E premte, 26.04.2024, 09:08 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Vajza të martirizuara dhe një rast i freskët

E diele, 22.03.2020, 04:13 PM


VAJZA TË MARTIRIZUARA  DHE NJË  RAST I FRESKËT…

TREGIM NGA QAZIM SHEHU

Shefi i arsimit Selim Sadria, seç kishte një shije pelin në gojë, qiellza i ishte ntrashur, gjuha po ashtu dhe tëmthat  e shtrëngonin sikur mbi to të ushtrohej   trysnia e një vale krejtësisht të padukshme. Në të vërtetë, kishte ndonja një javë që nuk ndihej mirë;jo se i dhimbte ndonjë gjë, me oreks ishte fare jo  keq , hante si viç, dhe shtrohej paq në ato drekat te Shtëpia e Pritjes, në dreka të tjera,  po ashtu kur shkonte në ekipe kontrolli, por kjo nuk ishte veçse një limonti që vinte nga ai numër shkresash-kërkesash që rrinin vandak mbi tavolinën e punës dhe ai ende nuk po guxonte t`i arshivonte në dosje. Hapi letrën e parë:”Jam një vajzë nga Korça dhe kam dhjetë vjet që mësoj fëmijët në fshatin e largët K. Jam tridhjetë e tre vjeç, dhe kam mbetur pa fejuar…Prindërit janë munduar të më fejojnë me një djalë nga qyteti ku banojnë, por ai nuk ka garanci  se më transeferojnë dhe kështu kjo çështje ka mbetur pezull. Ju lutem, vini dorën në zemër që të transferohem në ndonjë  shkollë të qytetit  tim”. Vajza kishte shkruar shkurt,  hezitueshëm, ajo as ankohej, as kërkonte me ngulm që të transferohej, por vetëm e formulonte saktë atë që parashtronte,  ndoshta e bindur se kërkesa e saj do të realizohej kësaj here. Ishte kërkesa e saj e parë. Atij iu kujtua se kishte ardhë nga Durresi kushëriri i tij i parë dhe pasi i kishte ndenjur një natë si mysafir në shtëpi, i ishte lutur që t`i transferonte motrën e cila kishte pesë vjet në këtë rreth malor dhe tani  ishte koha ta fejonte. Shefi i kishte shqiptuar me ngadalë një thënie nga udhëheqësi: “Përse nuk martohen vajzat e Korçës me djemtë sokola të rrethit N?”Por, kushëriri i ishte përgjgjiur:Po ai pse nuk e marton vajzën e tij me një fshatar?”Mirë që  kishin qenë vetëm dhe nuki i kishte dëgjuar kush…Dhe shefi ia kishte kthyer:”Mane, me këto mendime mos hajde më të më takosh!Unë jam komunist dhe  nuk e di si do ta mbajë  ndërgjegja ime këtë  që më the. Sikter,  gjidi jezit!”Ai e kishte parë kushëririn sesi ishte zverdhur, ndoshta nga gabimi që bëri, ndoshta se tani humbi djalin e tezes, ose me një llaf të shpenguar, krejt budallëkçe ia prishi punën vetesdhe  motra e tij do t`i mbante    edhe pse vjet të tjera mbi shpinë në atë fshat të largët  ku zbriste dhija  me frena dore dhe varnin foletë zogjtë nëpër mullezat e shkrepave…Atij iu kujtua tani kushëriri dhe po lexonte letrën e dytë ku shprehej:”kam pesëmbëdhjetëvjet që punoj në L, jam dalluar për rezultate të larta, keni aty gjithë përfundimet e ekipeve të kontrollit, dhe  ju lutem, bëni diçka për mua, me transferoni!”Lertrat ishin të njëllojta, pothuajse shprehnin të njëjtin problem, problemin e beqarisë së vonuar…Edhe çështjen e  martesave do ta zgjidh unë?-mendoi dhe fërkoi tëmthat. Ato ishin lehtësuar, ai po bëhej më i qartë…Ore vërtet , pse nuk gjejnë ndonjë djalë në fshatin ku punojnë këto vajza?, mendonte dhe iu kujtua shprehja e udhëheqësit-por njëkohësisht i erdh ndërmend edhe fjala e kushëririt që i ra si dush i ftohtë në ndërgjegje. Dhe nuk i dha zgjidhje, veçs i feksi mendimi tjetër, se këto vajza mbartnin paragjykime dhe koncepte nga e shkuara, nga mentaliteti borgjezo-aristokratik, ato nuk donin ta ulnin veten;këtë e manifestionin edhe në fshat, visheshin bukur, ndryshe nga fshatarkat që ishin mësuese, këto ndiqnin modën dhe tregonin një sqimë në veshje  që vinte nga e shkuara tronditëse  e prejardhjes së tyre…Ai u ngrit dhe doli në dritare…rruga ishte me njerëz që ecnin  nën blirët aromëdehës të trotuarve…Atë ditë, nuk kishte orar pritje…Ishte i qetë, dhe mund të rrinte të shikonte disa materiale, po ç`dreqin u përzie me leximin e atyre letërkërkesave?Veçse,  udhëheqësi, gjithnjë e fillonte punën me leximin e letrave nga populli dhe ai duhej ta mbante këtë devizë-ishte komunist…U ul sërish në karrige, dhe filloi të shfletojë letrat. ”Ne mirë që të kemi ty, nga lagja më e vjetër e qytetit tonë, ti, besoj e mban mend, mbase ta ka thënë babai, sesi im atë e shpëtoi babanë tënd në betejën e Tendës së Qypit. Për këtë nuk të kemi folur kurrë, as e kemi përmendur me ndokë, por, nëse nuk do të kishte shpëtuar babai jot, nuk do të lindje ti. Nuk të kemi kërkuar asnjë nder, është rasti që të na e shpërblesh!”Më poshtë shpjegohej halli dhe ai e kuptoi se ishte vërtet hall:Njëzet vjet,  djali i botës në fshatin kufitar pa u transferuar, madje as në një fshat më afër qendrës së qytetit N. të rrethit N. . Por ai ndjeu se kjo  nuk ishte një letër -lutje përzier më tepër me një kërkesë për të qenë mirënjohës…Atij iu ngrit damari mbi ballë. E vërtetë ishte kjo, por nëse ai nuk do të kishte lindur nga ai baba,  a nuk do të kishte lindur nga një tjetër?…Pastaj ata nuk i kishin folur zyrtarisht, por privatisht, ai ishte komunist  dhe nuk duhej të binte në këto provokacione që mbanin erë-myk-mikroborgjezësh…Pasi lexoi edhe disa letra të tjera,  ai arriti në përfundimin  se ato,  jo vetëm ishin të njëllojta, por sikur ishin dyndur dy vitet e fundit me një vrull të paparë, sikur kishte një ngutje për të ikur nga ato fshatra ku jeta lulëzonte, drita elektrike shkëlqente, vatrat e kulturës bënin aktivitete  dhe radioja buçiste…Dhe kjo ngutje tregonte vazhdimisht  vetëm justifikimin e martesës, çka ai,  në një fare mënyre , shprehte  edhe bezdinë nga realiteti i gjallë socialist. ”Aty të rrini , -hungëriu, -por shpejt u tërhoq,  ndërsa fëshfëriu perdja dhe iu duk se nga dritarja erdhën permes saj, me aromën e blirit,  fytyrat e atyre vajzave, disa prej të cilave ai i njihte, që,  në një valle fluturash të trishtuara, sikur iu shtruan mbi tavolinë. Ai ndjeu një sëmbim në zemër, fundja , edhe ai njeri ishte, edhe ai kishte fëmijë, megjithëse i kishte rregulluar mirë e bukur ato. Ndërsa po lexonte letrën e fundit që shprehte të njëjtin hall, trokiti dera, erdhi një nga inspektorët e tij, i cili mbante në duar një dosje, shefi u drodh, mbase ai sillte prapë një vandak me kërkesa të tjera, por inspektori nuk tha gjë për këtë, veçse, pasi përshëndeti me përunjtësinë e tij të shtirë, tha:-Shoku, shef, më falni që po ju shqetësoj, por s`po më ndahet një arsimtar, ai kërkon t`ju takojë, unë e njoh atë, dhe ai kujton se unë do t`i mbaroj punë…

-Mbaroji!-tha shefi dhe nënqeshi, duke e ndjerë që kjo fjalë e ftohtë nuk ishte tjetër, veçse një tallje cinike…

Inspektori mbeti si hu në këmbë, s`dinte ç`të thoshte;dhe sa u mat të kërkonte ndjesë dhe të bënte një prapaktheu të kujdesshme,  ku nuk duhej të mungonte respekti para eprorit, shefi tha:Sille!

Mbas pak minutash, në zyrë u paraqit një djalë  iri;ishte veshur me një xhaketë  gjithë kuadrate si arlekin, flokët i kishte ca të gjata, por të krehur bukur…”Ç`duhet të jetë ky spitullaq mikroborgjez”, mendoi shefi…

-Mirëdita shoku-shef, -përshëndeti…

-Ulu, -tha shefi…

-Po, por…

-Ulu, ulu, si e keni hallin?

-Po ja, shoku shef, unë kam mbaruar për trombist dhe kam sjellë kërkesën para dymuajve…

-A, po-tha shefi, -ja të jap letrën…Ai mbushi një letër, (pasi dëgjoi emrin e tij) të gatshme, një fletë emërimi…

-Kaq shpejt shoku shef…nuk e mendoja, -tha djali i entuziazmuar…

-Suksese, ti je djalë I ri…

Shefi u kujtua se drejtori i  ujësjellësit i kishte kërkuar një vend për trombist, dhe ai me këtë rast, edhe i bënte një nder, por kishte edhe arsye,   t`i kërkonte që vajzën e baxhanakut ta  sistemonte në punë si ekonomiste. Për këtë s`po e linte të qetë gruaja.

Tani nuk kishte ç`të bënte më, ishte lodhur nga leximi i atyre letrave të gjata dhe të mërzitshme. .

Kur djali doli jashtë, vuri re letrën, ai emërohej trombist në ndërmarrjen e ujësjellësit. Djalit iu duk çudi kjo gjë, por u ngushëllua se mbase kjo ndërmarrje kishte ngritur ndonjë grup artistik  dhe kishte nevojë për muzikant;dëshira e tij ishte të punonte mësues muzike në një shkollë të qytetit, por prapë nuk kishte gjë, le të fillonte   një herë  punë, mandej edhe mund të shkonte mësues. Kur vajti te drejtori i Ujësjellësit  nuk e gjeti në zyrë…I thane se ndodhej në klubin ngjitur . Mendoi se duhej ta priste, dhe ndenji në korridor pranë zyrës së tij. Ai rrinte pranë derësdhe shihte herë herë letrën e çuditshme. Besonte se këtu nuk kishte asnjë ngatërresë, megjithëse një ndjenjë e paparcaktuar e cimbiste nga brenda;megjjithatë, të bëhej ç`të bëhej…Kishte kaluar ndoshta një orë dhe,  nga shkallët  e ndërtesës,  erdhi një ritëm  hapash që,  nga tingëllima,  nguleshin mbi  pllaka  dhe nuk mund të kuptohej,  veçse ato të  shprehnin seriozitetin e hapave të drejtorit dhe asgjë tjetër. Vërtet , ai ishte. Drejtori dukej burrë jo aq i mbajtur, ishte hollak dhe panatallonat i vareshin sikur do t`i binin nga çasti në çast në fund të këmbëve. Pasi u u prezantua , ai i zgjati letrën;pa hapur zyrën , drejtori e mori  atë dhe e lexoi, pastaj rrudhi buzët,  dhe tha:

-Sa nevojë kishim për një specialist… Sikur i foli vetes…Vështroi edhe një herë letrën, pastaj rrudhi buzët dhe u duk se u ndodh në vështirësi dhe s`dinte ç`të bënte. Befas foli:

-Ne nuk kemi nevojë për trombist, por për pompist…Më vjen keq, -tha…Dhe ia ktheu letrën mbrapsht- mos jeni gatërruar dhe ti je  mbase trompist dhe ia ke thënë shefit gabim…

-Jo, jo, -tha djali dhe pasi e falenderoi drejtorin për mirësjelljen iku. Kur ai u gjend në zyrën e shefit të arsimit, orari zyrtar po vinte ndoshta afër fundit. Shefi, pasi e kishte kaluar atë ditë me lexim letrash dhe një emërim, po bëhej gati të dilte, kur trokiti dera. Në  kuadrartin e saj, u duk fytyra e muzikantit të ri.

Hë, -pyeti shefi, -je i pakënaqur…

Nuk ishte vështirë të kuptohej se në fytyrën e muzikantit shprehej pakënaqësia. Por ai nuk mund ta thoshte këtë. Vetëm i zgjati letrën shefit dhe i tha se drejtori i ujësjellësit nuk e pranoi,  se ai kishte nevojë për pompist e jo për trombist…Ai kishte mbaruar shkollën  për muzikë dhe kishte përvetësuar veglën muzikore të trombës. Befas shefi lëshoi mufkën:”A di me i ra,  a ?”

Çfarë  t`i përgjigjej?U bë njëheshtje  që i vinte në vështirësi të dy. . Nga kjo heshtje doli shefi:

-Shiko, tha, -vend pune në qytet për mësues muzike nuk kam, janë të zëna. Por në fshatin F, atje të çoj. Nuk do të japësh vetëm muzikë, por edhe vizatim,  dhe plotësohu me fizkulturë…Si thua,  dakord je?Puno disa  muaj ose një vit  në fshat, pastaj të tërheqim në qytet….



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora