E premte, 30.07.2021, 02:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Gani Qarri: Në shenjë ngushëllimi ndaj Poetit

E hene, 22.12.2014, 09:11 PM


Në shenjë ngushëllimi ndaj Poetit

Nga Gani Qarri, Cyrih

Me pikëllim të thellë, këto ditë morëm lajmin e rëndë dhe të papritur për vdekjen e djalit të poetit Visar Zhiti. Një dhembje e madhe, që do të mbahet mend gjatë, e cila iu shtua familjes ,krijuesve dhe popullit shqiptar në përgjithësi.

Rasti i tij tragjik, sikur dëshmon edhe një herë se Zoti, vërtetë  marrka njerëzit e veçantë pranë vetit, siç thuhet tash e sa kohë në besëtytnitë tona.

Apo ndoshta, të shumëvuajturit i munduaka edhe ai më tepër në këtë jetë, për të cilën gjithmonë thuhet se është e rrejshme dhe e mundimshme. Sidoqoftë, për momentin nuk është më me aq rëndësi se cila nga këto fakte, ka domethënie dominuese!

Ajo që dihet dhe bëri të vuajnë të gjithë ata që e deshën dhe e duan Poetin Visar Zhiti, të cilit edhe në këto çaste dhembjesh të rënda i qëndrojnë pranë, është fatkeqësia që këto ditë i ndodhi, kur papritur dhe në moshën më të mirë, djali i tij i vetëm humbi jetën!

Lajmi se Atjoni mbylli sytë përgjithmonë,si biri i njërit prej poetëve më të shumëvuajtur gjatë sistemit të kaluar, njeriut shembullor dhe personalitetit të veçantë të artit dhe kulturës sonë kombëtare, në moshë kaq të hershme dhe mënyrën më të dhimbshme, na preku në shpirt të gjithë neve, si ata që jetuan dhe bashkëpunuan nga afër me Visar Zhitin, ashtu edhe ata që e njohën atë përmes punës së tij krijuese, njëjtë bashkë-ndjejnë në zemër dhembjen e thellë, që ai me familje kalon në këto çaste.

Për fat të keq, nga ajo sa pamë në media,goditja ishte e tillë dhe nuk la asnjë mundësi shpëtimi për Atjonin, ndaj urojmë që në përjetësinë ku ai ka kaluar për të mbetur përgjithmonë në kujtesën e më të dashurve, Babait, Nënës, familjarëve, miqve e dashamirëve të shumtë, anë e mbanë trojeve shqiptare, të pushojë në qetësinë e parajsës së amshuar.

Është mese e natyrshme që humbja e çdo jete njeriu shkakton dhimbje, por rasti i vdekjes së papritur të djalit të vetëm të poetit Visar Zhiti, në rinin e hershme të tij, kaloi çdo kufi të ndjeshmërisë personale, dhe këtë dhembje e bashkë-ndjejnë, jo vetëm familjarët, miqtë, shokët e dashamirët, por siç u pa edhe në realitet nga reagimet e shumta anë e mbanë globit, shuarja para kohe e tij, u shndërrua në vuajtje të përbashkët për të gjithë shqiptarët pa dallim, kudo që ata ndodhen dhe jetojnë.

Ndaj, me dhembje të madhe dhe zemër të thyer, nga thellësia e qenies njerëzore, ngushëllojmë sinqerisht Poetin Visar Zhiti, bashkëshorten dhe bashkë-familjarët, duke u lutur për shpirtin e djalit të tyre dhe uruar që Perëndia, atë ta ketë vendosur në parajsën e tij të zgjedhur për njerëzit më të mirë, të ri e të pafajshëm,si Atjon Visar Zhiti. Amin!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora