Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Entela Binjaku: Bëje botën portokalli - 2015

| E merkure, 09.12.2015, 09:34 PM |



Bëje botën portokalli - 2015

Nga Entela Binjaku

Dita e 25 nëntorit shënon ditën e parë të fushatës ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore. Kjo fushatë zgjat 16 ditë dhe mbyllet në datën simbol për të drejtat e njeriut, 10 dhjetor. Gjatë këtyre ditëve  në vendet që përfshihen në  këtë fushatë organizohen aktivitete, përdoren simbole dhe përcillen mesazhe që kanë në qendër përpjekjet për të minimizuar dhunën në të gjithë spektrin e shfaqjes së saj.

Prej disa  vitesh Shqipëria është e përfshirë në fushatën me titull: “Bëje botën portokalli!”  në kuadër të së cilës organizohen nisma të ndryshme që synojnë t’i thonë “Ndal dhunës”! Në këto ditë fushate merr vlerë të madhe roli i gjinive, statusi i gruas, kultura e denoncimit, rastet e ndëshkimit ligjor, mjediset që prodhojnë dhunë etj.

Por në një këndvshtrim më të gjerë këto ditë lidhen kryesisht me edukimin shoqëror në përgjithësi dhe me edukimin me të drejtat e njeriut në veçanti.

Që një shoqëri  të rritet kulturalisht në drejtim të vlerave të të drejtave të njeriut është i rëndësishëm edukimi i saj gjë të cilën shoqëria e mbështet tek shkolla.

Pikërisht mbi këtë lidhje mes ngritjes kulturore, edukimit dhe shkollës  u mendua se  komunikimi me të rinj dhe fëmijë,   nxënës të ciklit parauniversitar  do të zhvillonte  ndërveprimin me aktorë të tjerë,  do të rriste  shkëmbimin dhe do të përçonte mesazhe për një shoqëri larg dhunës e pranë të drejtave për një jetë të dinjitetshme.

Edukimi do ta ndihmonte  mjaft shoqërinë tonë  që ende  vuan  pasojat e mendësisë së  ndrydhjes, të mbylljes për shkak të regjimit, izolimit për shkak të varfërisë dhe mungesës së shkëmbimeve me shoqëritë që kanë  përparuar në shumë sfida.

Koncept që vjen nga latinishtja edukimi  ka detyrimin të rrisë tek njeriu aktivistin shoqëror. Në kushtet në të cilat gjendet shoqëria jonë ku  apatizmi ndaj dukurive dhe mjediseve që prodhojnë dhunë është i lartë, dhuna emocionale, fizike, psikologjike, ekonomike është e pranishme në shumë prej mjediseve tona. Nëse e tashmja ofron prani të lartë të dhunës në mjaft mjedise, e ardhmja duhet të jetë e ndryshme nga kjo.  Ndaj për t’I paraprirë asaj  është e nevojshme  të komunikohet me brezat për njohjen e vlerave të dinjitetit njerëzor.

Edukimi ka për synim të nxisë  tek qëniet njerëzore idealin e shprehur përmes  aksiomës  “Të jesh dhe të bëhesh”. Në takimet e kryera në një nga shkollat 9-vjecare dhe në një nga shkollat e mesme të përgjithshme në kryeqytet  tematika ishte dhuna, format e shfaqjes së saj, rrugët për t’a ndalur dhe mënyra e denoncimit.

Në shkollën  nëntë- vjeçare “4 dëshmorët” në kryeqytet fëmijët nën kujdesin e mësueses,  znj. Anila Kosova kishin përgatitur një ditë të gjithën në portokalli, ngjyra simbol e kësaj fushate. Fëmijët e kësaj shkolle interpretuan dramatizime që flisnin  për dhunën në familje, duke shfaqur nga njëra anë talentin dhe përkushtimin serioz si  aktorë e nga ana tjetër duke shprehur  nevojën që ka vetë familja shqiptare  për të komunikuar shqetësimet;  të tjerë lexuan esetë që kishin shkruar me temë barazinë e mundësive, paraqitën pikturat, lexuan rezultatet e një ankete që kishin realizuar  lidhur me barazinë gjinore, ndoqën bashkërisht një fragment nga filmi  simbol  “Kapedani” etj.

Përmes këtyre formave të shprehjes fëmijët  përforcuan nga njëra anë idenë se dhunës mund t’i kundërvihesh  me  art  dhe nga ana tjetër fëmijët i drejtuan  të rriturve mesazhet për një të ardhme ku dhunës I është thënë “ndal” që në vogëli.

Në takimin me adoleshentë, nëxnës të  gjimnazit “Partizani” u theksua ideja se dhuna mund të eleminohet përmes luftës kundër varfërisë, rritjes së solidaritetit mes qytetarëve, shmangies së indiferencës, kurajos për të denoncuar etj.

Edhe në këtë rast mes të pranishmëve sociologut,  mësuesit kujdestar, psikologut të shkollës u përcoll  mesazhi “ndal” dhunës, pro shoqërisë ku respektohet njeriu dhe ku askush nuk duhet të dhunojë tjetrin.

Sipas Durkhem-it edukimi është ai veprim “ i ushtruar nga brezat e rritur mbi ata që nuk janë ende të pjekur për jetën shoqërore” dhe që ka si objekt të zhvillojë tek fëmijët një numër të lartë aftësish fizike, intelektuale dhe morale. Sipas Durkheimit “edukimi lidhet me të mësuarit metodik të edukatës  të rinjve”.

Keto takime  si dhe të tjera të nagjshme synojne te perforcojne tek brezat e rinj dëshirën për t’u bërë  aktivistë  shoqerorë,  të jenë  mbeshtetes te kauzave qe synojne nje shoqeri me te mire, larg dhunës dhe pranë të drejtave të njeriut.