Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Ku nuk ka shkelë këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetojë!
E hene, 19.08.2019, 08:38 PM
Ku nuk ka shkelë këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetojë!
Nga Gani
Mehmetaj
-
Ku nuk ka shkel këmba e Muhametit, myslimani nuk duhet të jetoj, predikonin
hoxhallarët e fëmijërisë sime. - Ikni sa më parë nga ky vend i mallkuar, mos
rrini, se tokë shkaut është, - vazhdonin ata në xhami, në rrugë, nëpër ndeja
burrash, në të pame, kudo dhe kurdo. U flisnin besimtarëve edhe kur përfundoi
shpërngulja biblike e shqiptarëve në Turqi e Siri nga terrori serb. I nxisnin
të vazhdonin ikjen.
Pastaj
kur nisi regjistrimi i popullatës (1971), sipas përkatësisë kombëtare, një
lukuni hoxhallarësh përpiqeshin t'i bindnin kopenë e besimtarëve që të mos
regjistroheshin shqiptarë, po komb mysliman, ashtu sikurse sllavët e
Bosnjë-Hercegovinës e të Sanxhakut, sepse shqiptarë, thoshin ata janë
katolikët!
-
Myslimanët i kemi vëllezër, me katolikun (shqiptar) na ndanë një mal sa
Rusolia, kurse me shkaun (serbin) na ndanë lëkura e hollë e qepës. Dhe burrat
me pak tru e shumë heshtje skllavi i dëgjonin të shushatur përrallat e hoxhës
që i vente në gjumë të shkombëtarizimit, i nxiste në shpërngulje, ua tulate
ndjenjën kombëtare, përpiqej t'i pakësonte në numër.
-
Shkaut (serbit) s'bënë t'i mbetesh borxh, se në atë botë ai nuk ta lyp borxhin,
po ta lyp dinin e imanin!
Të
rrallë ishin ata që e kundërshtonin hoxhën. Ndonjë i ri gjimnazist a në shkollë
normale, i kundërvihej me zjarr e patetikë, rrëmbehej nga acarimi me hoxhën,
vetëm sa s'dilte nga lëkura e vet. Por hoxha me cinizëm të skajshëm ia kthente,
nuk e di ti se ende je axhami, buza qumësht të qet, pleqtë tu i dinë senet më
mirë. Shkolla të qet dinit e imanit! Dhe pleqtë me tru të shpërlarë ia tumirnin
hoxhës me përkulje koke.
Por
kur të rinjtë e arsimuar e bënin pykë hoxhën gjysmë analfabet e pro serb, ai ia
niste me lëvdatat për Titon, për Jugosllavinë, për vëllazërim-bashkimin. Tito u
bani me shkollë e ju qoheni kundër tij, niste t'i akuzonte të shkolluarit.
Hoxhallarët bënin propagandë e agjitacion me të fëlliqur për pushtetin serb se
sa aktivistët e partisë. Jo pak prej këtyre burrave që e kishin thirr hoxhën në
dasmë, fjalë nuse a në mort, patën familjarë që ua pushkatoi Serbia pas vitit
1945, familjarë të tjerët ende ishin në burg si "armiq të Serbisë e
Jugosllavisë". Dhe të zotet e shtëpisë kapërdiheshin, ndonjëri syresh i
kapur ngushtë, i thoshte topi se luan hoxhë, të lumët goja, sepse e dinte që
hoxha do t'i denonconte në sigurim shtetëror po folën ndryshe. Hoxha ishte aty
që të provokonte e lajmëronte armiqtë e Jugosllavisë.
E
keni lehtë ju hoxhallarët se rrogat i merrni nga Beogradi, çka me ba na bujqit,
ia lëshonte ndonjëri nga fundi i odës. Hoxha e shihte me përbuzje, por nuk i
përgjigjej.