E premte, 26.04.2024, 01:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Fjetëm njëqind shekuj (4)

E shtune, 30.08.2014, 04:41 PM


Adem Zaplluzha- Dy tregime poetike nga libri ”Fjetëm njëqind shekuj”

HERË ZOGJË PREJ LETRE, HERË SHI

Askush më asgjë nuk di! Athua ne përngjajmë puthjes së erës ose puthja i përngjan zogjve të ikur nga mendja, sa herë që i mbyllim sytë ne nuk e mbyllim edhe mendjen, ajo hapet si portat e Parajsës ose mbyllet si ato të Ferrit.

Pa dashje lëmë një të çarë në fijet e flokëve dhe në këtë mënyrë marrim frymë më lehtë, nuk i përngjajmë askujt e as erës që kolovitet nëpër gjumin e errtë të barit që fishket pa çelur asnjë lule në kujtesën e mjegullave.

Mbase ne të gjithë, pa dallimi, fshehim Nga një copë pikëllimi në shpirt, pas mbylljes së syve, por diçka mbetet ende pa sqaruar, mbetet ajo që quhet mendje.

Thashë edhe më parë se ne kur i mbyllim sytë është e pamundur të mbyllen portat e mendjes, ato hapen orë e çast, hapen dhe eja e mbylli kujtimet që rrjedhin si ndonjë krua që s’di të ndalet asnjëherë.

Për një kohë të shkurtër mund ta mbyllim kujtesën, por tok me kujtesën nuk mbyllet edhe mendja e as rrjedhe  e pandalshme  e trokut të erës nëpër kujtesë.

Po që se ngjan ndryshe, mendja e humb rrugën dhe kurrë më nuk kthehet të pi ujë në kroin e kujtesës.

Ishte e hënë atë ditë, kur ti i mbaje nëpër xhepa kujtimet e mjegullave, nuk i harrove as krakëllimat e reve që na i thyenin xhamat e errëta të kujtimeve, ne mbetëm mes një cekëtine.

Nuk dinim kah të ja mbajmë, djathtas frynte një erë e fortë kurse majtas kallej stralli nga një trishtim i paparë i mendjes së shthurur.

Nuk di më asgjë, herë jemi zogj prej letre e herë avion prej kartoni, fluturojmë hapësirave të paanë duke i bartur dhembjet e plagëve që askurrë nuk shërohen, kurse ne nuk jemi arinj t’i shërojmë ato plagë më pështymën tonë, s’mund t’i shërojmë as prej fjalëve prej ere, ashtu thjesht i bartim dhembjet tona tok me kokën tonë të rrënuar nga kujtimet e kaluara.

Ditën e parë jemi njerëz, kurse ditën tjetër shndërrohemi në zogj të plagosur që i përngjajnë arinjve të murrmë. Mendja e jonë i përngjan ndryshimeve atmosferike, për çdo ditë ngjajmë të reshurave dhe asnjëherë nuk bëhemi shi e as re që t’i mbulojmë dhembjet tona.

Sa herë që qajnë nuset një dorë e padukshme nga kujtesa e njerëzve i shtrydhë të gjitha ato mendime që lëshojnë rrëke lotësh të kristalta nga degët e thyera të shelgjeve të pikëlluara.

Orë e çast ndryshojmë, ndryshojnë edhe mendimet tona, një ditë jemi tejet të pafajshëm kurse ditën tjetër, nga mendja e jonë i shtrydhim të gjitha të ligat që flenë nën hijen e rrapit dhe presin të dalin  nga arka e Pandorës.

S’lëmë vend pa gjuajtur gurë,  kush jemi ne në të vërtet, cili demon herë zgjohet e herë fle në shpirtin tonë. Nuk di më asgjë ,djalli i bardhë apo i ziu është banues i përhershëm në mendjet tona, por njeriu harron se edhe djalli i bardhë dhe edhe ai i ziu , janë vetëm djaj që herë hynë e herë dalin nga qenia e njeriut, në disa raste duke i shkulur dhe duke i mbjellë, lulet e së mirës dhe to të së keqes në mendjet ton a të lëngëta.

MË MIRË TË HESHTIM SESA TË FLASIM

Po deshe preki me gishtat e tua lastarët që lëshohen si ujëvarë nga mendimet e mjegullave. Ti je shumë i ri që të shikosh  mbrapa, kur të zënë thinjat mund ta kthesh kokën e të shikosh se si kanë kaluar ditët e tua nëse kanë qenë tuat.

Të kujtohet u dashurove në udhëkryqin e memories, ishte një ditë jo e zakonshme ti ecje rrugës ose i puthje ninullat egërsisht, ashtu siç puthet luleshpata kur i çelë sytë pranvera

Sonte po mjaullinë kjo natë. Ndoshta nuk i ka mbetur asnjë shpresë, te fanari dëgjohej vaji i një qemaneje të vjetër, dëgjohej kah dëneste uji në përqafimin e dallgëve.

Asnjë pikë loti nuk paska mbetur në horizont. Merimanga e zezë që njëqind vjet po thurë një rrjetë të tejdukshme ku janë duke u mbytur të gjitha llojet e insekteve si ato me shtatë sy po ashtu edhe insektet pa sy.

Po më brengos kjo dyndje e peshqve fluturues.  Qe disa shekuj një anije po qanë pranë molit, qajnë edhe pulëbardhat kur tërbohet deti. Diku në brigjet e Jonit notojnë mbi bardhësirën e shkumës drurë të kalbur dhe dërrasa të njoma. Një njeri i ka lëshuar dizgjinët e mendimeve dhe mediton për ditët e humbura., për ato çaste që kanë mundur të jetojnë si bari mishngrënës në kujtesën e guaskave.

Një kërrabë sa e vjetër po aq edhe kokëforte  vjen nga lashtësia dhe i përqesh  lisat që pikojnë dhembje prej shtreze. Në syrin e kujt u mbytën anijet.

Frynte një erë e çmendur nëpër dhembjen e dallgëve, frynte dhe nuk kishte të pushuar. Një njëri që e kishte kaluar moshën e tretë shikonte se si rritej bari në kujtesën e brishtë të ditës.

Shikonte dhe nuk ngopej së shikuari. Kishte një nostalgji për ditët e humbura andaj edhe e kthente kokën mbrapa, thua se i kishin mbetur të gjitha çastet e pa përjetuara. Sa herë që e kthente kokën mbrapa dëgjohej zëri i gërnetës e cila vajtonte si një kërthi.

Sonte vetëm heshtja ka të drejtë ta ngriti zërin kundër të kaluarës , vetëm ajo dhe duart e saja mund të notojnë nëpër ajrin e brymtë të mbrëmjes së vrarë kush e di se nga cila dorë e cila sa herë që e gjuan gurin fshihet pas fjalëve më të mirë që mund të dalin nga shpirti i përdhosur i njeriut.

Tani më asgjë nuk di, nëse themi vetëm një fjalë gjuha na mbytet në dallgët e çmendura të mendjes. Më mirë është të heshtim se sa të flasim, edhe nëse na dëgjohet zëri i grithur, çka pas asaj zhaurime mendimesh të tejdukshmërisë së ujit, kur valët ujore shndërrohen  në kristale tingujsh ne bëhemi statuje prej bryme dhe kalojmë në anën tjetër të mendjes.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora