E hene, 17.05.2021, 08:43 PM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Edmond Agolli - Pshertëtin një fije bari

E diele, 24.06.2018, 10:28 AM


Edmond Agolli, poeti midis lirizmit dhe natyralizmit poetik

(Disa vëzhgime mbi  librin poetik “Pshertëtin një fije bari”  të Edmond Agollit)

Nga Vladimir Muça

Kur lexon librin “Psherëtin një fije bari”, futesh pa e kuptuar në një botë nostalgjije për vendlindjen, të rrëmben rryma e lumit përditor të jetës, shpirti ushqehet me mendime dhe me mesazhe.

Vetiu kthehesh në retrospective, e një mori pyetjesh të gëlojnë në mendje:

“Ku jam unë, ku janë miqtë, shokët, gjyshet e gjyshërit. Jemi  të gjallë apo të vdekur  shpirtërisht.”

Në këtë kontekst edhe poezitë vinë si produkte shpirtërore dhe mendimore të një poeti, i  cili përvojat personale i aranzhon me ato shoqërore, duke arritur në atë lartësi të një mesazhi si në pronësinë e përbashkësisë, dhe të ndjesive universale.

Nga ky këndvështrim kritik, sapo mbaron së  lexuari librin, ndjen psherëtimën në shpirtin tënd, të vendlindjes, në të cilin gjallojnë poezitë, duke i sjellë lexuesit detajet e imazheve e duke vozitur në hapësira ku jetësohet një brymë, një mezhdë, një ugar, përmes thirrjeve që i bën poeti mungesave në dukuritë e jetës së sotme.

Ndaj dhe në planin arkitekturor, kjo përmbledhje poetike vjen komplekse, disi bruto, e rafinuar në përpunimin artistik të metaforave dhe simboleve, duke na tërhequr në shtjellën e një universi, i  cili ushqen emocionet  më të thjeshta, sepse këto poezi përqasin metafora të thjeshta, shumë funksionale në thjeshtësinë fonetike, por që përmbajnë ngarkesa emocionale.

Në këtë estetikë, më shumë se sa alegoria, për të cilin, autori ka një parapëlqim, por që për ndokënd mund të duket një proçedim artistik paksa i kaluar, i cili përqas në mënyrë  skematike një imazh dhe një ide.

Por ato që mbisundojnë në estetikën e Agollit janë metaforat, si figura të preferuara  në shprehjet poetike, ku në poezinë “Fole në shi”: ‘’E gjetëm dhe ne një strofull/ në atë ditë ngjyrë gri/ Që njerëzia të mos na shihnin,/ bëmë një fole në shi.’’.

Apo në  poezinë ‘’Endërr e nesërme’’, ku :’’Dritëza e një xixëllonje/ t’parën puthje m’kish kujtuar,/ shpirti m’nanurisej valëve/ mosha më dridhej në duar./

Në tërësinë konceptuale libri ‘’Psherëtin një fije bari’’, përbën një amalgamë ndjesishë për veten, për prindërit, shokët. Një trinitet që ngjizet bukur nga poezia në poezi, përmes filigrameve shpirtërorë të poetit, ku në këtë parajsë shpirtërore, si yje, ndrisin vëzhgime të ndjera të poetit si dhe impresione të thella dashurore.

Duke e trajtuar poezinë si mesazhiere të përkorë të kohës, paksa nazike, Mondi përmes një psiko-analitike të vetë-vetes, në një ballafaqim me zhvillimet sociale, realizon krahasimtarinë nën vlugun metaforik. Eshtë një veçori kjo, e cila e bën më antraktive poezinë në sensin social.

Autori duke qenë vetë shpirti i kohës  që përjeton, duke përçuar mes vargjeve mesazhet dhe mendimin reflektiv, i jep poezisë  ndriçime vizionare, pararendje të dëshirave në substanca të reja, aq shumë të dëshiruara jo vetëm për poetin.

Në këtë mënyrë, ai me sukses ka dalë nga qerthulli i provincializmit, duke shmangur të qenurit e poezisë si qëllim në vetëvete. Përmes trilleve të përzgjedhur poetikë, lexuesi jeton nëpër vargje një magji, e cila përcjell një sentiment sa nostalgjik, gjer në një farë pikëllimi, aq dhe romantik në një dramacitet lirik, në një harmoni, herë herë si valët e Devollit e herë herë liqenore ku valët puthin bregun.

Në këto valëzime ndjehet kombinimi perfekt i aliteracioneve, rimave, asonancave, tingëllimave, me një frymë poetike, ku e paprekshmja, jo lëndorja, shkrihet në jetësoren. Ndaj në tërësi, dukshëm, del thelbi i lirikës që është manifestimi i së bukurës në artin e të shkruarit.

Në këtë dukshmëri estetike, si brerore, dallon elementi natyror si një domosdoshmëri artistike.

Ta konsiderosh natyrën komponent artistik është një vlerë artistike më shumë, se natyralizmi i prurjeve moderne në poezi nga estetikat botërore, bën që poeti të realizojë një produkt autokton, të pangjashëm me askënd.

Në librin ‘’Psherëtin një fije bari’’ që në ballinë, në metaforë, elementët natyrorë vine si gjeneratorë artistikë të ndjenjave njerëzore, si një bashkëjetesë e poetit, njeriut me natyrën, ku natyra rrugëton poetikisht si personazh, si një domosdoshmëri e figuracionit artistik.

E këtë natyralitet artistik poeti Agolli e kërkon me pasion, sepse për poetin pasioni nuk ka turp, ai vetëm kërkon e kërkon.

Mondi, përmes vargjeve e kërkon me pasion këtë nostalgji, dashuri, dhimbjen e të tjerëve, sepse kur ndjen gëzimin, dhimbjen tënde, je gjallë, por kur ndjen nostalgjinë, dashurinë dhe dhimbjen e tjetrit, je njeri.

Ndaj dhe lirika natyrore në poezinë e Mondit është pjesë e pandarë e frymës poetike, ajo krijon hapësirat e domosdoshme për të shfryrë nga shpirti frymën lirike, gërshetuar bukur me nocionin social.

Etalon mund të quaj poezinë ‘’Kohë-Kohë’’ ku: ‘’Shtëpitë gëlojnë nga kafshët,/ kafazet lenë kanarinat,/brenda shpirtit digjen gardhe,/ëndrrra epshesh, limuzinash./

Peisazhi i bukur poetik, ku me finesë në ekstrakte poetikë me një brushë plot me rreze dielli në të perënduar, jepet një panorama lirike ku:’’Deti notonte në ylbere,/ tretur krejt në ëndërrime,/ puthje të argjenta merrte vala,/ e bregu dehej në ledhatime.’’

Një pikturale poetike e cila dëshmon më së miri qasjen e bukur artistike në pikturimin poetik, ku njera flet me ngjyrat e telajos, tjetra flet me ngjyrat e shpirtit.

Një univers i lirizmit dashuror, sintetizuar bukur dhe në një poezi dy strofëshe, ’’Në mbretërinë e dashurisë’’, ku lirizmi, si një amalgamë poetike përmbledh në vetëveten e  saj artistike një botë të tërë njerëzore e natyrore të lidhur pazgjishmërisht.

Si rrallë kush Edmond Agolli, merr e përpunon duke i dhënë fizionomi të re poetike ektrakteve huazuar nga thesari i poezisë popullore.

Në poezinë ‘’O moj ti që çmend dynjanë’’, një përzgjedhje dhe përpunim i bukur i elementëve të folkut, ku refreni alternohet bukur nga strofa në strofë, sjell ngarkesa ndjenjësore dhe emocionale në rritje. Këta elementë folku rrinë mes strofave si xinxifille. Mbështetja në këta elementë e bën disi të përveçme poezinë e Edmondit, më të kuptueshme e më recitative, nga një shumi lexuesish dhe me arsim jo të lartë, duke marrë statusin e një arti për të gjithë shtresat shoqërore.

Vëllimi mbyllet me një poezi të vockël ’’Nëse…’’ e cila është si një urtake mesazhiere, por dhe një preambul e një jete të tërë.

Në tërësinë e tyre, poezitë e këtij vëllimi janë të shkurtra, jo vargëzime pambarim, lodhëse,  por të mbushur deng me ekstrakte e trille të përzgjedhura poetike.

Siç duket Mondi, i afërt  shpirtërisht me aromën poetike të Pogradecit e ka pasur si udhëzues sentencën e lirikut të madh Lasgush Poradeci se ’’…poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve:’’

6 qershor 2018

Vladimir Muça

Shkrimtar, kritik



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora