E merkure, 02.12.2020, 05:47 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Albert Zholi: Flet regjisori, ish-aktori i estradës dhe i teatrit, Bajram Dosti

E shtune, 14.03.2020, 08:34 AM


Regjisori Bajram Dosti rrëfehet për dramën” Hënat e fundme”. Kariera artistike, poezia e Dritëro Agollit, ikonat e teatrit dhe si e ndryshuan emrin e personazhit kur u vra Mehmet Shehu

Flet regjisori, ish-aktori i estradës dhe i teatrit, Bajram Dosti: Drama  “Hënat e fundme”  është roli i jetës sime

– Kur konkurrova në juri kanë qenë burra të shquar si Esat Oktrova (Shef Katedre), Vangjush Furxhi dhe Viktor Zhusti.

-Në këtë konkurrim unë interpretova poezi të Dritëro Agollit s “Partizani Meke”, dhe monologun e “Rrapo Tabanit”.

-Kur u vra Mehmet Shehu personazhit tim ia ndryshuan emrin nga Xhafo Mehmeti në Xhafo Idrizi

-Roli i rojës së shalqinjve më bëri popullor

Nga Albert Z. ZHOLI

Me origjinë nga Tepelena por jetën artistike e ka bërë në Fier. Mbaroi për regjisor por dashuria e madhe ishte skena, aktrimi, lëvizjet në skenë dhe sheshet e xhirimit. Një njeri i thjeshtë, i dashur, korrekt që gjithmonë ka një buzëqeshje mirësie. Nuk e kupton dot jetën pa skenën pasi dhe tani që është në pension. Së fundmi ka luajtur dramën  “Hënat e fundme” një vepër italiane të cilën e ka  dhënë 3-4 herë në Tiranë por edhe në Lushnje,Sarandë,Tepelenë, etj. Kjo është  një vepër me tre role ku personazhi kryesor është babai, një plak intelektual 80 vjeçar i cili pranon të shkojë në azil. Kjo është vepra më e mirë që kam bërë unë,-thekson aktori..

-Kohë e gjatë pa bashkëbiseduar, gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare cilat janë aktivitetet e Bajramit?

Duke qenë aktor dhe duke pasur atë dëshirën për të qenë në skenë gjithmonë jam munduar të mos ndaloj. Në këtë periudhë kam qenë përgjegjës i skenës në teatrin Eksperimental ku më është dhënë mundësia që të  bëja role. Por dua të theksoj se këtë kohë që nuk jemi takuar unë kam bërë një nga veprat më të bukura dhe më të mira të jetës sime….

-Dmth veprat e intervistës së parë bien, ka dalë rol më i bukur tani?!

Po! Së fundmi kam luajtur dramën  “Hënat e fundme” një vepër italiane të cilën e kam  dhënë 3-4 herë në Tiranë por edhe në Lushnje,Sarandë,Tepelenë, etj. Kjo është  një vepër me tre role ku personazhi kryesor është babai, një plak intelektual 80 vjeçar i cili pranon të shkojë në azil. Madje  e lejojnë të  shkojë në azil edhe fëmijët e tij. Pra kjo është kjo drama e kohës sonë. Një burrë fisnik që nuk do të jetë barrë e fëmijëve kërkon vetë që të shkojë në azil. Djali i madh e pranon se edhe  gruaja  ika  vdekur. Më e veçanta e rolit është se ky intelektual serioz  bën një monolog të madh edhe me gruan e vdekur dhe në fund bën një rezyme të madhe se çfarë është Azili. Kjo shfaqje është luajtur në Itali dhe ka marrë disa çmime. Mendoj që është një nga veprat më të  arrira. Kjo është vepra më e mirë që kam bërë unë, aq sa peshë ngre. E theksoj se  “Hënat e Fundme” mbetet një nga dramat më në zë, të dramaturgut Italian, të mirënjohur tashmë botërisht, Furio Bordon,e përkthyer në më shumë se 29 gjuhë, Regjia: Milto Kutali. Në role: Barjam Dosti, Mariana Kondi, Klajdi Zeqaj. As/regjisor: Aldi Hysotoci. Kostumografe: Zajmira Qeraxhiu. Producent:Artur Selmani, Dua të falënderoj shumë aktoren e mirënjohur Mariana Kondi për mbështetjen. Pa dyshim dhe regjisorin Kutali i cili ma besoi rolin.

-Kush nga artistët e njohur e ka vlerësuar veprën? Janë disa….

Reshat Arbana e ka vlerësuar shumë, Luftar Paja, Ilir Bezhani ka folur me superlativa. Ky ka qenë roli i jetës sime. Kjo dramë është filmuar nga TVSH dhe akoma nuk ka dalë në ekranin e saj. Kam  punuar 6 muaj me atë vepër. Ishte frika e madhe, o e bëje ose nuk e bëje. Mendoj se e kam bërë mirë. Kjo ishte pika kulmore e jetës sime artistike.

