Faleminderit
Murat Gecaj: Mic Sokoli, në piedestanin e nderit
E enjte, 30.04.2015, 06:56 PM
Në përvjetorin e rënies: Mic
Sokoli, në piedestanin e nderit dhe të lavdisë shqiptare
Nga Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
Në përvjetorin e rënies: Mic Sokoli, në piedestanin e nderit dhe të lavidsë shqiptare…
Mic Sokoli nji fjalë po e flet, i thuej nanës: ti, mirëmbetësh! Pa u farue Malësia krejt, këtu nuk hyn krajl as mbret!...
Beteja e
përgjakshme dhe legjendare e Slivovës, e fundprillit të vitit 1881, kundër
pushtuesve shekullorë osmanë, e ngriti në piedestalin e nderit dhe të lavdisë
shqiptare, birin e paharruar të Bujanit të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), Mic
Sokol Rama.
Në të djathtë të rrjedhës së lumit të Valbonës, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), kalimtarëve u bie në sy një shtëpi karakteristike. Ajo është Kulla e njohur e “Heroit të Popullit” Mic Sokoli, trimit të rrallë të atyre anëve, i cili me aktin e tij mbeti i paharruar dhe i skalitur me shkronja ari, në faqet e lavdishme të historisë së brezave.
Kishte lindur në fshatin Bujan, më 1839, në një familje me tradita të shquara atdhetare. Babai i tij, Sokol Rama dhe xhaxhai, Binak Alia, ishin dalluar si udhëheqës popullorë në kryengritjet e pandërprera antiosmane. Edhe Mici, qyshë në moshën 16-vjeçare u rendit përkrah forcave popullore, në luftë kundër pushtuesve serbo-malazëzë. Siç tregojnë dokumentet arkivore, kangët popullore dhe dëshmitarët e asaj kohe, ai mori pjesë në beteja të shumta, duke lënë kudo gjurmët e trimërisë dhe të guximit.
Në vitin 1862, Malësinë e Gjakovës e sulmuan afër 12 batalione osmane, të komanduara nga Mehmet Ali Pasha. Ishin të armatosur deri në dhëmbë e të pajisur me topa malorë. Ndër trimat malësorë, që u përballën me armiqtë pushtues, ishte dhe Mic Sokoli i ri.
Vargjet e këngës popullore dëshmojnë më së miri këtë gjë:
Mic Sokoli n' armë të bardha,
vendin Pashës s' mun' ia fala,
n' ujë e mbyta e armët ia ndala!
Ndërsa, duke përmendur betejat e mëvonshme, rapsodi popullor thotë:
Mic Sokoli n' dy tagana,
-udhë e mbarë,- m'i ka thanë nana;
lufto bir-o për Shqipni,
mos i le turqit me hy!
Përgjigja e kryetrimit ishte e tillë, sa mbeti përbetim i shqiptarëve në roje të tokës amtare:
Mic Sokoli nji fjalë po e flet,
i thuej nanës: ti, mirëmbetësh!
Pa u farue Malësia krejt,
këtu nuk hyn krajl as mbret!
Ndër aktet kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ishte dhe krijimi i ushtrisë kombëtare. Me këtë rast, nën komandën e Mic Sokolit, në Malësinë e Gjakovës u formua një batalion i posaçëm, që shërbeu si gardë e këtij Kuvendi historik. Kongresi famëkeq i Berlinit vendosi t'i jepeshin Malit të Zi tokat shqiptare të Plavës e Gucisë. Por kjo shënoi protesta të fuqishme mbarëpopullore. Në luftimet e zhvilluara, mbeti i plagosur djaloshi malësor Mic Sokoli, i cili nuk donte të kuptohej nga armiqtë dhe kërkonte ruba (fasho) për t'i lidhur plagët:
Sillni rubat, t'i lidhi varrët,
t' lidhi varrët e ta shtërngoj shtatin,
mos t' ma shohi asqeri gjakun...
Për t'i nënshtruar shqiptarët, Porta e Lartë dërgoi në Kosovë e në malësitë e Veriut mareshallin Ali pashë Maxhari. Po trimat shqiptarë ishin të vendosur që ta bënin "dekën si me le". Me prijësit e shquar në ballë, si Mic Sokoli, Ali Ibra, Haxhi Zeka, Binak Alia etj., ata bënë betimin që:
Tokën e të parëve mos m'e dhanë,
pa u mbushë vorre anë e mbanë!
Malësorët trima vërshuan drejt Gjakovës, ku ishte vendosur komanda e ushtrisë armike dhe iu shkaktuan atyre dëme të mëdha, në njerëz e armatime. Me gjithë masat e ashpra, që po merrnin ndaj shqiptarëve, ata nuk nënshtroheshin. Përsëri Porta e Lartë nisi një gjeneral tjetër gjakatar, Dervish Pashën, në krye të një ushtrie të madhe. Ndërkaq, në Malësine e Gjakovës komandantët trima, si Mic Sokoli, Ali Ibra etj., dhanë kushtrimin e përgjithshëm, me thirrjen: "Në shtatë e në shtatëdhjetë, për mbrojtjen e vatanit!'
Kënga popullore bëhet dëshmitare me vargjet:
Mic Sokoli po bërtet,
Ali Ibrës po m'i thërret:
-Merr' bajraqet e hajde shpejt!
Më tepër se 3 mijë luftatarë malësorë u sulën drejt Slivovës. Kurse konandantët armiqë, siç dëshmon kënga popullore, pyesnin:
Ku i ka çadrat Mic Sokoli,
ku i ka çadrat, ku i ka t' parët?/
M' ka çue mbreti me ja çartë.
Me ja çartë m' ka çue mbreti,
se don me kenë krejt në veti!
Pra, qëllimi i tyre ishte ta dëmtonin sa më shumë Mic Sokolin dhe forcat e tij, pasi këta donin të ishin të lirë e të pavarur. Në këto kushte, në ballë të sulmeve armike, luftëtarët e Malësisë së Gjakovës u vendosën në Grykën e Carralevës, me Mic Sokolin në ballë. Betejë e përgjakshme u zhvillua sidomos më 22 prill 1881. Luftime me armë, përleshje trup me trup. U plagosën rëndë Sulejman Vokshi, Ali Ibra etj. Në këtë kohë, Mic Sokoli printe përpara, përmes një shtegu, në ballë të luftëtarëve. Predhat armike e ndriçonin vendin për rreth. Një top i markës "Krup" villte zjarr papushim, nga një kodër përballë Grykës së Carralevës. U vranë e u plagosën disa shqiptarë. Mori plagë në trup edhe Mic Sokoli, por nuk tërhiqej.
Kënga popullore bëhet dëshmitare e atij akti tragjik, por dhe heroik e i rrallë në histori:
Mic Sokoli ban me dorë:
-Bini, shokë, se s' mujë me folë,
se m' ka ra do gjak në gojë;
se m' ka ra do gjak në bark,
shtatë martine i kam në shtat...
Më tej, kënga jep një dëshmi tjetër nga ajo përleshje, për jetë a vdekje:
Man Avdia bveti (pyeti) fisin:
-A m'i patë Zmajlin e Micin?
- Fyt për fyt-o me Dervishin!...
Si një
ortek
Kulla e Mic Sokolit, në Bujan të Malësisë së Gjakovës(Tropojë), ku përherë valëvitet krenar Flamuri ynë Kombëtar …