| E merkure, 20.05.2020, 05:28 PM |
Autori
në shpellën e Klosit
MAGJIA E BUKURIVE TË
NËNTOKËS SULOVARE
Nga Pëllumb
Gorica
Të
endesh në hapësirat e nëntokës, të flet një emocion, një ortek ndjenjash, një
mbështjellje shpirtërore. Të merr me vete mendimi i rrëmbyeshëm, që do të thotë
po ashtu, të pushton një ndjesi e bukur kur prek këtë botë, të çuditshmen, të
veçantën, magjinë…
Peizazhet
e nëntokës, të veshura jo vetëm me bukuri, por edhe hijerënda e kërcënuese në
thellësitë e tyre ruajnë të fshehta. Në mendimet e njerëzve shfaqen të
frikshme, të ushqyera nga bestytni, e të lidhura me histori që ngjajnë pak
misterioze. Aty gjen gjurmët më të hershme të njeriut prehistorik, e përmes
tyre zbërthehet edhe rruga e jetës që ka ndjekur ai në rendin primitiv, sepse
sapo arriti të njohë vetveten, hyri në shpellë që të mbrohej.
Të
mos kesh parë shpellat e famshme në botë, sigurisht nuk është gjë e mirë, por
të mos shohësh ato të vendit tënd, është e pafalshme. Disa shpella, si ajo e
Pëllumbasit në Tiranë, e Kabashit në Gramsh, e Duk Gjonit në Orikum, e Gojës së
Ujkut në Prespë, apo e Shkamit të Rajës në Nikaj Mërtur të Tropojës, etj., përtej
madhësisë së tyre drithëruese me dekoret përrallore, të flasin me gjuhën e
periudhës së neolitit e më vonë.
Në
Klos të Sulovës është zbuluar një shpellë e veçantë, si pasojë e gërryerjes së
shpatit shkëmbor. Një zbulim tepër interesant, që kurrsesi nuk mund të
anashkalohet për t’u vizituar. Ajo gjendet në kodrat shkëmbore të Sulovës, të
ashpra në pamje, të veçanta në format dhe përmasat, e që shtrihen me kilometra
të tëra. Ato të ndara nga qafa rrafshesh e përrenj, herë të ngushtë e herë të
gjerë, me pjerrësi të tilla, ku në disa vende nuk mund të ngjitet as këmba e
njeriut, i qëndrojnë luginës së Devollit, si gjysëm kurorë. Ndjesia më e
këndshme është, se kur je në këto lartësi, ndonëse nuk i kalojnë 811 m, si në
një ballkon përshëndetesh me malin mitik të Tomorrit. Në gdhendjen e kësaj
natyre ka luajtur rol ndërtimi gjeologjik, që ruan gjurmët e epokave të
largëta, të një njësie të moçme sedimentare e strukturës së tokës, e moshës së
oligocenit, e formuar 40 milion vjet më parë.
Kujtdo
mund t’i lindë pyetja:, Sa të zotët jemi t’i ruajmë këto bukuri që i ka krijuar
natyra? Sepse, asgjë nuk është si më parë. Pakujdesia e njeriut, si qenie e
çuditshme që është, zgjedh të shkatërrojë në mënyrë të dhimbshme, duke
ç’orientuar rregullsinë e bashkëjetesës së pozicionimit të hapësirës, me
shëmtim të elementëve përbërës. Këtu shpatet shkëmbore po pësojnë ndryshime, si
pasojë e gërryerjes së materialeve të gurta, për ndërtime të gjithëçfarëshme,
dhe i ka kthyer ato në një shkretëtirë vrasëse, aq sa t’i errësojnë sytë, të
zhdukjes së tonelatave gurë, nga mjegullat e kohës dhe etja për të përfituar.
Me
syrin e një adhuruesi të natyrës vështron edhe peizazhet gjeomorfologjike, me
stade të ndryshme degradimi, nga rrjedhat ujore në shekuj, që duke vepruar mbi
to, kanë krijuar pamje, aq sa në ndonjë rast, të krijohet përshtypja se janë
vepër e njeriut. Nëpër gurët dallohen lehtazi fosile organizmash të gjalla, si
guaska midhjesh, yje, kërmij, që kanë lënë format dhe ngjyrat e tyre. Ndërsa
humnerat, zgavrat, gropat dhe shpellat, të befasojnë me hyrjet e mundimshme,
por edhe të thelluarat që shtrihen në thellësi, me përmasa të tilla, aq sa mund
të strehohen dhjetëra e qindra njerëz e kafshë. Shumë syresh prej tyre kanë
shërbyer në kohëra për strehimin e barinjve, kaçakëve apo të atyre që
përndiqeshin nga sisteme e pushtues.
Ecim
në të përpjetën e shpatit shkëmbor, që lëpihet nga rrëpirat. Në një faqe pylli
këmborat, zilet dhe blegërimat e një tufe dhish tingëllonin si simfoni e
mrekullueshme, sa mund t’i krahasosh me muzikën e Bethovenit. Tej, së largu,
një tufë sorrash të trembura fluturojnë, duke lënë pas kakarritjet e tyre
karakteristike. Hapat tanë trazojnë heshtjen e një vendbanimi të lashtë, me
gurë, tjegulla e tulla të shpërndara, mure të rrënuara me ngjyrë të myshkët, dhe
fragmente të një rruge të lashtë, që diku shfaqet e diku humbet, e rreket të
lëshojë rreze drite prej kohës së largët.
Kur
vështron fizionominë e vendosjes së tij bindesh pa asnjë mëdyshje se ishte një
vendbanim i madh, sa macja kalonte çati me çati, për të mbetur sot si
përfytyrim i një qytetërimi arbëror dhe pikërisht për këtë arsye u shkatërrua
nga të huajt që kafshonin egërsisht tokat tona, me rreshtat e tyre të
panumërta, e si era që fryn, nxinin gjithçka dhe sillnin shkatërrim.
Nga
pleqtë e Sulovës dhe shfletimet e dokumentave mëson shumë histori për vendet
historike të saj, të gurëve që flasin. Historiani elbasanas Shyqyri Demiri në
librin “Vështrim i shkurtër historik i trevës së Elbasanit”, faqe 28, sjell
dëshmi: “Është shfaqur një mendim se këtu kemi të bëjmë me një qytet të lashtë,
që u shkretua prej turqve, siç thotë edhe legjenda popullore: me pishtarët e
ndezur mbi brirët e dhive’’, duke vazhduar më tej shkruan se: “para pushtimit
turk i përkiste dinastisë së Muzakajve dhe kalaja ishte pjesë e këtij qyteti.”
Kalaja e Qafës hyn në radhën e atyre të ndërtuara në epokën e perandorit
bizantin Justiniani (526-565). Po ç’të qëmtosh më parë nga shkatërrimi i mureve
uloke të saj, të mbështjella me hijen e zezë të zbraztësisë, që vetëm gojë nuk
kanë të flasin, e vetëm të prek një trishtim, nga ato që s’ka të rrëfyer.
Mungesa e përkujdesjes është e qartë dhe ajo do të harrohet. Veçse do të thuhet
se dikur këtu ishte një qytet e një kala me histori të lashtë. Këto të bëjnë të
besosh edhe jehonat e legjendave që mbajnë të fshehur enigma të shumta. Dhe
ndonjëra syresh, si ajo e flijimit, të duket më e afërt se kurrë. “Në kohën e
Arbërisë, një pasha u nis me taborin e tij nga Stambolli për të pushtuar toka,
e midis tyre edhe kalanë e Qafës. Princesha e kalasë për t’i shpëtuar turqve,
që e kishin rrethuar me një ushtri të madhe në numër, “fluturon” së bashku me
mushkën nga kalaja në një pllakë të gjerë shkëmbore e cila ende edhe sot njihet
si Gjurma e Mushkës.”
Duke
ngjitur të përpjetën drejt shpellës karstike të Klosit nëpër një shteg të
rrëpirtë, një e çarë, si një gojë e madhe, të bie në sy pingulthi pranë gurëve
të shkëputur nga gërryerjet e shpatit shkëmbor. Edi, fotografi i apasionuar pas
natyrës e historisë së Sulovës (të tjerët të “zhytur” në faqet e rrjeteve
sociale, duke i kundruar fotot e videot e tij, në vend që të motivohen për t`i
parë me sytë e tyre), të shoqëron atje, ku e bukura të tërheq.
Të
pushtuar nga kureshtja, duke ndriçuar hyrjen e ngushtë, e cila të detyron të
përkulesh, që në hapat e para të fut në kaosin e një salle, si një sallon i
madh mode prej më shumë se njëzet metra gjatësi e po aq në gjerësi, dhe tavan
të ulët sa një bojë njeriu. Në atë çfarë na rrokin sytë mbetemi të gozhduar për
një çast nga habia dhe kënaqësia e madhe, e stalaktiteve dhe stalagmiteve e
vetëvetiu sejcili prej nesh s’rri dot pa nxjerrë pasthirrmën: Ah, çfarë
mrekullie!
Ne
përparojmë në brendësi të shpellës, ku kalimi zgjerohej në kënd të drejtë, në
zgjatje të saj, me plot dallgëzime dhe përthyerje. Heshtja thyhet nga hapat dhe
pikëzat kumbuese të ujit. Mes freskisë së ajrit të lagësht që regëtin, shpella
të krijon rrënqethje. Drita e elektrikut ndriçonte brendinë e dekorit piktoresk
të tavanit ,të mbushur me kristale të bardha të përmbysura, që kur i prek
tingëllojnë si xham. I krahasojmë me një ekspozitë të vërtetë ornamentesh
artistike.
Atje
kjo bukuri, kjo madhështi, kjo magji, pa as me të voglin kujdes është sakatuar
nga kërkuesit e thesareve. Ata, duke besuar në mistikën e legjendave dhe
fantazisë së panjohurës së tyre kanë gërmuar në jo pak vlera të papërsëritshme
të nëntokës dhe lashtësisë sonë. Natyrisht, i japim të drejtë të madhit Faik
Konica, se “armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët’’, me
shkatërrimet e qindra stolive speleologjike dhe arkitekturore për të
“zbukuruar” mjediset e shtëpive, bar – kafeneve e hoteleve luksoze.
I
përshkojmë këto mrekulli përrallore me lartësi një metër gjer dy metër, me një
ecje të kujdeshme pa prekur asgjë me dorë për të mos i dëmtuar (një prekje e
lehtë i shkëput nga vendi), dhe, duke i fotografuar me nge, kalojmë mes
kollonave të pingulta të madhësive të ndryshme, që ngjajnë si statuja gjatoshe
me ngjyrë floriri. Asnjëherë nuk shikojmë të njëjtat pamje, të njëjtat ngjyra,
reflekse, e ato ndryshojnë në çdo hap që hedhim. Kështu ndryshojnë dhe
emocionet që përjetojmë. E adhurojmë artisten natyrë që me durim, në shekuj, i
ka krijuar ato, nga rrokullima e ujërave nëntokësore me gërryerje të
gëlqeroreve prej acideve. Ajo që bie më tepër në sy nëpër plasat e shpellës, në
vendet më të errta të saj janë foletë e shpendëve dhe jashtëqitjet e tyre. Në
një çast qetësie, ku asgjë s`pipëtin dëgjon edhe përplasjen e krahëve të
lakuriqëve, që e mbushin ajrin si në alarm për të dalë nga aty.
Hedh
vështrimin duke përfshirë pamjet e kësaj shpelle të veçantë në pajtim të plotë
me elementët e tjerë. Mendimet kthjellohen e humbasin në hapësirën e
përfytyrimeve rreth legjendave të lashta mitologjike, të cilat krijojnë sheshe
zgjimi për të zhbiruar enigmat që ato mbështjellin. Në mendje të vijnë ato
çfarë kemi lexuar nga autorët antikë dhe të tjerë për shpellat dhe priftëreshat
e Dodonës pellazgjike, që quheshin Selloi. Ato janë përshkruar nga Homeri si
njerëz që jetonin shpellave e flinin shtrirë në tokë e vepronin sipas një riti
të lashtë pagan, duke lexuar kraharorin e shpendëve dhe shpatullat e kafshëve.
(Është shumë interesante se si janë ruajtur në mijëvjeçarë riti pagan në krahinën e Sulovës, që shpjegon vijat e
shenjat në kockat e bagëtive të imta dhe gjoksit të shpendëve). Mollosi ka
tregime mitologjike për tempullin e Dodonës, dhe për priftëreshat e Selijve,
këmbëzbathura e gjumëpërdheas.
Ato
fatlëna, me veshjen e bardhë i shfrytëzonin këto “fole” të këtij vendi magjik
për pelegrinët, të cilët vinin për të kërkuar zgjidhje për ëndrrat e
shqetësimet e njerëzve të tyre, me këtë magji (një nga kultet më të vjetra në
botë), që spikaste me ritet e mistershme. Priftëreshat bënin një jetë modeste,
brenda shpellës. Vizitorët që vinin, mbaheshin për shumë kohë në vëzhgim nga
priftëreshat derisa ata të bëheshin gati të takoheshin me njerëzit e tyre të
shtrenjtë të ndarë nga jeta. Ky ishte edhe misioni më magjik i tyre
(interpretimi i të cilave bëhej nga tre priftëresha “të mirat”, funksioni i të
cilave të kujton “zanat” e mitologjisë), që e bënin vizitorin të aftë të
takonte e fliste me të vdekurit. Besimi pagan gjatë orëve të magjisë nuk
lejonte gratë t`i praktikonin këto rite (me përjashtim të priftëreshave), se
ndryshe dënoheshin me vdekje. Në këto galeri kishte ujë termal e pishtarë për të
ndriçuar rrugën, ku pelegrinët, pasi ishin trajtuar për shumë ditë me barna që
jepnin efekte alucinante, shkonin në fund të galerive të gjata e të pafundme të
shpellës, që të takonin të dashurit e tyre të vdekur. Kuptohet se zakonisht në
atë gjendje, ata takonin një nga priftëreshat që shfaqej në errësirën e
shpellës e cila luante rolin e nënës apo motrës së vdekur. Hollësi kjo që ka
rëndësinë e vet në këtë ndërrmarrje të ushtrimit të magjisë.
Studiuesi
beratas, Perikli Ikonomi në shënimet e tij jep disa të dhëna interesante, ku
thekson se: “…Në afërsi të malit Tomorr, në Goricë të Sulovës, gjendet një
kështjellë e lashtë. Në këtë vend ka ekzistuar edhe një faltore rrëzë një
shkëmbi, me shumë dhoma në brendësi të tij dhe me një rrugë të thellë të
nëndheshme që nuk dihet ku të çon. Nuk është çudi që të jetë shpella e
Sellopisë së Orestiadhës.
***
Të
vizitosh një bukuri të tillë, të botës nëntokësore, është si të vizitosh një
galeri afreskesh murale, ku edhe syri nuk ndjen ngopje, duke qëndruar
vazhdimisht i hapur nga kërshëria e pamjeve, të papërshkrueshme si nëpër filmat
“thriller”. Bukuritë që ka ndërtuar dora e njeriut nuk kanë shumë mistere, sado
antike të jenë. Ato kanë një arkitekt, një skulptor, restaurator apo ndërtues,
dhe një histori si janë krijuar, por shpellat intriguese njëkohësisht, të
krijuara në një filozofi të ngujuar prej
kohësh, nuk kanë moshë krijimi, e ringjallen sa here vështrohet pamja e tyre.
Kollona stalaktitesh si statuja
Dekor
piktoresk i shpellës