-Po ndonjë peng ke për rolet?

Pengje kam shumë. Pengu im është Sanço Panço. E kam bërë monolog kur kam qenë  student me Karafil Shenën ku ai ka pasur rolin e Don Kishotit ku interpretimi shkoi 40 minuta. Ajo është një figurë që i thotë shumë këtij vendi.

-Çfarë rolesh ke realizuar  të tjera në këtë kohë?

Me Ilir Bezhanin kam realizuar disa herë një tip varieteje me  6 skeçe shumë të  bukura, kam luajtur disa filma si tek “Epsh dhe  lakmi” etj…

-Po filma?

Gjatë kësaj kohe kam luajtur 8-9 filma artistik. Krijimtari e bollshme se të luash 8-9 filma për 5 vjet është  shumë. Unë e kam gjetur veten në filma në role episodik.

Dhe të vinit deri këtu si aktor i Teatrit Kombëtar të Komedisë s’ishte e rastësishme….

Unë e kam dashur aktrimin që në vegjëli. Por më shumë doja këngën labçe. Sa herë shikoja filma mendoja dhe mundohesha të interpretoja artistë të mëdhenj. Ishte ëndërr që dhe më pengonte në shumë drejtime pasi thoja do të ngelet gjithmonë në sirtar.

U rritët në një ambient mes këngës labe?

Po. Ndërsa arsimin e mesëm e kreva në shkollën e mesme bujqësore të Libohovës. Tjetër kërkoja tjetër më çuan. Por Libohova e Avni Rustemit ishte më e bukur se Kalivaçi im i Tepelenës megjithëse fshati im ka të veçantat e tij. Pas përfundimit të shkollës së mesme më doli arsimi i lartë për ekonomi agrare, të cilën nuk e kisha qejf dhe nuk shkova. Për këtë arsye më detyruan të shkoja tre vjet ushtar. Edhe në ushtri mendjen e kisha tek aktrimi. Për atë refuzova dhe shkollën e lartë ekonomi agrare.

Kur konkurruat për aktrim, cilat pjesë interpretuat dhe kush ishte në juri kur konkurruat?

Unë për aktrim kam konkurruar pas ushtrisë. Për mua ka qenë fat (sepse kam lindur me fat në ditën e Bajramit), që në juri kanë qenë burra të shquar si Esat Oktrova (Shef Katedre), Vangjush Furxhi dhe Viktor Zhusti. Ishte një ditë plot emocion. Në këtë konkurrim unë interpretova poezi të Dritëro Agollit si “Partizani Meke”, dhe monologun e “Rrapo Tabanit”. Nga pjesët e huaja kisha Oleg Koshevoi. Por pjesët  e Dritëroit më pëlqyen shumë dhe  unë u mundova të jepja maksimumin.  Këta tre pedagogë më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës sime në Institutin e Arteve (atëhere).

Gjatë  periudhës së studimeve çfarë roli keni luajtur|?

Kam luajtur tek filmi “Këneta” rolin e mësuesit kam luajtur dhe një rol tek “Donkishoti”, me teatrin e Institutit të lartë të Arteve.

Pas përfundimit të shkollës, ku ju emëruan?

Më emëruan në Tepelenë regjisor të Shtëpisë së Kulturës. Nuk e prita me kënaqësi këtë vend pune pasi jeta artistike në qytetin e origjinës ishe e vakët. Unë më shumë doja të isha aktor se regjisor. Doja të luaja. Lëviza çdo levë sa më në fund më çuan aktor në Estradën e Fierit. Sikur u çlirova. Aty mund të kisha hapësira më të mëdha, pasi në atë periudhë Estrada e Fierit ishte ndër më të mirat në vend. Njëkohësisht, aty ishte dhe teatri, pra aktorët e estradës luanin dhe në teatër.

Sa vjet keni punuar në këtë institucion të artit skenik?

Plot 20 vjet. Dy dekada. Nuk janë pak. Aty dhashë dhe mora gjithçka. Aty luajta rolet më të mirë dhe aty u përmirësova si aktor. Ato vite pune ishin vite universiteti special për mua. Kjo trupë estrade dhe teatri ishte shumë e mirë

Për ne që shkonim si aktorë të rinj, sepse aty nuk  kishte një plejadë aktorësh shumë të vjetër që të na mbulonin fare ne të rinjve. Estrada dhe teatri i Fierit u formua më vonë se të tjerët ndaj dhe për mua u krijuan shumë hapësira.

A gjete atmosferë të mirë në këtë trup?

Sigurisht. Gjeta ngrohtësi. Aty kishte dhe aktorë të shquar si: Luftar Paja, Fuat Boçi, të cilët jo vetëm më mirëpritën, por dhe më ndihmuan shumë në ecjen time përpara.

Si i keni pasur marrëdhëniet me regjisorin Pëllumb Kulla?

Shumë të mira. Pëllumbi më ka dhënë 4 role në dramat që i ka pasur krijuar vetë. Mi dha me besim dhe unë e justifikova. Unë kam punuar dhe me regjisorin Roland Çarka, i cili ishte i heshtur, por shumë punëtor. Njëkohësisht ka qenë regjisor edhe Fatos Sela, i cili ishte dhe një aktor i talentuar. Të dy profesionet i ushtronte me shumë seriozitet dhe pasion.

Të kalojmë tek filmi. Sikur s’jeni i dhënë aq shumë sa je dhënë ndaj teatrit?

E vërtetë pasi jeta në teatër në Fier nuk kishte shumë lidhje me filmin. Me ardhjen në Tiranë po. Kohët e fundit kam qenë pjesë e më shumë se 9 filmave në role karakteri. Filmat e parë i kam realizuar ë bashkëpunim  me kinostudion “Shqipëria Sot”. Një ndër ta është filmi “Koha e Kometës” e Fatmir Koçit, tek filmi “Sekretet”, një rol të një çmenduri, ku partner kam pasur Enver Petrovcin,

Megjithatë qoftë në estradë, teatër apo film ju keni një rol të spikatur që ju identifikon si çdo aktor. Cili është ky?

Roli më i bukur për mua është roli që kam pasur tek drama “Dy krisma në Paris”.  Unë kam pasur rolin e fshatarit Xhafo Mehmeti, që më vonë u quajt Xhafo Idrizi. Ai ishte një rol që zbërthente tamam në detaje burrin lab, të sertë, të mendueshëm plot mendim. Patriot. Me këtë rol kujtoja babanë tim dhe pleqtë e fshatit me të njëjtat karakteristika dhe veshje. Atë figurë e njihja në çdo hap që hidhja sikur të qe enkas për mua.

Ju thatë që personazhi quhej Xhafo Mehmeti pastaj ja ndryshuan Xhafo Idrizi. Pse ky ndryshim emri në teatër?

(qesh). Sot duket paksa e çuditshëm, por s’ishte e tillë dje. Kur u dhanë shfaqjet e para dolën pikërisht me këtë emër, por më vonë kur vrau veten (u vra) Mehmet Shehu, u dha urdhër që të ndryshohej mbiemri i personazhit. Edhe regjistrimi pra filmimi u bë me këtë emër me emrin Xhafo Idrizi. Paradokse shqiptare mos të të vijë çudi. Unë këtë rol e kam luajtur në 45 shfaqje. Dihet tashmë se kjo dramë ka qenë ndër më të realizuarat në teatrin e Fierit. Ka qenë një dramë që ka bërë bujë për kohën.

Po në estradë, cilin rol do të veçonit?

Roja i bostanit (qesh). Dihet atëherë se si vidheshin shalqinjtë e fermave apo kooperativave nga të rinjtë. Ishte një rol që fliste për këtë problem të kohës.

Ku jeni ndjerë më mirë në dramë apo komedi?

Me thënë të drejtën s’mund t’i ndaj. Ndoshta emërimi im si aktor në Teatrin e Komedisë ta legjitimon pyetjen, por unë i dua njëlloj. Por role më shumë kam luajtur në estradë. Sidomos kohët e fundit kam realizuar disa kinokomedi.

Keni ndonjë peng në jetën tuaj artistike?

Jo. S’kam peng. Mendoj se, kërkesat dhe objektivat e mia deri tani i kam realizuar. Por sërish nuk jam larg skenës kohën e kam para. Edhe ndonjë rol që e kam dëshirë ndoshta do të realizoj.

Sa role keni realizuar gjithsej?

Kur flitet për rolet gjithmonë kujtesa nuk të mban me hatër. Aktori asnjëherë si numëron rolet për vetë faktin se e ndjen se të gjithë rolet janë brenda tij dhe se sa lë një rol mendon të fillojë një tjetër. Por mund të them se kam 26 role në teatër mbi 30 role në estradë dhe 12 role në kinema.

Kë do të veçoni nga shokët që ke pas në bankat e Institutit të Arteve?

Arben Imamin. Ishte një djalë kurajoz, i zgjuar, i talentuar. Kam shkuar shumë mirë me të dhe angazhimi i tij që në shkollë ishte shumë premtues. Por jeta bën të vetën, preferencat ndryshojnë.

Ç’do të thotë të jesh aktor?

Të jesh i mbushur me përgjegjësi. Artisti n.q.s nuk shkon tek zemra e popullit ka dështuar. Aktori është gjithmonë në përballje me popullin dhe ai ta jep notën dhe nota duket në rrugë që ose të flet ose kthen kokën anash.

Mendimi juaj për shkollën shqiptare të aktrimit?

Për mendimin tim, në kohën që e kam bërë ka qenë një shkollë shumë e mirë, me pedagogë shumë të talentuar, me kërkesë të lartë. Shkolla e Stanislavskit mbetet edhe sot me emër. Nuk e di si është sot kërkesa e llogarisë. Besoj të jetë në ato nivele.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora