E enjte, 19.05.2022, 09:36 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Vangjush Ziko - ''Korça''

E hene, 29.12.2014, 03:06 PM


Mbresa dhe mendime për librin KORÇA, Qyteti dhe kujtime të VANGJUSH ZIKOS

NGA KRISTAQ TURTULLI

Kam përshtypjen dhe jam lumtur për këtë; se vendi im i dashur, Shqipëria, i munduar, i djegur, i përgjakur, kalamendur, i ngritur dhe ringritur me mijëra herë, por asnjëherë nuk është nëpërkëmbur për tu humbur, shuar si dhjetëra vende dhe popujt të tjerë. E pra atdheu im i dashur, i begatë, i vogël sa një pikë në hartë, njëherësh shumë i madh, me territore të grabitura. Me të gjitha bukuritë natyrore, në kërthizë të Evropës. Ky vend që laget nga dy dete, vija ndarëse midis lindjes dhe perëndimit, epiqendra e civilizimit  e luftërave dhe erërave të mëdha. Ky vend për ne është sigurisht nga më të veçantat, më të privilegjuarat, më të adhuruarat, më të kënduarat nga bijtë dhe bijat e saj më të mirë, përgjatë rrjedhjes së harbuar të shekujve. Në mijëra vjet kjo tokë e amshuar është lavdëruar, përgjëruar, dashuruar deri në dhembje, me një impuls dhe përkushtim të jashtëzakonshëm si rrallë gjetkë. Me të drejtë bijtë dhe bijat më të mirë e kanë adhuruar, kënduar, më shumë se çdo vend tjetër të botës. ‘Shqipëri, më jep emrin shqiptar.’’ Zemrën ti ma gatove plot dëshirë dhe zjarr.’’ Ku balta është më e ëmbël se mjalta.’ ‘ Atje, ku kam qeshur, ku kam qarë, ku kam dëshirë të vdes...

Dhe sigurisht kam përshtypjen, se nuk ka qytet më i kënduar, më i adhuruar dhe më i dashuruar se qendra e hershme juglindore, e përparuar dhe e civilizuar qysh herët, vendlindja ime e dashur Korça. Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar qysh herët i këndoi: ‘Lumja ti o Korçë, o lule. Që le pas shoqet e tua. Si trime në ballë u sule, ta paçim për jetë hua. ’ Sepse në themelet e qytetit të Korçës janë hedhur dhe betonuar dashuria për kombin, njeriun, kulturën dhe jetën. Serenatat dhe këngët e grupit të hershëm Lira u kënduan me patos, njerëzve punëtorë dhe vajza të bukura duararta të këtij qyteti. O korçare o hiç fare. Dhe poetët  i kushtuan vargjet më të bukura:‘Kur unë të mos jem dhe ti do të jesh o djep i ngurtë i fëminisë.’  Penelat e Mios lanë gjurmë të pashlyeshme me rrugicat, ajrin e freskët dhe ngjyrat plot kolor. Stoicizmi i admirueshëm i Themistokli Gërmënjit, themeluesi i krahinës autonome të Korçës, në vitin 1917, i tradhtuar dhe i arrestuar pabesisht, qëndroi si dragua përpara skuadrës së pushkatimit, bile ai vetë dha shenjën për zjarr kur plumbat të binin mbi trupin e tij

Janë me dhjetëra e dhjetëra libra historikë, autobiografikë, poetikë, me kujtime, mbresa, përshtypje, kushtuar qytetit të Korçës, qytetarëve, traditës dhe natyrë së bukur të saj, prej autorëve të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë jetuar dhe punuar në Korçë, si Th, Mitko, N. Naçi, I. Mile, Pukëvil, Meri Walker. Poeti grek Nobelist Jorgos Seferis, i cili ishte konsull në qytetin e Korçës, Vasil Ballauri, A. Gjata dhe plot të tjerë. M. Walker e quan Korçën të ‘mrekullueshëm dhe të begatë.’

Pa dyshim vend të rëndësishëm në vargun e krijimeve dhe veprave të shkruara, kushtuar qytetit të dashur të Korçës, nuk ka se si të mos bjerë në sy vepra dinjitoze, voluminoze, e shkruar me përgjegjësi, finesë, dashuri, prej poetit të mirënjohur Vangjush Zikos, kur ndërkohë mbi supet e tij rëndojnë mbi tetëdhjetë vjet: ‘Korça’ qyteti dhe kujtime.

