E enjte, 07.11.2024, 02:01 PM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Një dhjetor për shumë kauza...

E diele, 06.12.2015, 02:05 PM


Një dhjetor për shumë kauza...

Nga Entela Binjaku

Aftësia e kufizuar është një temë për të cilën shoqëria flet  rrallë dhe  ka  vështirësi  të diskutojë hapur. Është vetëm njëra nga temat, sepse të tilla ka shumë...megjithatë nga çasti kur vendi angazhohet edhe ndërkombëtarisht për të respektuar ditët botërore kushtuar kauzave të ndryshme, këto tema për shkak se institucionalizohen,   hyjnë më thjeshtë në fjalorin publik.

Në mënyrë tradicionale për individët  që jetonin me aftësinë e  kufizuar apo për gjendjen e familjeve që sakrifikonin çdo ditë  duke bashkëjetuar me kufizimin,  vështirë të dihej në komunitetin ku ishin  pjesë,   duke trashëguar dhe përcjellë edhe më tej   modelin e  një mentaliteti të kompleksuar. Arsyet për këtë mund të gjenden në disa drejtime që lidhen:  me turpin për të pranuar se një pjestar i familjes ka një “cen” sic e quan populli, stigmën  e shprehur ose frikën prej stigmës së presupozuar, stepjes se të tjerët do të të mënjanonin, krenarisë  për të mos pranuar mëshirimin etj. Ndihma e pamjaftueshme dhe e pandjeshme institucionale ka bërë që shpesh këto jetë qytetarësh të mos përmirësoheshin asnjëherë në atë shkallë sa të zhvillonin një jetë të pavarësuar apo  aktive dhe familja të merrte disi frymë nga vështirësitë e të zhvillonte më tej pavarësimin e saj.

Në ditë të veçanta në mënyrë të institucionalizuar shoqëria kryen disa aktivitete, të cilat duke u përqëndruar në kryeqytet  dhe me pjesëmarrjen e aktorëve nga politika mediatizohen  duke dhe përcillen  tek opinioni i gjerë. Por ka të tjera nisma që vijnë kryesisht nga disa prej agjencive shoqërizuese siç  janë grupet e bashkëmoshatarëve dhe  shkollat të cilat kur mbështeten edhe nga  media kanë mundësinë të  përcojnë kontributin e kryer dhe të sensibilizojnë  shoqërinë mbi jetën e   individëve  me aftësi të kufizuar dhe nevojën e tyre për të qenë të integruar në shoqëri.

Gjatë javës që shkoi mbarë bota nderoi në një ditë individët më  aftësi të kufizuar.  3 Dhjetori është  Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar.

Me këtë rast në shkollën speciale  “Luigj Gurakuqi”  në kryeqytet u  organizua  një ekspozitë me punimet e nxënësve që vuajnë  prej çrregullimeve të spektrit autik apo sindromës doën.  E veçanta e kësaj dite lidhej me autorësinë e nismës e ndërrmarrë nga një studente e drejtësisë  Rovalda Mema e cila sëbashku me bashkëmoshatarët e saj ndihmuan fëmijët të vizatonin duke çelur në këtë ditë një ekspozitë me vizatimet e  12  prej tyre. Kjo ekspozitë ishte njëra nga hallkat e një nisme nën moton “Unë dhuroj” përmes së cilës organizatorja synonte mbledhjen e sa më shumë librave.

Në këtë ekspozitë u  organizua edhe një ndarje simbolike çmimesh dhe medaljesh për të gjithë fëmijët pjesëmarrës ku juria prej 4 anëtarësh  vendosi që me çmim të parë të vlerësonte “burrin prej bore”  të Melsonit dhe me çmimet e dyta dhe të treta vizatimet e Dajanës dhe Albinës të cilat shprehnin gjithashtu atmosferën e kësaj periudhe festash.

Ky aktivitet, një nismë tërësisht individuale e Rovaldës me mbështetjen e Juxhinit, Silvit,  Denisës, Xhenit, Iglit e  Sonilës ktheu  në vëmendje solidaritetin me kategoritë e brishta shoqërore, vullnetarizmin si vlerë e rëndësishme për shoqërinë, aktivizmin rinor si energji e pashtershme ndryshimesh.

Puna me  fëmijët  me aftësi të kufizuar shpreh  mbështetje  edhe për  familjet  e  tyre të cilat ndjehen të përkrahuara dhe jo të vetmuara në betejën e përditshme që ka vështirësia që kufizimi sjell. Por kur kjo punë i bashkëngjitet asaj që kryen shkolla ajo tregon një bashkim forcash duke përgjysmuar vështirësitë.

Vullnetarizmi si domosdoshmëri për  edukimin  e shoqërisë është i cmuar vecanërisht kur ka në qendër aktivizmin rinor si një energji të nevojshme për të lëvizur gjithë ingranazhin apatik shoqëror.

Ndërkohë që shkolla si baza e edukimit të shoqërisë kur bashkëpunon me të tjera agjenci e rrit mundësinë e efektivitetit të saj, shoqëria përmes vullnetarizmit zgjeron mundësinë për ndryshim.

Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” ka rreth 96 nxënës të cilët të ndarë në klasa kalojnë në mjediset e saj gjysmën e ditës deri në moshën 19 vjeç, moshë pas së cilës për këta individë kujdeset vetëm familja, e cila në shumicën e rasteve mbetet e vetme...

Në mënyrë që shoqëria të përcjellë një sinjal të ndryshimit, të edukojë brezat me solidaritetin, të nxisë vullnetarizmin si vlerë të shoqërive mendjehapura, ajo duhet t’i përkrahë nisma të tilla dhe t’i përcojë ato kudo ku ka nevojë, ku ka kufizim, ku ka shpërfillje ndaj më të brishtëve.

Në këtë aktivitet unë kisha mundësinë të isha pjestare e jurisë që ndau vlerësimet, e cila ishte menduar nga organizatorët si një mënyrë simbolike për të përcjellë mesazhin e të barabartëve edhe pse të ndryshëm.

Sëbashku me Benardën, Iglin dhe Olgertin si pjestarë jurie ndamë dhe medaljet për të gjithë fëmijët pjesëmarrës dhe kupën për vizatimin më të mirë.

Ndërkohë që sot më 5 dhjetor nderohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, sërish aktivitetet janë të përqëndruara në kryeqytet, a thua se pjesa tjetër e Shqipërisë nuk ka nevojë për të, nuk ka njërez që kanë dëshirë të organizohen, a thua se nuk ka kauza të tjera për t’u përkrahur.

"Oda e Çelun", fushata "Unë dhuroj"



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora