E premte, 26.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Hamit Taka: Surpriza

E merkure, 22.07.2015, 07:33 PM


SURPRIZA

Nga Hamit Taka

Ishte pragfestash kombare, java e fundit e Nëntorit. Albina ecte me ngut buzë Lanës, nën një shi të imtë të paparashikuar nga meteorologët për pasditen e asaj të hëne. Cingërima e celularit brenda çantës elegante, nën ritmin e shiut të bezdisshëm, dëgjohej e shuar dhe kjo e bënte disi të pa rëndësishme. Ajo e ruante si hajmali  celularin e parë personal, të cilin ia kishte bërë dhuratë babai ditën, kur mësoi se e bija kishte fituar të drejtën e studimit në shkollën e lartë për farmaci, pikërisht në degën e pëlqyer prej tij. Edhe vetë ishte farmacist dhe dëshironte t’ia linte trashëgim vajzës së madhe profesionin  dhe farmacinë, që e kishte fituar nga proçesi i privatizimit. Një tjetër arsye kjo për ta ruajtur  aparatin  si sytë e ballit. Ditët e para të universitetit, komunikonte pothuajse çdo ditë me të shtëpisë. Gjatë bisedave ndihej në gjirin e ngrohtë të familjes. Muajin e dytë i rralloi telefonatat, pasi e pa se kostoja ishte e ndjeshme për xhepat e një studenteje.

Pasi bëri disa hapa, celulari cingëroi përsëri dhe ajo përsëri nuk e hapi. Kishte dëgjuar shpesh se lagështira  e dëmtonte aparatin. Me cingërimën e tretë, nuk duroi dot më. Do të jetë mami, që ngulmon kaq shumë, mendoi dhe shtypi butonin.

-Syrpriiiizë!... -tha me zë të zgjatur folësi  në anën tjetër, që i shkaktoi vajzës ca pulsime të forta të zemrës.  Ajo shtangu dhe mbeti ca çaste pa folur, duke mos  e përfillur shiun freskues, që po ia ngjiste rrobat pas trupit.

-Mos të ka ikur zëri, zemra ime? –i erdhi përsëri i qartë zëri nga krahu tjetër. Ai zë i njohur ishte si rrufe në qiell të kthjellët.

-Bertiii! -thirri ajo frymëmarrur nga emocionet.

-Syrpriiiizë! –përsëriti Berti  pa u ndikuar nga emocionet e Albinës.

- Bertiiii!...Më kërko më parë ndjesë që nuk ke ardhur të më takosh gjithë këto ditë… As nuk më ke telefonuar, -ia ktheu vajza me përkëdheli, por Berti e mori si shpërfillje ndaj të  papriturës që po i afronte.

-Dashuria do prova, zemra ime… Dhe prova jonë doli e suksesëshme. Vuajtja ime e papërshkruar gjatë këtyre ditëve, dhëmbshuria me të cilën m’u përgjigje ti, belbëzimi dhe malli që ndihet në zërat tanë, janë prova më e madhe e dashurisë tonë të amëshuar.

-O Bertiiii! Pse, deri tani nuk më ke besuar, që më vure në këtë provë torturuese?... Sa të gjata më janë dukur këto ditë, Berti! Në leksione kam qëndruar si mumje, Berti! Pasditeve kam pritur me ankth të më kërkoje te porta e godinës apo të shikoja emrin tend kur cingërinte celulari, Berti!…

Në të vërtetë ato ditë vajza herë zbehej e herë zymtohej si natë me hënë e me re. Gati kishte prerë komunikimin me shoqet e dhomës, madje kishte rralluar dhe bisedat telefonike me familjen. Por prindërit, që formulojnë gjithmonë mendimet më të mira për fëmijët e tyre,  mendonin se vajza ishte përshtatur me mungesën e familjes dhe u ishte shtruar studimeve.

-Bëra shaka, jeta ime. Nuk ka nevojë për asnjë provë mes nesh. Kam qënë ca ditë matanë detit, në Itali. Tërë këto ditë jam përpjekur të sajoja diçka të bukur për ne të dy. Dhe ia arrita. Nuk e merr dot me mend çfarë dhurate të kam përgatitur për festat.

Berti  njëzetë e një vjeçar ishte i pari djalë, i cili i ishte afruar Albinës që javën e dytë të universitetit.  Natyra i kishte dhënë atij sy të zinj vezullues dhe flokë të dendur me oshilacione korb të zinj. Albinës i kishte pëlqyer pa masë me vështrimin e parë. Edhe Berti, me fytyrën e ndritshme,  e kishte marrë me sy një copë herë vajzën dhe i qe dukur shumë e këndëshme. Karakteri i Albinës ishte i gjallë, si vajzë e lirë dhe e përkëdhelur, por edhe e pastër dhe e dëlirë si bora e maleve te Gramozit nga kishte ardhur në Qytetin Studenti.  Që në takimet e para, djaloshi i shkathët, iu duk i vetësigurtë dhe i drejtë. Shkurt ajo i ishte përgjigjur. ..Edhe në ato çaste ajo ishte përpirë nga ligjërata e tij dhe nuk ndërmendëte ndonjë çast më të gëzuar në jetën e saj. Dëshironte ta dëgjonte pa pushim atë zë, që i kumbonte në zemrën e saj të patrazuar më parë nga ato ndjesi të forta ekzaltuese, që kishte provuar në çdo takim me Bertin.

- Ah, zemra ime, në vend të heshtjes, flasim për syrprizën! –ia ndërpreu mendimet  i adhuruari i saj zëftohtë, por Albinës i dukej i ngrohtë si vala e gjakut që i vërshonte në deje nga dashuria për të. Me gjithë atë ajo ngulmonte t’i shpjegonte se nuk mund të duronte asnjë ditë pa u takuar e pa komunikuar me të.

-Të prëmten pasdite do të shpjegoj gjithçka nga afër, por dëgjo syrprizën tani, -iu përgjigj Berti me atë zërin ledhatar dhe, pa pritur miratimin e saj, filloi t’i fliste për surprizën:

-Një uikend përallor për ne të dy…

-Vetëm ne të dy! –tha vajza e habitur dhe e gëzuar.

-Po, vetëm ne të dy.  E ka pronotuar një kushëriri im në një agjensi turistike italiane. Kam në xhep dy bileta trageti për në Torino. Të shtunën në mëngjes nisemi.

Albina nuk kishte ndier ndonjëherë një ngazëllim të atillë. Sa bukur e madhështore tingëllonin në trurin e saj fjalët e reja, të panjohura më parë, që kishin hyrë në ligjërimin e përditshëm të shqiptarëve: uikend, sponsor, pronotim… Jehona e tyre përhapej nëpër rrëmbat e gjakut në tërë gjymtyrët e qelizat e trupit. Ajo donte ta kishte afër Bertin, t’i varej në qafë, ta përqafonte e ta puthte me tërë afshin e zemrës së saj. Surpriza që i afronte i dashuri ishte vetë mrekullia. Sa kohë kishte që ëndërronte një udhëtim jashtë shtetit. Kishte bërë zili shoqet e shkollës, që kishin ikur me prindërit në mërgim për bukën e gojës. S’donte t’ia dinte për motivet, mjaftonte të iknin në vende të tjera të panjohura.  Bile ndonjë herë i kishte shkuar në mend të kishte qënë më mirë e varfër. Sa herë kishte lakmuar fatin e vajzave, që kishin lënë mësimet dhe ishin martuar me emigrantë, pa ditur se ku shkonin e çfarë do të bënin më tej. Etleva, shoqja e saj e tetëvjeçares ishte martuar që në klasën e parë të gjimnazit me një djalë të panjohur, të cilin ia kishte prezantuar një shoqe e klasës nga një fshat i largët, vetëm e vetëm se ishte refugjat në Greqi. Pas dy  vjetësh Etleva ishte rikthyer në shkollë, duke filluar mësimet atje ku i kishte lënë. Aventurë kurajoze dhe romantike, e kishte quajtur Albina.

-Hë, Bina, nuk u befasove nga syrpriza e bukur që të bën i dashuri yt në prag të festave të nëntorit?... Do të vizitojmë Romën, e dashur!...Pse nuk më thua një fjalë?-ia ndërpreu Berti mendimet e bukura, që i kishin ndezur  imagjinatën.

-Pikërisht se u befasova, se u emocionova, prandaj nuk munda të përgjigjem. Më duket si një magji, si një mrekulli e rënë nga qielli.

-Ha-ha-ha! Domethënë të pëlqeu.

-Cilës vajze nga provinca nuk do t’i pëlqente një udhëtim kaq i papritur në Romë. Prej saj më ka mbetur në mëndje filmi “Beteja për Romën”, ku vajza e të parit të qytetit i tha pushtuesit Totila: “Edhe zogjtë këtu këndojnë: To-ti-la! To-ti-la! To-ti-la!...”, - Këto fjalë Bertit i tingëlluan tërë mirësjellje dhe përdëllim.

-Atëherë, bëhu gati! Të prëmten pasdite do të takohemi dhe do të flasim për detajet e udhëtimit, -ia preu shkurt bisedën Berti.

-O Berti!...Po prit,ore!...  Prapë nuk do të takohemi deri të prëmten?..  O Bertiii? …

Në vend të përgjigjes, dëgjoi sinjalin e mbylljes së telefonit në krahun tjetër. Si e mbyll kështu telefonin, ky Bertiiii! Tha me zë.

Nga e marta në pasditen e të prëmtes, Albina i binte pa pushim numrit të Bertit. Po zilja nuk cingërinte deri sa vinte përgjigjja e kompjuterit: personi i kërkuar mund të ketë mbyllur telefonin. Asaj as i shkonte në mend se të rinjtë në moshën e saj mund të përdornin dy celularë. Shpirti i saj ishte i garkuar nga ëndërrat, ndërsa produktet e imagjinatës kapërcenin çdo limit. Ajo përfytyronte një udhëtim të bukur me një anije luksoze si Titaniku, përfytyronte Italinë e bukur dhe Romën, ku të çonin të gjitha rrugët. Dëshira për të dalë jashtë shtetit të saj ishte e papërballueshme. Heronjtë e librave nuk i dukeshin asgjë para refugjatëve, që kishin kapërcyer telat me gjemba.

Pas surprizës së Bertit, falë atij kushëririt të tij bujar e zemërmirë, nuk ekzistonin më leksionet, leximet, detyrat studentore. Pasditeve  merrej me punë të kota, qeraste shoqet, shetiste nëpër mjediset e Qytetit Studenti dhe lozte e qeshte nëpë korridoret e godinës së fjetjes si një çupëlinë e dehur nga lumturia. Natën përpëlitej në shtratin e pagjumësisë, duke e munduar dilema: t’i  vinte në dijeni prindërit apo të shkonte pas të dashurit të saj symbyllur. Intuita i thoshte se ishte e vështirë të binin në një mëndje të dy palët: familja dhe i dasguri i saj. Ajo e dinte se në shtëpi të gjithë e prisnin me padurim, për të kaluar së bashku festat e Nëntorit. Ndonëse nuk kishin kaluar as dy muaj,  e kishte marrë malli shumë për familjen. Ishte hera e parë që largohej nga shtëpia. Shpesh i mbusheshin sytë me lotë.  Përfytyronte se do të ishin festat më të gëzuara në jetën e saj, për shkak të statusit të ri dhe largësisë dymujore nga gjiri i familjes. Nga ana tjetër imagjinonte mrekullira të tjera shumë më entuziaste e më zbavitëse, që do t’i falte i dashuri me surprizën e tij të paimagjinueshme më parë . Dhe, sa herë zhytej në mendime, sa herë pështjellohej, duke mos zgjedhur dot se cila ishte zgjidhja më e arsyeshme, që të mos qejfmbetej as berti as familja, kapte celularin dhe i bënte zile Bertit. I thoshte mëndja dhe zemra se ai do t’i jepte zgjidhjen e duhur. Por telefoni i tij dilte gjithmonë i mbyllur. Pastaj merrte mamin, duke dashur t’i tregonte për surprizën e afruar, por ndërronte mëndje dhe fliste për gjëra të rëndomta, si: çfarë ke gatuar për darkë?... Po për drekë ç’kishe gatuar?… Si është Majlinda me mësime?...Ndonjë herë i thoshte mendja t’i hipte autobuzit të linjës që në datën 26 në mëngjes dhe surprizën t’ua bënte ajo prindërve, duke mbritur në shtëpi  një ditë para ditës kur e prisnin ata.

Shpesh edhe në lëksione ia përcëllonte trurin dilema torturuese. Të ikte pa lejen e prindërve, i dukej absurditet, e pa mundur. Të mos shkonte me të adhuruarin e saj në udhëtimin përrallor, i dukej se humbëte gjysmën e botës. Në ato çaste koka i digjej furrë, zemra i rrihte gjoksin, sikur donte të dilte jashtë dhe t’i tregonte udhën e drejtë që duhej të ndiqte.  Sa herë shtronte pyetjense çdo të mendonin babi e mami po të shkonte pa i vënë në dijeni, e jepte vetë përgjigjen:  Këto vendime duan konsultim me prindërit, por duan edhe guxim e kurajo. Me gjithë atë, në thellësinë e shpirtit, e kishte bërë zgjedhjen, por i pëlqente të merrte miratimin e tyre.  Të shkonte një herë në Romë me të dashurin, pa bota le të përmbysej. Ama, menjëherë pas këtij mendimi, i shfaqeshin mami, motra, vëllai i vogël dhe pas tyre babi, më i gjatë se të gjithë, që e prisnin me mallë e gëzim te stacioni i autobuzave.

Të prëmten pasdite, rreth orës tetë, ra zilja e telefonit. Kur në ekranin e celularit u shfaq emri i shumëpritur i Bertit, në fytyrën e saj u shpërfaq ajo që poetët e quajnë “poezia e ndjenjave”, një ngazëllim i shndritshëm, që nuk mund të shprehet me asnjë fjalë.  E shtypi menjëherë butonin dhe zëri i tij i erdhi më i plotë dhe më i vendosur se çdo herë tjetër:

-Hë, e ke bërë gjithçka gati për nesër?

-Por unë të pres në takim sot, siç më premtove, ku do të sqaronim detajet e udhëtimit dhe shumë gjëra të tjera.

-S’ka gjëra të tjera për të diskutuar. S’e gjejmë më këtë shans. Një herë jepet shansi, thotë amerikani dhe, po nuk e shfrytëzove, mos t’ua kesh inatin të tjerëve.

-Po si do të shkoj unë deri në Itali, o Bertiiii, pa lajmëruar shtëpinë me një djalë të panjohur për ta?!...

-Po pse, nuk i ke vënë në dijeni gjithë këto ditë?... Unë një djalë i pa njohur jam për ty?!...

-Po unë doja ta diskutonim bashkë, o Berti. Ne ende nuk jemi prezantuar me prindërit. Mbase ata donin të dëgjonin edhe ty, të merrnin një siguri më të madhe prej teje.

-Ç’u bë u bë tani, Bina. Nuk ka më kohë për të humbur me biseda emocionale. Vendimi është marrë, janë prerë biletat, janë pronotuar hotelet. Sponsorizuesi ka harxhuar një thes me para, -iu përgjigj Berti, zëri i të cilit i erdhi i thatë si zhurmë llamarine…

-Po si, o Berti, pa dijeninë e prindërve do të vij unë?! –lutej e përgjërohej Albina.

-Zgjidhe vetë atë problem sonte. Nesër në mëngjes të pres para korpusit të universitetit. Unë kam pronotuar taksinë për orën tetë dhe kam bërë gati gjithçka. Ti s’ka nevojë të marrësh asgjë me vete. Rregullohu, vishu bukur, se të tjerat i kam unë. Në orën dhjetë niset trageti nga porti i Durrësit. Natën e mirë!

-O, Bertiiii…-thirri vajza, por telefoni ishte mbyllur. U mbyt në lotë, që nuk merrej vesh në se ishin lotë trishtimi, mallëngjimi, gëzimi apo zemërimi. Mbeti në këmbë, pa lëvizur, duke vështruar telefonin.  Mbylli sytë pak sekonta dhe mori vendimin. Le të ishte një aventurë. Aaventurat rinore gjithmonë i dukeshin  të bukura. Do të shkonte pas të dashurit të saj në Romën e ëndërruar. Kur ta njihnin prindërit Bertin, me siguri do të ndiheshin të lumtur për fatin e vajzës. Djalë simpatik, universitar, nga një familje e mire në mes të Tiranës. Pikërisht ai djalë, që do t’u hynte në zemër me ta parë, ia kishte bërë atë dhuratë të pamundur për familjen e vet.

Të nesërmen , fiks në orën tetë, Albina ishte te taksia. Berti u vonua pesë minuta dhe sa mbriti, pa thënë as mirëmëngjes, i tha Albinës:

-Hip shpejt në taksi, se nuk kemi kohë, u bëmë vonë.

Ia hapi derën vajzës, futi një çantë të madhe në bagazh dhe mbylli me forcë derën nga krahu tjetër, pasi kishte zënë vend në sedilen pranë saj. Ajo i buzëqeshi dhe mbështeti kokën në supin e tij. Berti i afroi fytyrën te leshrat, filloi t’i nuhaste aromën e flokëve të krehur me merak dhe i puthi lehtë qafën e gjatë. Diku, midis Durrësit dhe Tiranës, vetura ndali. Hapi derën me furi një tip muskuloz e me bebëza gri, që i lëvrinte sytë si mace e egër. Sa futi kokën brenda kabinës, e përpiu fytyrën e vajzës së panjohur me shikimin e një shpendi grabitqar. Vajzës ai i shkaktoi një ndjenjë frike dhe pasigurie. Pastaj Sygriu i uli sytë në cicat, që kishin ngritur fustanin. Ai nuk i krahasoi me mollët e këngëve popullore, por me vezët e patës. Teksa po ulej në sedile, e kaloi shikimin poshtë fustanit dhe për herë të parë fytyra e tij u duk e kënaqur, sikur thoshte me vete: Sa të bukura i ka kupat e gjunjëve! Sa të bukura i ka këmbët! Albina u ngjesh pranë Bertit si një zogth i truar, përballë atij shpendit grabitqar, që ia behu papritur.

Diku, u kthyen në një servis veturash, ku Albinës minutat i dukeshin orë. Gjatë kohës që kaluan në servis ajo mendonte vetëm për familjen. Tani kishte filluar t’i qartësohej në trurin e saj të ladhatuar nga debulesa e prindërve, si fëmija e parë e tyre. Ndjente një boshllëk të thellë në tërë qënien e saj nga mosvënia në dijeni e prindërve për këtë udhëtim. Tashmë surpriza i dukej sa realizimi i një ëndërre aq edhe aventurë e marrosur. Rrugës së mbetur deri në Durrës  Berti dhe pasagjeri i panjohur flisnin për uikendin e mrekullueshëm të çiftit Berti-Albina. Te trageti mbritën 10 minuta pas nisjes së tij. Berti u bë si i tërbuar, duke vështruar me shqetësim nga Albina. Ajo, e prekur thellë në shpirt nga dështimi i surprizës, që ia kishte ndezur e imagjinatën,  por edhe e lehtësuar, tha me zë të mekur, për ta qetësuar të dashurin e saj:

-S’ka problem, mos u shqetësoni.  Mirë u bë edhe për mua. Do të shkoj për festa te prindërit. Eshtë hera e parë që jam larguar nga shtëpia dhe ata më presin me padurim.

-Ç’thua, -u hodh Berti, me sy të zgurdulluar, - kushëriri e ka  paguar tarifën si frëngu pulën.

-Mos u shqetësoni,- ndërhyri Sygriu,- do ta gjejmë një zgjdhje. Do t’ju nis unë me ndonjë anije tjetër. Humbët një udhëtim luksoz, por do të shijoni të tjerat. Dhe kujdes në kthim, mos u vononi, t’ju lërë sërish trageti. Këto fjalë, plot siguri, sikur e rigjallëruan Albinën, por edhe e trishtuan. Ikjen e tragetit ajo e kishte quajtur një rastësi e dobishme, duke e mbledhur mëndjen top për t’u kthyer te prindërit.

Pas një ore, siç premtoi Sygriu, Berti dhe Albina hipën në një anije mallrash, u futën poshtë në hambarin e ngarkesës dhe rrinin ngjeshur njëri pas tjetrit, si dy dashnorë të vërtetë të mbyllur në një  kafaz metalik. Nuk kaloi as gjysmë ore dhe Albina filloi të ndjente dhimbje në lukth. Mbështeti kokë në gjoksin e Bertit, ku i dukej se gjente mbrojtje dhe siguri. Menjëherë u ndie më mirë. Mirëpo, nga qëndrimi skiç, iu trazua edhe më shumë. Pas pak filloi t’i dukej se nuk mund të jetonte më në atë gjëndje. Bënte përpjekje të sforcuara të mos e jepte veten, t’i rezistonte torturës, për të mos e shqetësuar Bertin, por pastaj u dobësua aq shumë sa nuk kuptonte se ku ishte. Thellë në vetëdijen e saj filluan të lëvrinin të shqetësuar Berti, mami, babi, motra, vëllai i vogël dhe mjedisi i shtëpisë, ku çdo gjë ishte e ngrohtë, e ëmbël dhe paqësore. Sigriu, që Albina i kishte krahasuar me të ujkut i binte lëngje, për ta qetësuar. Pas dy orësh humbi ndjenjat, pa kuptuar asgjë se çfarë ndodhte rreth saj. Kur erdhi në vete, vuri re se ishte zhytur në një pellg të vjellash dhe vreri të gjelbër…

Zbritën në Pulja, jo në Torino. Berti dhe Sygriu morën dy çantat dhe u nisën me nxitim. Albina, e kapur për dore nga Berti, me vështrim e vizitorit të parë të një planeti të panjohur, mezi lëvizte, sikur tërhiqte zvarrë kufomën e saj. U futën në ca rrugica dhe sosën në një shtëpi, tip vile njëkatëshe e rrethuar me pemë, në mes të një fushe, jashtë qytetit. Vajzës, pasi kishte dalë nga ai kazan tmerrues, sado e lodhur dhe e kapitur nga mendimet kontrakditore për vendimin e marrë pa dijenine e prindërve, iu gjallëruan disi ndjesitë. Gjithçka në oborrin e mjedisin e asaj vile iu duk romantike. Por, sa u futën brenda, në një dhomë gjysmë të errët, Albinës iu larguaBerti, pa e njohur me mjediset e brendëshme të ndërtesës,  i tha se do të shkonte tek puna e kushëririt dhe do të kthehej bashkë me të. Pastaj do të shkonin me makinë tek shtëpia e tij. Të nesërmen do të niseshin për në Romë. Albina ndihej e lodhur dhe e hutuar dhe nuk kuptonte asgjë nga sa ndodhte rreth saj. Kur u hap dera dhe pa siluetën e bustit të Bertit në dritën e derës, ajo thirri, me një pikëllim, që do ta kishte zili dhe Hekuba: O Bertiiiiii! Por ai s’iu përgjigj. Dera e mbyllur bllokoi fashën e dritës, që vërshoi nga jashtë dhe vajzës iu duk se u zhyt në terrin e varrit, që e kishte hapur me duart e veta. Ishte një dhimbje dhe trishtim i tillë, që as lotë nuk i prodhonin më  sytë. Shoqëruesi sygri u ngërdhesh dhe i tha me qetësi: Mos u shqetëso. Tani do të jesh në shoqërinë time. Bashkë do të bëjmë punë të mira, do të fitojmë shumë para. Vajza e vështroi si ajo ulkonja që i kanë rrëmbyer këlyshët e saj, ndërsa ai e vështroi me kënaqësinë e një ulkonje që ia ka rrëmbyer prenë  rivales së saj. Vajza mblodhi të gjitha fuqitë dhe  u hodh te dera, duke kapur dorezën.

-Lere derën! Nuk hapet më ajo derë, sa të vijë Berti, -tha me ton urdhëror sygriu.

Vajza e troshitur nga ai udhëtim i panjohur dhe e frikësuar deri në llahtari, mezi mbahej në këmbë, duke ndier për atë njeri të panjohur një urrejtje që s’e kishte provuar kurrë. Kapi dorezën fort dhe tentoi ta hapte. Njeriu i fuqishëm e kapi nga krahët, e hodhi si një pulë të ngordhur në një divan të pistë dhe, duke nxjerrë para kërcënueshëm gishtin tregues, i tha: Tani e tutje je nën kujdestarinë time. Je nën urdhërat e mia. Do të bësh çfarë do të themë unë. Bertin harroje. Nuk e ke njohur kurrë. As ka ekzistuar ndonjë herë një farë Berti për ty. Ndryshe…

Studentes Albina iu errësua edhe më shumë bota para syve. Toka filloi t’i rrëshqiste  nën vete. Ajo e kuptoi fundin e aventurës së saj dhe, që nga ai çast, filloi të mendonte pasojat e vendimmarrjes katastrofike pa u konsultuar me prindërit. Ai zjarr i ëmbël dashurie tashmë ishte kthyer në një llavë vullkani që po digjte e përpinte gjithë dëshirat e ëndërrat e saj. E shtrirë në atë divanin e pistë, e mbledhur kruspull kokë e këmbë, sikur krijonte një mburojë e një sipërfaqe sa më të vogël kontakti me atë mjedis të pistë e të neveritshëm, e kuptoi se në atë botë të trazuar pafajsia dhe sinqeriteti nuk ishin më mburojë e një vajze student tetëmbëdhjetëvjeçare.  Me sy të çngjyrosur filloi të kujtonte njohjen me djalin mashtrues dhe të pabesë. Nuk kishte fuqi ta gjykonte mëndjelehtësinë dhe pasojat e saj në të ardhmen. E krahasoi veten me një mizë të zënë në rrjetën e një mirimange të madhe… Më në fund ajo e kuptoi se ishte kthyer në një mall të pastër të një tregu të pistë.



(Vota: 2 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora