E premte, 26.04.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Tarelli: Vasil Zhupa, talent i heshtur

E premte, 08.06.2018, 08:55 PM


VASIL ZHUPA, TALENT I HESHTUR

Nga Kadri Tarelli

Kështu e ka quajtur Maliq Gjyli, pedagogu i Analizës matematike, në Universitetin e Shkodrës, mësuesin tonë të nderuar Vasil Zhupa. Falë talentit dhe punës, ai e mbaroi fakultetin me nota të shkëlqyera.

Vasili, për rreth 23 vjet, ka punuar mësues dhe drejtues shkolle, në rrethin e Kavajës. Më pas në vitin 1989, mësues në disa shkolla në Durrës. Pikërisht ardhja në Durrës, i mundësoi që të afrohet pranë QKF, në sektorin shkencor, ku më i dalluari ishte matematika. Aty zhvilloheshin kurse dhe konsultime me nxënësit e talentuar, lidhur me olimpiadat e matematikës.

Të gjithë ata që e kanë njohur Vasilin dhe nuk janë pak, shprehen se jeta e këtij mësuesi fisnik dhe idealist, është e lidhur vetëm me matematikën, si shkencë dhe si veprim pedagogjik-arsimor, të cilit nuk i’ u nda për gjithë jetën.

Ai, si mësues dallohej për përgatitje të lartë shkencore dhe metodike, të cilën ai asnjëherë nuk e reklamoi dhe nuk u mburr, duke qëndruar përherë në modestinë e heshtjes. Diçka e rrallë, në gjykimin e sotëm. Të njëjtën rregullsi dhe praktikë ndoqi edhe në QKF të Durrësit, ku drejtor Naim Kërçuku, e vlerësonte shumë:

Së pari, si njeri serioz, i matur dhe pa fjalë dhe, dhe më tej, i pa qortueshëm dhe i pa thyeshëm, ndaj trysnisë, që mund t’i vinte nga jashtë. Një lloj lakmie e shtuar nga prindërit, për të nxjerrë fitues fëmijët, që e kërkonin fitoren e pamerituar. Besoj se këto mjaftojnë, që ai ta quante “Mësues model” dhe bashkëpunëtor i përkryer. Këto janë arsyet, pse Vasili qëndroi aq gjatë pranë QKF. Këto janë edhe arsyet pse ai, edhe pasi doli në pension, vazhdoi të punojë, i kërkuar nëpër shkolla të ndryshme private të Durrësit, si mësues dhe si konsulent për nxënësit e talentuar, përfshirë edhe kurset me grupe nxënësish, që nuk reshten gjatë gjithë kohës..

Fiqiri Resuli dhe Rrapi Toska, shokë, miq dhe bashkëpunëtorë me Vasilin, thonë fjalët më të mira për të, duke e çmuar lart qetësinë, përgatitjen shkencore, fjalën e mençur dhe karakterin, duke veçuar modestinë, për të mos kërkuar as lavdërime dhe as pozitë. Nuk i pëlqenin grindjet dhe fjalët e tepërta të kolegëve mësues, sidomos kur cënonin punën dhe rregullin.

- Vasili, - shton Fiqiriu, - më tregonte duke qeshur, një ndodhi të hershme:

Një ditë prej ditësh, Esat Dollia, inspektor në zyrat e arsimit të Kavajës, shkon për kontroll në shkollën e Vorrozenit, fshat në rrethinat e Kavajës, ku ishte drejtor Vasili. Shkon, por disa mësues vijnë me vonesë. Inspektor Esati, i nxehur tej mase, urdhëron që të largohen nga puna për atë ditë, pasi kishin thyer disiplinën shtetërore. Po ta gjykosh sipas rregullit, ai kishte të drejtë, por në ato kushte, kur mësuesit atëherë punonin nëpër fshatrat e largët, duhesh menduar më qetësisht, pasi një pjesë prej tyre vinin edhe nga Durrësi, për më tepër me makina të rastit, duke pritur me orë të tëra në Plepa, më pas në këmbë, nga rruga nacionale për në qendër të fshatit. Nuk ndodhte vazhdimisht, por ja që ndodhi.

Me vonesë po vinte edhe Vasili, pasi kishte pasur një takim pune në Seksion të Arsimit në Durrës. Asokohe Kavaja varej nga Durrësi, si qendër Rrethi. I takon mësuesit në rrugë dhe pyet, pse kishin braktisur punën. Pasi sqarohet, pa e bërë fjalën dysh, i urdhëron të kthen përsëri në shkollë. Drejtori aty përballet me Esatin, duke i thënë: je inspektor dhe ke të drejtë të bësh vërejtje, por këtu drejtor shkolle jam unë dhe kështu, vetëm unë kam të drejtë të urdhëroj ndërprerjen apo largimin nga punë të mësuesit, apo mësuesve. A mendon pak, se disa klasa do të mbeten pa mësim. Kush e mban përgjegjësinë për nxënësit? Esati iku, por në fund të muajit, i preu drejtor Vasilit një ditë pune rrogë, ndërsa Vasili nuk i preu rrogën mësuesve.

Më vjen keq, - thotë Fiqiriu, - që Vasili nuk mundi të realizojë një ide dhe dëshirë të tijën: të hartonte dhe të botonte librin e matematikës për klasën e gjashtë, të ciklit 9-vjeçar. Me njohuritë dhe përvojën e tij, do të kishte bërë një libër të mirë.

Petro Lafe, mik i vjetër dhe koleg në përgatitjen e tezave të olimpiadave të matematikës, rrëfen për Vasilin: Ishte shumë i saktë në korrektimin dhe vlerësimin e nxënësve. Njeri tej mase i ndershëm, nuk pranonte t’i shtohej nota, apo t’i hahej haku dikujt. Ishte shumë komunikues dhe i gatshëm për të ndihmuar cilido që kishte nevojë. Nuk përtonte, veç nuk donte të dukej apo të mburrej. Sot mund ta quajmë modesti e tepruar, por ai i tillë ishte dhe i tillë ka mbetur në kujtesën tonë.

Thoma Shtambari, sot drejtor në shkollën “Demokracia” në Durrës, dikur kur kishte djalin që konkurronte në olimpiadën e matematikës, si koleg i kërkon ndihmë Vasilit për ta ndihmuar, jo t’i shtonte notën apo pikët, por më shumë të kontrollonte, sa brumë kishte i biri, për t’u marrë me matematikë.

- Pas disa ditësh, - thotë Thomai, - Vasili më ndaloi dhe pas përshëndetjes të rastit, më tregon: “E pashë vetë fletën e Mikelit, duhet të jesh i kënaqur, sepse ka të dhëna të mira. Kujdesu që të mos ta ndërpresë punën”. Sot ky ish nxënës dhe ndjekës i kurseve të matematikës pranë QKF, ka mbaruar studimet e larta në Rumani dhe punon në një qendër studimesh informatike.

Vasili, sot nuk jeton, por është pjesë e kujtimeve tona nëpër veprimtari të tilla shkencore. Ai disa herë është vlerësuar, si mësues i përkushtuar ndaj përgatitjes së nxënësve për olimpiadat e matematikës.

Edhe sot, para shumë mësuesve, prindërve dhe nxënësve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, është gjetur një ditë e shënuar, pikërisht në Olimpiadën Mbarëshqiptare të matematikës, “Fest 7”, të organizuar nga QKF e Durrësit, që Vasalit t’i jepet titulli:

“Nderi i QKF. Durrës”

Për arritje të larta në veprimtaritë e organizuara nga QKF, në shkallë kombëtare dhe gjithëshqiptare”.

Ky vlerësim i sotëm, është një shprehje fatlume, e mirënjohjes ndaj fisnikërisë, vlerave njerëzore dhe përgatitjes shkencore, mësimore-pedagogjike, të mësuesit të talentuar Vasil Zhupa.

Vasili dhe shumë të tjerë si ai, i meritojnë fjalët: “Janë të lumtur mësuesit, që kujtohen e nderohen nëpër vite, nga brezat që vijnë”.

Kadri Tarelli

Durrës, më: 04, të fundpranverës. 2018.




(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora