E premte, 30.07.2021, 01:04 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Momentalja në art

E diele, 21.12.2014, 09:07 PM


Momentalja në art

Nga Dr. Ilir Muharremi

Kur ulem të punoj rrallë herë e di se çfarë do të bëjë, por nëse e di se çfarë do të bëjë, unë nuk do ta bëjë, por është edhe e kot ta bëjë. Enigma, ndjenja, pakontrolli gjatë momentit më shtyjnë të ec, të vazhdoj të gjej atë që fillojë ta ndjejë, pa e kapur, të përhumbem si një i dashuruar, dhe prapë mendoj se jam në rrugë të gabuar. Artistët shpesh përpiqen të tërhiqen, por nuk duhet të tërhiqen, stoikisht të qëndrojnë. Atë çfarë të thotë zemra nuk ta thotë mendja, këtu më shumë shpresohet në atë çfarë nuk paramendohet, thellësisht është  rastësi e kontrolluar, formohet nga momenti i cili korrigjon, shtyn krijimin. Jeta përpiqet të vazhdoj mbi momentin me kontrollonin ligjin, por ajo çfarë ndryshon rrënjësisht, është momenti Pse ndryshon njeriu dhe servilizohet ndaj momentit? Në moment ekziston absolutja, ajo më e imëta, pastaj momenti dhe përjetësia. Duhet të vazhdohet, për diçka që nuk dimë as vetë, këtu kemi rrënjët e filozofisë pa përgjigje, drejt hiçit. Mjafton të shtyhet me ëndrra momenti. Ëndrrat e shkrimtarit nuk abstenojnë nga e vërteta, e vërteta krijuese përmbledh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Nuk është e rëndësishme në jetë të mendosh për të kaluarën dhe të ardhmen, e rëndësishme është ta sfidosh momentin.

Matisi, në një nga tablotë e tija e nisi me një vazo lule dhe e përfundoi me nudo. Rastësia momentale jep përfundimin, por për çdo gjë duhet një fillim. Këtu artisti nuk duket sikur fëmijë që e ka humbur rrugën, veçse thellohet më shumë në vetveten dhe gjatë rrugës largon udhët e tepërta. Piktori mund të prish skenën në telajo, derisa të arrin kënaqësinë e formimit të saj. Sipas Balzakut, rastësia është artisti më i mirë, por edhe rastësia vije nga e kaluara drejtë të ardhmes, vetëm se kënaqësia krijon ndalesën dhe përmbledhjen e skenës. Bakoni, besonte në artin e kontrolluar, këtu vepra përfillet si një rrjedhë dëshmish të shkëputura.

Arti i madh na del se thellësisht është i kontrolluar, kontrolli udhëhiqet nga vetja. Por, nga njëra anë të punosh kot, të dish që krijimi yt vdesë brenda ditës, dhe nga ana tjetër të krijosh për shekujt, i bie të mohosh dhe të çosh në qiell, kjo është një rrugë e krijuesit momental. Boshllëkut dhe kontureve t’i jep ngjyrat e tij. A ka rëndësi në vetvete vepra e madhe artistike? Më shumë ka rëndësi fakti që e vë në provë njeriun-artist duke i dhënë mundësi t’i mposht fantazmat e tij e t’i afrohet realitetit lakuriq. Të mos e ngatrojmë këtu të bukurën dhe nëse jam shpjeguar qartë, po flas për një frymëzim momental të rastësishëm i cili vije nga një mendim i kënaqur. Kënaqësia distancon objektin e gjetur në telajo, e ngrinë dhe në çdo moment gjatë shikimit gjen diç të re në të. Këto forma artisti më shumë i ka për vete sesa për të tjerët. Ai ngadhënjen tek  konkretja me madhështinë e tij. Përgatitja ka ndodhur nga pushteti abstrakt i cili nuk është përfillur. Kur kjo përfundon plotësisht, trupëzohet në pëlhurë ndriçon me shkëlqimin e vet të pamundur, por konkret për vetveten. “Ngrënësit e patateve” të Van Goghut, është bërë nga kujtesa dhe shkrirë nga momentalja, vetëm se etydet e kokave dhe duarve për piktorin shprehin luftën e vërtetë precize të mishëruar në realitetin tokësor. Me duar të cilat kanë gërmuar dheun marrin nga sahani patatet, tabloja reflekton punën e rëndë të tyre dhe kujtesa shkrihet në imazhin momental krijues. Artisti gjurmon ta sigurojë realitetin, por e vërteta pushtohet nga dy mendime: të kaluarës dhe të ardhmes, derisa vendimi shkrihet momentalisht mbi pikturën. As Van Goghu, deri në përfundim nuk e di kuptimin e tablosë, por ekziston një fillim, jeta e rëndë e këtyre njerëzve. Gjithnjë përshtatja për t’i ngjarë idesë rrugës gjen vendin e vet.

Artisti respekton qetësinë, thithë çdo atmosferë, shkrihet me njerëzimin. Ndjenë dhe pranon çdo bisedë, nuk jepet, heshtja e ndihmon të mendoj, pastaj bënë pyetje të matura për korrigjimin e gafave. Kjo është matematikë. Ndjenja rrëmben në vetmi krijuesin, heshturazi rreshtohet tek zinxhiri krijues duke abstenuar nga e ardhmja, prapë ndodh rikrijimi i të kaluarës dhe së ardhmes  vetëm se zbeh identitetin. Suksesi qëndron në të lexuarit shumë dhe të krijuarit tepër, edhe pse nuk mund ta shpreh qartë gjithë çfarë ke në mendje. Piktori fshin, por e lë edhe tablonë e pikturuar pa korrigjuar. Frans Halsi, Rembrandti, Rejsdali, çdo gjë kanë bërë me dorën e parë, pak kanë bërë korrigjime. Ajo çfarë u dilte e mirë, nuk e trazonin se korrigjuari. Kemi pikturimin e duarve që duken të gjallë, por të papërfunduara. Kokat, sytë, hundët, buzët, në veprat e tyre janë të pikturuara me herën e parë, pa korrigjim. Vizatimi dhe ngjyra sipas tyre janë të pandara. Shpejtësia e të realizuarit emocionin, në gjendje momentale mund të arrihet vetëm me këtë të fundit. Ripërsëritja e vetes në vepra shton kënaqësinë e zbulimit unik të thellë të distancuar nga e zakonshmja. E shkëputur nga mendimi, vepra bënë të dëgjohet zëri i shpirtit të mbytur, mirëpo të çliruar, por nëse nuk dëgjon asgjë, krijuesi i lodhur nga krijimtaria e tij, vendos të heqë dorë. Unë kërkoj nga krijuesi momental, tundimin, trazirën shpirtërore, lirinë dhe larminë. Më pas ai do të shpalos siç thotë Kamy kotësinë e shpirtit. Shpirti derdh neutralitetin ngjyror të mundshëm, nëse nxinet momentalisht, ky është qëllimi i çdo krijuesi. Krijuesi udhëton në të kaluarën fëmijërore dhe hap portën e së ardhmes me ndihmën e momentit. Krijuesi shfaqet në mënyrë të figurshme. Ai në vetvete kërkon lirinë, dhe në çfarëdo rrethane konkrete liria ka qëllim vetveten. Edhe liria është me afër momentit për të triumfuar, por njeriu duhet të kërkoj të ripërsërisë emocionin, të trazoj detin e brendshëm dhe nga aksidentalja lirohet e bukura edhe pse para kësaj nuk qe pretendimi i të arriturit, momenti kushtëzon. Në momentin e tanishëm ai është shpirti dhe ekzistenca, qëndron jashtë natyrës, por ndikohet nga ajo, nuk përcaktohet si ai vetë çfarë donë të bëjë, por në funksion të tashmes së tij egoiste. “Njëherë në një kohë shpirti ishte Zot, pastaj u bë njeri, dhe tani është katandisur në plebe mediokër”, thotë Nietzsche.  Kjo për shkak se edhe një kohë të gjatë prej lexuesish akoma shpirti do të qelbet. Nga Nietzsche-ja njeriut ju lejua të lexojë të mësojë, nga ky moment u prish të shkruarit, dhe të menduarit. Nëse njeriu thithë nga jashtë dhe kërkon lirinë shpirtërore, do të bashkëveprojë dhe në një tashme do pëlqehet, mirëpo nëse ndjek rrugën e vetmitarit, gjen ajrin e rrallë të pastër, rreziku është i afërt, shpirti plot ligësi gazmore, puqen mirë njëri me tjetrin. Vetmitari kërkon armiqësi përreth, sepse i beson guximit të tij. Edhe këtu momenti ka rëndësinë e vet. “Tani jam më i lehtë, tani fluturoj, tani shoh veten poshtë meje”, vazhdon Nietzsche mbikalimin e vetes që shërbehet me ta tanishmen e artë. Deri te kjo e tanishmja qe një rrugë brenda tanishmes dhe kapërcimi vazhdon drejt të ardhmes duke ju nënshtruar prapë momentit, por në një gjendje tjetër emocionale. “Një Zot më përdorë për të kërcyer”, këtu tashmë ai beson më shumë.

Krijuesit e mëdhenj janë ata të cilët japin përshtypje se fiksioni bëhet realitet dhe gjatë rrugës rrjedhin një mori ndryshimesh duke zgjedhë të bukurën të panjohur. Ajo rrëshqet nga duart mbetet vetëm hija e saj. Krijuesi nuk ka forcë së lexuari vetveten, të tjerët e lexojnë, por nuk do të thotë që duhet ta kuptojnë, përshtatja e zemrës, frymëmarrjes, ndodhisë momentale, bënë të qartë vetëm ngjashmërinë e përbashkët. Nëse krijuesi përpiqet të zbuloj unitetin e botës, ky përkufizim e kthen prapë të vetvetja. Nëse mendimi arrin në kufij të skajshëm mbetet pa ujë dhe vendet i duken të shkreta. Krijuesi çdo herë do të krijojë figura të reja dhe arsyeja gjithnjë do t’i analizojë para se t’i provojë dhe ilustroj vetë. Atëherë, duhet besuar thellësisë së Bodlerit, i cili momentalisht dëgjon verën të flasë me shpirtin e saj, me zërin e shpirtit që vetëm shpirti e kupton. Artisti nxjerr artin nga një moment në moment tjetër, krijon harmoni, bashkërenditje, i beson të pazgjidhurës, pavetëdijes, por prapë nuk del ajo çfarë mendon dhe beson, lakuriqësinë ia lë të tanishmes, vetëm se e lartëson me dashuri ngaqë aty ka kundërshtime.  Këtë do ta përfundoja kështu: Jemi prej momentit, rreth tanishmes, për momentin vetëm vdekja e tejkalon, por edhe ajo vjen si pasojë e momentit.  Shkrimtari planifikon një fillim i cili lind vet, vet nga vetvetja, por rrugës vështirësitë dhe triumfet varen nga momenti që ndërtohet me të kaluarën për të ardhmen derisa rëndësia është tash. Aksidentalja ndërron mendimin vazhdon momentalisht drejt të panjohurës. Asnjëherë artisti nuk do ta zbuloj shpirtin sepse shpirtrat nuk zbulohen kurrë veç kur shpiken më parë. E sotmja i kundërvihet të djeshmes, krijuesi kërcen dhe ngjitet dhe asnjë shkallë nuk ja falë këtë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora