E premte, 26.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Nata

E hene, 29.12.2014, 03:22 PM


Adem Zaplluzha

 

NATA

 

Zëri i saj

Si zëri i ndryshkur i një teneqeje

Sa herë që ja dëgjoja emrin

Në shpirtin e erës

Lindte një mbiemër tjetër

 

Mbi trupin e saj kalojnë

Lukuni shpirtrash prej hienave

Nuk lë asnjë dëshmi kur zbret në hon

Është e paprekshme si frymëmarrja

Por në çdo hap ta zë frymën

 

Netët janë këtu të pabesa

Përngjajnë shpirtrave të ujkonjave

Edhe kur qeshin disi i rrudhin nofullat

Në çdo kohë të presin në pritë

Sulmojnë kur më se paku pret  njeriu

 

 

U THASH

 

Sonte po u përngjaj sendeve

Asnjë metaforë

Nuk më ka mbetur në xhepin e majtë

Ma morën edhe pallton e verdhë

Heshta mbase s’pata gojë

 

Nuk di a mund të quhem njeri

As pema e vjetër s’ndryshon aq shumë

Nga këto gjësende të hedhura

Që më rrethojnë

 

Sonte morën çfarë deshën prej meje

Ma morën edhe kujtesën

Këpucët e vjetra

Që i veshja vetëm për festa

 

Sonte nuk më kujtohet më

Ndoshta ishte një kohë tjetër

Kur deshën të ma marrin  dashurinë

Ajo e fundit që pati mbetur në mua

 

U thash

Morët çfarë deshët por dashurinë

Për Kosovën time

Kurrë nuk mund të ma merrni

 

 

PJALMONTE NJË BORË E ZEZË

 

Ishte një kohë e trishtë

Kur rrija kacule mbi një gur

Rrija si një pemë pashpresë

Asnjë ëndërr

Nuk më kishte mbetur

 

Pjalmonte një borë e zezë

Mbi flokët e mija të thinjura

Pjalmonte skamja

Qëndroja me trastë dhe shpirt të zbrazur

Ku vetëm guri bisedonte me mua

 

Kishte edhe njerëz të tjerë si unë

Ishin të zbrazët si shpirti i erës

Pa asnjë ëndërr

Dukeshin tepër bosh

Sa shumë u përngjanin siluetave të zeza

 

Ende sot nuk e kam të qartë

Se çfarë ngjau me ne

Si shkabat fut fluturuan mbi trojet tona

Mbase ishim të përgjumur

Lejuam të na i marrin edhe ëndrrat

 

 

QAJ  SA TË DUASH

 

Për t’i mbushur sytë me lot

Shtrihu mbi shpatullat e Lumëbardhit

Ai t’i ledhaton edhe ëndrrat

Qaj sa të duash miku im

Këtu lotët

kurrë nuk shterojnë

 

Megjithëse ti nuk je varkë

Nuk u përket as gjësendeve

Thirre lotin e mallit dhe qaj sa të duash

Mos u turpëro o i gjorë

Në këtë boshllëk

Askush nuk të vëren



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora