Kulturë
Reshat Badallaj: Ikja e luleve të jetës sime
E diele, 25.10.2015, 08:50 AM
Reshat Badallaj
IKJA E LULEVE TË JETËS SIME
(Kushtuar motres Hatie,qe iku shume e re nga kjo bote dhe me 15 tetor kishte Ditelindjen)
Shiu binte me zhurmë në xhamin gri të dritares,
degët e ftoit të verdhë përplaseshin me ulërima
dhe një zë i mekur si hije dëgjohej nga errësira.
Kush jeni, nga vini...?!
U ngrita nga gjumi i thellë dhe hapa derën e drurtë
Të lagura nën shi, dy ikona të njohura;
Nëna dhe motra!
Embëlsia e shikimit të tyre lëshonte dritë
në shiun që binte me ulërima,
Cila e mirë, vallë ju solli këtu?
Hija juaj ju kthen të gjalla para syve të mi të lotuar
Ndonëse e di që keni ikur në botën e heshtur të vdekjes
Një zë i ëmbël, zë nëne më pëshpërit në vesh:
"Zgjohu bir, se vajza; është dita e lindjes së saj. Sot!
Hutimi im, drithërima e shpirtit tim,
Po si u kujtokan edhe ditëlindjet e të vdekurve?!
Ajo, më e dashura nënë, edhe atje u kujdeska
Dy zogjë, nën strehën e çatisë, nën zhurmën e shiut,
Këndonin trishtueshëm këngën e vajit.
Nga dhoma tjetër dolën me nxitim e kureshtje
dy fëmijët e saj, që te dera dikur e prisnin të kthehej
Në shkëlqimin e bulëzave të shiut qante imazhi i saj
Nën dritën e hënës vinte dora e saj e ngrohtë
mbi fytyrat e njoma të fëmijëve të saj
dhe ikte hija e saj me kokë mbrapa
nga tetë zogjtë e saj, si trumcakë të njomë në fole
në tokën e hapur, të lagur nga shirat e furtunat...
kthehej hija e saj...
Një buqetë me lule të bardha ftoi,
të lidhura me thupër vareshin në qiell
Balli i dritonte plot nur
Kur drita e agimit ra mbi muret e dhomës sime
lotët ishin derdhur lum mbi shtrat
"Gëzuar Ditëlindjen, motër"!- në heshtje urova
Qielli e priti ngrohtë urimin tim
sikur ajo të shfaqej plot gëzim,
nga dritarja e dhomës sime të trishtimit
sodisja rënien e luleve nga qielli
Puhia e erës i sillte si të gjalla të dritarja ime
Një gishtëz në qiell motra e tundi,
të drejtuar nga zogjtë e saj jetim,
ku në faqe u digjet ende loti.
I heshtur, me kokë të rënduar nga përjetimi,
papritur u ndala te një 'barnatore',
atje ku merja ilaçat e bardha, për ta mbajtur në jetë,
Ah, sa herë, edhe në shi vija në këtë derë,
por ajo prap iku, larg, sa larg në qiell,
Janë renditur ato, lulet e jetës sime renditur
si kurora lulesh të gdhendura në kujtimet e mia...
Imatë ju prin, me urtinë e tij, në botën tjetër!