E premte, 26.04.2024, 05:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahin Hasani - Shkoza: E gjithë bota është një lot

E diele, 28.06.2015, 10:42 AM


E GJITHË BOTA ËSHTË NJË LOT

 

NGA SHAHIN HASANI  - SHKOZA

 

GJAKU I BARDHË I ULLIRIT

 

Gjaku i bardhë i ullirit,

në kupën e bardhë të lules,

gjuha dhe vërgjeriteti i tij,

koka e rëndë – gur i mullirit,

pa mbrojtjen e kësulës,

si yll i qiellit pipëtij.

 

Në degët e tij ashti i stërgjyshërve,

vajim i yjve të prushtë,

ashtë dielli – në frutin e zi

dhe loja e pafund e klyshëve

të strukur në stelin e ngushtë,

përjetësuar në poezi.

 

Në ullishtë hëna ka zbritur,

gjithçka ka mveshur me argjend,

na puth me afsh e zjarr,

gotën e dollisë ka ngritur,

i ngazëllyer plot verë e shend

ullirit të Jonit jo, s’i duhet varr!

 

 

ULLIRI- I VJETËR...SA VET NJERËZIMI

 

Ulliri -i vjetër...sa vet njerëzimi,

si një plak i kërrusur zemërplasur,

por gjithnjë burim frymëzimi,

ndër mote e eone i përplasur.

 

Deti, qeparisi dhe guri,

dhe zëri i fyellit të bariut,

në sqep, degët zogu i zuri

duke i shpërndarë jugut e veriut.

 

Në lartësi janë ngritur pëllumbat,

duke pushtuar hapësirat qiellore,

atje ku s'mund të arrijnë plumbat,

ndër shtigje të arta diellore.

 

Pamja e tyre duar korrtarësh,

këngë poeti u këndoj pafund,

në vendet e thata si llogore ushtarësh,

mbijeton rrënjëthelli e asgjë s'e tund.

 

 

ZANAFILLA E ULLIRIT

 

Nga Iliria e lashtë na ke bujtur,

me tingujt e okarinës si kokërr,

nga brigjet e Sarandës nuk zhbëhesh,

as duke të goditur degë e dokërr...

 

Ulliri ynë, i nderuar shpëtimtar,

shpresë e shpëtim i tërë Shqipërisë

të duan vendasit e çdo kalimtar,

kundërmon si gjaku i Çamërisë.

 

Ti gjithnjë – melhem i varfërisë,

degët tua të argjendta,

simolizojnë paqen – diellin e lirisë –

gjithë mirësitë e shenjta!

 

Adhurohesh nga gjithë njerëzimi,

madhështor si dielli në lindje,

ti mbetesh  burim frymëzimi –

në diasporë edhe në vendlindje.

 


ODE ULLIRIT

 

Në rrugëtim të shekujve

ke qenë pije dhe ushqim

dhe balsam faraonash

eliksir i femrave e meshkujve.

Dhe grave, lehonash,

në kalim eonash...

 

Në ngjyrën e gjetheve të tua,

nën hijen e kurorës sate

dhe sot prehemi me ëndje,

ti ulliri i nderuar – unë i yti fajkua,

rrokaqiell me shumë kate,

dy miq të ngushtë, pahamendje.

 

Në nyjet e trungut tënd,

lëngojnë nuskat e plagëve

dëshmi e vuajtjeve të jetës

të krenisë e këngëve...

të përfshirë kënd më kënd,

ullir i bekuar i Sami Shkretës!

 

 

PËRJETËSIA E ULLIRIT

 

Ulliri i etshëm shuan etjen,

shtrydh lëngun nga guri

e thith me rrënjë e gjethe,

secilës gjallesë i fal përshëndetjen,

duke u valëvitur si në ajër flamuri,

duke u dridhur si fëmija në ethe.

 

Numron e shëron plagët e trupit,

duke fërkuar ngërçet e jetës,

ripërtëritë minatorët në zgafella,

në grevën e Trepçës kundër turpit,

në krahun  e krahut të së vërtetës,

u ngujuan në horizonte të thella.

 

Vërtet kokërrat tua zhdukin çdo uri,

për të gjithë ata që mbeten besnik’,

minatorët bota zu t'i përshëndes,

duke i përkrahur me dhemshuri,

për t'a mbrojtur këtë popull fisnik,

për jetë e mot kurrë të mos vdes.

 

 

HIDHËRIM I VETEM I ULLIRIT

 

Më besoni, o njerëz të mi,

të shtatëdhjetat po numëroj

nga që isha në gërmi –

e pas asgjëje nuk hidhëroj.

 

Pas asgjëje: as për vitet e ikura,

për asnjë ditë, për asnjë natë,

as për dritat e fikura,

as për fëmijërinë,

e kaluar në vatrën e gjyshit;

as për rininë,  as për mishtë e mlyshit...

as për të vdekurit...

 

Për asgjë s'çaj kokë,

vetëm për ullirin e prerë,

të braktisur në bokë -

të përplasur në erë...

Vetëm për të hidhëroj

natë e ditë pandërprerë!

 

 

ULLIRI I SHQIPËRISË

 

Ulliri gjithnjë e më i madh,

e paqja ende është larg,

kot degët në arë e luadh –

dhe liria në këtë varg.

 

Vjeljen e tij parapëlqej,

masën s'e zënë shporta,

fusha e tyre si dy liqej.

S’i zë limani as porta.

 

Përveç ullirit të vjetër,

emjaltit të bletës,

zemra nuk kërkon tjetër,

në buzët e Violetës.

 

Në mbresën e ëmbël të kujtimit,

ulliri i Shqipërisë ka mbetur,

iregjur nga jeta e shtegtimit,

ndër dhera të huaja tretur.

 

 

ULLIRI I JUGUT

 

Guri, shkëmbi dhe ulliri,

gjithçka që ka Shqipëria,

peshon rëndë si gur mulliri...

nga se na mungon Çamëria.

 

Ajo është plagë mbi plagë,

pas saj digjemi flakë,

qepallat mbushen vlagë...

për farefis dhe ilakë.

 

Ulliri është atë e mëmë

e hardhia bija e tyre,

kalben si kokërrat në lëmë,

nga lotët dheu bërë lëtyrë.

 

Ai pranon saherë kthen.

S’i hardhia nuk braktis,

në gjinjtë e saj të mbërthen,

si për fëmijë të vet lektis.

 

 

GJAKIMI PËR ULLIRIN

 

Nën kurorën e tij të vjetër,

puthja rrezen për herë të parë,

nga ai çast s'mendoj gjë tjetër

mrekulli në botë e paparë...

 

Miklohemi lehtë si puhiza,

i dhuroj trëndafil të kuqërremtë,

më buzëqeshë si Mona Liza,

gojëëmbël e ten të remtë.

 

Gjakimi bluan si gur mulliri,

për te  uritur dhe i etshëm,

buzët e saj si vaj ulliri,

zemërzhuritur i përjetshëm.

 

Pas tij kaloj vende e dete,

duke e kërkuar si margaritar,

natë e ditë e thrras ne vete –

ndrin si bronc, argjend e ar.

 

 

VAJ I BEKUAR I ULLIRIT

 

Ty të njohin në tokë, male e ishuj

ullir i bekuar mbjellë nga dorë e gjyshit;

miku im i shtrenjtë nën degët tua buj

duke fërguar e ngrënë mishtë e mlyshit...

 

Si dallëndyshe në qiell e ngritur,

me degëz të argjendtë në sqep,

stinë dashurie për t’u përtëritur,

duke të kërkuar edhe kep më kep.

 

Në çastin e fundit të jetës në sosje,

në buzët e mia përplot mjakë,

vetëm nga ti dua të kam mirosje

me këmishë të hapur pa jakë...

 

Nën hije të ullirit po pres o Zot!

Që më në fund ta shoh portretin,

për të shuar zjarrin – fjalë e agzot,

vaj i bekuar që mban sekretin!

 

 

GJURMË ULLIRI

 

Fjala është gjurma ime,

e në fjalë fuqia,

përshëndes të bardhat agime

dhe shëron plagët Çamëria!

 

Në trungun tim lëkurëartë,

kullon qumështi im i hirt’,

ngjyrëmjalti në të artë –

që forcon zemër dhe shpirt.

 

Në mes të xhamive dhe kishave,

frymën e ngrohtë të detit,

me gjithë aromën e pishave

kapërdi aromën e ullishtave.

 

Në kokërrat e mia dy lot’ njeriu,

si pika shiu janë lëshuar,

si acar, thëllimi më ngriu –

gjurmë e ullirit të amshuar.

 

 

METAFORA E RE

 

Në prag të festës së Pavarësisë,

në prag të Vitit të Ri,

në pragun e jetës e të lirisë

pëshpëris emrin ‘Çamëri’.

 

Qëndroj në prag të shtëpisë

të përshëndes fluskat e agut,

ndonëse nata e zezë pisë

ia ndi hapat përtej pragut.

 

Duke qëndruar në verandë

kundroj horizontin e kallur flakë;

oh sa e mrekulluar kjo Sarandë!

nga ti shoh Korfuz, Kretë dhe Itakë.

 

Me metaforën e ditës së re,

e tërë e kaluara më sillet vërdallë,

si mokra e gurit që kohën e bre,

bri ullirit të nderuar i mbetur gërdallë.

 

 

ULLIRI I KOPSHTIT TIM

 

Ulliri i ndeuar i kopshtit tim,

që ke përjetuar vuajtjet e Golgotës;

të mbaj me vete edhe në shtegëtim,

se ti je, o i dashur, mrekulli e botës.

 

Këtu... ai nëpër Diell e Hënë,

përballon dallgët e jetës së vështirë,

kur papritur retë diellin na e zënë,

e nata nderet si perde e rëndë.

 

Ti për jetë e mot je lavdëruar,

kot e kanë retë me breshër e shi,

në një varkë kemi lundruar –

të kemi vjelur si ndonjë qershi.

 

Ne kemi  dy fate të njëjta,

ndaj jemi miq të ngushtë,

synimet i kemi të drejtpërdrejta,

llavë vullkani – dashuri e prushtë!

 

 

DEGA E ULLIRIT

 

Dega e jote është simbol paqje,

në kopsht tim je si në të parajsës,

kjo s'është vetëm sa për sy e faqe,

por qëndresë, të mos ketë vrasës.

 

Në mes dy stuhive në një shkëmb,

përballon përplasjet e erërave,

duke kafshuar mjerimin dhëmb

për një degë ere verërave...

 

S'ia ndin për sunam as për termet,

për dallgët e detit e valët shkumëzore,

në këtë kohë ferri përballon sunamet –

andaj s'u frikësohet as vdekjeve mizore.

 

Rrebesheve të shumta u bëre sfidë,

dhe borës që mizoi gjithë natën,

dega e ullirit është e bukur si vidë,

Ia del t'a thyejë erën e shtrëngatën!

 

 

NGUSHTIMI I LASRGËSIVE

 

Me ngushullim, strehim e fjalë të sinqertë,

ti largësitë në mes meje e teje ngushton

me fisnikëri të rrallë e gojë të sheqertë –

ti o ulliri shpirtmirë, zemrat pushton...

 

Kokërrat e tua të vogla sjellin kthjelltësi,

o pemë e pastër si loti e vesa në bar;

ti legjendari ynë – nga e lashta lashtësi,

shkëlqen në diell si qielli qelibar.

 

Fruti yt këndellë e botën mrekullon,

je shpresë e shpëtim i së dielës,

saherë lëngu yt i jetës vaj kullon –

në kosin e deles pihet Kosi i Delës.

 

Ty, vërtet që ende je një pemë jeshil,

kënaqesh duke u knaqur në realitet

ngushtimin e largësive e kemi shil.

me shpirt shkrehemi në rivalitet!

 

 

TRIBUNIT KOMBËTAR

Bilal Xhaferrit

 

Dashuria për ty, o i madhi Bilal Xhaferr,

do të shpërthejë atëherë kur piktori i vërbër

të arrijë ta zërë tingullin e petalit në ferr

duke u rrokullisur rrënzë ullirit të gjelbër.

 

Si përherë edhe në këtë shtator,

portreti yt do të shkëlqejë ndër mote,

i madh sa shpresa    madhështor

në Sarandë ke përkujtimorja jote.

 

Hojet e shpirtit – hojet e mjaltit,

vetëm për ty si vesa në bar,

shkëlqen si kurorë e smaltit –

si shpirti yt i pastër qelibar.

 

Bilal Xhaferr, tribun mbi tribun,

dallga e mallit tek unë zu të shungullojë,

me petkun e verdhë veshur si cibun

s'ka gjë në botë që mund të më ngushulljë.

 

Andaj një ditë kemi me u takuar,

në rrugëtim tonë drejt amshueshmërisë;

ti e unë – o i madhi fajkua!

në jug të atdheut, në zemër të Çamërisë!

 

 

JONI DHE ULLIRI

 

Unë dhe hija ime në shtegtime,

Joni me ullinj e potokaj,

kujdestar në tri ndërrime

në këtë jetë të paskëtaj.

 

Mjakën e buzëve shëroj me kjomë,

aty ku ndalem unë e hija ime,

na këndell bari i butë dhe i njomë

duke ëndërruar ëndërrime...

 

Mbi detin Jon fluturon zgalemi,

përshkon Sarandën skaj më skaj,

për shpirt e zemër lloj melhemi,

sytë shëndrisin – nuk dijnë për vaj.

 

Puhizë e freskët dridh degët e ullirit,

Deti Jon i qetë prehet,

si blojtësi plak në përkundje të mullirit,

të cilit zemra e shpirti i dehet.

 

 

GJENIU PREJ ULLIRIT

 

Në kupën e lules së ullirit

gulfon gjaku i bardhë,

në grykë të gurit të mullirit

ndër mote duke ardhë.

 

Trungu i tij fole mbi fole

mjaka digjet nga pafajsia,

e njomë kjoma e re

e këndshme si kajsia.

 

Artëzuar nga rrezet e diellit,

ulliri shndërrohet në korife,

zbardhuar nga paskajë e miellit

shkrep hovshëm si rrufe.

 

Në gurin e mermertë të varrit,

qëndron dega e tij,

digjet si në vatrën e zjarrit

sikurse çdo gjeni!

 

 

E GJITHË BOTA ËSHTË NJË LOT

 

Shpeshherë, o ulli për ty,

jam shkreh në vaj, por më kot,

ndonëse në zemër të kam ndry,

e gjithë bota është një lot.

 

Fjala e dhënë besa-besë,

si u bë që është thyer,

të takohemi a ka shpresë

dashurinë tonë për ta  kthyer?

 

Vargu im kudo të kërkon,

o ulli, o mik i shtrenjtë,

veç ty shpirti im të përkon,

shijen e kokrrën së shenjtë.

 

Trëndafilit i ke marr erën,

shiu i shpirtit është një eng,

vallë a do ta pres pranverën,

dashurinë të kam lënë peng!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora