E premte, 26.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Faleminderit

Ramadan Asllani: Të panjohurat për Avdyl Durën

E diele, 28.06.2015, 11:44 AM


TË PANJOHURAT ARKIVORE PËR AVDYL DURËN

NË 66-VJETORIN E AVDYL DURËS E RAMË BEKËS, TË PËRJETËSUAR MË 28.VI.1949

Nga Ramadan ASLLANI

Mjerisht, edhe ky përvjetor në Kosovë po vjen pa një organizim institucional për njerëzit që kanë bërë emër gjatë historisë për të mirën e Kosovës dhe popullit të saj. Më 28 qershor të këtij viti, bëhen 66 vjet të përjetësimit të dy kryekaçakëve kaçanikas, Avdyl Durës dhe Ramë Bekës, të cilët më 28 qershor 1949 u vranë nga organizmat shtetërore të ish-Jugosllavisë, në vendin e quajtur Hani i Ri në Rakaj të Ferizajt, ku është ngritur një lapidar i përbashkët. Falë organizimeve familjare, përvjetorët e këtyre njerëzve janë shënuar disa herë, por në mënyrë institucionale deri më sot nuk është bërë asnjë. Thënë të drejtën, para pak vitesh, qenë vënë disa shufra me beton në hyrje të fshatit Duraj, por sot e asaj dite kanë mbetur të tilla.

PËRKUJDESJE JOINSTITUCIONALE

E shkrova paragrafin e mësipërm për të dhënë dy arsye të qëndrueshme, njërën nga të cilat kur e kam shkruar dhe botuar librin “Avdyl Dura me bashkëluftëtarë për Shqipërinë Etnike”, nuk e kam pasur. Arsyeja e parë dhe kryesore është se Avdyli me Ramën nuk ikën në Greqi dhe vende të tjera si disa shokë të tyre, por u vranë aty për çka edhe kishin luftuar. Arsyeja tjetër, të cilën nuk e kam pasur më parë të dokumentuar janë akuzat e rënda të serbo-malazezve të dy komunave të Kosovës: të Vitisë dhe të Shterpcës të deponuara në Arkivin e Kosovës për bëmat e këqija të Avdylit gjatë viteve 1941-44.

Këto deklarata të rënda akuzuese serbo-malazeze flasin ashpër kundër Avdyl Durës, duke e quajtur deri në fashist, ku sipas tyre ky është maja e të gjitha të këqijave që bëheshin në serbë e malazezë të Vitisë e të Shterpcës e sidomos në organizimin e Luftës së Karadakut, ku ky ishte komandanti i 250-300 shqiptarëve të armatosur, të cilën gjë nuk e kanë mohuar as burimet e tjera.

Duke pasur parasysh, se ky emër u bë tmerr për serbo-malazezët, këtë burrë vigan nuk e mbanin as drynat e burgjeve, derisa u spiunua nga shqiptarët më 28 qershor 1949, duke e vrarë bashkë me Ramë Bekën, të rrethuar me ushtri dhe polici të ish-Jugosllavisë.

T’i kthehesh historikut familjar, familja Zenuni, qe pre e okupimeve të ndryshme që nga Bullgari i Parë, më 1915-1918, kur u syrgjynosën 16 anëtarë në Kampin e Radovishtit, nga i cili janë kthyer vetëm tri gra, e deri te Lufta Çlirimtare 1999, ku Durajt qe caku kryesor serb.

ARRESTIMI MASIV I FAMILJES DURA

Gjashtë maji i 1946-ës, filloi me arrestimin e 25 anëtarëve të familjes Dura, e cila me këtë arrestim masiv familjar të asaj kohe nuk ka ndodhur askund në hapësirat shqiptare, aq sa kemi ne njohuri. Kjo tregon represionin, torturën dhe dhunën e përbuzjen që ia kanë bërë okupatorët jugosllavë kësaj familje, e jo indidvidit.

Po ashtu, edhe regjimet dhe okupimet e tjera, familjen Dura-Zenuni e kanë pasur në sy përherë. Duke mos mundur, që gjithmonë të jetohet i robëruar, natyrisht se vëllezërit Zenuni janë rebeluar për kërkimin dhe lirinë e të drejtave të tyre, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Familja Zenuni, pos vëllezërve, nxjerr në shesh edhe veprimtarin e devotshëm të NDSh-së, Hajredin Fazliajn, i cili vdiq në Burgun e Mitrovicës së Sremit, më 1952 dhe kurrë eshtrat e tij nuk janë kthyer në atdhe.

Krah Avdylit dhe vëllezërve të tij, vihet edhe Ramë Beka me mikun Sadikun, të cilët pushteti jugosllav ua merrte djemtë disa orë pa u dhëndëruar dhe më kurrë nuk janë kthyer as të vdekur.

Të kesh këto mundime e mohim lirie, e të luftosh për t’i fituar ato, vërtet është një kontribut dhe sakrificë, që institucionet tona kombëtare - institucionalisht të kujtohen me ndonjë akademi përkujtimore mos më shumë, sepse janë burra që meritojnë edhe të futen në libra shkollor, por edhe në enciklopedi shqiptare për heroizëm dhe qëndrim dinjitoz kundër forcave të ndryshme jugosllave.

Figurat e tilla, si Avdyli, Rama, Din Fazliu, që kanë këtë përvjetor, duhet të jenë agjenda kalendarike për kujtimin e heroizmave të tyre – pa i anashkaluar as të tjerët, sado që të kenë bërë për Kosovën.

Aq më keq, tani e 66 vjet më parë, eshtrat e Avdyl Durës e Ramë Bekës janë në varreza të serbëve në Ferizaj, ku pushteti serb edhe në këtë formë e ka shprehur mllefin ndaj tyre. Kosova e lirë, tani e 15 vjet nuk arriti dot t’i zhvarros këta flijimtarë nga varrezat serbe (edhe pse janë bërë përpjekje nga familjarët) për t’i nderuar në varreza të bashkëluftëtarëve të tyre, ku do t’u ngrihet edhe ndonjë gurvarri për të pushuar të qetë, sepse pasardhësit e tyre – stërnipat e fituan lirinë, më 1999, të cilës i kishin paraprirë Avdyl Dura, Ramë Beka, Islam Brava, Hajredin Fazliaj, Sadik Tusha, Din Hoxha, etj.

DEKLARATA AKUZUESE PËR AVDYL DURËN

Vetëm këto shtatë deklarata arkivore të serbëve, që kanë shfryrë mllefin ndaj tyre mjafton për të parë se kush ishin ata për serbët. Më lejoni të citoj vetëm njërën shkurtimisht, pa i përmendur emrat e serbëve të vrarë, se një serb i jep deklaratën tek pasi mëson se Avdyli është i burgosur në Prizren. Kjo do të thotë, se sa ka qenë gjallë serbët e malazezët e kësaj ane nuk kanë guxuar të marrin frymë, sepse emri i tij ka qenë tmerr për ta.

Kjo është një deklaratë vullnetare e Kërste N. Stojanoviqit, bujk nga Gotovusha, që ai e jep pasi merr vesh se Avdyli është në burg në Prizren dhe nuk mundet t’i bëj gjë. Është dhënë më 20.VI.1945 në Komunën e Gotovushës.

Ai thotë, (përkthim imi nga serbokroatishtja): “Kam njohuri se Avdyl Dura është në burg në Prizren, i cili si fajtori më i madh i këtyre anëve më ka bërë këto gjëra: më 30 shtator 1944, vëllai im Draga N. Stojanoviqi, kafexhi prej katundit të Gotovushës është nisur për Shkup me kamion, të cilin e ka vozitur Mustafë Agjagiqi, i quajtur “Pelivan”, që në kohën e Shqipërisë gjendej në Ferizaj (ai edhe tash fshihet në Ferizaj – është fjala për atëherë, RA). Me vëllain tim kanë shkuar në Shkup edhe disa të tjerë. Me kamion kanë hy në Han të Elezit, ku në atë kohë shqiptarët i udhëhiqte Avdyl Dura në frontin Han Elez-Bllacë dhe Karadakun e Shkupit. Me atë rast ata janë zënë dhe janë bastisur, duke ua marrë Draga Stojanoviqit 300.000 leva dhe 190 napoleona; kurse katër të tjerëve ju kanë marrë 380.000 leva dhe dy lira. Kur ju kanë marrë këto para ka qenë i pranishëm edhe Imer Qerim Baftiu prej katundit Jezerc, i cili ishte përcjellës i Avdylit, i cili i mori me garancion, për t’i përcjell deri në Shkup dhe anasjelltas.

Këto të holla ua ka marrë kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Islam Brava prej katundit Dac (është fjala për katundin Pustenik, se Dactë janë familje, ashtu sikur Bravtë) me Avdyl Durën dhe Sadik Tushën, të cilët kanë udhëhequr në këtë front, ku shqiptarët kanë luftuar kundër radhëve tona partizane në Karadakun e Shkupit.” (Kjo dhe deklaratat e tjera origjinale janë në arkivin a autorit).

Është kjo koha, kur Lufta e Karadakut është në kulm, sepse më 19 shtator të atij viti janë vra dy vullnetarë smirakë, pjesëmarrës në atë luftë kundër forcave partizane serbo-malazeze dhe tani serbët e Gotovushës nëpër flakën e luftës duan të shkojnë me kamion për të bërë tregti. Natyrisht se këta më nuk janë kthyer të gjallë, se ishte luftë, por deklarata thotë, se pas përfundimit të luftës, kufomat janë gjetur dhe varrosur sipas riteve të tyre.

Këto deklarata të arkivuara flasin për kohën 1941-44, të veprimit të Avdyl Durës si kontraçetnik në bashkëpunim me organet policore e ushtarake të bullgarëve, sepse aso kohe, komuna e Kaçanikut, e Vitisë dhe e Shterpcës për ku deklaratat bëjnë fjalë ishin nën administrimin bullgar.

Njëra prej deklaratave kolektive është ajo që ka të bëjë për Grykën e Syrinikës, kryesisht për katundet joshqiptare. Aty është një tekst i gjerë dhe i gjatë ku flitet kryesisht për bëmat e Avdyl Durës si kontraçetnikë. Në atë shkrim janë nënshkruar 25 vetë, ku vetëm dy prej tyre nuk mund të lexohen qartë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora