E premte, 26.04.2024, 03:10 PM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Porti i anijeve ose takimi me motrën

E marte, 29.03.2016, 09:15 PM


Prozë e vonuar

Sejdi BERISHA:

PORTI I ANIJEVE OSE TAKIMI ME MOTRËN...!

Kisha lexuar njëherë se skamja ia ulë vlerën fjalën e një njeriut të zgjuar. Dhe, duke e analizuar por edhe duke e përplasur nëpër jetë këtë mendim, kujtoj se, ndoshta, edhe pse varfëria është si një ligatinë, ajo e forcon njeriun, e bën të fortë për t’u përballë me tokën e qiellin, brenda të cilave gjithnjë e përgjithmonë lëvizin, shkruhen e nuk shkruhen shumë libra, shumë vepra, e disa as nuk lexohen dhe as nuk mund t’i prekësh e shpjegosh kurrë.

Për këtë arsye, shumë tregime, shumë rrëfime por edhe ëndrra, u ngjajnë vetëm gjërave të balsamuara me kohë. Pra, edhe i sheh edhe nuk i sheh, kurse, rrugët gjithnjë qëndrojnë, dhe ashtu duhet kuptuar, si muze i cili nuk shihet, e në te palosën dëshmitë më të çmuara, më të tmerrshme,dashuria e malli, buzëqeshja e vaji, lulishtja e varri... Të gjitha janë të mbështjella me një cipë kuraje e cila të detyron edhe kur je i shtrirë, i përdhosur, “solemnisht” të ngritësh dhe përgjithmonë të qëndrosh vertikalisht.

E bëra këtë hyrje me qëllim që të shpjegoj diçka që mund të ndodhë, që ka ndodhur edhe mund të ndodhë, e që ndonjëherë duket krejt normale. Ama bash krejt normale...! pra, kështu duken parmakët e jetës, brenda të cilëve lëvizë e vepron jo vetëm njeriu... Duket e dhembshme kjo që do ta lexoni në vazhdim, por, bile mund të krijoni opinion arsyeje, dhembjeje,... qëndrese që hapë shtigje e rrugë që dihet, nuk janë edhe të lehta...

Dhe, ja si ndiqet e përjetohet një grimë historie e njeriut...

***

Ishte afruar pranë një vitrine të madhe të mbushur plot suvenire, nga të cilat, kuptohet, dominonte ari. Kujdesshëm shikonte çdo gjë, pastaj kafshoi buzët duke u kthyer kah trotuari. Pasi shoshiti diçka në mendje, i futi duart në xhepa duke ecur ngadalë si të ishte duke shëtitur nëpër lulishte. Gjithnjë kafshonte gishtat thuaj se i mungonte diçka, apo si të kishte bërë ndonjë gabim të rëndë. U ndal edhe para një dyqani, në të cilin shiten aparate të ndryshme dhe gjëra të tjera luksoze. Edhe përkundër asaj që kishte pasur dëshirë të madhe ta vizitojë atë qytet, dukej i dërmuar, i lodhur, plot nervozë.

Djaloshi me flokë ngjyrë gështenjë, ishte shtangur si të kishte diktuar diçka tërheqëse. Prapë kafshoi buzët dhe lëvizi kokën duke shikuar andej e këndej. Pasi ishte ngopur së shikuari, sërish vazhdoi rrugën. Kishte vendosur që për një ditë të shëtiste aq sa mundet, po të kishte mundësi, edhe tërë qytetin. Mirëpo, përnjëherë diçka e kishte lodhur, ndoshta pse diku larg kishte dëgjuar si në vendlindjen e tij shitësin e shalqive duke reklamuar mallin e vetë me qëllim që të shiste sa më shumë. Një rrëqethje malli ia përshkoi trupin. I tëri dridhej, por nuk kishte ngelur më aty. Kishte vazhduar rrugën tutje për të shijuar sa më shumë bukuritë e lashta të qytetit, ngase, kështu edhe veprojnë të gjithë të tjerët nëpër çdo rrugë të këtij qyteti të madh, metropol jo vetëm i Turqisë.

Dhe, tash e kishte pyetur vetveten, çfarë jete ishte ajo?! Pastaj, u ndal para një ndërtese ku qëndroi më shumë se në asnjë vend tjetër. Papritmas shtrëngoi nofullat thua se e kishin kapluar mërzia dhe shumë kujtime. Të gjitha këto në zemër e në shpirt e kishin goditur,. Prandaj, me qëllim edhe deshiroi të shkonte asaj rruge... Por, prapë u kthye. Nuk pati dëshirë të vazhdojë tutje. U drejtua në një rrugë tjetër, e cila, ngushtë lidhej me sheshin kryesor të qytetit. E preku dridhja telave të kitarës, e cila dëgjohej diku aty afër. Ishte muzikë e vjetër. Ndërroi drejtimin andej prej nga vinin tingujt e muzikës, të cilën ndoshta vetëm për momentin e adhuronte. Para tij, befas kishte diktuar një njeri me çallmë të vjetër në kokë, të leckosur e me mjekër të bardhë, i cili ia dridhte thekshëm telat instrumentit të vjetër muzikor, që nxirrte tinguj të cilët pushtonin shpirtin e mendjen... U ndal si statujë para tij. I pëlqente ajo muzikë. “Muzikanti”, me vështirësi i dridhte telat, kurse djaloshi ishte shtangur pranë tij. Dukej si shtatore e vërtetë. Muzika të tërin e kishte tretur, ia kishte shtuar edhe të rrahurat e zemrës.

Duke i mbuluar faqet me duar, iu pështollën sytë në lot dhe kthye me shpinë kah njeriu me çallmë, apo, sikur deshi të ikte dika! Ishte mbyllur në rrëmujë mendimesh thua se nuk i kishte mbetur gjë tjetër në jetë. E shikoi edhe njëherë njeriun me plot arna, që tani kishte shfrytëzuar rastin për t’ia shtrirë dorën për ndonjë lek për muzikën që bënte. E shikoi edhe njëherë me nostalgji dhe në moment iu kujtua lypësi i lagjes së vjetër të qytetit të vetë, aty ku ishte lindur dhe rritur.

Futi dorën në xhepin e majtë, nxori disa qindarka, dhe rreptë e shpërfillshëm ia lëshoi në dorën e thatë dhe me plotë të qara. Ky lypës apo njeri i këngës së rrallë, dukej i habitur dhe kujtoi se djaloshi ia kishte dhënë paratë me kusht që t’ia këndonte edhe ndonjë këngë tjetër të vjetër! Të dytë i kishin ngatërruar mendimet... Nuk e kishin kuptuar njëri-tjetrin! Pas pak, në këtë tollovi mendimesh, djaloshit i ra ndërmend diçka që aty për aty edhe i humbi, dot nuk i kujtohej më. Kafshoi buzën dhe me nervozizëm u kthye duke menduar se do ta shohë këngëtarin. Por,... nuk e pa më. Kishte ikur saora...

- Sa kisha pasur dëshirë ta shoh edhe njëherë, e të këndojmë së bashku. T'ia lehtësojë pakëz...-psherëtini duke i shtrënguar dhëmbët e duke i bërë duart grusht.

- Ku vajti ai njeri?! Ai më përkujtoi shumëçka!...

Uli kokën dhe sikur harroi këngën dhe autorin e saj. Ecte i ngjirur. U ndal pranë një vitrine të bukur, dhe duke shikuar një kohë bukur të gjatë, sytë iu mbushen me lot. Ndoshta për një çast e kishte humbur edhe shikimin derisa e kishte mahnitur bukuria e vajzës flokëzezë, që kishte kaluar aty, pranë tij. Dhe ja, kishte harruar çdo gjë. Nuk ia ndau shikimin deri në fund vajzës zeshkane. Pastaj, shpejt e shpejt hoqi duart prej xhepave, por, prapë kërkoi diçka në ta dhe u nisë për në rrugën e vjetër të qytetit.

- Do shkoj në shtëpinë publike,... edhe këto pak para do t'i harxhoj. Aty, do ta zgjedh një për dëshirën time,... ashtu si ma do zemra! Një femër të re, të cilën vetëm kur ta shikoj,... gjoksi i saj do të mi largojë të gjitha brengat,... Do të jetë për shijen time, për merakun tim?! Por,... është vështirë ta gjej si veten. Është e pamundur! Kur të takohem me te, do të jetë e lumtur, shumë e lumtur...

Unë,... askënd nuk kam! Ka sa kohë që më ka vdekur babai, në këtë tokë,... në këtë dhé të huaj. Kishte zbarkuar thasë nga anijet transportuese. Edhe nëna, nga vuajtjet u sëmur nga tuberkulozi. Skamja ia kishte brejtur mushkëritë. Copë-copë ia kishte bërë. Edhe ajo kishte punuar, por sëmundja nuk e kishte lënë të qetë. Ndërsa, edhe banorët e këtij qyteti nuk e kishin dashur këtë nënë, siç i kanë thënë-jabanxhi.

Nënën time, një prej ditësh e kishte kapluar malli për vendlindje, për vëllezërit e saj, dhe, asnjëherë nuk më kishte treguar as për vendlindjen! Atë natë kur më kishte nxjerrë në këtë botë, tuberkulozi e kishte rrëzuar fare. Mushkëritë, prej asaj nate i bëheshin copë e grimë!

Tërë shtëpia ishte gëzuar atë natë! Ishte gëzuar edhe babai. Të gjitha vuajtjet i kishte harruar...! Në atë moment e në atë gëzim të përzier me gjithçka, nëna,... mëzi kishte njerrë fjalët nga goja,... Me vështirësi  të madhe kishte folur, pastaj, e kishte shikuar babanë me buzëqeshje të qetë si deti! Kishte dashtë me këtë t’i shpjegonte diçka. Nëna ime?!  E, merrje me mend,... atë natë isha lindur unë! Çfarë fati, nënës,... i kishte plasur gjaku edhe prej goje. Gjak i trashë, i nxirë-futë! I tërë futë, si jeta, dhe,... po ju them: ajo kurrë më nuk kishte mundur të flasë... Kishte ikur bashkë me gëzimin!

***

Në atë moment, duke ecur në drejtim të shtëpisë publike, ishte ndalur, sepse, rrëqethja ia kishte kapluar tërë trupin. Ndoshta pse ishte kthyer prapa, në të kaluarën. Por për t’i harruar këto labirinte jete, dëshironte që ta zotërojë mendimin. Në moment, i ra në sy një grua me foshnje në parzma. Gjatë e gjatë e kishte shikuar derisa sërish iu kishin mbushur sytë me lot. Interesant, fytyrën e saj dëshironte ta shikojë edhe më gjatë, për të hyrë edhe në brendinë saj, sepse, i dukej si të ishte e ëma e tij, edhe pse nënën kurrë nuk e kishte parë...!

U kthye kah ajo dhe padashur e kishte përmendur emrin e nënës, që në fyt ia kapërthuri pështymen dhe mëzi mori frymë. Nga sikleti, sërish u kthye andej kah ishte nisur. Tani, sytë i bënin se është duke parë plot anije, të cilat i zbarkonte një plak me mjekër të parruar dhe të thinjur. Tek to i bëhej se është duke e parë edhe një grua plakë e të lodhur... Më vonë, iu duk se ato anije u nisën për diku, në drejtim të pacaktuar. Edhe vetë ishte nisur...!

Në atë mjegull mendimesh, pa kontroll i doli fjala “mërgim”. Atëherë e kishte shkapërthyer këmishën, i dukej se diçka tej mase po ia zinte frymën. Dhe, brof e ktheu mendimin.

Tani e sa kohë ndodhej para shtëpisë me “fenerë të kuq”! Por, nuk ishte i disponuar të hynte pas tërë asaj që i ishte sjellë ai lëmsh i pazgjidhur në kokë. Mirëpo, në moment ndërroi mendim:

- Do të hy. Së paku, me pak “kënaqësi” sot të dal nga të gjitha ato pa zgjidhje!...

Drujshëm hyri në shtëpinë e “njohur”. Në korridorin e gjatë, pranë dyerve të dhomave, gjysmë të zhveshura pritnin turli femra e të moshave të ndryshme.

“Punonin” pa ndërprerë. Kishte prej moshës më të re e gjerë tek plakat, të cilave iu ishte lëvarë mishi dhe gjinjtë si mollët e zbullavta.

Iu afrua njërës. Edhe pse turpshëm, gjatë e shikoi. E pëceptoi edhe numrin e dhomës. Por nuk kishte vendosur të hynte aty. Vazhdoi më tutje përgjatë korridorit duke shikuar numrat e dhomave thua se kishin ndonjë rëndësi të veçantë. Ka kohë që në mendje kishte bërë analiza se këtu cilat femra mund t’i ekspozohen publikut. Fët, i shkoi mendja edhe tek nëna e vetë! Sepse, iu kujtua varfëria e cila vërtet ishte njëfarë ilaçi për t'i tërhequr femrat në këtë ferr.

- Hë,... do ta gjej numrin i cili nuk ka fat!

Depërtoi shpejtë e shpejtë deri para dhomës ku qëndronte një femër e re, e bukur, truphedhur dhe belhollë. Por, fytyra e saj dukej hiq më pak se si një dritë e fikur.

Por, kur diktoi se djaloshi është i interesuar, filloi ta përdridhte trupin,... belin. Mirëpo, lëvizjet e saja ishin të zorshme-artificiale,... i bënte përkundër dëshirës së vetë. Djaloshit i pëlqeu dhe vendosi që aty t’i shpenzojë edhe ato pak para që i kishte. Mendoi e mendoi dhe tha:

- Me këtë do ta heq një pikë hidhërimi!

Ashtu kishte menduar djaloshi, i cili veç kishte hyrë në dhomën e vajzës...

***

Tash, dy të rinjtë ishin ulur në shtrat, por, si dy memecë. As me duar nuk mund të kuptoheshin! Të dy dukeshin të turpëruar. Ai dëshironte të flasë me te, por ç'e do kur nuk e dinte gjuhën. Kishin qëndruar gjatë pa thënë asnjë fjalë. Dikur, djaloshi ishte ngritur në këmbë dhe me hidhërim kishte vendosur të flasë, e ajo le të mos e kuptojë. Që të dy ishin mbushur plot mllef. Ai e shikoi qortueshëm, duke mos i matur fjalët:

- Zhvishu,... kurvë!

Ia kishte mbërthyer këtë ofendim duke e hedhur setrën anësh. Asaj, tash fytyra i kishe marrë ngjyrë gjaku të kthyer në blu. Nuk ishte ngritur dhe fare as nuk kishte lëvizur nga vendi, por vetëm kishte shikuar e ngarkuar më një tis turpi. Ai, sërish ia kishte thënë të njëjtat fjalë.

- Zhvishu,... t’i shkuli ata gjinj të zbullavtë... Kurvë!...

Pas këtyre fjalëve boshe e pa kripë, ajo u ngrit në këmbë. Dy pika lot iu rrokullisen në lugun e gjinjve, e më vonë një çurg lotësh i shpërtheu bashkë me dufin shpirtëror si një vullkan i fuqishëm që shkrinë çdo gjë. Djaloshi u habit më sjelljen e saj... Ndërsa, vajza duke u dridhur ia drodhi:

- Të faleminderit, o qytetar i panjohur,... Unë...!-ishte përgjigjur vajza në gjuhën shqipe, ndërsa, ai ishte bërë si i çmendur. Edhe një lëmsh i zi ia kishte mbështjellë shpirtin. Për një kohë kishte mbretëruar heshtje varri,... Gjatë ishin shikuar në mes vete, pa folur asnjë fjalë. Të dyve u kishin humbur të gjitha fjalët, ndoshta edhe gjithçka!...

Tash, djaloshi e kishte ndërruar qëndrimin. Zemra e shpirti i ishin bërë pelin. Prandaj, kujdesshëm iu afrua dhe ia përkëdheli flokët gështenjë, si fëmijës ia fshinte lotët.

- Si...?! Ju,... dini...shqip?!

- Unë,... unë...!

Tash, djaloshit i kishte ardhur inat, pse të jetë ajo,... në shtëpinë publike. Çdo gjë i ishte sjellë vërdallë në kokë.

- Po,... unë jam shqiptare!...-lotët e saj nuk kishin të ndalur. I ishte kujtuar fëmijëria,... edhe jeta e tanishme!

- Po,... si atëherë këtu?!- e kishte pyetur pa fije kontrolli.

- Unë,... e familja ime, këtu kemi qenë mërgimtarë. Babai ka qenë hamall në portin e anijeve. Nëna, ishte e sëmurë nga tuberkulozi dhe shumë herët vdiq. Unë,... jam lindur atje,... Më kujtohet gjelbërimi për çdo pranverë. Isha e vogël atëherë...!-dhe vazhdoi rrëfimin:

- Kur më vdiq nëna, babai u lëndua rëndë në portin e anijeve. E kishin zënë thasët dhe prej atëherë më është dashur mua të kujdesëm për të. Nuk kam pasur të holla,... për ta mjekuar. Babai,... gjithnjë e përmendte vendlindjen. Iu kishte mbushur zemra me plagë. Gjithmonë bisedën e përfundonte me “dhuna"... që dot nuk e kuptoja! Isha e re, kurse kolla e nënës më shkrumbonte,... Edhe tash nuk më hiqet nga mendja.

- Po, babai i juaj?!

- Po,... edhe ai ka vdekur tani e sa vite. Në duart e mia e ka lëshuar frymën e fundit. Babanë e ka djegur flaka,...malli, kurbeti! Kështu është,... edhe jeta ime...! Jam përpjekur të punësohem edhe në tualetet publike, por as aty nuk kam mundur pa para dhe njohësi. Pasaportë nuk më jepnin, sepse, më thoshin se unë jam "jabanxhi"! Jam detyruar të veproj,... a më kuptoni?!... – iu dridh buza dhe ia plasi vajit, por dikur edhe ajo e pyeti djaloshin e shqetësuar:

- Po,... ju?!

- Unë jam nga           qyteti...! Bredh kështu, nëpër,... botë. Edhe babai im ka qenë...hamall porti!

Pas kësaj bisede të shkurtër, sikur gjeti dikë të vetin t’i rrëfehej për të gjitha. Gjeti një prehje shpirti,... një mbështetje. Tash, kishin dëshirë të rrinin gjatë së bashku. Të përqafuar si miq. Por, jeta gjithnjë i bashkon ¬dhe i ndanë njerëzit!

Dolën nga dhoma në korridorin e gjatë. Ajo, pandërprerë qante, kurse, djaloshi sikur e hante veten sa ishte penduar. Në korridor, edhe njëherë e kishte ngritur kokën dhe e kishte shikuar numrin e dhomës. Edhe atij, lotët ia përcëlluan faqet, edhe pse ishte përpjekur t'i fshinte fshehtas.

Ajo i tha:

- Ti, po qan?!...

- Nuk e di, ... shumë gjëra ma kanë zënë frymën. Era e trupit tënd më duket si e gjakut tim! Nuk di pse?!...

Shtriu duart kah ajo, kurse, vajza gjatë ia kishte shtrënguar. Në fund, pa asnjë fjalë ishin përshëndetur. Ishin ndarë nga njëri-tjetri. Kishte qenë ky një takim i hidhur dhe një ndarje e dhimbshme.

Djaloshi, i hutuar doli në rrugë dhe thua se nuk kishte parë askënd. Preras ia kishte mësyrë portit të anijeve. Atë mbrëmje, shumë kishte pasur dëshirë t’i shikojë anijet e mëdha, sa dynjaja. Ato, të cilat i kishte zbarkuar babai i tij!... Tash, u mor vesh, edhe babai i saj...

Bëri rrugë bukur të gjatë deri sa i ishte afruar detit,... I kishte shikuar “xhemitë” e mëdha... i dukeshin si të babait të tij. Në to i kishte ngulitur sytë. Dikur më vonë, i zhytur thellë në mendime, sikur po e shihte babanë. Në secilën anije i dukej nga një baba, ashtu i thinjur e me shpinë të kërrusur, të kthyer fare...

Kishte shkuar me afsh për ta parë edhe anijen më të madhe. Për atë arsye, si i etur dhe plot habi, gjatë kishte shikuar rreth e rrotull. Por, tash kishte vërejtur tollovi njerëzish. Kishte dëgjuar edhe “britmën” e makinës së policisë, dhe pa diktuar ishte afruar tek Anija e Madhe. Edhe pse me atë ngarkesë shpirti, pati dëshirë ta pyeste dikë për tërë atë rrëmujë njerëzish që ishte bërë sa qel e mbyll sytë në portin e anijeve. Por, duke mos pasur kë ta pyeste, tash portin sikur e kishte shndërruar në shëtitore. E, më vonë e vërejti veturën e policisë, e cila me shpejtësi u drejtua kah qyteti. Në të kishin bartur trupin e një femre, të cilën e kishin gjetur të mbytur në det. Djaloshit, si pa lidhje menjëherë iu kujtua shtëpia publike...!

- Ka mundur të ngjajë gjithçka,...! Nëse do të ishte ajo, si ka mundur të vinte para meje deri këtu?!

Në të vërtetë, ajo kishte shpejtuar para tij, edhe për një gjë, sepse, përherë kishte shëtitur kah Anija e Madhe, të cilën gjithnjë e kishte zbarkuar babai i saj me hamaj të tjerë.

Të nesërmen në gazetat ditore ishte botuar një lajm i shkurtër, ama shumë i shkurtër:

“Në orët e para të mbrëmjes në det është gjetur trupi i pajetë i një femre e cila kishte punuar në,... shtëpinë publike”! Po ashtu, në gazeta ishte theksuar: “ajo, për çdo ditë, në mbrëmje i vizitonte anijet transportuese në limanin e qytetit”...!

Djaloshi, prej asaj dite, për çdo mbrëmje i kishte vizituar anijet e mëdha transportuese, gjithnjë duke e dëgjuar muzikën e hamajve deri vonë pasmesnate në Anijen-Bar, kështu me radhë derisa nuk kishte përfunduar edhe një ngjarje e thjeshtë, si ajo e motrës së vet, ...si ajo e femrës së shtëpisë publike!...



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora