Kulturë
Fetah Sheholli: Abdullah Blakçori - Aromë lulëkuqesh
E merkure, 27.06.2018, 07:47 PM
KËNGËTIM PËR ZJARRIN ATSHEDASHËS TË DËSHMORËVE
(Vështrim për vëllimin poetic “Aromë lulëkuqesh” të poetit Abdullah Blakçori)
Shkruan prof. Fetah SHEHOLLI
Nëse Migjeni është quajtur poet i mjerimit, për shkak se i është përkushtuar gjendjes së rëndë të popullit shqiptar në vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar, nëse Filip Shiroka e Luigj Gurakuqi janë quajtur poetë të mërgimit, ngase me nota prekëse kanë shprehur mallin për atdheun e largët, atëherë Abdullah Blakçori, me plot gojën, mund të quhet poet i dëshmorëve, sepse vjershëron për ta me frymëzim të fortë poetik. Përse mund të thuhet kështu? Përgjigjen po e jap me një pyetje retorike: Po, kush u ka thurur vargje më të zjarrta dëshmorëve se sa Abdullah Blakçori? Vëllimi poetik "Aromë lulëkuqesh" është kurorë e këtij përkushtimi specifik të kolegut tim të nderuar. Libri ka fjalë, ka këngëtim poetik, por përbrenda vlon nga të bëmat, trimëritë e kryeheronjve, të kryetrimave dhe të legjendarëve tanë.
PROJEKTIMI I ATDHEUT...
Intuita ime prej hulumtuesi letrar më tha: "Fillo me poezinë e parafundit "Shqipëri", me të fundit Çamëria", vazhdo tek krijimi letrar "Kosova" dhe ndalu në poezinë e parë "Dëshmorët"! Eu, po ç'më qiti në hall muza ime krijuese! Ec e lidhi penjtë nga fundi e mesi dhe fillimi i librit! I lexova dhe rilexova disa herë këto poezi...Brenda tyre gjeta të bukurën, befasinë, mjeshtrinë e krijimit poetik. E projektuar në vargje, më doli parasysh harta e atdheut: Nëna Shqipëri, me krahë të thyer-Kosovë e Çamëri...
Shqipëria, vend i sulmuar nëpër shekuj me rrebeshe pushtuesish, me rrufe, me furtuna, por edhe i qëndresës, i sakrificës, në luftë fyt-a-fyt me të keqen...Barbarët aziatikë e karpatianë e kafshuan, e copëtuan, e sakatuan, por mbijetoi, prandaj poeti Abdullah shkruan:
Ti, tokë e lashtë me shkëmb e gur
Me gjak e ngjyrose tëndin flamur
Megjithatë, pasojat ishin të rënda: Çamëria u mbush me varre, mbeti plagë e shqiptarizmit...Bukur e ka thënë poeti me këto vargje:
Çamëri, ti je krah shqiponje
Që flatron qiellit të prerë
E fluturimi të ngelet ende nën re
Të njëjëtin fat e përjetoi edhe Kosova, tjetri krah i Shqiponjës. Tokë e pushtuar, nën këmbë të huaj, nëpër shekuj tokë e djegur, tokë e pjekur, tokë e sosur...Por, kurrë e nënshtruar, e gjunjëzuar, prandaj vjershëtari me të drejtë përfundon se ti Kosovë ishe:
Djep i lashtë qëndrese
Sofër buke, kripe e bese
Tokë e vjetër e floririt
Nënë e Zahir xhevahirit
E, pra, këto janë trojet ku dëshmorët "lozën" lojën e tyre për të fituar lirinë...Poeti Abdullah Blakçori na i portretizon me një gjeturi të jashtëzakonshme letrare. Na i jep njerëz që herët e hetojnë robërinë, që nuk pajtohen kurrë me të, dhe, shumë kohë para të tjerëve, rebelohen, ngjiten maleve, nuk pyesin për borë e shi e vështirësi dhe dalin në front:
Korbat e Veriut me martina i pritën
Me plumba lirie në kokë i goditën
ECJA E TRIMËRISË NËPËR KOHË...
Në këtë vëllim poetik Abdullah Blakçori këngëton poetikisht për dëshmorët e kombit që nga lashtësia e deri më sot. Së këndejmi, përcjallja e amanetit për Atdhe të lirë e përshkon, si pe i kuq, krejt librin. Poeti thur vargje për Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Isë Boletinin, Marigo Pozio, për të ardhur tek Komandantët legjendarë Adem Jashari e Zahir Pajaziti. Të dytë, deri në vdekje, luftuan për çlirimin e tokës arbërore...Prandaj, poeti shprehet bukur:
Dy krahë ka shqiponja
Skënderbeun e Zahirin
Që Shqipërisë Etnike
Ia hoqën zingjirin
Për këtë arrsye, krijuesi i shqetësuar mpreh penën për të skalitur figura madhore të shqiptarizmit. Suksesshëm, prandaj, vjershëron për trimat sypatrembur të kohës sonë: Adem Jasharin e Zahir Pajazitin, Hakifin e Edmondin, Ilirin e Hasan Ramadanin, Afrim Zhitinë dhe Fahri e Bahri Fazliun, Isë Havollin e Jetullah Islamin, Ylfete Humollin e Agron Rrahmanin...Me një fjalë: për të gjithë dëshmorët e kombit.
Por poeti është i vëmendshëm, fort i kujdesshëm për gjeografinë shqiptare të dëshmorëve. Prandaj, i ngrit në piedestal edhe dëshmorët e viseve të tjera: Tahir Sinanin e Komandant Kumanovën, Shkëlzen Haradinajn e Agim Ramadanin, Jusuf Gërvallën e Ukshin Hotin, Rexhep Malën e Nuhi Berishën...Të gjithë këta, së bashku, thotë poeti:
Në ballë t'armikut ishin barot
Mbi këto shkrepa - Zot
S'ka dyshim se Tahir Sinani është sinonim i të gjithëve. Luftoi në Kosovë e Preshevë e Tetovë, prandaj poeti ka të drejtë kur e emërton: "Emblema e UÇK"-së. Ai:
Me gjakun si gurrë
Pranverën e ngjalli
N'katër lufta trimit
Me plagë iu mbush balli
Poeti Abdullah Blakçori, pagabueshëm, u di ditëlindjen, ditën e rënies në logun e trimërisë, heroizmat, aksionet...U thur vargje, pa përtesë, edhe për përurimin e vendpushimit të përhershëm në Penuhë, për përurimin e përmendoreve, etj. Thjeshtë, duket sikur poeti bashkëjeton me dëshmorët...
Së këndejmi, është krejt e kuptueshme që Abdullahut nuk mund t'i shpëtojë rivarrimi i dëshmorëve në "Panteonin e përbashkët" në Penuhë të Besianës Këtij momenti nderimi e rikujtimi, përkujtimi të gjithmonshëm për të rënët që sollën lirinë e Atdheut, i kushtoi katër poezi: "Në Penuhë prehen trimat", "Prehuni në qetësi", "Krushqit e kuq" dhe "Fusha e dëshmorëve". Pasi që vë në spikamë se ata "Armikun e vranë si rrufeja", se pushtuesit nuk i lanë qetësi e rehati në asnjë cep të Llapit legjendar, me një simbolikë tejet të qëlluar na jep veprën-kurorë të tyre:
Me vello nusen e prunë
Nëpër stuhi e furtunë
S'ka dyshim se ndërtimi i Komleksit Memorial për dëshmorët e Zonës Operative të Llapit është një punë e vogël e jona përballë heroizmit të tyre vigan që peshon rëndë e pavdekshëm sa Kodra e Llapit e Kulina historike:
Qindra trimëri të pashuara
N'Penuhë prehen të balsamuara
Poetit, me interesim gjithmonë të zgjuar, nuk mund t'i ikën as momenti i përurimit të shtatores së Heronjve të Kombit: Zahirit, Hakifit, Ilirit e Edmondit, në Besianë. Veçse tash, ata vijnë plot shkëlqim si "dielli" e si "yje qielli" që sollën "beharin" e "shkrinë acarin". Fundi i vjershës është shumë frymëzues e fort programatik për gjeneratat e ardhshme:
Nëse retë bijnë mbi atdhe
Ata prapë zbrasin rrufe
Po ndalem pak më gjatë në analizën e poezisë "Mburoja e Atdheut", të cilën Abdullahu ia kushton Ali Ajetit. Për dy arsye: e para, pse, mendoj unë, Aliu është prijatar i kërkimit të lirisë me armë në dorë dhe e dyta, krejt subjektive, sepse e kam pasur nxënës. Që në vargjet e para poeti e lidh lexuesin me krejt poezinë:
Ali Ajeti në Shesh zbriti
Trim Zahiri i pari e priti
Abdullahu, me një gjeturi artistike jep bartjen e trimërisë prej brezit në brez. Për këtë arsye vjershëtari sjell në mendje historinë e "Çetës së Llapit" të udhëhequr, guximshëm, prej Ali Ajetit. Veprimtaria e Çetës nuk u shua, përkundrazi, thotë fuqishëm, poeti:
Zjarr i saj ish amaneti
Vëlla Zahir ai ty të mbeti
Gjithsesi, kjo poezi e Abdullahut mua më qiti para sysh nxënësin tim Ali Ajetin, të ulur në bankë, ashtu të heshtur, por: gacë, prush, zjarr, vullkan, uragan përbrenda...
Me të vërtetë lirikut atdhedashës, nuk i shpëton asnjë figurë e popullit tonë pa i dhënë meritën që ka. Pena e tij vargëron edhe për heronj të gjallë, siç e bën me përkushtim, me poezitë: "Prijësit të lirisë" dhe "Fanari i Kosovës" të cilat ia kushton birit të madh të Llapit e idolit të krejt shqiptarizmit, Adem Demaçit. Së pari, jep qëndresën e tij të pamposhtur, në burgjet serbiane:
Mes muresh të ferrit
Zëri-yt kushtrim
Mes gjarpinjve të gjakut
Shqiponjë në fluturim
Natyrshëm, prandaj, vjen dashuria e Kombit mbarë për këtë figurë të rrallë. Urimet për ditëlindjet e tij janë krejt të pritura sepse për pasardhësit është "baci ynë i ndritur", "prijës përballë stuhie" e "simbol e dritë lirie".
SHPREHJET ARTISTIKE TË POETIT
Shprehjet poetike që përdor krijuesi Abdullah Blakçori, janë të zgjedhura me një kujdes habitës. Kjo mund të arsyetohet me faktin se po vjershëron për yjt që nuk shuhen kurrë në qiellin shqiptar. Poeti hulumton e gërryen, kërkon e gjen, në gurrën e pasur letrare të shqipes, figurat artistike më të fuqishme që u përshtaten dëshmorëve. Prandaj, për vjershëtarin ata janë: viganë, vullkan lirie, zemër çelikë, shqipe në flamur, aromë lulëkuqesh që sollën të shtrenjtën lirinë tonë. Vjershat e krejt librit janë përplot simbole, epitete metafora, antiteza, gradacione, personifikime, të gjetura me një mjeshtri të rrallë artistike. Fjala vjen, në poezinë "Bungu i Dyzit", kushtuar dëshmorit Jetullah Islami, gjejmë një antitezë të pëlqyeshme:
Gjarpri i mbështillej nëpër trup
Bungu qëndresë frymonte
Po kështu peronifikimi përdoret shpesh prej autorit të librit në fjalë. Heronjtë flasin njëri me tjetrin, përqafohen, sikur të ishine të gjallë midis nesh.
Natyrisht, edhe në këtë vëllim poetik, gjejmë gabime në të trajtuarit e ndonjë çështjeje por edhe drejtshkrimore. Bie fjala, në poezinë që e analizuam shkurt "Skënderbeu e Zahiri" nuk qëndron përfundimi se Skënderbeu e Zahiri ia hoqën zingjirët "Shqipërisë etnike". Kjo nuk është realizuar ende dhe është pikësynim mbarëkombëtar. Nëna Shqipëri, edhe më tutje kufizohet, në të gjitha anët me toka shqiptare!!! Është dhënë edhe ndonjë pasaktësi si, fjala vjen, kur thuhet se Tahir Sinani mori pjesë në katër luftëra. Sa unë di, e mund ta kem gabim, ai ka luftuar në tri luftërat e fundit të shqiptarëve: në Kosovë, në Preshevë e në Maqedoninë Perëndimore.
Drejtshkrimin e ka të qëndrueshëm por i kanë shpëtuar disa gabime: nanë përdoret për nënë, bijnë për bien, vigjëlojnë për vigjilojnë, gjithëherë për gjithherë, etj. Po këto gabime të vockëla nuk çojnë peshë në vlerën e gjithmbarshme që ka libri poetik "Aromë lulëkuqesh".
Çka të themi për fund: kolegu im, miku im, poet Abdullah Blakçori: të lumtë zemra e mendja e pena për këto xhevahire poetike kushtuar Dëshmorëve të Kombit!
Shënim: Ky vështrim vlerësues është lexuar më 19.06.2018, në Besianë, me rastin e promovimit të librit me poezi të Abdullah Blakçorit me titull "Aromë lulëkuqesh".