E premte, 26.04.2024, 06:03 PM (GMT+1)

Mendime

Kristaq Turtulli: Algonkuin një mrekulli natyre

E enjte, 15.09.2016, 07:50 PM


KRISTAQ TURTULLI

ALGONKUIN NJË MREKULLI NATYRE

meditim

Mëngjes. Qielli është i kthjellët dhe ajri i freskët verior të mbush mushkëritë. Ne jemi të çlodhur pas një gjumi të rehatshëm në rezorsin ‘Pishat shkëmborë,’ pranë qytezës interesante Haliburton, 105 kilometra larg hyrjes në Algonkuin. Rezorsi është ndërtuar mes të pyllit, përpara kaltëron liqeni me mjegullën e përhime që ngrihet shtëllungë, shatërvani hedh stërkala dhe në krah si qilim, gjelbëron fusha e golfit.

Makina jonë vrapon në rrugën e asfaltuar, drejt hyrjes së parkut të Algonkuinit, në të dy anët lartohen pishat hijerënda dhe panjat e drejta. Pyje të pafund lartohen drejt qiellit e shfaqen dhe rishfaqen përpara syve të mi me flladin jetëdhënës. Befasisht shfaqen dhe na mahnitin liqenet e shumtë, kaltëroshë që nanuritin, vezullojnë e vizatojnë në gji të tyre me ngjyrat më të bukura pemët halorë e panjat që kanë filluar shpërthimin e veçantë si rrallë gjetkë të ngjyrave vjeshtake.

Kur s’e prisnim, mbasi sytë na kishin mbetur të mbërthyer te gjelbërimi dhe kaltërsia, njëzet metra përpara nesh, në rrugë, parakaloi me kërcime të hijshme një dre i bukur dhe u hodh në anën tjetër. Qëndroi një moment, me sytë e mëdhenj e të kthjellët na vështroi i habitur dhe pastaj me vrap u fut në thellësi të pyllit.

Kam qenë i informuar qysh herët me Algonkuinin, parkun provincial nga bisedat me miqtë dhe gjithnjë e kam menduar e dëshiruar shkuarjen në këtë vend gati përrallor në veri të Ontarios, ku të lë ndjesinë e një kohe të largët dhe të afërt njëherësh dhe sheh së afërmi sa zemërgjerë dhe e papërsëritshme është Mëma Natyrë.

Instinktivisht të shkon mendja te vendlindja ime e dashur, ku pyjet e larta legjendare janë rrafshuar, kanë mbetur vetëm shkëmb e gurë. Lura e mrekullueshme është bërë në ditë të hallit dhe ‘Syri  i kaltër’ po verbohet prej dertit të madh...

Nejse...

Algonkuin gjendet rreth 300 kilometra në veri të qytetit të madh të Torontos dhe është park provincial në Canada i pa prekur nga dora e njeriut. Ky park i madh me pyje të pafund dhe liqene të pastër si kristali është me të vërtet një vend i mrekullueshëm dhe i paharrueshëm për të gjithë vizitorët që shkojnë e shijojnë këtë vend magjik. Si një ikje gjithmonë më e rëndësishme nga mënyra e jetesës sonë të ngarkuar urbane.

Algonkuin, provincial park është shumë i pasur me histori dhe shumëllojshmëri. Fjala Algonquin rrjedh prej një fisi indianësh të Amerikës që jetonin përgjatë lumit të Otavës dhe në veri të liqenit Superior, të dialektit Oixhibue dhe sipas specialistëve është gjuhë muzikale indianësh.

Hapësira e pyjeve dhe liqeneve në veri të Kanadasë dhe në veçanti të provincës së Ontarios është i pafund. Vetëm parku Algonkuin krijuar në vitin 1893 është parku më i vjetër, natyral dhe më i famshëm i Provincës së Ontarios, me 36 mijë kilometra katrore dhe me mbi 2400 liqene të  madhësive të ndryshme. Këto vende të admirueshme shërbejnë si një lidhje e rëndësishme jetese me një të kaluar, ku mund të dëgjosh zërat e ndryshme të shumëllojshmërisë së shpendëve dhe kafshëve. Ku mund të kalosh disa minuta të papërsëritshme vetmie dhe mund të rilidhesh shpirtërisht me Mëmë Natyrën.

Ecën në monopate mes pemëve të larta, të ndalet fryma nga bukuria, heshtja, qetësia, madhështia, nuk mund të ndalesh dhe është e pamundur sa shijosh të gjithin. Do ta përfshish me një shikim por vështrimi yt tretet, kthehet në një pikë vese dhe gjurmë kënge të lashtë në këtë madhështi natyre...

Pa dyshim kjo tokë është përdorur nga indianët para se të krijohej parku provincial. Në hyrje të parkut Algonkuin lartohet një shtyllë e gdhendur në formën e emblemës të cilën e kanë punuar indianët, Algonkuinët. Kjo shtyllë i prezantohet të gjithë shteteve në shenjë paqeje dhe pajtimi dhe tregon histori të rëndësishme nëpërmjet simboleve që janë gdhendur në këtë shtyllë. Këto histori vijnë nga ngjarjet e paraardhësve dhe të na kujtojnë të gjithëve neve për përgjegjësinë ne kemi për gjeneratat që do të vijnë.

Me një trishtim të brendshëm pak më sipër thashë: ‘Nejse...’

Por...përsëri gjuha shkon aty ku dhemb dhembi. Tek mëmëdheu, ...rrëgjimi i tij, te zhurma e madhe për një shesh që prishet dhe shtrohet sa herë vijnë dhe ikin qeveritë dhe partitë. Gjergj Kastrioti Skënderbeu, qejfpaprishur, lëviz me kalë nga një cep në tjetrën të sheshit, s’mund tu a prishë qeverive dhe partive. (Mirë dhe me kaq, se andej nga Azia e vogël, ku përgjon e ngrehur ëndrra e perandorisë së vjetër, kanë ngritur krye mëritë e vjetra për Gjergjin e madh që mbrojti e luftoi heroikisht si asnjë burrë tjetër për njëzetepesë vjet për një komb dhe një Evropë.)

Më vijnë nëpër mend, malet tona të zhveshura, që duhet të bëheshin pjellore si dhe fushat. Fshatrat e braktisura si Currajt i epërm që është fshati i thellë malor por konsiderohet si fshati më i bukur i alpeve shqiptare, me një bukuri të mahnitshme, ku dikur thoshin se çdo shtëpi i këtij fshati lindte dragonj. ‘Ylberi mbi Alpe’ i është dhënë epiteti këtij fshati, me tradita të mëdha Ky fshat ka qenë i banuar qysh në kohën e broncit të vonë rreth një mijë vjet para Krishtit. Fshatrat rrafshohen  së bashku me pyjet...

Por...kështu ka qenë, është dhe do të jetë te ne, përse?!

Ne rrudhemi, rrëgjohemi dhe themi, punë e madhe,  në s’ do ketë gjë pas nesh..!

Ndërsa vendet e qytetëruara përpiqen të ruajnë vlera dhe t’u a lënë ato të paprekura brezave që vijnë...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora