Editorial
Prend Buzhala: Grindja
E enjte, 20.06.2019, 08:46 PM
ESE
MBI GRINDJEN
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nga
Prend BUZHALA
Fjalori
i shqipes grindavecin e përkufizon si njeri "që grindet vazhdimisht dhe i
mërzit të tjerët, që kërkon a i pëlqen të grindet edhe për gjëra shumë të
vogla, që shkakton grindje vazhdimisht".
Për
grindavecin shqipja ka edhe fjalë a sinonime të tjera, si zemërak, grindës,
idhnak, gërnjar, qaraman, etj. Në mesin tonë i shohim lehtë tipat e tillë, që
ndiejnë nevojë të hahen me fjalë. Kurse si thënie karakterizuese, përmendet
shprehja "Fëmijë grindavec." Në këso rastesh, do bërë dallimin midis polemikës
së mirëfilltë dhe grindjes, si tipar karakteri.
1.
Në
mitologjinë antike ekzistojnë perënditë e grindjes, si erinitë apo Diskordia,
po edhe perëndesha e marrëveshjeve ose Harmonia. Erida hedh mollën e artë të
grindjes në vlugun e festës së perëndive, në dasmën e Peleut dhe Thetis-ës si
një çmim të bukurisë, duke shkaktuar kështu një mosmarrëveshje midis Herës,
Athenës dhe Afërditës e që çoi përfundimisht në Luftën e Trojës.
Kështu,
"molla grindjes" përdoret si shorehje edhe sot, për të shënjuar
shkakun e një grndijeje a mosmarrëveshjeje.
Shpirtrat
e acaruar koha jonë i lexon dhe i sheh drejtpërdrejt. I lexon nëpër rrjetet
sociale, nëpër portale, por i sheh edhe drejtpërdrejt, nëpër mediet vizuale, si
televizioni, ku janë të shpeshta debatet grindavece, pa asnjë takt intelektual
dhe ku nuk vlen argumenti e nga të cilat njerëzit edhe mësojnë, edhe
reflektojnë. Këtu nuk e kemi fjalën për atë që thoshte Claude Lévi-Strauss për
njohuritë shkencore që përparojnë vazhdimisht dhe nxiten nga polemikat dhe
dyshimi. Nuk e kemi këtu fjalën për mosbindjen civile kundruall pushtetit të
padrejtë.
Aty
ku do nxitur kontestimi me argumente, pa fyerje e pa cinizmin e gjakftohtësisë
shkatërruese, po aty do shmangur me shumë urti e këmbëngulje grindjen boshe,
fodullëkun, përçmimin, apologjinë e së keqes për njerëzit grindavecë!
Ndoshta,
njerëzit i dëgjojnë a lexojnë, lexojnë prej kureshtjes, për ta parë se sa larg
shkon budallallëku i tillë i marrëzisë së grindjeve, tensioni shkon gjithnjë në
rritje... dhe ti e sheh se ajo ditë të ka shkuar huq, si ditë e keqe. Shumica e
njerëzve as që duan t'ia dinë për këto skena a gërmadha debatesh nëpër rrjetet
sociale, duan të jenë të qetë, ta jetojnë e përjetojnë ambientin e qetë e
paqen, ta ndërtojnë qetësinë e brendshme, larg hapësriave të natyrës së
çoroditur: asisoj, krijon qiellin e vet, hap horizonte të mendjes a horizonte
diellore edhe te njerëzit tjerë. Ndërsa grindavecët gjuajnë gur në hapësirat e
tilla, godasin mbarë e prapë; shpallin fajtorë ku fare nuk ka, dhe bëjnë
apologji të së keqes, nga e cila njerëzit neveriten. Grindavecët gjenden
gjithnjë në kërkim të krijimit të një atmosfere të injorancës, sepse në
hapësirat intelektuale nuk mund ta gjejnë veten. Si dhuratë, nga njerëzi marrin
shpërfilljen.
Mirëpo,
një dorë njerëzish ia vënë vetes për detyrë të kontestojnë gjithçka. Madje,
grindja, duke kaluar në kontestim e nga një varg kontestesh, grupacionet e
tilla arrijnë të ngrenë një ideologji mohimi, madje kjo shkon deri te ngritja e
një. ideologjie totalitare. Historia njerëzore i provoi totalitarizmat e tillë,
të ngritur mbi grindjen në gverr, e mbi gverret në konflikt, siç ishin
fashizmi, nacizmi dhe komunizmi.
Russell
M. Nelson, një lider shpirtëror amerikan, për rastet e tilla, thoshte që para
Luftës së dyë botërore, kur një grindje ngrihet në kontestim e mandej në akuzë:
"Kontestimi zakonisht nuk fillon si grindje mes vendeve. Më shpesh, kjo
grindje fillon me një individ, sepse ne mund të luftojmë brenda vetes mbi
çështje të thjeshta të së drejtës dhe të gabuarës. Nga këndej, grindjet mund të
infektojnë fqinjët dhe kombet si një përhapje e sëmundjes." E pra, flitet
për grindjen që shkatërron familjen, shoqëlrinë, madje edhe një rajon të tërë.
2.
Fatkeqësisht,
grindja në kohët moderne është shtrirë kudo. Grindje në ambiente institucionale,
grindje në shkolla, grindje nëpër familje, grindje në sport, grindje anarkike
në jetën politike. Atmosefra e tillë helmohet me ofendime, fyerje për çështje
krejtësisht të vogla, për hiçgjë.
Është
e qartë: komunikimi normal dhe grindja zemërake nuk shkojnë bashkë; ashtu si
nuk shkojnë e vërteta dhe trillimi, diskutimi i qetë me përbaltosjen, respekti
me përtalljen, këshillimi me kriticizmin, përmirësimi me dënimin. Artisti
japonez i arteve marciale, Morihei Ueshiba, shprehet: "Vetëpërmbajtje, do
të thotë ta mposhtim mendimin e grindjes që kemi brenda vetes." E po, në
këso rastesh, mendja dhe zemra ndahen më dysh: mendja [dshiron konflikt,
grindje, përplasje, kurse zemra e do qetësinë dhe paqen. Është mirë nganjëherë
ta dëgjojmë zemrën.
Është
e qartë, se në universitete, në shkolla e në familje, më shumë ndikojnë rrjetet
sociale e ato mediatike, se sa vetë shkolla apo familja. Ky është burimi serioz
i jo pak devijimeve, mosmarrëveshjeve, për shkak të shpërqendrimeve që burojnë
nga mizika me kabllot në vesh, nga telefonia, dhe aa familja, as shkolla e as
shoqëria nuk e kanë në dorë ta kontrollojnë e ta vënë në binarë këtë fenomen
postmodernist!
3.
Kjo
sëmundje e frikshme, tinëzare si kanceri, ky kërcënim që helmon shpirtin, e
dëmton trupin e shëndoshë të një familjeje, shkolle a kombi.
Grindja
nuk është argument se ti ke të drejtë.
Grindja
nuk është udhë për të bërë të mira a për ta arritur qëllimin e mirë.
Grindja
nuk përbën as idealizëm, as veprim të drejtë, as ndërtim të një mendimi të
drejtë, kur ti nxit mosmarrëveshje, shkakton gjëra të pakujdesshme, pa rregull
e pa takt.
Grindja
nuk është përhapje as e diturisë, as e formon njeriun, duke përdorur cinizmin,
duke fyer bindjet e tjetrit, duke u tallur me personalitetin e tij.
Mbase,
njerëzit e papërmbushur në jetë e në qëllimet e tyre ndiejnë nevojë për
grindje. Si terapi ditore.
Lëri
të këtillët në botën e tyre!
S’ke
nevojë të merresh me ta! Sipas asaj të Jezusit: "Mos u jepni qenve ç'është
e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin
me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t'ju shqyejnë."
(Mateu
7,6)
Liria
e mendimit dhe TË MENDUARIT NDRYSHE nuk e përfshin edhe lirinë e përdhosjes së
gjithçkaje të mirë. Liria kërkon formim dhe pjekuri të personalitetit...
Le
të jetë në nderin e tyre!
Lëri
sipas asaj thënies tjetër urtake të William G. McAdoo: "Është e pamundur
ta rrëzosh një njeri injorant me argument."
Po
ky Russell M. Nelson i larttheksuar, shfaq shqetësimin e tij: “Shqetësimi im
është që grindja po pranohet si një mënyrë jetese.”
Fatkeqësisht!
(Prend Buzhala, 14 maj
2019)