E marte, 19.03.2024, 03:09 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: “Apo… hë se fëmijë është”

E merkure, 06.07.2016, 08:03 PM



“Apo…hë se fëmijë është”…

Nga Entela Binjaku

Fëmijët janë nga shtresat shoqërore më të brishta që ka një shoqëri, arsye  për të cilën meritojnë prioritet dhe vëmendje  të vecantë. Në radhët e fëmijëve që jetojnë në shoqërinë tonë janë edhe fëmijët jetimë me një prind. Këta vogëlushë përfitojnë nga shteti shqiptar një mbështetje financiare prej 3 mijë lekësh në muaj dhe asnjë mbështjetje tjetër përtej kësaj shume, nëse mund të quhet shumë… të tillë në kryeqytet janë rreth 1200 fëmijë.

Fëmija që ka humbur njërin prind është individi që jeton me postraumën, për tolerancën ndaj së cilës as nuk ka dijeni se cfarë është dhe mekanizmat kundër të cilës as nuk e di që ekzistojnë. Sepse këta fëmijë përballen papritur me ngjarjen traumatike  e cila vjen nga jashtë dhe i gjen të gjithë të papërgatitur, të rriturit gjithashtu.

Prandaj  shoqëria duhet të kujdeset  për ta me burimet individuale dhe ato që gjeneron prej komunitetit.

Por nëse të rriturit pas shokut që sjell trauma gjejnë forca e mobiliizohen për të reaguar, apo vazhdojnë jetën  pa folur me askënd për atë që ju ndodhi, e sërish  kanë nevojë për dikë për t’u prehur, shprehur  e ngushëlluar, po fëmijët cfarë bëjnë?

Cfarë ndodh me ata që jetojnë me postraumën? Sa e informuar është shoqëria për mënyrën si rriten e si jetojnë këta fëmijë dhe sa solidaritet tregon ajo?

“Kur bashkëshorti  ndërroi jetë djali ishte pesë vjec, vajza ishte 1 vit e tre muaj. Djali e përjetoi shumë keq sepse i ati e merrte gjithmonë më vete. Tani që ka hyrë në 12 vjec ka marrë rolin e burrit të shtëpisë. Ndërsa vajza më pyet shpesh: “Mami po unë kur do ta takoj babin tim?”…-kështu më tha një nënë e cila jeton  në shtëpinë e bashkëshortit me dy prindërit e të ndjerit dhe dy fëmijët. Ajo është e papunë dhe të gjithë jetojnë me pensionet e dy të moshuarve.

“Ajo është një kryefamiljare që rrit e vetme vajzën e saj, këtë vit vogëlushja  do të shkojë  në klasën e dytë. Është e papunë, jeton në një banesë me qera dhe prej disa muajsh është diagnostikuar nga kanceri i gjirit. Në ato raste kur ndonjë shoqatë humanitare  i ndihmon me ushqime, vajza mund të ushqehet edhe me oriz, makarona apo fasule që përmban një pako e tillë. Por,  a mund të ushqehet vetëm kështu një fëmijë? Sikur të mos mjaftonte humbja e prindit sa duhet të durojë  fëmijë  më shumë?

Edhe kjo zonjë, si në rastin e parë  e vetmja gjë që kërkon është një punë që të mund të rrisë  dhe të edukojë fëmijën.

Ata janë dy gjyshër që tashmë jetojnë me misionin  për t’u kujdesur për fëmijët e djemve të cilët kanë humbur jetën në aksidente rrugore. Nuset e djemve janë të papuna  dhe me pensionet e këtyre dy të moshuarve  që nuk i kalojnë të 12.000 lekët ushqehen të gjithë. Për dikë që ka rritur  një foshnje dihet fare mirë sa kushton edhe kujdesi higjenik për të miturin, pa përmendur të tjerat.

Njëri prej tyre tregonte se me lutje të mëdha deputetit të zonës kishte  arritur ta punësonte  nusen e djalit. Dy muaj më vonë atë e larguan nga ajo punë. Me siguri do të ketë ndërhyrë një deputet tjetër.

Pavarësisht se të varfër dhe cnderuar për shkak të pamundësisë për t’u siguar një jetesë për të qenë,   ata thonë se fëmijët ju largojnë stresin dhe janë të kënaqur që i shohin sesi rriten para syve të tyre; por a mund të rritet një fëmijë kështu  duke u lutur për një thes miell?

Një nënë tjetër tha se vogëlushen që shoqëronte e kishte të mbesës. Të gjithë në familjen e saj janë të verbër. Po ky fëmijë si rritet e si edukohet për jetën në një familje ku të gjithë as nuk arrijnë ta  shohin?

Një tjetër nënë tha se kjo ishte hera e parë që dikush bënte dicka për ta.

Më 30 qershor organizata “E ardhmja jonë” e themeluar nga një djalë i rritur në Fshatin SOS, “LeadersTeam” një organizatë që mbështet nismat e organizatave të tjera dhe Fondacioni “Harriet Martineau” që ka në qendër të rinjtë, fëmijët dhe edukimin organizuan një ditë pushimi për rreth 100 fëmijë jetimë  që jetojnë në Tiranë. Historitë e mësipërme janë të një pjese prej tyre.

Falë mbështetjes së disa sipërmarrjeve private kjo ditë shërbeu e gjitha për argëtimin dhe pushimin edukues të këtyre fëmijëve të cilët ndanë me njeri-tjetrin lojrat, larjen në pishinë, vizatimin, drekën sëbashku, akulloret dhe dhuratat.

Duke parë vizatimet e fëmijëve shihje se në disa prej tyre vizatohej familja e lumtur, familja e plotë me motrën ose vëllain, ose një lodër, një kukull, një kopësht me pemë e lule, nën to dhe mes tyre fshiheshin dëshirat e pashprehura me fjalë.

Njëri  prej vogëlusheve kishte vizatuar qiellin me yje dhe hënë dhe  poshtë tyre një kuti të gjatë shkruar: “E.Z lindi më 1942 dhe vdiq më…”. Nuk ishte kuti…ishte një arkivol.

Në një shoqëri të varfër si jona është mjaft e vështirë të përcaktosh kategorinë shoqëore që meriton prioritet, të jenë të varfërit, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, nënat e dhunuara, apo fëmijët që rriten pa mbështetje prindërore e pa një familje?

Në radhët e këtyre kategorive fëmijët që humbasin njërin prind janë ata individë që përjetojën traumën e cila sic shumica e individëve pohojnë,  rijetohet vite më vonë.  Vetë jeta  krijon mbivendosje përvojash traumatike të  atilla që ringjallin përvojat e mëparshme. Në një rast të tillë  ankthi, mërzia,  dëshpërimi  kalojnë nga nëna tek fëmija apo nga I rrituri tek fëmijët, gjë që mund të krijojë  një përcjellje traumatike që nuk ka fund dhe rijetohet nga të tjera hallka të shoqërisë.

Në një shoqëri të varfër si jona ku qasja ndaj psikologjisë është ende në fillesa apo ende larg nevojës që ka realisht shoqëria, kjo nuk sjell gjë tjetër vecse tiparet e një  shoqërie që handikapin psikologjik e trashëgon dhe  për të cilin nuk ka asnjë mekanizëm mbrojtjeje.

Natyrisht  në dëmtimin traumatik luajnë rol një sërë faktorësh  të natyrës psikologjike, sociale, biologjike dhe ekzistenciale. Shpesh në përballimin  e traumës ndikojnë edhe vecoritë e personalitetit, predispozitat psikiatrike, historitë e mëparshme familjare. Por nëse në këto raste duket se flasim për të rriturit, po me fëmijët… cfarë ndodh…apo “hë,  se fëmijë është”?



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora