E diele, 25.08.2019, 01:21 PM (GMT+1)

Intervista

Vahit Nasufi: Intervistë ekskluzive me doajenin e këngës polifonike kërçovare, z. Vebi Azirin

E shtune, 06.07.2019, 05:22 PM


I VETMUAR NË FËMIJËRI,

I VETMUAR NË PLEQËRI

Intervistë ekskluzive me doajenin e këngës polifonike kërçovare, z. Vebi Azirin

Nga Vahit Nasufi

Kërçova, e cila ka një pozitë gjeografike të rrafshët, përveç vlerave tjera origjinale, që i japin spikatje  popullit tonë, është edhe kënga vendase polifonike. Kjo këngë, më e bukur se e vjetër, buron nga gegërishtja dhe toskërishtja. Kërçova e sotme, (Uskana e lashtë), është e vetmja trevë që e ka kombinuar këndimin polifonik. Kjo këngë këndohet në grup prej tre - katër vetësh, njëri është zëri që i prin këngës, kurse tjerit janë iso, apo bartës të zërit të parë, që në fund të çdo strofe bën dridhjet valë - valë, që dëgjuesve ua  shton kënaqsinë. Polifonia autentike kërçovare, ka tipare të polifonisë antike, dhe ajo që e bën karakteristike polifoninë kërçovare, është se zërat janë të individualizuar, dhe kanë përcaktimet e tyre kuptimplota, për rolet që kryejnë. Vlen të theksohet, se këto këngë në trevën kërçovare i këndojnë vetëm burrat.

Kjo këngë, që s`ka moshë, as afat, është pjesë e identitetit tonë, që na bën të jemi krenarë, ishte pjesë e pandashme e atyre, që e krijuan. Viteve të fundit, me  ndryshimin  e fushave  jetike, si lëvizjet demografike,  shpërnguljet e shumta në mërgim, është hetuar luhatja e qëndrueshmërisë, që nuk e ka forcën e dikurshme. Treva kërçovare, ka një thesar shumë të pasur me vlera të larta  artistike. Hambari i saj kulturo – artistik, është i stërmbushur me këngë polifonike, por, jo vetëm, aty ruhen dhe kultivohen edhe këngët popullore, këngët  burimore folklorike, ato të dasmave të grave, vallet, humori etj.

Ky qytet modern, me një pamje mahnitse, është edhe një kafaz kanarinash dhe bilbiliash. Njëri prej atyre është edhe interpretuesi i këngës polifonike këçovare, këngëtari i mirënjohur Vebi Aziri, i cili këngën kurrë nuk e ka nda nga goja gjatë udhëtimit jetësor, por, ka evoluar bashkë me të. Ky sylynjar, nga i cili kënga rrodhi ashtu si e ka trashëguar, e ka ruajt të pa prekur origjinalitetin e saj. Gjithashtu këngëtarëve pasardhës ua mëson mënyrën e këndimit, duke mos i lënë të devijojnë, por, të ndjekin gjurmët e paraardhësve tyre. Për këtë arsye kësaj rradhe për të biseduar për jetën e tij private, artistike dhe sportive, zgjodhëm doajenin e këngës polifonike kërçovare, i cili me shumë kënaqësi pranoi ftesën tonë.

VAHIT NASUFI: Z. Aziri, kërkojmë ndjesë që ua prishëm qetsinë, por, ai që na shtyri ta bëjmë  këtë, është kontributi juaj i gjithëanshëm që e keni bërë për tre çerekë shekulli. Edhe pse në shtëpinë tuaj shumë faleminderit, që pranuat të jeni musafiri ynë, gëzohemi që me shëndet jeni shumë mirë.

VEBI AZIRI: Mirë se keni ardhë në shtëpinë e familjes Aziri këtu në Kërçovë, vizita juaj është kënaqësi e vërtetë. Unë ju përgëzoj për angazhimin tuaj që jeni duke bërë dhe keni zgjedhur pikërisht një lëndë nga sfera e kulturës kombëtare, siç është folklori burimor kërçovar. Ju dëshiroj disponim si në shtëpinë tuaj.

VN: Faleminderit shumë për këto fjalë të bukura. Në fillim, për lexuesit e  gazetës elektronike "Zemra Shqiptare", do    bëni një prezentim të shkurtër?

VA: Unë kam lindur në vitin 1935, në  fshatin kodrinor, revolucionar Prapadisht, një fshat me shumë histori, i cili shtrihet në anën veriore të Kërçovës. Ciklin e parë të shkollës  fillore, deri    klasën  e  katërt i kam  kryer    fshatin Jagoll Dolencë, kurse ciklin e dytë të shtatëvjeçares së atëhershme, i kam kryer në fshatin Sërbicë. Shkollën industriale, me ndihmën e shtetit në gjuhën maqedone e kam kryer nër Shkup. Në vitin 1953, pasi rrethanat ishin të tilla, shkova në Smederevë - Sërbi, dhe u punsova si puntor. Krahas punës, aty kreva edhe shkollën e mesme teknike. Pas ca vitesh, pasi u këtheva në vendlindje, kreva edhe fakultetin teknik në Manastir. Jam baba i dy djemve dhe dy vajzave, jam edhe gjysh.

VN:  Edhe pse ka kaluar shumë kohë, sigurisht se ju nuk e keni harruar fëmirijnë tuaj, si i kaluat vitet e para të jetës suaj?

VA: Fëmirijnë time kurrë nuk e harroj. Unë jam rritur jetim, pa prindër. Nëna ime kur ka ndërruar jetë, unë i kam pasë vetëm dy vjet. Në vitin 1944, aradhat partizane, kanë masakruar shumë burra, në fshatin tim të lindjes, si dhe në fshatrat tjerë të komunës së Kërçovës, dhe njëri ndër viktimat pa asnjë gjykim ka qenë edhe babai im, pra, pa i mbushur akoma nëntë vjet, mbeta edhe pa baba, të cilin mizorisht e kanë vra në burgun e kazermave të Kërçovës, kur ai ka qenë dyzetvjeçar. Pastaj për rritjen, edukimin dhe shkolimin tim, janë kujdesur: xha Beqiri, Dajja Hatem dhe gati krejt fshati Prapadisht. Ndërgjegja nuk më lejon pa mos i përmendur edhe dajtë e babait tim, familjen Krotka nga fshati Shitovë, dhe u jam mirnjohës deri në frymën e fundit.

VN: Ju me profesion jeni inxhinier, gjatë jetës keni punuar vetëm në profesionin tuaj, apo keni bërë edhe punë tjera?

VA: Atëherë, Sa isha duke punuar në Smederevë, pa u shkëputur nga puna, kreva shkollën e mesme teknike, dhe menjëherë m`u besua posti i ri, si si udhëheqës i repartit teknik të prodhimit, por malli për vendlindjen, dita ditës shtohe. Në vitin 1961, u këtheva në Kërçovë, dhe me ndihmën e shumë të respektuarit z. Abidin Zenku, u punësova si mësimdhënës në shkollën industriale të qytetit. Në vitin 1964, u inkuadrova në fabrikën e vidave si udhëheqës i byros tekniko - teknologjike. Me kalimin e kohës, vazhdova studimet me korrespondencë në fakultetin teknik në Manastir, të cilin e kreva në vitin 1974. Në të njejtën fabrikë, menjëherë pasi diplomova, më emëruan inxhinier kryesor.

Në vitin 1978, me mandat katërvjeçar, u zgjodha nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Kërçovës. Pas kalimit të mandatit, në vitin 1982, më zgjodhën deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në Shkup. Pasi u tërhoqa nga politika, në vitin 1986, pa asnjë arsye, më larguan edhe nga puna  profesionale, që ishte diferencim, me pretekst se isha tepricë teknologjike dhe më çuan në pension dhjetë vjet para kohe?!Sigurisht se unë nuk ngela duarkryq, por, hapa byron teknike private për projektim teknik dhe ndërtim objektesh.

VN: Ju, këndoni shumë këngë, që i keni trashëguar, dhe disa këngë që autor i teksteve jeni ju, mund të na thoni sa është numri i tyre?

VA: Unë jam munduar të shkruaj më të mirën, aq sa kam kapacitetin tim. Tekstet që i kam shkruar unë janë realitet i trojeve kërçovare, të cilat janë pëlqyer nga kolegët e mi, besoj se edhe dëgjuesit ndajnë të njejtin mendim. Numrin e saktë të tyre nuk e di, pasi disa këngëve të kënduara nga populli, unë i kam shkruar edhe si verzion i dytë, përafërsisht duhet të jenë reth 200 këngë!

VN: Ju, keni merita të mëdha që e keni kultivuar melosin origjinal të zamanit, me cilët këngëtarë keni kënduar më së shumti?

VA: Unë, në mënyrë solidare kam kënduar me shumë këngëtarë kërçovarë të plejadës legjendare dhe jam shumë i lumtur, që pata fatin, herë si udhëheqës, herë si ndihmës, të këndoj me yjet e famshëm të estradës kërçovare siç janë: Daja im Hatemi, Sulejman dhe Sabri Arifi, Lati Kaleshe, Ferat dhe Sulejman Abdiu, Remzi Arsllani, Rexhep Zenku, Rahit dhe Afmet Spahiu, Mersim Cupi. Mersim Xhambazi, Halit Afmeti, Esat Hajroja, Vëllezërit Nasuf dhe Shefki Jusufi, Xhevit Sadiku, Murat Murati, Vëllezërit Dervishi dhe me shumë të tjerë. Vlen të ceket se te kënga polifonke kërçovare, meritat nuk janë individuale, por, grupore.

VN: Ju këngës i keni dhënë më të mirën, por, çka u dha kënga juve?

VA: Shumëçka. M`ka  dhënë famë, autoritet, respekt që ka popullata e kësaj ane ndaj meje, pastaj kam formuar shoqëri të ndershme etj. Për hirë të së vërtetës, nuk di pse mos e them, se ne interpretuesit e polifonisë kërçovare, kurrë nuk kemi kënduar për përfitime materiale, kudo që kemi shkuar, edhe pse kemi qenë të ftuar, ne kemi kënduar falas, për dëshirën e atyre që kanë pas gëzim familjarë, ndonjë manifestim, festë komëtare dhe kështu me rradhë.

VN: Nuk diskutohet fare se treva kërçovare ka pasë dhe ka shumë yje që ndriçojnë në fushën artistike, deri sa mund të shkojë numri i tyre?

VA: Sinqerisht ua them se, më erdh shumë mirë që ma parashtruat këtë pyetje shumë delikate dhe cilsore, pasi ata meritojnë falenderime pa fund, sepse në mënyrë solidare kanë dhënë një kontribut të madh, për çështjen e kauzës kombëtare, duke filluar nga i famshmi, Kamerr Bllaca e deri te gjeneratat e sotme. Numri i artistëve  kërçovarë, qofshin ata; këngëtarë, aktorë, valltarë, humoristë, apo instrumentalistë, kalon dukshëm mbi 200. Për t`i kujtuar të gjithë ata, në shej respekti, më lindi ideja, që të thurë një rapsodi, të cilën e kam botuar edhe në librin tim, botimi i tretë, ku përfshihen mbi 250 artistë.

VN: Z. Aziri, a nuk u duket edhe juve se intenziteti i folklorit burimorë, paralel edhe me interpretuesit, nuk janë në nivelin e dikurshëm?

VA: Keni të drejtë, por, shkaqet janë objektive, sepse censura në kohën e diktaturës ishte shumë e rreptë me dënime, kinse nëpërmjet këngëve nxitej nacionalizmi shqiptar. Vitet e fundit nuk ka censurë dhe se shkaqet janë në mungesen e investimit financiar dhe organizativ.

VN: Si mendoni ju, është situata shqetësuese?

VA: Normalisht se kjo na shqetëson pak, por nuk mund të themi se është alarmante. Megjithëate, unë jam optimist se mjeshtrit e këngës që vijnë pas, në superlativë do të shkëlqejnë në zenitin e folklorit kombëtar, dhe do ta mbajnë aty ku e ka vendin.

VN: Aty ku ju dhe grupi keni kënduar, sigurisht se ndonjë herë ka pas edhe grup tjetër që ka kënduar, a ka pasë xhelozi, rivalitet, apo ndonjë lloj gare mes këngëtarëve, apo grupeve?

VA: Shiqoni, është normale që secili donë të jetë më i miri apo të dali i pari, në çdo aspekt, kjo ndodh nëpër festivale, pasi aty synohet vendi i parë. Unë prej secilit shahir kam mësuar diçka, ua them sinqerisht se unë personalisht, ndaj secilit kam pasur simpati dhe kurrë nuk kam xheleozuar, kam pasur respekt dhe jo urrejtje, bashkëpunim dhe jo rivalitet, ky i fundit kurrë te unë nuk ka ekzistuar, as që kam garuar ndonjëherë me dikë, por, jam munduar që arti të ketë sa më shumë vlerë, dhe shikuesit apo dëgjuesit t`i argëtojmë me këngë sa më të mira, sepse prioritet kishte respekti dhe jo përfitimet materiale.

VN: A keni qenë të kërkuar edhe jashtë Kërçovës, z. Aziri?

VA: Po. Kemi qenë shumë të kërkuar edhe jashtë Këçovës, me të vërtetë shumë, si në Gostivar, Tetovë, Dibër, Prilep etj. Ua them të drejtën, jashtë kërçovës kur prezentohej melosi magjik kërçovarë, atëherë xhelozia ishte kulminante. Si shembull do të veçoj një rast kur në vitin 1976, në fshatin Veijcë të Tetovës, ishim të ftuar si grup

polifonik, por, si miq, në një dasëm të madhe ku kishte edhe grupe tjerë të paguar, por, publiku, me shumë ovacione na duartrokiti dhe nuk lejonte që ne të ndalemi dhe të fillojnë tjerit!

VN: Dikur nëpër odat e famshme, apo konaqet e dasmave, ku jehonte kënga deri në agim, të cilat sot i ka mbuluar pluhuri i harresës, shumica e këngëtarve kur pushonin së kënduari, tregojshin ndonjë ngjarje komike, me një fjalë bëjshin humor. Ju, z. Aziri, e keni bërë këtë?

VA: (Qesh) Konakut përveç këngës i nevoitej edhe humori, por, nga të pranishmit më shumë kërkoheshin emitimet e politikanëve të pas luftës, dhe ne si këngëtarë tregojshim ngjarje qesharake, por, kënaqsi atraktive ishte prezenca e yjeve të humorit kërçovarë, si Aliu, Rushiti, Habibi Duli, Fariu etj. Roli ynë ishte që t`i nxisim humoristët për tregime komike, dhe nga e qeshura shpeshëher shpërthenin edhe lotët, dhe kështu herë këngë, her humor, na zbardhte drita.

VN: Ju shpeshherë keni kënduar deri në orët e hershme të mëngjesit, dhe atë jo vetëm një natë por, një javë ose më shumë pa ndërprerje, si qëndronit aq gjatë ulur këmbëkryq?

VA: Kur je në mesin e atyre që të adhurojnë, që të duan, që të shiqojnë ndër sy, që mezi marrin frymë për të mos prishur qetësinë, as që të shkon mendja te lodhja, ose të mendosh se vajti shumë vonë, por, mundohesh që të pranishmit të ndahaen sa më të kënaqur dhe sa më të disponuar, dhe kur i shihja se ndaheshin të tillë, edhe kënaqësia ime ishte shumë e madhe, ky është realiteti, sepse respekti ishte reciprok.

VN: Këtu para nesh është një vitrinë me shumë libra, lirisht mund t`i themi një bibliotekë e vogël, ku përveç librave tjera, hasëm edhe në ca libra, autor i të cilave jeni ju, a mund të na thoni shkurtimisht pëmbajtjen e tyre?

VA: Që brezat e ardhshëm, të kenë një pasqyrë për të shiquar në fushën artistike vendase, e pashë të arsyeshme të bëj një përmbëledhje të melosit burimor këçovar, të shkruaj këngët e kësaj treve. Që të mos harrohen legjendat e këngëve burimore kërçovare, që kanë dhënë një kontribut të madh, jam munduar të përfshijë emrat e paraardhësve si dhe të bashkëkohasve të mi, që e kanë kënduar dhe e kanë ruajtur, dhe që e ruajnë akoma origjinalitetin e saj, për kah mënyra e këndimit të shekullit XX dhe XI.

Kam shkruar edhe për ngjarjet historike të vendlindjes sime, masakrat që janë bërë popullit shqiptarë, në Kërçovë dhe rrethinë, gjatë luftës së dytë botërore. Kam shkruar edhe për kreshnikët e kësaj ane që me idealet e tyre për liri, ranë heroikisht në log të burrërisë, për çlirimin e Atdheut. Duke çfletuar librat, lexuesit do të hasin edhe në tema të ndryshme, nga politika, nga plaga e rëndë e kurbetit, që nuk është duke u shëruar dot, për zhvillimin ekonomik dhe arsimor, me një fjalë ka shumë material që ia vlen të lexohet pa dyshim.

VN: Në të njejtën vitrinë, përveç librave shohim edhe fotografitë e nipërve dhe mbesave tuaja, edhe sa na duhet të presim për të dëgjuar, solistin, apo solisten, ose duetin, pse jo dhe trion, Aziri?

VA: Vuajtjet e kurbetit, më kanë detyruarqë nga zemra me shumë emocionetë shpreh dhimbjen e popullit tim, dhe për 20 antarët e familjes sime, plot 37 vite me sy të përlotur. Pyetjes sjuaj ideo - strategjike, më duhet t`i përgjigjem negativisht. Në tërë familjen time, edukata ka qenë me plot idologji kombëtare, jam i vetëdijshëm se me manifestin e teksteve të këngës ruhen traditat kombëtare, që regjimi i diktaturës i kontrollonte, pasi dihej se kënga zavendësonte faqet e historisë, që gjithmonë është mohuar, kështuqë në fillim djali im Sadiku, me shumë dashuri shkonte gjurmëve të traditës familjare, si interpret i  i këngës dhe mjeshtër i çiftelisë. Kurse vajza ime Nevzija, jashtëzakonisht e talentuar për bukurinë e folklorit, dhe si prezentuese e shumë koncerteve dhe festivaleve, ishte ndër të parat që doli në skenë, por, zhvillimin e tyre të mëtutjeshëm ua ndërpreu kurbeti famkeq!

VN: A mund të na tregoni çdo të thotë lidhja e ngushtë e folklorit kërçovar me historinë kombëtare?

VA: Kjo pyetje strategjike për çështjen kombëtare, më kujton shumëçka, sidomos kur dihet se trojet tona shekuj me radhë kanë qenë nën regjimet okupuese. Pra, në mungesë të historisë kombëtare, dhe që të mos ndodhi asimilimi i kurdisur, folklori, që e kemi dhuratë nga të parët tanë, ka luajt një rol ideal për zavendësimin e historisë. Këngët burimore, që ishin krijesë nga mençuria e popullit, dhe zërat e shahirave që dëgjoheshin nëpër konaqe, dasma, festa, etj, ishin potencial i fuqishëm për ruajtjen e identitetit, gjuhës dhe vlerave tjera kombëtare të shekullit XX, që me ëndje i dëgjojmë nëpër inçizimet që i ruajmë në rekuizitat tona muzikore.

VN: Ju keni kënduar këngë të ndryshme, madje i keni botuar, edhe nëpër libra, kemi përshtypjen se këngët kreshnike më shumë u flejnë në shpirt, pse?

VA: Sepse dashuria ndaj këngëve të melosit tonë, dhe respekti ndaj këngëtarëve, në familjen Aziri, ka qenë si traditë që e kemi trashëguar brez pas brezi, sidomos këngët me përmbajtje patriotike, historike, tradhëtie si dhe ato të kurbetit. Këngët kreshnike i duam diç më tepër, duke kujtuar viktimat e familjes sime, që janë masakruar pa asnjë faj, dhe për t`i kujtuar heronjt kërçovarë, që në fronte të ndryshëm ranë heroikusht për çlirimin e Atdheut. Paramendoni po të mos i këndonim, Sulltanës së Qafës, Sadin Selmanit, Kalosh Danit, Sefer Zajazit, Osman Xhinit si dhe shumë e shumë të tjerëve, gjakderdhja e trimave kërçovarë do të ishte harruar! Unë nga zemra i falenderoj edhe përkrahësit e mi: Prof. Dr. Hamit Xhaferrin, Mr. Abidin Zenkun, Dr. Ramadan Bogdanin, Dr. Agron Xhagollin, si dhe të gjithë këngëtarët kërçovarë.

VN: Z. Aziri, ju njiheni si një përkrahës apo mbështetës i këngëtarve apo grupeve të shpresës, na thoni cila është këshilla juaj për ata?

VA: Sigurisht se çdo individ ka qëllimet e veta, dhe askush nuk ka të drejtë ta pengojë që të mos i realizojë ata. Këshilla, por, edhe porosia ime për këngëtarët pasardhës është; që përveç këngëve të zhanreve të ndryshëm, këngën polifonike kërçovare ta kultivojnë dhe ta këndojnë ashtu siç kanë vepruar paraardhësit e tyre, pasi sot kushtet ua mundësojnë këtë. Jam i bindur se kuadrot e talentuar do të jenë garda e fuqishme në zhvillimin e melosit kërçovar, që në konkurencën gjithëshqiptare është diçka e shenjtë.

VN: Për pjesën dërrmuese të popullatës, edhe sporti është një element i rëndësishëm, në jetën e tyre, është edhe për ju z. Aziri?

VA: Po. Edhe sporti është pjesë e jetës sime, sidomos ai më i popullarizuari. Unë kam qenë sportist aktiv në rininë time. Kam luajt fudboll për disa skuadra të Sërbisë dhe të Maqedonisë, por, që nuk kanë qenë, të elitave më të forta. Një kohë të gjatë kam veshur fanellën që mbante Ëmblemën e "KF Napredok" të Kërçovës, i cili garonte në ligën e parë të Maqedonisë, por, atëherë kjo e fundit ishte pjesë përbërse e Republikës së ish Jugosllavisë. Pasi mbarova karrierën aktive, kam qenë i angazhuar si kryetrainer në disa skuadra fudbollistike të nivelit komunal. Jam njëri ndër themeluesit të "KF Bashkimi" nga fshati Cërvicë, si dhe "KF Vëllazërimi" nga Kërçova.

VN: Nuk ka pse të jetë sekrete, cila është skuadra juaj e preferuar?

VA: Aktualisht diçka të tillë nuk kam. Skuadra ime që e kam dashur me shpirtë e zemër, është "KF Prishtina", kur ishte antare e ligës së parë të Ish Jugosllavisë. Armata e atëhershme fudbollistike, në fushë e udhëhequr nga legjenda e fudbollit shqiptar, Fadil Vokrri, i cili vitin e kaluar papritmas ndërroi jetë për të mos vdekur kurrë. Unë Prishtinën e atëhershme e kam dashur shumë, dhe më besoni se kur ajo ndonjëherë humbiste padrejtësisht, mua më shpërthenin lotët.

VN: Përveç aktiviteteve muzikore dhe atyre sportive, jeni marrë edhe me ndonjë aktivitet tjetër?

VA: Po. Unë kam marrë pjesë në disa aktivitete, por, ai që vlen të përmendet është ai i pajtimit të gjaqeve, në Kërçovë, por, edhe në ca komuna tjera fqinje. Me iniciatëvën e këshillit pajtimtar, i cili nuk ka qenë gjithmonë i njejti, por, formohej me njerëz të caktuar, arritëm kulmin e suksesit, duke bindur shumë familje të falin gjakun e tyre, dhe kemi pajtuar shumë familje tjera që ishin në hasmëri njëra me tjetrën, dhe për këtë ndihem shumë krenar!

VN: Një kontribut shumë i madh dhe i gjithëanshëm, sigurisht se nuk ka ngel pa ndonjë lëvdatë, mirënjohje apo ndonjë çmim publik?!

VA: Keni shumë të drejtë. Unë gjatë karrierës sime kam marrë nga të gjitha këto që ju i përmendët, por,unë do të veçoj disa nga ato. Si themelues dhe kryetrainer i "KF Bashkimi" kam marrë tri mirënjohje, pastaj si themelues i SHKA " SHKËNDIA", që të dyja nga fshati Cërvicë. Në vitin 2010, për botimin e librit me përmbëledhje këngësh të melosit burimor kërçovarë, nga Ministria e Kulturës u shpërbleva me vendin e parë, dhe me një shumë të konsiderueshme të hollash. Në edicionin e parë të spektaklit "KËRCOVA PËR KËRCOVARËT" që u transmetua në TV 21 M, vitin e kaluar, si këngëtar dhe gjurmues, jam shpërblyer me çmimin e lartë i shkruar në gjuhën angleze "GRAND PRIX", Ua them sinqerisht që këtë çmim, po ta kishin marrë edhe ca këngëtarë tjerë, që pa dyshim e kanë merituar, do të isha edhe më i lumtur. Por, vlersimet më të vlefshëm për mua kanë qenë konsiderata dhe duartrokitjet e popullit të gjakut tim.

VN: Folëm për veprimtarinë tuaj artistike, që pa dyshim meriton shumë respekt, a do t`na tregoni shkurtimisht për përballjet me dallgat e jetës suaj private, si qytetar dhe pensionist?

VA: Përgjigjja e kësaj pyetje është pak sa e mjerueshme. Pse? Sepse  çfarë kuptimi ka pasë jeta ime, që pjesën më të madhe të saj e kam kaluar në vetmi! Si në fëmijëri ashtu edhe tash në pleqëri. Plot 35 vite pa prezencën e 20 antarëve më të dashur të familjes sime, që jetojnë në mëshirën e lotëve të kurbetit. E vetmja që më ka shoqëruar, ishte bashkëshortja ime, e cila në vitin 2007, në moshën 72 vjeçare  shkoi në botën e amshimit. Nëse i llogarisim edhe vitet e fëmirijsë jetimore, i bie një jetë gati gjysëmshekullore i vetmuar.

Me shumë keqardhje, por, për hirë të së vërtetës më duhet ta cek procesin e montuar apo kurdisur, në vitin 2013, kur më shpallën si zavends ministër i sigurimit në regjimin komunist. Por, në korrik të vitit 2015, në mungesë të fakteve, Gjyqi i Lartë zbardhi të vërtetën, dhe fitues dola unë. Drejtsinë e vulosi edhe kongresi i tretë i Lidhjes Shqiptare, i datës 21. 10. 2018, kur pata nderin të marr pjesë - delegat i kongresit, ndaj kauzës kombëtare, dhe gjakun e katër viktimave të familjes Aziri. Dihet se çdo e keqe ka edhe të mirën e saj, edhe jetës sime nuk i ka munguar lumturia.  Dua të them se kam pasë fatin që e tërë familja me shumë respekt dhe dashuri reciproke, ma shtojnë moralin e jetës në pension, dhe për këtë unë i falenderoj nga zemra. Mbi faktet gjyqsore, qëndron drejtësia e Zotit dhe gjyqi i popullit që pasqyrën e së vërtetës  Vebi Aziri, e ka nën kujtesën që nga viti 1961. Krenohem që kam qenë në shërbimin strategjik ndaj kombit liridashës, si në: art, sport, punsime, shkollime, ndërtime, dhe kam qenë prezent në çdo gëzim dhe pikllim.

Gjithsesi edhe respekti reciprok ndaj meje, kurrë s`ka munguar, dhe në shumë familje kërçovare është pirë kafja dhe është ngrënë buka, shfrytëzoj rastin, që publikisht t`ì falenderoj nga zemra, sidomos shokët dhe miqt e mi besnik në vendlindje dhe në diasporë, që gjithmonë e kam pasë përkrahjen e tyre për realizimin e ëndrrave për bashkim kombëtarë.

VN: Për veprat tuaja të mëdha, që në vete bartin shumë vlera të çmueshme artistike, dhe për karrierën tënde aristike gati shtatëdhjetëvjeçare, shumë të suksesshme, kjo intervistë është sa një gotë ujë të derdhësh në lum. Për më shumë ndoshta ndonjë herë tjetër, por, si do që të jetë, unë u falenderoj nga zemra, që na e mundësuat të realizojmë këtë intervistë, e cila për shumë dashamirë të këngës, sidomos brezave më të rinj, do t`ju shërbejë për identifikimin tuaj, si qytetar, sportist, veprimtar, por, më shumë në cilsinë e këngëtarit. Ishte  kënaqësi e papërshkrueshme të bisedosh me kolosin e këngës polifonike kërçovare, një burim i pa shtershëm i këngës në fjalë, siç jeni ju. Urojmë të keni shëndet, dhe u dëshirojmë më të mirat në të ardhmen.

VA: Faleminderit shumë edhe prej jush, që keni vlersuar veprat e mia, dhe keni shprehur dëshirë, nëpërmjet kësaj interviste mbi faqet e gazetës elektronike, Zemra Shqiptare, t`ua shpalosni dashamirëve të artit, prandaj edhe ndihem shumë i privilegjuar. Me të vërtetë kënaqësi pa fund ishte edhe për mua. Por, para se ta përfundojmë këtë intervistë, më lejoni që përzemërsisht të falenderoj dhe të përshëndes, stafin realizues të Zemrës Shqiptare, lexuesit dhe bashkëpuntorët e saj, të gjithë adhuruesit e mi, që më kanë dhënë krah e zemër, gjatë lundrimit nëpër ujrat e pastra të këngës, të cilët rrjedhin edhe sot e kësaj dite si dhe të gjithë bashkëkombasit e mi kudo që ndodhen ata.

VN: Dhe për fund, qershia mbi tortë, i shoqëruar nga bilbili i këngës kërçovare, Nasuf Jusufi dhe nga rapsodi Afmet Spahiu, na nderuan me dy këngë shumë të bukura polifonike kërçovare, faleminderit shumë.

Kërçovë, qershor 2019



(Vota: 4 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT