Kulturë
Baki Ymeri: Poezi nga Renate Müller
E merkure, 22.10.2014, 07:22 PM
POEZI GJERMANE NË GJUHËN SHQIPE
(Renate Müller, Dashuri e zgjuar, Përktheu Baki Ymeri, Amanda Edit Verlag, Bukuresht 2014)
kaltërsi
ku lindin ëndrrat
nga po vijnë
të mbështesin mes nesh
qëndisjet e tyre fine
fije të thurrura nga hëna
nga dritat, ngjyra
dhimbje dhe përmallim…
të kuptosh të pashprehshmen
do të të dhuroja fjalë
por nuk di t’i them
nëse do mundja t’i shoshis
nga sita t’i tuboj
do ti vë n’rërë e në erë
të flatrojnë te ty në mendime:
të kuptosh pashprehshmërinë
hije të frikshme
më përgjojnë pyetje
të grumbulluara në irisin e syve tu
një turmë sutash
që më flasin pa fjalë
i kundroj dhe intuitoj frikën
e sorkadhave të urta
që i stërvisin veshët në erë
për të dëgjuar
gjendje e lehtë për dehje
një flutur u ul mbi buzët e mia
kur përmbi to u përkule
me sytë duke m’i puthur vetullat
qepallat tona fluturonin në zbrazëtirë
përqafoheshin nëpër horizontin e azurtë
prej sidefi, opali dhe kobalti
dhe nga një gjendje hyjnore përpiqeshim
ta rëmbejmë në një kupë argjenti
mrekullinë e çastit të mahnitur
i dashur...
po notoj në liqejtë
e syve tu
shpërlahem në diell, prehem
në shelgjishten fëshfëruese
të qepallave tua
shtrihem të prek
me duar horizontin
ta qes mënjanë
perdenë e kaltërt
që po na ndan...
me shuplakë
të ta përfshij fytyrën
e të të pëshpëris:
të dua
e mbështjellë në natë
u shua drita në xham
terri
po më ndjek
me sytë e hapur
mbi një rrugë të paskajshme
me furi vrapoj pas teje
nëpërmjet një holi
përplot me mjegull
i përshkoj
me kujdes mos t’i prek
tabllotë antike
mos të pengohem
nga sepet e mbyllura
frymëmarrjen
e përmbaj në frena
që mos të rendë
e mos të arrijë
te ti
përpara meje
ylber
ngjyrat e hapave tu
shndërrohen përherë,
shikoj pas tyre
me sy prej drite...
ngadalë çapëlon, pa
avertizim ndalesh
dhe më buzëqesh...
engjëll çapkën
përdridhet në ajër
dhembshmërisht frymëmarrja,
tërhiqet nga vetëvetja ime
përplot me gjemba...
në qiell përdëllimi
i pamjes sate,
por tërhiqesh ngadalë...
nga ëndrra hyjnore...
nga malli dhe dashuria e zgjuar...
ëndërroj në fërgëllimën febrile
të mëngjesit që mugullon
në sytë ngjyrëkaprolli ku e dij
se zjarri i dashurisë vezullon
si diell i ndritur fanitesh
nga rroja e shtatë engjëjve
që gjumin ta kanë veguar
në natën e yjeve të qiellit
nga çerdhja e të cilave u nise
të më japish një puthje dhuratë
kurse vesa e buzëve tua ësht’mjaltë
që na bashkon e na pëlqen
janë gishtërinj përkëdheljeje
në kohën e ditës që i hesht:
sekondat që tani po duken
hije ëndrrash
shikoj në sytë tu
dhe po shoh në to
si vezullojnë mijëra yje
me hije ëndrrash
shpirti yt –
një lutje pëshpëritjesh
nga humnera
lartësohet drejt qiellit
goja yte – një dëshirë
që murmuron në vargje
trupi i ndezur të gjëmon
nga një zjarr i palejuar
në agoninë e ëndrrave të mia
të varros në frikën time
përpëlitem, dridhem në pritje
në krahët tu po hidhem
të vjel me ty
petalet e jetës
pranverë
i dashur, mbështeti fjalët e mia
hidhen nga qielli
mbi puhitë si lavjerrës i kaltërt
shtrojnë petale zambakësh mbi pëshpëritje
e mbyllin kohën në kokrra vese
mbi trëndafilat pa gjemba
dhe qëndro pranë meje të dëgjojmë
misterin e ri të rilindur nga heshtja
në shtrat të natës
floku të është shkapërderdhur
dashur
në shtrat të natës
në qepalla të dridhet
lehtësia që pate
nga puthjet e afshta
ende e ndjen ngrohtësinë
e krahëve të përflakur
që të zinxhiruan
e degdisur dergjem e mbështjellë
në një ëndërr të ëmbël
në pulsin e lumturisë së vjedhur
në magjinë e mbrëmjes
po ta dërgoj muzgun e zbathur
si një peng i dashurisë
të të stolisë me puthje mbi vetulla
me buzë të brishta
i vargëzuam çastet e ditës
mbi fije të argjentë
tani mbaj margaritarë
vallëzoj me to duke u kënduar yjeve
këngë përmallimi për ty
unë ftoj…
ti je jehona
që më përgjigjet
nga mjegulla e çuditshme
je kompasi
që ma rrëfen rrugën
kur po degdisem
je drita
që në zemër ma plason
ngrohtësinë e saj të mrekullueshme
i lehtë si era
më mbështolle
dhe më shtrove i mahnitur
petale në prehërin tim
pastaj me padurim
morre frymë dhe e shpërndave
magjinë e mugujve
që sapo mugullonin
dhe në përngutje ike
duke lnë pas teje
jetën time pa ngjyrë
marrëzi
për çdo ditë po më hap
që të bindesh
nëse je i gjallë në mua
dhe largohesh...
harron të më mbyllish
u lodha
duke i qepur vetë plagët
për t’i çliruar hapat
në brigjet e kësaj humnere
ku çastet janë të mbushura me ty
dëshiroj të ndalem gjatë rrugës
të pres kalimin e bujshmërisë
së ndjenjave që ende kundërshtojnë
të fshehin qetësinë në to...
pastaj të fluturoj lehtë mbi humnerën
përballë së cilës ende po dridhem
në orët e errëta
hidhem në pritjen tënde
jam dega e mbushur
mbi të cilën mund të ulesh
kur do të kthehesh
pa ty më vjen rëndë
po ti dhuroj lulet
e netëve të vjela
nga fushat e hënës
krijesë e xhamtë
herë e vdekur herë e gjallë:
i mbyll tani qepallat
e iluzioneve të shkreta
në këtë natë
dhe asgjë s’është si më parë
të gjitha u degdisën kah muzgu
mbi fushën kryeneçe
rriten lule rradhiqe
ndihmo-më mos të humbem
dritat po shuhen në ëndërr
ti je larg
në krahë s’mund të të shtrëngoj
të ndjej
në zemrën që më troket
duke më thënë:
mirë mbetsh
care m-a cutremurat
când ai plecat
de n-am putut nici m?car
s?-?i ?optesc: ,,Stai!”
të lutem
harroja këto fjalë
dëshiroja t’i ftoj
e të t’i them
por nuk guxoja
dhe heshta
ndoshta nga turpi
apo ndoshta ishte
një sëmurje tjetër e demoduar
apo dhembja
që më tronditi
kur ike
sa që s’munda së paku
të të pësjpëris: „Rri!”
vetëm kaq
shëtisja me këpucë qelqi
kur u takuam
e parëndomtë për mua
ajo që dashuronte
të ecë e zbathur
dëshiroja të të jem
qenja më e afërt
në ëndrrat e botës sate
vallëzoja prore e heshtur
lexoja poezi
fshihesha në
dritat e shpirtit
duke lënë këpucët te dera
t’i mbathë një muzë tjetër
shpirtëra të lidhur
gjendem në anën e jetës sime
e mbështjellë në fije mjegullash.
ti qëndron në këndin e blertë,
i mbështjellë me hije të trishta.
askush nuk na fton në dritë;
as meloditë e përmallshme,
as flatrimi i harabelave.
unë nuk mund të arrij,
kurse ti nuk vjen rrugës së hapur,
përjetë ajo po na ndan.
ai kalon mbi shtatëqindeshtatë,
bjeshkë dhe lugina e detra.
mendime të shkreta dhe
shpresa që përpëliten,
në thneglën e zemrave tona.