U emocionova kur autori flokëbardhë, edhe pse i thyer në moshë, energjik dhe mbahej elegant si dikur. Ai me shumë modesti dhe sinqeritet ma dhuroi me autograf këtë libër me vlerë, të sponsorizuar nga bashkia e qytetit të Korçës dhe të botuar dy vjet më parë në shtypshkronjën e traditës korçare:’ Kotti’.

Libri me kujtime: ’Korça’ e Vangjushit është e dalluar mes librave të tjerë me kujtime, të botuar në vite, kushtuar Korçës. Ka një paraqitje e rrallë, një histori e gjallë, një panoramë e pakrahasueshme e qytetit të Korçës, qysh në krijimet e tij të hershme, ngujimet e para dhe deri në ditë e sotme. Një vepër dinjitoze, që kushdo mund ta kërkojë dhe ta lexojë me kureshtje, dëshirë dhe seriozitet të lavdërueshëm, sepse në të do të gjejë shumë pjesë nga vetja, fëmijëria, familja, shoqëria, puna, meditimet, ëndrrat, dashuria dhe përjetimet e pazëvëndësueshme.

Që në kopertinën e librit të tërheqin vëmendjen fotot e vitit 1928, të dy prej godinave të hershme dhe të rëndësishme të qytetit të Korçës, kisha ’Shën Sotiri’ dhe kinema ‘Majestik’ me arkitekturë tërheqëse, elegante. Libri hapet me dy fjalë të autorit ku të tërheq vëmendjen thënia: ‘Korçari në vite e ka patur shumë të theksuar lidhjen e tij me qytetin e vet, aq sa është bërë proverbiale shprehja ’lokalizmi korçar.’ Një nga veçoritë karakteristike të karakterit korçar ka qenë lidhja e pazgjidhshme e tij me qytetin, me malet, kodrat, kalldrëmet, me oborrin me trëndafila dhe poçet me borzilokë dhe mbi të gjitha me vatrën familjare, me prindërit. Lidhja shpirtërore me qytetin e lindjes fillon me vatrën e shtëpisë, me ngrohtësinë familjare, nga pragu i shtëpisë fillon edhe qyteti yt dhe atdheu i gjithsecilit.

S’ka si të thuhet më bukur në një poezi të autorit kushtuar qytetit e vënë në hyrje të librit:

/Po të mos kisha pirë ujin tënd/ në prozhmet e Moravës të filtruar,/ po të mos kisha shkelur mbi kalldrëm,/ nga dora e korçarkës së pastruar. /Po mos isha ulur një mëngjes/ Në ato bango të Mësonjëtores,/ Të nxëja ato shkronja t’abecesë, /Të shkruara me gjak shenjtorësh. /Po të mos ishe ti, un’ jam i bindur/ Në jetë e në botë duke endur./ S’do mbaja unë lart kokën e thinjur,/ O djepi edhe varri im i dhembshur.

Siç e thotë dhe vetë autori, ky libër me kujtime për Korçën është si një rrëfim intim, si një serenadë malli.

Korça shtrihet rrëzë kodrave të Shën Thanasit e të Shën Ilisë, kodrave të gëlqerores, në prehër të fushës, që Gjon Muzaka e ka quajtur Devolli i madh dhe sot fusha me emrin e vetë qytetit. Vangjush Ziko qysh në faqet e para të librit na jep një informacion të bollshëm dhe të rëndësishëm për lashtësinë e qytetit të Korçës, duke u referuar dokumenteve të kohës dhe gjetjeve arkeologjike, si tumat e Barçit, mbeturinat e kalasë mbi fshatin Mborje, themelitë e kalasë së qytetit, varret romake të gjetura në shtëpinë e Vangjo Mborjes, përballë birra Korçës, varret me mbeturina të eshtrave njerëzore të zbuluara në territorin e bibliotekës, dëshmojnë se kjo rrëzë e vargmalit të Moravës ka qenë e banuar që në kohët e lashta prehistorike, antike dhe në mesjetë. Në dokumentin e parë historik:’Historia dhe gjenealogjia e derës së Muzakajve’ shkruar prej Gjon Muzakaj në vitin 1510, dëshmohet se themeluesi i gjenealogjisë Muzaka, Andrea Muzaka, që në vitin 1280- 1282, del se ai përveç zotërimeve të tjera kishte në zotërim dhe qytetin e Korçës, etj. Dokumenti i parë dëshmon për këtë, është dhe Regjistri osman i Korçës dhe i Përmetit (1431-1432) sipas tij del se kalaja e Korçës ka qenë e banuar me 26 shtëpi qe përpara pushtimit turk. Fermani i Sulltanit i vitit 1495 i jepte Iljas be Mirahorit qytezën e Peshkopisë, (Shen Ilia) ku banonin 15 familje të krishtera, etj, Kalaja numëronte 33 familje të krishtera që e ruanin atë. Iljas beu Mirahori dhe bijtë e tij luajtën një rol të rëndësishëm për zhvillimi dhe zgjerimin e qytetit, për arsye siç dëshmon Kodiku, gjenin strehim fshatarë, që kërkonin punë dhe mbrojtje, ata zbrisnin nga lartësitë e Oparit, Gorës, të Voskopojës dhe Vithkuqit. Por atij nuk mund ti vihen atributet absolute të themeluesit të qytetit të Korçës, sepse themelet e këtij qyteti ishin hedhur qindra vite më parë...

Autori na jep një informacion të plotë, me kompetencë dhe njohuri të respektuara, si lindi emri i qytetit, ashtu si nuk i vihet njeriut emri sapo lindet. Dhe autori shprehet bukur poetikisht: Kush e shqiptoi i pari, kush i vuri emrin qytetit tim, kush u bë kumbarja dhe kush dhe ku e shkroi i pari atë emër? Këtë unë nuk e di, por as të tjerët. A nuk ndodh kështu edhe me njerëzit?

Për herë të parë emri i Korçës, del i shkruar në Regjistrin Kadastral Osman të vitit 1431 me fjalën Gjoricë. Hipoteza të tjera, se ky emër vjen nga titulli’ Koxha’( në turqisht) i madh i nderuar. Hipoteza tjetër se ky emër vjen nga fjala greqisht ’koritsa (çupë), që ia vuri hegjemoni i kalasë së Mborjes duke iu kushtuar vajzës së tij, etj. U zgjata pak në këto të dhëna mbasi shfaqin interes për këdo që do të dijë më tepër për të shkuarën e afërt dhe të largët të qytetit të Korçës.

Autori Vangjush Ziko, është një histori e gjallë qytetit të tij të lindjes. Zemra e një intelektuali të mirëfilltë, e një artisti, e një poeti mund të shkruajë me aq mall, përgjegjësi, patos dhe dinjitet për qytetin e tij të lindjes. Ai e ka ndarë librin e tij, Korça, qyteti dhe kujtime, në disa pjesë, ku vendin më të rëndësishëm e zë pjesa e parë:

Një jetë bashkë me Korçën, që ka të bëjë me gjithë rrjedhën e pandalshme të qyteti të tij të lindjes, të rritjes, të shkollimit, të burrërisë dhe plakjes dhe nëpërmjet kësaj na jepet dhe vetë qyteti si një film me metrazh të gjatë, në rrjedhën dhe panoramën e ndryshueshme në vite të qytetit të Korçës. Ai na përshkruan lumin e qytetit, më të rinjtë as që mund ta kenë parasysh. Ky lumë në vërtetë ishte një përrua malor i Moravës. Ky përrua herë ishte i qetë si një rrëkezë e kulluar dhe në dimër bëhej i trazuar, i turbulluar për disa çaste i çmendur fare, aq sa kishte marrë dhe jetë njerëzish.  Urat e drunjta, të varura dhe me parmakë hekuri të cilat nuk janë më, mund të gjenden vetëm në memorien e më të moshuarve dhe në ndonjë fotografi e ngelur aksidentalisht në ndonjë raft të vjetër. Në vend të lumit dhe urave është ndërtuar bulevardi i hijshëm, me lulishte në mes,’Fan Noli.’

Qyteti i Korçës qysh herët ishte i organizuar, i ndarë në mëhalla dhe lagje të rëndësishme, të cilat në fillimet e veta ishin krijuar sipas përkatësisë krahinore dhe asaj shoqërore me shtëpitë e ngurta që qëndronin ngjitur, sup më sup me njëra tjetrën. Më të dalluarat gastra e Kasabasë kishte lagjet e Çarshisë, të Batakut, të Qoshkut, të Deresë. Në ngastrat e Varoshit kishte lagjet Mano, Barç. Jani Mëhallën , Qiro, Penço, Manço Mando, lagjen Kala etj. Por më vonë vetë zhvillimi e gjendja ekonomike e njerëzve solli humbjen e grupime në bazë gjinie dhe u kthyen në njësi të mëdha e më kompakte urbanistike, pra si bashkësi territoriale. Më vonë më të diferencuara shoqërore dhe klasore.

Autori është  i ndjeshëm dhe njerëzor për lagjet me ngjyrë të qytetit, te Kulla e Hirit, për njerëzit e saj, të cilët ishin punëdashës dhe ushtronin profesione të ndryshme. Ndër të tjera për ta autori thotë:

‘Kisha përshtypjen se lëkurën e fytyrës së tij e kishte nxirë dhe pjekur afshi i prushit të qymyrit, të cilit i frynte vazhdimisht me një tubo të hollë dhe të gjatë metalike, duke ngjitur enët, kurse mjekrën duhej ti a kish përthinjur hiri i prushit.’ Një portret emocionues që të ngelet në mëndje dhe syri i fëmijës e kishte dhënë të saktë dhe me ngjyra të forta. Hamejtë e qytetit dhe muzikantët e dalluar me në krye të paharrueshmin të talentuarin, fizarmonicistin virtuoz Abaz Hajro.

Nuk ka se si të mos zërë një vend të rëndësishëm në libër dhe pazari i famshëm  i Korçës dhe hanet e tij. Kodiku i Korçës dëshmon se qyteti kishte hyrë që në shekullin e tetëmbëdhjetë në marrëdhënie tregtare me krahinat Shqipërisë së mesme dhe me vendet jashtë deri tutje, te Venetiku dhe gjetkë. Përshtypjet e tij që kur ishte fëmijë për pazarin e Korçës me kujtime të pashlyeshme. Kodiku i Korçës dëshmon se qyteti në gjysmën e dytë të shekullit XIX , kishte disa pazare, pazarin e madh, dhe pazare të vogla si ai i Kullës së Hirit dhe pazari i sheshit të Mitropolisë. Në vitin 1884 Korça kishte mbi shtatëqind dyqane. Në fillimet e shekullit të njëzetë, pazari i madh që ishte pranë xhamisë së madhe numëronte mbi 1900 dyqane guri.

Dyqane me qepena druri, ose me kanata të palosura prej hekuri, ose me llamarina të lyera me bojë vaji, zejtarëve, këpucarëve, rrobaqepësve, teneqexhinjve, lëkurëpunuesve etj. Dyqanet qenë mbushura dingë me mallra ku lëvronte tregtia dhe jeta. Me një numër të madh furrash pjekjesh buke dhe tavash, qebaptore, restorante dhe kafene. Korça aso kohe kishte një nga pazaret më serioze dhe më të mëdha të Ballkanit. Por rol për zhvillimin e qytetit dhe të tregtisë luajtën dhe hanet e shumta të ngritura përqark pazarit. Ato ishin dykatëshe dhe me kushte të përshtatshme me kohën dhe mjedisin, të cilët autori i shikonte hanet me kërshëri të përzier me një ndjenjë misteri, disi të frikshme, duke menduar se atje vinin për të bujtur njerëz të panjohur, jo banorë të qytetit të tij. E veçantë ishte se çdo han kishte klientelën e vet të përhershme, të cilën e përcaktonte dhe emri i hanit, si p sh, Hani i Shuleve vinin fshatarë nga zona e Prespës...Por në vite, kur autori rritej së bashku me qytetin dhe kur ecte përpara portave të hapura të haneve, nuk provonte më ndenjën e dyshimit dhe të frikës, por ndjenjën e mburrjes, mbasi Korça me mençuri reflektonte fuqinë ekonomike dhe sigurinë që kishte jeta e njeriut në këtij qyteti me shikim perëndimor. Autori ndjehej i lumtur që ishte lindur dhe rritej në këtë qytet, që respektohej dhe adhurohej nga bujtësit dhe vizitorët e shumtë.

Vëmendja dhe ditari i madh i krijuesit Vangjush Ziko është i gjallë dhe tejet i larmishëm për qytetin e lindjes. Ai na jep me dashuri sokakët e qytetit të Korçës, të cilët i kanë quajtur korçarët brez pas brezi rrugët e shtruarave kalldrëm, me gurët e zinj të lumit. Këto rrugë përshkojnë qytetin nga lindja në perëndim dhe nga veriu në jug. Bukuria dhe veçantia e këtyre sokakëve nuk është vetëm veshja e tyre me kalldrëm,por edhe vijat drejta nëpër të cilat ata shtrihen. Syri të kënaqet dhe gëzon kur shikon që lart nga kodrat, blloqet e mëhallëve dhe ngastrat e shtëpive të ndara si fetat simetrike të një bakllavaje gjigante. Njerëzit e thjeshtë, punëdashës, kalldrëmxhinjtë, që shtruan këto kalldrëme të bukura, që mbetën simbol i heshtur i stërgjysheve tanë. Të ëndrrës së tyre për një jetë të pastër, pa baltë dhe gropa, si rrugët e botës së përparuar.

Në kodikun e Korçës, kur përshkruhen stilet e shtëpive që prej dy shekuj më parë, si një karakteristikë e veçantë e Varoshit lagje e vjetër e Korçës, jepet hobi i korçarëve për të zbukuruar oborret e shtëpive me saksi me lule, traditë e cila i mbeti qytetit brez pas brezi. Autorit kur ishte fëmijë oborri i luleve i jepte magjinë e përrallave të një mijë e një netëve, prej larmisë, ngjyrave dhe bukurisë së luleve.

Vangjushi na flet për bulevardet e qytetit të Korçës, sipas Nuçi Naçit i cili në vitin 1901 shkruan: Udhët e Korçës janë të paqme dhe të ndërtuara me gurë, të lënë përshtypje të veçanta. Bulevardet e qytetit kanë qenë jo vetëm arterie ndërlidhëse kalimi por edhe mjedise për shëtitje të qytetarëve. Nikollaq Zoi, në librin e tij me kujtime,thotë se tradita e shëtitjeve korçare në bulevard ka filluar që në vitin 1916, pra një shekull më parë.

Autori na përshkruan me ngjyra të ndezura ditën e karnavaleve, që zhvillohej zakonisht në ditë e para të marsit, si visheshin dhe argëtoheshin të rinjtë dhe të rejat e asaj kohe.

Nuk ka se si të mos ndalet autori në librin e tij ‘Korça,’ kujtime, në serenadat e famshme, mrekullia e muzikës korçare. Të cilat janë krijuar shumë herët, në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë. U krijuan në fillim paretë (shoqëritë) që i dhanë hov zhvillimit të ndjenjave muzikore qytetare në Korçë. Korçari është sa punëdashës aq dhe muzikëdashës. Seranada luajti një rol të rëndësishëm, solli një kulturë qytetare, kultivoi një moral të ri qytetar, një etikë të re të ndjenjave intime, ajo hapi dyert e një emancipimi shoqëror, e afrimit me botën e qytetëruar. Kushtet për përhapjen e muzikës së serenadës i përgatit shkolla në gjuhën shqipe, lëvizja autonomiste e vitit shtatëmbëdhjetë të shekullit të kaluar, shoqëritë muzikore, ballot e famshme korçare, dhe koncertet e ndryshme e të shpeshta. Dhe prej më se një shekull e gjysmë, më shumë se shtatë breza serenadistësh, nuk është pak dhe kanë dalë me dhjetëra këngëtarë të shquar. Dhe autori na rendit një varg emrash të nderuar. Autori me të drejtë dhe me krenari na thotë se serenada është simboli, etaloni artistik, kulturor dhe shpirtëror i Korçës...

Fletët e librit të madh të historikut dhe të jetës së qytetit të Korçës në vite, pasqyruar me aq dashuri dhe përkushtim prej Vangjushit shfletohen njëra pas tjetrës, të mbajnë ngrehur të tërheqin pas vetes dhe nuk  e ndjen si rrjedh koha, sepse në të ka gëluar jeta dhe gjallëria e pakrahasueshme me të tjerat. Ai na përshkruan me dashuri çezmat, puset me ujin e pijshëm  dhe të pastër si kristali dhe përrenjtë të cilat një qytet pa ujë do të ishte një qytet i dënuar për vdekje të sigurtë. Nga kodiku i Korçës në vitin 1799 në qytetin e Korçës ka pasur disa çezma të vogla me shpenzimet e Mehmet pashës nga fshati Plasë, e kështu me radhë janë ndërtuar çezma të reja. Një traditë e bukur të çezmave sulinarëve kanë qenë ato të premteve mbrëma, kur nuset që martoheshin, me stomnë në dorë do të vinin të mbushnin ujë përpara ditës së dasmës të shoqëruara nga kori i grave: merr stomnat çap për ujë moj nazeshumë...

Autori me përkujdesje dhe  kujtesë të lavdërueshme na përshkruan dhe të shtunat korçare e cila ishte dita e shënuar e higjienës e pastërtisë, dita e higjienës së shtëpisë dhe të trupit, që ishte dita e shtunë. Për gratë e shtuna fillonte qëmenatë me spërndritjen e shtëpisë. Ngriheshin udhët shkorsat, qilimat, ato shkundeshin jashtë në rrugë. Pas punëve të brendshme i vinte radha oborrit dhe sokakut...Vangjushi me penelata të ndezura, na jep një panoramë të veçantë dhe të vërtetë pune prej amvisave të mira të shtëpisë. Gjithashtu na flet me hollësi edhe për zahiretë e dimrit traditat korçare ashefin korçar, artizanatin familjar. Vendndodhja e qytetit, në një lartësi mbi tetëqind metra mbi nivelin e detit, i qarkuar me male të larta, klima e tij tipike kontinentale, me dimër të ftohtë dhe verë të nxehtë, kish përcaktuar dhe mënyrën e jetesës, të ushqyerit, të veshurit dhe të mbrojturit nga dimri egër i banorëve të tij. Vangjushi nuk lë pa përmendur lojërat dhe lodrat të fëmijërisë të cilat janë aq të bukura dhe të veçanta sa ngandonjëherë të merr malli dhe bëhesh nostalgjik, sepse shumë prej tyre tashmë janë zhdukur për shkak të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe sociale.

Vangjush Ziko tek pjesa interesante: Fytyra e Korçës, hyn në analizë të thellë meditative, duke na treguar se qyteti dhe fytyra e tij është e dukshme dhe e padukshme. E dukshme është pamja vizuale, planimetria e rrugëve shesheve, stili, ndërtesat etj. Ana e padukshme janë tiparet, karakteristikat të banorëve, të jetës brenda mureve të shtëpisë, të sjelljes të kulturës materiale dhe shpirtërore të tyre, të moralit dhe të etikës. Pastaj autori vazhdon, është e padiskutueshme se fytyra e qytetit dhe e qytetarit është formuar në rrjedhën e vet disa shekullore, në dhjetëra dhe dhjetëra breza, por ajo nuk mund të mbetet kurrë statike, do të ndryshojë dhe po ndryshon nga dita në ditë...

Sigurisht autori nuk mund të rijë pa përmendur filantropët e mëdhenj korçarë që i dhanë një ndihmesë të jashtë zakonshme qytetit të tyre të dashur Korçës dhe që i ndryshuan faqen. Si Anastas Lakçe, Mandi Tërpo, Marko Vasili, Lefter Pepo.

Por filantropi më i madh në shkallë Ballkani është padyshim Thoma Turtulli, i cili me iniciativën bujare ndërtoi bibliotekën e parë të qytetit e cila mban sot emrin e tij. Spitalin e madh të qytetit dhe ndërtesën e re madhështore të liceut të Korçës. Pra bamirësi i pakrahasueshëm Thoma Turtulli i dha si dhuratë qytetit të tij të dashur, tre pika kyçe të rëndësishme që duhet të ketë një qytet modern për kohën; ruajtjen e shëndetit, kulturën dhe dijen. Por për këto bamirësi të pakrahasueshme, si shpërblim pushteti komunist dhe vetë Korça, i dha familjes dhe gjithë fisit Turtulli, mohim, shpronësim, përndjekje, burgosje.

Korça, qytet evropian, na thotë autori duke iu referuar shtypit të kohës të atyre viteve. !927. H, Ch. Woods korrespondent i’ The Daily Telegraf’ shkruante ndër të tjera se Korça është një nga portet më interesante shqiptare. Në vitin 1938 gazetari i njohur italian Indro Montaneli shkruan se Korça është një qytet i baraspeshuar dhe se në Korçë gjeti një qytet me 25 mijë borgjezë, një Milano të vogël. Korça dhe qytetarët e saj, në ato vite me përkushtimin dhe dashurinë për punën dhe përparimin ka pasur një bum, si në aspektin ekonomik, po ashtu dhe kulturor. Jo më kot në atë kohë quhej Parisi i vogël.

Nga fundi i librit autori ka shënuar pjesë të ndryshme humoristike, me humor të hollë korçar të qëmtuar në vite, që padashur vë buzët në gaz, prej mençurisë dhe finesës së njerëzve të thjeshtë. Gjithashtu fjalë fluturake siç i ka quajtur Naimi i madh, pra fjalë të urta popullore dhe poezi të përzgjedhura nga librat e tij.

Ndjehem jo fort optimist për fotografitë e librit në fjalë: ‘Korça qyteti dhe kujtime, mbasi ato janë për të dëshiruar, jo shumë cilësore, kur ndërkohë vetë lënda, libri ka vlera të patjetërsueshme. Autori është munduar ti ilustrojë me fotografi të rëndësishme mbi jetën e qytetit, doket, zakone, artizanatin, pamjet e rrugëve, ndërtesave, objekteve të kultit dhe plot foto të tjera, të cilat nuk janë më mbasi koha ka bërë të veten, por me një përkujdesje dhe seriozitet të botuesit të librit mund të jepnin fotove një vlerë akoma më të madhe, kur ndërkohë fotografia, pastrimi prej vjetërsirës dhe kohës ka arritur nivele mjaft cilësore.

Korçarët prej vitesh, thotë autori kanë mërguar në shumë vende të botës të cilët në kohë janë kthyer të vdesin në vendin e tyre, në qytetin e tyre. Korça ka magjinë e tërheqjes. Dhe autori Vangush Ziko, i librit të dashur ‘Korça, qyteti dhe kujtime,’ aktualisht jeton shume larg, përtej oqeanit, në Kanada, me bijtë e vet, por malli dhe zjarri i tij është i pashuar. Ai nuk resht së shkruari libra me poezi dhe me kujtime, ka një vrull të admirueshëm si djalë i ri. Kur bisedon me të, të duket sikur ke përpara në enciklopedi të pafundme. Ai më me thjeshtësi më tha se porsa dërgoi për botim një libër tjetër me kujtime, kushtuar fshatit të dashur të nënës së tij, Dardhës, dhe përnjëherësh mbushesh i gjithi respekt për moshën e thyer, fisnikërinë  dhe me admirim për seriozitetin, dashurinë për qytetin e tij, letërsinë, të renë, progresin dhe përkushtimin.

Duke ndjekur faqe pas faqe të librit e ndjen se flladi i dashurisë dhe sinqeriteti e përshkon. Mes të tjerave autori thotë:’ Nuk e di pse vetja më ngjan me atë zogun shtegtar, që mban në katëkun e vet një guriçkë, një thërrime shkëmbore nga mali ku ka çerdhen e vet. Këtë hajmali të shenjtë e mbaj në gjoksin tim për tetëdhjetë vjet me radhë dhe për tërë jetën...

Dhe fill pas këtyre mbresave të mia për librin Korça, kujtime, sigurisht të duken akoma më të ndjera vargjet e poetit  Vangjush Ziko kushtuar Korçës qyteti të tij të dashur;

 

Korçës

 

Po të mos kisha pirë ujin tënd

Në prozhmet e Moravës të filtruar,

Po të mos kisha shkelur mbi kalldrëm,

Nga dora e korçarkës së pastruar.

 

Po mos isha ulur një mëngjes

Në ato bango të Mësonjëtores,

Të nxëja ato shkronja t’abecesë,

Të shkruara me gjak shenjtorësh.

 

Po të mos ishe ti, un’ jam i bindur

Në jetë e në botë duke endur.

S’do mbaja unë lart kokën e thinjur,

O djepi edhe varri im i dhembshur.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora