E merkure, 30.11.2022, 04:17 PM (GMT)

Kulturë

Resmi Osmani: Nanë daija

E enjte, 23.10.2014, 05:41 PM


Nga cikli”Burrat shkojnë në luftë”

NANË DAIJA

Tregim nga Resmi Osmani

Janinë, shkurt 1913

Fushën e Filipiadhës e kishte mbuluar qefini i përhinjtë i mjegullës. Era që frynte nga bregdeti i Prevezës, bashkë me mjegullën sillte dhe athtësirën e tymit të barutit  nga predhat e plasura të topave malorë dhe mortajave. Mbi shtresën e mjegullës dilnin majat e skeleteve të kavakëve që dukeshin të pezullt dhe dridheshin si të mërdhinin. Mbi ta qielli i murrëtyer, herë-herë çahej dhe dukej dielli i zverdhëremë , i zbehtë dhe i ftohtë si fytyrë meiti.

Kodra e Grebnicës, në Mullirin e Bardhë, një nga katër fortesat e frontit të Janinës, gjendej mes fushës së Filipiadhës si ta kishe ndërtuar me dorë. Nga çuka e saj zotërohej hapësira në të katër anët e horizontit. Princii Kostandin,që kishte marrë komandën e ushtrisë, kishte urdhëruar që Grebenica të merrej me çdo çmim, që të hapej rruga për në Pesë Puset dhe Bezhan. Artilieria e topave malorë e Ushtrisë Mbretërore  greke, kishte rrahur për më shumë se dy orë kodrën. Forca e shpërthimeve kishte hapur gropa si ca plagë të stërmëdha në faqe të dheut.   Shumë  gjyle kishin rënë në llogore. Ciflat e çelikta kishin goditur në shenjë.  Në radhët e vullnetarëve çamë dhe labëve nga Lumi i Vlorës kishte te vrarë e të plagosur.

Osmani me shokë i kishin tërhequr të vrarët dhe të plagosurit e i kishin shtrirë mbi batanije. Ca më tej, në faqen lindore po hapnin varret.  Ishte llahtari: ushtarë pa një këmbë,pa një krah, të tjerë barkçarë e me rropulli të derdhura në baltë, gjymtyrë të dërmishura, eshtra të thërmuara e tërë cefla, rënkime të dhimbshme agonie të atyre që hiqnin e jepnin shpirt. Gjithandej pellgje gjaku. Nga duhma e rëndë e gjakut, Osmanit i merreshin mendtë dhe i vinte të përzier. Nga lodhja dhe tronditja,trupi i dridhej dhe ishte zbehur. Mezi mbante të vjellët. Duart i kishte të llangosura me gjak deri në brryla.

Pas kësaj batërdie të skëterrshme zjarri e çeliku, pritej sulmi i këmbësorisë.

Osmani dëgjoi që po e thërrisnin. Ishte kapedan Bastriu.Kur shkoi gjeti aty edhe Baxhulin.

-Urdhër, kapedan!

-Na ka ardhur një vullnetar i ri. E dërgon komandant Hamiti. Merreni në istikamin tuaj. Do kujdeset për të lavosurit.- Tha dhe nxitoi nëpër llogore ku po punonin për ndreqjen e ledheve.

Osmani i hodhi një sy të sapoardhurit. U çudit. Ishte grua. Shtatmesatare, mbi të pesëdhjetat. Fytyrëashpër, me rrudha të thella, si të gdhendur në dru. Sytë i kishte të bukur: të kaltër të thellë si qielli.Ishin e vetmja gjë që shquhej në fytyrën e saj. Buzët e holla të shtrënguara dhe me rrudhëza të holla te çipat e tregonin te rrepte. Se ç’kishte një pikëllim e zëmëratë që buronte nga gjithë qënia e saj. Në brez kishte ngjeshur gjerdanin me fishekë dhe revolverin, në sup një pushkë manxerr. E mbathur me poture të shkurtëra deri nëngju, dhe pulpët e mbështjella me dollakë, këpucë ushtari me qafa, ajo shëmbëllente me burrë, po të mos ishte gërsheti i rëndë e i thinjur që e kish hedhur pas shpine. Osmanit i kujtoi të ëmën. Ngjante të ishin të një moshe. Ai duhej të kujdesej për të, si djali për të ëmën. Pas hutimit të parë, ai guxoi dhe e pyeti:

-Po ti?

-Lufta s’është vetëm për burrat- u përgjigj ajo, me zë të plotë e paksa si të ngjirrur.

-Si ta thonë emrin?

- Daije, por më thërrasin edhe Nanë Daije. Jam e shoqja e Mejdi Metos, motra e Serjan Sako Fetahut  dhe e ëma e Qemal Mejdi Metos, nga Gardhiqii Paramithisë .

Osmani , nga ato që dëgjoi, ndjeu shtrëngesë në gjoks, por edhe keqardhje dhe dhimsuri. I kishte njohur të dy, nip e dajë. Qemali kishte qenë bashkluftëtari i tij. I kishte vdekur para syve dhe e kishte varrosur me duart e tij. Eh ç’djalë i bukur që ishte , me atë baluken e zezë të flokëve  në ballë! Sa gazmor e i dashur! Edhe Serjani, po atë ditë, ishte vrare ne frontin e Mullirit të Bardhë, në Gliqi. Prandaj kjo grua dukej si ta kishte goditur vetëtima:dy mandata të kobshme në një ditë.

-Greku ma dogji zemrën e ma thau shpirtin. E do për vete Çamërinë e Shqipërinë, po se ka të lehtë. Do mbytet në gjakun e tij. Erdha të zë vendin e tyre, të luftoj për Shqipërinë dhe tu marr hakën vëllait, djalit dhe dëshmorëve të tjerë. Po ti?

- Osman Taipi, nga Mazreku. Ne na merr kazaja e Margëlliçit. Kapedan kemi Bastri Kollobonin. Ky shoku tjetër,është Baxhul Labi, nga Lumi i Vlorës.- pastaj ai e pyeti: - të mbetet hatri të të quajmë Nanë Daije?

- Ashtu më quani, se edhe djali im në moshë tuaj ishte. I martuar, je Osman?

-Kam edhe tre fëmijë di djelm e një bilë.

-Ti kesh me jetë e shëndet. Ke vëllezër të tjerë?

-Jo. Jam djalë i vetëm.

Të dy heshtën. Dëgjohej zhurma e mbytur e kazmave dhe lopatave që gërmonin llogoret.Ato llogore që mund të ishin shpëtimi apo varri i tyre. E gjithë kodra ishte gjymtuar e shëmtuar nga kafshimi i çelikut të predhave, gropat e pirgjet e dheut, të hapura nga forca e zjarrtë e shpërthimit, shiheshin gjithandej. Kjo luftë po vriste edhe tokën.

-Ruhu,Osman, se filli këputet atje ku është më i hollë,- I tha ajo si të vazhdonte bisedën e lënë përgjysëm. Zëri vinte i mekët e  i përvajshëm, si të kishte një gulç në fyt.- Boll nana, motra e nuse kanë marrë mandatat për djelmtë, vëllezërit dhe burrat e vrarë. Boll fëmijë kanë mbetur jetimë!

Si i keni punët këtu?

-Vritemi e pritemi. As humbim as fitojmë.- Pastaj Osmani zgjati krahun në drejtim të kodrës. Aty valëvitej flamuri i kuq me shkabën dykrenore. Flamuri  ishte leskëruar, kishte marrë plagë nga ciflat e predhave, ishte rrëzuar nga shpërthimet, por prapë e kishin ngritur, edhe pse me plagë, valëvitej e kuqëlonte mbi tokën shqiptare. Për luftëtarët ishte i shenjtë. Për ta, ai flamur ishte atdheu, për të cilin, po të lipsej edhe duhej vdekur!

-Kemi flamurin tonë, atë që ngriti Skënderbeu në Krujë dhe Ismail beu në Vlorë. Kur e sollën, qamë nga gëzimi dhe e kemi puthur. Para tij kemi rënë në gjunjë. Jemi betuar se do të luftojmë deri në vdekje. Esat Pasha,nuk e ngriti në kala të Janinës, sido që ai i thotë vetes shqipëtar,  i shërben turkut, por këtu ne jemi të gjithë shqipëtarë, luftojmë nën flamur tonë për Çamërinë dhe Shqipërinë. Jemi veçuar nga taborret e turkut. Baxhuli dhe shumë të tjerë kanë ardhur prej andej, ikën nga taborret e turkut, u bashkuan me ushtrinë e Shqipërisë. Sa për të tjerat,më mirë mos pyet: herë ngrënë e herë pa ngrënë, na japin nga një dorë miell misri që e bëjmë qull, ku ta gjesh dhe bukën thatë. Na mbyti pisllëku dhe na pinë morrat! Pas shpalljes së mëvetësisë, turku na i ka prerë dërgesat e armëve,fishekëve, ilaçeve dhe ushqimeve. Mbahemi gjall me ato që na dërgojnë nga fshatrat e kazave  tona.

-Eh, të kisha një duhan!-psherëtiu Baxhuli- urinë e duroj, bëj si bëj, po për duhan më çakërdiset mëndja!

Po afrohej mesdita. Sapo mjegulla u davarit  u dukën rreshtat e armikut, që aviteshin të përkulur e me hap të shpejtë. Ishin evzonë.  Helmetat dhe bajonetat dritësonin nga rrezet e herë pas herëshme që çanin retë e përhinjta, sikur dielli donte të shihte mynxyrën dhe plojën që bëhej aty poshtë.  Nga çerdhet e zjarrit rrëzë kodrës, rrapëllinë dy mitralozët. Vala e sulmuesve u ndal dhe u shtri përtokë. U panë sanitarët me tezga që merrnin të goditurit. Xhenjerët nisën të prisnin telat me gjëmba dhe të hapnin shtigje për sulmuesit. Grekët po përparonin me kërcime të shpejta duke mbuluar njëri-tjetrin me zjarr. Ishin mizëri dhe suleshin përpara dallgë-dallgë.

-Janë shumë,- tha Osmani- ne kemi pak fishekë.

-Më mirë që janë shumë, se s’do na shkojnë huq plumbat- ja ktheu Baxhuli,-merni shenjë e qëlloni ata që presin telat. Ashtu bënë.   Sulmuesit u shtrinë për tu mbrojtur prapa ledheve dhe gurëve. Artilieria e tyre nisi të godiste çerdhet e mitralozëve rrëzë kodrës. Kur mbaroi bombardimi, vala e sulmuesve bëri përpara, me bajoneta mbërthyer. Qëllohej vetëm nga një mitraloz, tjetri ishte   dëmtuar e nxjerrë jashtë luftimi, apo ku ta dish, mitralierët ishin vrarë.

Një skuadër evzonësh, doli prapa  nga ana veriore e pambrojtur dhe arriti në lartësi të kodrës. Synimi i tyre ishte krahmarrja dhe rrëmbimi i flamurit. Aty nisi përleshja. Kapedan Bastriu me një grusht burra u turr mbi ta. Përleshja ishte e egër, në afërsi, hynte në punë vetëm revolveri dhe bajoneta. Bastriu nxori nga milli shpatën dhe nisi egërsisht të korrte evzonët. Përball qëndresës së shqiptarëve evzonët u tërhoqën, por kapedan Bastriun e mori plumbi dhe ra i plagosur për vdekje pak larg flamurit.

-O Zot,mos!- bërtiti Daija-Kapedan Bastrinë na e vranë.

Brofi nga llogorja dhe turravrap, si vetëttimë, pa pyetur për plumbat që i vërshëllenin rreth kokës u sul drejt tij dhe flamurit.

-Mos! Shtrihu,shtrihu barkas. Barkas të them se do vritesh!- I bërtiti me sa i hante zëri Osmani.

Ajo e dëgjoi dhe nisi të zvarrisej shpejt. Nga krhu tjetër,përballë, evzonët,kur panë që të vrarët ishin bërë pirg, u kthyen, por të ndodhur nën qitjet e Osmanit e të Baxhulit dhe të tjerëve që ndiqnin përleshjen, zvarriteshin me kujdes duke qëlluar herë pas here. Synimi i tyre ishte trupi i kapedan Bastriut dhe flamuri. Daija ,me vështrimin mbi flamur, hiqej zvarrë. Brrylat,shputat e duarve dhe mjekra ju bënë gjak nga të çjerrët e ferrave dhe gjembave, por ajo nuk i ndjente, në zemër kishte guxim, urrejtje  dhe tërbim, në sy kishte armikun, vrasësit e të birit dhe të vëllait, që edhe ai nxitonte të arrinte para saj.Të dy palët ishin përballë për jetë a vdekje. Guximi dhe trimëria e shtynin përpara. Flamuri dhe të plagosurit, trupi i kapedan Bastriut e thërrisnin. Ajo e ndjente zërin e tyre si një drithërimë në erë. Ja edhe pak, edhe pak dhe ajo do të arrinte. Plumbat i binin përanash. Arriti e para. Trupi i kapedan Bastriut ishte ende i vakët, por i pajetë. Shpata i kullonte ende gjak. Fytyra e tij burrërore ,ku spikasnin mustaqet e zeza ishte zbehur. Ajo ia mbylli sytë. Shtiza e flamurit ishte pjerrësuar dhe ment binte. Ajo e drejtoi dhe e përforcoi me popla gurësh. Evzonët, kur e panë që ishte e vetme, u turrën ta zinin të gjallë. Daija nxori revolverin,një dhjeçe turqie dhe mori në shënjë të parin që po afrohej: një egërsirë me mjekër, që e mbante thikën me dhëmbë!

-Na,-itha ajo,-këtë për tim bir Qemalin- dhe e shkrehu. Evzoni u plandos e ra përmbys. U afrua i dyti.-Këtë për tim vëlla, Serjanin- qëlloi në shënjë pa iu dridhur dora. Të tretit: - Për tërë djemtë e nënave që i latë qyqe,  për nuset që i latë të veja, për fëmijët që i latë jetimë! Të katërtit: Për flamurin, për Çamërinë dhe Shqipërinë!

Pasi lanë katër të vrarë,evzonët u tërhoqën. Daija , me vështirësi e hodhi në shpinë trupin e të vrarit. Ishte i rëndë, por ajo me atë guxim e trimëri që kishte,mund të mbante mbi shpatulla edhe peshën e një mali. Nisi të tërhiqej zvarrë drejt llogores, por skuadra e evzonëve kur e pa që ishte vetëm, iu sul me tërbim për ta kapur  gjallë a vdekur, por ajo vazhdoi të tërhiqej me mundim.

-Mbahu,moj trime, se erdhëm!- dëgjoi ajo zënë bubullues të Osmanit.

Ai, bashkë me Baxhulin dhe shokë të tjerë kishin brofur nga llogorja dhe me bajoneta mbërthyer, duke qëlluar mbi armikun në ecjëe e sipër, u turrën ta shpëtonin. Daija ndjeu në kofshën e majtë një djegie si ta kishte goditur rrufeja, këmba iu mpi si të ishte dru, e therura i dhembi në shpirt. Mbeti. Nuk mund të lëvizte më tej. Shokët e morën trupin e kapedan Bastriut. Osmanin e trembi gjaku që rridhte nga kofsha e saj. E çau me thikë këmbën e pantallonës. Plumbi kishte hyrë e dalë pa prekur kockën. Ja lidhi mbi vendin e goditur që të priste gjakrrjedhjen, i fashoi plagën, e hodhi mbi shpinë dhe nxitoi për të dalë poshtë kodrës në llogore, jashtë rrezes së qitjes. Daijen e kishin mbuluar djersë të ftohta, por nuk nxirte zë.

Sulmi armik i asaj dite u thye. Osmani me Baxhulin e ngarkuan në barrelë Daijen, që përvëlohej nga zjarri i etheve dhe u nisën për në spitalin fushor për te mjekët.

Kur po ndaheshin me të,ajo u tha:

-S’më vjen keq edhe po të vdes. Gjakun e djalit dhe të vëllait e mora. Amanet flamurin!

Ata u ndanë me të dhe të përfshirë në luftime nuk morën më vesh se ç’u bë, veç kur një ditë dëgjuan një këngë që thoshte:

Daije  moj vetëtimë,

edhe kur vranë Bastrinë,

ti s’le dushmanët ta mirrë.

Daije tu lumtë dora

sa plumba të shkrep revola

aq dushmanë rrokullon

dhe vatanin na nderon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora