Kulturë
Vahit Nasufi: Sulltana e Qafës
E marte, 04.08.2015, 07:22 PM
Vahit Nasufi
SULLTANA E QAFËS
Në Kërçovë, atje n`malësi,
Në një fshat plotë bujari,
N'fshatin Qafë, n`rrëzë t`Ujmirit -
Luajti bija, rolin e t`birit!
Në gjak e kanë trimërinë -
Në shpirt e kanë besnikrinë!
Në kokë e kanë idealin -
E ruajnë nderin dhe moralin!...
Rriti
nana një shqiponjë
Vajzë trimëreshë, Zoti e fali,
Sokoleshë e bukur si hanë,
Emri i saj ishte Sulltanë.
Kjo sorkadhe si zana e malit -
Ishte bija e Mazllamit,
Dy gërsheta mbante mbi shpinë,
Në zemër mbante trimërinë!
Ngjarja e vitit 1913 -të,
S`do t`harrohet kurrë për jetë!
Keq armiku ishte tërbuar -
Fshatin Qafë kishte rrethuar!
Burrat e Qafës kishte tubuar -
N`oborr Mazllamit i kishte çuar!
Shumë i rrahin i torturojnë -
Pa asnjë faj i masakrojnë!...
Del Sulltana në dritare -
Sheh me sy torturat barbare!
U ra duarve, rrahu shuplakë -
Sot këtu do t`derdhet gjak!...
Thotë - moj nanë, kuku për ne,
Duan babën me na e pre!
Babës vet i thotë - prej n`shkallë -
"Gajret babë, se unë jam gjallë"!
Armë Sulltanës nuk i qëlloi -
Por, ndërmend shpejt i shkoi!
Gërshanët e dhenve i merr n`dorë -
Fluturim ka dalë n`oborr!
Kapedan, more zemërzi,
Copa - copa do të gri!
Thellë ja nguli ato gërshanë -
Të shtrirë për toke e ka lanë!
Kapedani pa dhënë shpirt,
Me gojë t`përgjakur përshpërit!
*Turp i madh për mua shumë,
Nuk vriten trimat kështu si unë"!
Fjalët e fundit që tha - komita -
"Prej një çike vdekjen, s`e prita"!
Të ikin shokët i urdhëroi -
Një çikë e re na turpëroi!...
Moj Sulltanë, bija e Mazllamit -
Mirë ja bëre kapidanit!
Kështu vepron cuca e malësisë -
Kur ia shkelin pragun e shtëpisë!
Moj Sulltanë legjendare -
Heroina kërçovare,
Në histori e n`përkujtimore -
Në zemrat tona e gjallë prore!
Ti moj cuca e malësisë -
Jeton në telat e çiftelisë!
Për ty kënga sot jehon -
Populli kurrë s`të harron!...