Zëri legal i këngës etnike
Nga Azem PARLLAKU
Është e
padiskutueshme që, Ilir Shaqiri, ky këngëtar emblematik i Ballkanit, të mbetet ai
personaliteti, e zëri që më së miri, përmes këngës ka artikuluar, Çështjen
Kombëtare Shqiptare. Ilir Shaqiri është, një prej këngëtarëve më prodhimtarë,
që me tekstin, zërin, e muzikën e këngës së tij, i ka bashkuar në një odë, të
gjithë shqiptarët, ata të Shqipërisë, të Kosovës, të Çamërisë, të Malit të Zi,
të Preshevës, Arbëreshët e Italisë, e kudo gjinden shqiptarë në Diasporë. Iliri
i ka shtruar në konak, çdo ngjarje të rëndësishme, nëpër të cilat ka kaluar
Kombi ynë. Duke e përcjellë në këngë, jehonën e këtyre ngjarjeve, ai është
dëshmuar unik në talentin e tij, i përgjegjshëm, e i apasionuar, për të na
promovuar ne dhe brezave, vlerën e lartë artistike të epikës, e udhëtimit tonë
historik si Komb. Kënga historike, kënga për heroin, është kënga kryesore, që
Iliri e këndon, duke e shoqëruar me çdo lloj instrumenti, të traditës tonë
popullore. Iliri është këngëtari shqiptar, që dëgjohet më shumë nga të gjithë,
atë e dëgjojmë në Tiranë, në Shkodër, në Vlorë, në Selanik, në Shkup, Ulqin,
Prizren, Prishtinë, Luginën e Preshevës, Londër, Paris, Romë, Stamboll, Athinë,
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanadanë e largët, e ishullin Australian.
Ndërsa, kam qëndruar shpesh me Ilirin, më ka befasuar njohja e tij në lëmin
historik. Ilirin përherë e kam dëgjuar të kuvendojë plot pasion, njëlloj sikur
të dëgjosh të flasë, një ciceron, që përherë e ka çuar ditën në “kështjellën”, ku
ngjarjet dhe protagonistët, janë mbërthyer pazgjidhshmërisht. Në përmbajtjen e
këtyre bisedave, kam vënë re se Iliri, është kërkues, i cili priret të zbulojë
proçeset e zhvillimit të Kombit. Nuk është habi, kur e kam dëgjuar të këndojë
këngë të krahinave të ndryshme, ndërsa nuk kam dëgjuar, që dikush të këndoj si
Iliri. E kam dëgjuar të recitojë krijime krahinore të të gjitha trevave, ç’ka
më ka lënë të kuptojë se; …historia e Kombit u ngjizka nga historia e
gjymtyrëve të tij… Kështu Ilirin e kam dëgjuar t’i njohë të gjithë heronjtë,
madje për secilin prej tyre, t’i dijte dhe këngën. Nëpërmjet këngës Iliri
rrëfen, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershme ngjarje, mbresa,
përshtypje e gjykime, që nga mëngjesi i largët historik, të cilin na e kanë bërë
me dije Herodoti dhe librat e shenjtë. Këngëtarja e madhe Vaçe Zela, ka thënë
për Ilir Shaqirin; “…me zërin e tij Kosovën e ndjejë më afër…” Autori i mbi 600
këngëve, ku më shumë se 100 prej tyre këndohen për Dëshmorët e Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës, nuk diskutohet, që përveç atij, kush mund të na e sillte
Kosovën më afër. Nëpërmjet këngës së Ilirit, të cilën brezi ynë kishim mundësi
t’a dëgjonim në valët e radios, gjithëherë e më shumë, konturuam atë vizionin
tonë për Kosovën, e çfarë ndodhte aty me shqiptarët. Kënga epike e Ilir
Shaqirit, në ndërtimin e saj udhëhiqet prej ligjeve të përgjithshme të epikës
tonë historike. Atë e karakterizon, trajtimi i fakteve më tipike të së shkuarës
dhe të realitetit në Kosovë. Ilir Shaqiri ishte, e është këngëtari i aksionit.
Ngjarjet, heronjtë, motivet, kontrastet, e qëllimet, në këngën e tij, përherë
kanë mbetur e mbesin në aksion. Si zëri në aksion, ai është dokumentuar
qartësisht, si zëri më legal i këngës etnike. Arkitektuara e këngës së Ilirit,
ka gjallëri dhe reliev të fortë. Në këngën e tij është kristalizuar mënyra e
veçantë e hyrjes në të, aty fiksohet mjedisi historik në të cilin zhvillohen
ngjarjet, e me të njejtin kujdes gdhenden hollësitë e fakteve, profili moral
dhe luftarak i heronjve. Mbi këtë bazë janë ndërtuar dhe karakteristikat e
brendshme të formës artistike si; figuracioni poetik, struktura e vargut,
refrenet, rimat, etj. Drenicaku i lindur në Burojë, i shkruan vetë këngët.
Është Drenica e tij, ajo tokë që e mban lidhur dhe i ka dhënë fuqinë. Ilirin e
kam parë shpesh të preket, mbi varret e memorialet e Dëshmorëve të Kosovës.
Mardhënien e tij me Dëshmorët, me dhimbjen në rrudhat e baballarëve e
kraharorin e nënave të Dëshmorëve, e kam lexuar, si një nga kultet më të
shenjta të shqiptarëve. Sigurisht, që një këngëtar si ai, e ka të ushqyer
dashurinë për vendin, për gjuhën, traditën, zakonin e çdo gjë të përbashkët
shpirtërore të Kombit. Me atë shpirt prej poeti, e zëri në aksion, ai më mirë
nga kushdo e di që luftëtarët vijnë. Ata vijnë, ashtu të gjallë në këngën e
tij, ata shkojnë në luftë sikur ajo të ishte dasëm, ata të gjithë mbahen lidhur
dhe në unitet, e sërish vijnë e ne i presim. Në një intervistë, që i kam bërë
Ilirit në vitin 1999, intervistë të cilën e zbardha në gazetën “Shekulli”, në
Maj të atij viti, i lashë Ilirit, të zgjidhte titull për këtë bisedë, e ashtu
siç tha ai, u vendua në gazetë; “Luftëtarëve të lirisë u ka hije kënga”.
Përpos, profilit të tij si intelektual, Ilir Shaqiri ishte bërë një ujvarë e
pashtershme frymëzimi, për të gjithë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të
Kosovës. Tek Iliri, kam vënë re se; patriotizmi është në fazën e tij më të
lartë, e origjina e tij tregon se kjo ndjenjë nuk është spontane. Ashtu të
arsyetuar, kam pikatur idealin çlirimtar e vizionin e qytetarit të lirë, sa
herë e kam dëgjuar të këndojë, apo kur kam pirë çaj me Drenicakun Shaqiri. E ku
më shumë se në Drenicën e Ilirit, e gjejmë të dalluar atë pasuri të traditës së
epikës historike legjendare. Rapsodët e kësaj ane e mbajtën të gjallë këtë
traditë, duke e pasuruar dhe trashëguar brez pas brezi. Shtrati historik i
këngës në konakun e burrave, kish folur për legjenda dhe heronj si protagonistë
në të tilla, për trima, burra, kapedanë e kaçakë, për njerëz të urtë e
liridashës. Rapsodët e Drenicës këto këngë i këndonin bashkë me të vegjlit në
mjedisin aty në kullat e tyre, në mbrëmje e sebepe me miqtë, përpara e pas
kuvendeve të burrave, në festat popullore, e në dasma. Drenicakët këto këngë i
shoqëruan me lahutë, me sharki e çifteli. Të gjithë këngët mësoheshin, jo vetëm
nga të rinjtë, por dhe nga më të vegjlit, dhe gratë, për të ardhur deri në
ditët tona, ashtu të pasura në repertor plot lirikë dhe baladë. Është mardhënia
me këtë truall, Drenicën e tij, që i ka dhënë e i jep Ilir Shaqirit profilin e
zërit përherë në aksion…
