’’, me shkatërrimet e qindra stolive speleologjike dhe arkitekturore për të “zbukuruar” mjediset e shtëpive, bar – kafeneve e hoteleve luksoze.

I përshkojmë këto mrekulli përrallore me lartësi një metër gjer dy metër, me një ecje të kujdeshme pa prekur asgjë me dorë për të mos i dëmtuar (një prekje e lehtë i shkëput nga vendi), dhe, duke i fotografuar me nge, kalojmë mes kollonave të pingulta të madhësive të ndryshme, që ngjajnë si statuja gjatoshe me ngjyrë floriri. Asnjëherë nuk shikojmë të njëjtat pamje, të njëjtat ngjyra, reflekse, e ato ndryshojnë në çdo hap që hedhim. Kështu ndryshojnë dhe emocionet që përjetojmë. E adhurojmë artisten natyrë që me durim, në shekuj, i ka krijuar ato, nga rrokullima e ujërave nëntokësore me gërryerje të gëlqeroreve prej acideve. Ajo që bie më tepër në sy nëpër plasat e shpellës, në vendet më të errta të saj janë foletë e shpendëve dhe jashtëqitjet e tyre. Në një çast qetësie, ku asgjë s`pipëtin dëgjon edhe përplasjen e krahëve të lakuriqëve, që e mbushin ajrin si në alarm për të dalë nga aty.

Hedh vështrimin duke përfshirë pamjet e kësaj shpelle të veçantë në pajtim të plotë me elementët e tjerë. Mendimet kthjellohen e humbasin në hapësirën e përfytyrimeve rreth legjendave të lashta mitologjike, të cilat krijojnë sheshe zgjimi për të zhbiruar enigmat që ato mbështjellin. Në mendje të vijnë ato çfarë kemi lexuar nga autorët antikë dhe të tjerë për shpellat dhe priftëreshat e Dodonës pellazgjike, që quheshin Selloi. Ato janë përshkruar nga Homeri si njerëz që jetonin shpellave e flinin shtrirë në tokë e vepronin sipas një riti të lashtë pagan, duke lexuar kraharorin e shpendëve dhe shpatullat e kafshëve. (Është shumë interesante se si janë ruajtur në mijëvjeçarë riti pagan në  krahinën e Sulovës, që shpjegon vijat e shenjat në kockat e bagëtive të imta dhe gjoksit të shpendëve). Mollosi ka tregime mitologjike për tempullin e Dodonës, dhe për priftëreshat e Selijve, këmbëzbathura e gjumëpërdheas.

Ato fatlëna, me veshjen e bardhë i shfrytëzonin këto “fole” të këtij vendi magjik për pelegrinët, të cilët vinin për të kërkuar zgjidhje për ëndrrat e shqetësimet e njerëzve të tyre, me këtë magji (një nga kultet më të vjetra në botë), që spikaste me ritet e mistershme. Priftëreshat bënin një jetë modeste, brenda shpellës. Vizitorët që vinin, mbaheshin për shumë kohë në vëzhgim nga priftëreshat derisa ata të bëheshin gati të takoheshin me njerëzit e tyre të shtrenjtë të ndarë nga jeta. Ky ishte edhe misioni më magjik i tyre (interpretimi i të cilave bëhej nga tre priftëresha “të mirat”, funksioni i të cilave të kujton “zanat” e mitologjisë), që e bënin vizitorin të aftë të takonte e fliste me të vdekurit. Besimi pagan gjatë orëve të magjisë nuk lejonte gratë t`i praktikonin këto rite (me përjashtim të priftëreshave), se ndryshe dënoheshin me vdekje. Në këto galeri kishte ujë termal e pishtarë për të ndriçuar rrugën, ku pelegrinët, pasi ishin trajtuar për shumë ditë me barna që jepnin efekte alucinante, shkonin në fund të galerive të gjata e të pafundme të shpellës, që të takonin të dashurit e tyre të vdekur. Kuptohet se zakonisht në atë gjendje, ata takonin një nga priftëreshat që shfaqej në errësirën e shpellës e cila luante rolin e nënës apo motrës së vdekur. Hollësi kjo që ka rëndësinë e vet në këtë ndërrmarrje të ushtrimit të magjisë.

Studiuesi beratas, Perikli Ikonomi në shënimet e tij jep disa të dhëna interesante, ku thekson se: “…Në afërsi të malit Tomorr, në Goricë të Sulovës, gjendet një kështjellë e lashtë. Në këtë vend ka ekzistuar edhe një faltore rrëzë një shkëmbi, me shumë dhoma në brendësi të tij dhe me një rrugë të thellë të nëndheshme që nuk dihet ku të çon. Nuk është çudi që të jetë shpella e Sellopisë së Orestiadhës.

***

Të vizitosh një bukuri të tillë, të botës nëntokësore, është si të vizitosh një galeri afreskesh murale, ku edhe syri nuk ndjen ngopje, duke qëndruar vazhdimisht i hapur nga kërshëria e pamjeve, të papërshkrueshme si nëpër filmat “thriller”. Bukuritë që ka ndërtuar dora e njeriut nuk kanë shumë mistere, sado antike të jenë. Ato kanë një arkitekt, një skulptor, restaurator apo ndërtues, dhe një histori si janë krijuar, por shpellat intriguese njëkohësisht, të krijuara në një filozofi të ngujuar  prej kohësh, nuk kanë moshë krijimi, e ringjallen sa here vështrohet pamja e tyre.

Kollona stalaktitesh si statuja

Dekor piktoresk  i shpellës



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora