E shtune, 27.04.2024, 01:31 AM (GMT+1)

Editorial

Dorian Koçi: Regjistrimi i popullsisë dhe minoritetet

E diele, 24.08.2008, 07:59 PM


Dorian Koçi
Dorian Koçi
Regjistrimi i popullsisë dhe minoritetet

Nga Dorian Koçi

Udhëtari anglez i shekullit të XIX, John Cam Hobhouse(1786-1869) në një nga veprat e veta për Turqinë Europine ku përfshihej dhe Shqipëria në atë kohë, vëren se kur banorët pyeteshin se të ç’kombësie ishin, ata përgjigjeshin: “Jemi muhamedanë” apo “Jemi të Krishterë”, kurse banorët e këtij vendi (dmth Shqipërisë-D.K) përgjigjeshin: “Jemi shqiptarë”. Nëqoftëse Hobhouse-i do kishte qënë duke kryer një regjistrim të popullsisë ky do të kishte qenë ndoshta regjistrimi më i pa-paragjykuar ndonjëherë i popullsise shqiptare, krejt i kundërt me atë që praktikonte Perandoria Otomane në atë kohë, që e ndante popullsinë e saj në bazë të përkatësisë fetare.

Kjo ndarje dëmtonte më shumë se këdo tjetër kombin shqiptar, duke mos i dhënë një kohezion shpirtëror dhe rrjedhimisht dhe atë administrativ. Për më tepër pas themelimit të tij, shteti grek duke pasur me vete dhe bekimin e Patriakanës së Stambollit, filloi të zbatonte një politikë ekspasioniste duke e konsideruar gjithë popullsinë “Rum”-ortodokse të Shqipërisë së Jugut si greke. Një betejë e madhe u zhvillua ndërmjet shpirtit nacionalist të Ortodoksve të Shqipërisë së Jugut që po zgjohej për një identitet kombëtar dhe ndjenjës së detyrës për të respektuar autoritetet e fesë së tyre tradicionaliste që rrekej tu mohonte kombësinë, betejë që shpeshherë u përgjak me gjakun e martirëve të shqiptarizmës, si Papa Kristo Negovanit, Spiro Kosturit e Petro Nini Luarasit. Përkatësia fetare ishte një nga kriteret që kërkoi të ndiqej në caktimin e kufijve të Shqipërisë në konferencën e Paqes më 1920, Venizellosi, kryeministri grek i asaj kohe. Edhe pse ky kriter nuk u mor parasysh nga Konferenca, influenca e tij nuk është fashitur kurrë në marrëdhëniet Greko-Shqiptare. Kështu psh, shteti grek gjithmonë ka këmbëngulur se ka të drejtë ekskluzive të përcaktojë kryepeshkopin e Kishës Autoqefale Shqiptare dhe shpesh herë politikat e veta ndaj emigrantëve shqiptarë i ka ndërtuar mbi bazën e besimit fetar, duke detyruar këta të fundit në ndërrimet e emrave apo deklarimin e një feje dhe kombësie tjetër. Kjo amulli religjion-kombësie përforcohet shpesh herë nga mungesa e një regjistrimi të saktë të popullsisë në Shqipëri. Është e pafalshme për të gjitha qeveritë shqiptare të pas viteve 90’ që nuk kanë realizuar rregjistrimin e popullsisë jo vetëm për efekt të reformës zgjedhore,por dhe për t’u dhënë fund spekulimeve sharlataneske lidhur me minoritetet në Shqipëri. Në të kundërt , shtetet fqinje kanë kohë që zbatojnë një “diversion populist” ndaj Shqipërisë duke iu dhënë qytetarëve të saj nënshtetësi apo pensione pa hyrë fare në marrëveshje me shtetin shqiptar. Rasti më i çuditshëm është dhënia e nënshtetësisë bullgare qytetarëve shqiptarë nga Golloborda, duke krijuar minoritete fare të panjohur dhe nga Konventat ndërkombëtare! Të huajt sa herë që i referohen Shqipërisë, i referohen rregjistrimit të kohës së mbretërisë për përkatësinë fetare të shqiptarëve dhe regjistrimit të vitit 1989, për minoritetet etnike. Regjistrimi i popullsisë i vitit 1989, i llogarit minoritetet në Shqipëri në 2% të popullsisë, ku ai grek është 1%,një diferencë shumë e madhe nga ai që pretendohet sot nga gjithfarë “sillogjesh vorio-epiriote” sipas të cilave numri i minoritetit grek është 10-12%. Natyrisht që shteti komunist shqiptar me natyrën e vet autoritariste mund të ketë abuzuar në regjistrimin e vitit 1989 duke mos dhënë numrin e saktë, por dhe pretendimet greke janë tërësisht të pabaza dhe si gjithmonë në lidhje me Shqipërinë të egzagjeruara..Në statistikat e CIA-s,të publikuara në internet i cili konsiderohet si një nga burimet më seriozë të informacionit, minoriteti grek paraqitet ne masën 3%. Duke qënë se shumë shpejt popullsia do të pajiset me kartat e identitetit (të paktën kështu pretendon qeveria) me këtë rast do të kryhet dhe një regjistrim i mirëfilltë, do të ishte e këshillueshme që të sqaroheshin disa mugullima që jo rastësisht kanë mbetur të tilla.
Përse kjo vonesë kaq e madhe për të bërë një regjistrim popullsie në Shqipëri ndërkaq që vendet fqinjë e kanë një të tillë? A mund të lidhet kjo me dëshirën e disa shteteve që dëshirojnë të rrisin numrin e minoriteteve të tyre në Shqipëri? Duke qënë se në të kaluarën shpesh herë kemi vuajtur nga teoritë e konspiracionit jemi te prirur të mos besojmë në gjëra të tilla, aq më tepër që shtetet e rajonit duken që të kenë përqafuar pothuajse të gjitha principet demokratike të Bashkimit Evropian, por politikat diversioniste të dhënies së pensioneve dhe nënshtetësive kaq lehtë një grupi njerëzish të cilësuar si “pjestarë” të kombeve të veta sipas politikave të tyre të vjetra, ndërkaq që shumë shqiptarë që jetojnë në këto vende mezi marrin leje qëndrimi të shtyjnë të besosh se gjërat nuk janë aq rozë dhe se shteti shqiptar duhet të përgatitet për të përballuar situata acaruese në marrëdhëniet e veta me fqinjët. Është e vërtetë që kufinjtë nuk ndryshojnë por autonomira lokale lindin ,dhe deklarime të tilla ka pasur shumë kohërat e fundit duke helmatisur më tepër klimën e mirë të rajonit. Një barrierë e dobishme ndaj gjithë atyre që duan të përftojnë apo rrisin numrin e minoriteteve në Shqipëri do të ishte rregjistrimi sa më transparent i popullsisë duke zbatuar te gjitha konventat ndërkombëtare për minoritetet. Në këtë kuadër, marrja parasysh në regjistrim e besimit fetar si faktor për të përcaktuar kombësinë si dëgjohen shpesh herë zëra nga ndonjë vend fqinj do të ishte i papranueshëm jo vetëm sepse nuk përputhet me asnjë standard ndërkombëtar por edhe për vet natyrën sekulariste të shtetit shqiptar. Regjistrimi fetar do të ishte i dobishëm për shtetin shqiptar për të përcaktuar përqindjen e vërtetë te besimeve fetare në Shqipëri, që çka është e vërteta është shumë i vjetër qysh prej kohës së mbretërisë. Po kështu mbështetja tek parimi i dyshimtë të “vetdeklarimit” të kombësisë, do të shkaktonte nje situatë të gënjeshtërt të realiteteve në Shqipëri për faktin e thjeshtë se shumë politika diversioniste të shteteve fqinjë kanë krijuar një grup njerëzish që me aq lehtësi si deklarohen të një kombësie për arsye ekonomike , nesër po për interesa të tjera mund të deklarohen shumë kollaj si të një kombësie tjeter. Përsa i përket grupeve të veçanta që flasin gjuhë të popujve fqinjë mund të zbatohet parimi i minoriteteve linguistike, duke garantuar kështu mbrojten dhe lëvrimin e gjuhës si mund të veprohet me grupin e madh të popullsisë arvanitase në Greqi apo fshatit Nartë në Shqipëri. Në fund të fundit, realiteteve të mirëqena nuk mund t’u kundërvihesh me politika boshe nacionaliste por me integrim duke respektuar të drejtat e tyre e këtyre minoriteteve. Është mirë që gjithmonë të kujtohet se Ballkani është një mozaik popujsh, ku popujt janë të ndërthurur me njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë nuk duhet harruar se çdo konfigurim etnik duhet të qëndrojë në vendin e vet, pa i rënë në qafë tjetrit, sepse përndryshe ndodh ajo çka gjithmonë europianët ia kanë patur frikën, dhe që neve vetë na ka kushtuar shumë shtrenjtë, kthimi i rajonit në një “fuçi baroti”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora