Editorial » Entela
Entela Binjaku: Bëje botën portokalli - 2015
E merkure, 09.12.2015, 09:34 PM
Bëje botën portokalli - 2015
Nga Entela Binjaku
Dita e 25 nëntorit shënon ditën e parë të fushatës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore. Kjo fushatë zgjat 16 ditë dhe mbyllet në datën simbol për të drejtat e njeriut, 10 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve në vendet që përfshihen në këtë fushatë organizohen aktivitete, përdoren simbole dhe përcillen mesazhe që kanë në qendër përpjekjet për të minimizuar dhunën në të gjithë spektrin e shfaqjes së saj.
Prej disa vitesh Shqipëria është e përfshirë në fushatën me titull: “Bëje botën portokalli!” në kuadër të së cilës organizohen nisma të ndryshme që synojnë t’i thonë “Ndal dhunës”! Në këto ditë fushate merr vlerë të madhe roli i gjinive, statusi i gruas, kultura e denoncimit, rastet e ndëshkimit ligjor, mjediset që prodhojnë dhunë etj.
Por në një këndvshtrim më të gjerë këto ditë lidhen kryesisht me edukimin shoqëror në përgjithësi dhe me edukimin me të drejtat e njeriut në veçanti.
Që një shoqëri të rritet kulturalisht në drejtim të vlerave të të drejtave të njeriut është i rëndësishëm edukimi i saj gjë të cilën shoqëria e mbështet tek shkolla.
Pikërisht mbi këtë lidhje mes ngritjes kulturore, edukimit dhe shkollës u mendua se komunikimi me të rinj dhe fëmijë, nxënës të ciklit parauniversitar do të zhvillonte ndërveprimin me aktorë të tjerë, do të rriste shkëmbimin dhe do të përçonte mesazhe për një shoqëri larg dhunës e pranë të drejtave për një jetë të dinjitetshme.
Edukimi do ta ndihmonte mjaft shoqërinë tonë që ende vuan pasojat e mendësisë së ndrydhjes, të mbylljes për shkak të regjimit, izolimit për shkak të varfërisë dhe mungesës së shkëmbimeve me shoqëritë që kanë përparuar në shumë sfida.
Koncept që vjen nga latinishtja edukimi ka detyrimin të rrisë tek njeriu aktivistin shoqëror. Në kushtet në të cilat gjendet shoqëria jonë ku apatizmi ndaj dukurive dhe mjediseve që prodhojnë dhunë është i lartë, dhuna emocionale, fizike, psikologjike, ekonomike është e pranishme në shumë prej mjediseve tona. Nëse e tashmja ofron prani të lartë të dhunës në mjaft mjedise, e ardhmja duhet të jetë e ndryshme nga kjo. Ndaj për t’I paraprirë asaj është e nevojshme të komunikohet me brezat për njohjen e vlerave të dinjitetit njerëzor.
Edukimi ka për synim të nxisë tek qëniet njerëzore idealin e shprehur përmes aksiomës “Të jesh dhe të bëhesh”. Në takimet e kryera në një nga shkollat 9-vjecare dhe në një nga shkollat e mesme të përgjithshme në kryeqytet tematika ishte dhuna, format e shfaqjes së saj, rrugët për t’a ndalur dhe mënyra e denoncimit.
Në shkollën nëntë- vjeçare “4 dëshmorët” në kryeqytet fëmijët nën kujdesin e mësueses, znj. Anila Kosova kishin përgatitur një ditë të gjithën në portokalli, ngjyra simbol e kësaj fushate. Fëmijët e kësaj shkolle interpretuan dramatizime që flisnin për dhunën në familje, duke shfaqur nga njëra anë talentin dhe përkushtimin serioz si aktorë e nga ana tjetër duke shprehur nevojën që ka vetë familja shqiptare për të komunikuar shqetësimet; të tjerë lexuan esetë që kishin shkruar me temë barazinë e mundësive, paraqitën pikturat, lexuan rezultatet e një ankete që kishin realizuar lidhur me barazinë gjinore, ndoqën bashkërisht një fragment nga filmi simbol “Kapedani” etj.
Përmes këtyre formave të shprehjes fëmijët përforcuan nga njëra anë idenë se dhunës mund t’i kundërvihesh me art dhe nga ana tjetër fëmijët i drejtuan të rriturve mesazhet për një të ardhme ku dhunës I është thënë “ndal” që në vogëli.
Në takimin me adoleshentë, nëxnës të gjimnazit “Partizani” u theksua ideja se dhuna mund të eleminohet përmes luftës kundër varfërisë, rritjes së solidaritetit mes qytetarëve, shmangies së indiferencës, kurajos për të denoncuar etj.
Edhe në këtë rast mes të pranishmëve sociologut, mësuesit kujdestar, psikologut të shkollës u përcoll mesazhi “ndal” dhunës, pro shoqërisë ku respektohet njeriu dhe ku askush nuk duhet të dhunojë tjetrin.
Sipas Durkhem-it edukimi është ai veprim “ i ushtruar nga brezat e rritur mbi ata që nuk janë ende të pjekur për jetën shoqërore” dhe që ka si objekt të zhvillojë tek fëmijët një numër të lartë aftësish fizike, intelektuale dhe morale. Sipas Durkheimit “edukimi lidhet me të mësuarit metodik të edukatës të rinjve”.
Keto takime si dhe të tjera të nagjshme synojne te perforcojne tek brezat e rinj dëshirën për t’u bërë aktivistë shoqerorë, të jenë mbeshtetes te kauzave qe synojne nje shoqeri me te mire, larg dhunës dhe pranë të drejtave të njeriut.