E shtune, 27.04.2024, 04:56 AM (GMT+1)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Shkupi, Gruevski dhe Erdogani!

E merkure, 09.07.2014, 08:05 PM


“Gjithëditësi” universal nga Shkupi, Gruevski dhe Erdogani!

Nga Elvi Sidheri

Që shqiptarët e FYROM-it ndiejnë (me të drejtë) arsye të thella për të protestuar me zë të ngritur ndaj gjendjes së tyre në këtë vend fqinj, ky nuk është aspak një sekret...

Që kaq vite pas Marrëveshjes së Ohrit, të nënshkruar buzë ujërave të liqenit të kthjellët në vilën jugosllave Biljana nga përfaqësuesit politikë sllavë e shqiptarë të Maqedonisë, gjërat gjithësesi kanë ecur shumë më pak se ç’do ishte menduar e merituar për shqiptarët e këtij vendi, edhe ky është një fakt i pamohueshëm.

Që shumëçka mund të ishte bërë mjaft më mirë, që gjuha shqipe mund të mos përdorej në mënyrë gjysmake nëpër territorin e FYROM-it, që veteranët e UÇK-së, mund të kishin përfituar të drejtat e tyre si edhe ushtarakët sllavë të ushtrisë me të cilën u përballën heroikisht në vitin 2001...edhe këto gjëra dihen.

Që Gruevski i jep vetes të drejtën të vjelli vrer sa herë t’ia thotë mendja kundër shqiptarëve, që kërkon para secilave zgjedhje të parakohëshme, që të sigurojë aq vota nga elektorati i vet “nacionalist” (ata që ndiejnë përherë të thellë dëshirën për të gërthitur “Smrt za shiptari”), saqë të mos “kushtëzohet”, sipas tij, nga shantazhet e BDI-së shqiptare...edhe kjo duket sheshit.

E mënjanë shumë fenomeneve që çalojnë e bëjnë “Muuuu” sa i përket aspektit specifik që ka të bëjë me kushtet ende të mangëta ku dergjen të drejtat themelore të disa qindra mijëra shqiptarëve në FYROM, vajti e u shtua para dy vjetëve, edhe inskenimi amatoresk i qeverisë së Shkupit, ku mendja e Gruevskit, Jankullovskës & CO, hoqën qafe 5 peshkatarë të ngratë sllavë, me qëllim që faji të mbeste në kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë, si një njollë e pashlyeshme që do të errësonte në vijimësi, prirjet e tyre për të kërkuar të drejta legjitime dhe përparim të statusit të tyre shtetformues në IRJ Maqedoni.

Sipas të gjitha të dhënave dhe gjasave e provave të mirëfillta, vrasjet e pesëfishta në Smilkovc, përbëjnë një stisje të cekët e pa shumë fantazi, një tip “mizanskene” klasike, ku viktima dhe “vrasësit”, janë paracaktuar qysh më parë në tavolinë, nga krijuesit e një krimi të tillë të llahtarshëm.

Kushdo mund të kujtohet fare mirë për shembull, që andej nga viti 2002, ish ministri i brendshëm (që tashme edhe vetë ka rënë në burg, pasi qe kruajtur pak si tepër me të plotëfuqishmin kryeministër Gruevski)...Boshkovski, përgjegjësi për masakrën e Lubotenit në vitin 2001, kishte “menaxhuar” një tjetër ngjarje të ngjashme.

Atëherë viktima patën mbetur ca pakistanezë emigrantë ilegalë të gjorë, që patën bërë gabimin “vdekëtar” për t’a prurë kokën (dhe për t’a lënë përfundimisht), në territorin e IRJ Maqedonisë, rrugës për në vendet e zhvilliuara të Perëndimit.

Pakistanezët qenë pushkatuar, bërë shosh nga plumbat e njësive elitë të policisë maqedonase sllave, nga “Tigrat” apo “Luanët” e Boshkovskit, në një tentativë groteske e qesharake (sa edhe tragjikomikisht vrasëse), për të fajësuar luftën e freskët triumfatore të shqiptarëve që sapo kishte shpënë deri në Marrëveshjen e Ohrit, duke i detyruar autoritetet sllave të Shkupit, të hapin shtegun për shumë ndryshime në të mirë të situatës së qytetarëve shqiptarë të FYROM-it.

Në atë periudhë (si edhe tani fundja), dëshira dhe “mburoja” me e rëndomtë e zyrtarëve sllavë të Shkupit, përballë shtytjes shqiptare për më tepër të drejta, mishërohej nga përpjekja për t’a lidhur luftën e UÇK-së, me qarqe fondamentaliste ndërkombëtare, me muxhahidinë etj.

Një përçapje e tillë, u vu re sidomos gjatë betejës historike të Haraçinës në verën e vitit 2001, ku dështimit për t’a marrë këtë fshat shqiptar pranë Shkupit, që mbrohej suksesshëm me vendosmëri nga disa njësi të UÇK-së, Shkupi zyrtar avitej t’i shmangej përballë popullit të vet të frustruar dhe botës së tërë, me tezat se muxhahidinët e huaj, qenë infilturuar në fshat.

Këto provokime propagandistike, nuk qullosën gjë në fund të fundit dhe e vetmja gjë që bota arriti të shohë me sytë e saj në ditët e betejës së Haraçinës, ishin avionët serbë dhe helikopterët ukrainas, që bombardonin pareshtur këtë fshat, ndërsa brenda tij, luftëtarët shqiptarë rezistonin të paepur, derisa një ditë autobuzët e NATO-s, i evakuuan me “nderin e armëve”.

Këtë faqe të lavdishme të historisë së luftërave për liri të shqiptarëve të Maqedonisë, ashtu si edhe gjithë konfliktin e vitit 2001, sllavët e Shkupit, kanë vite që tentojnë t’a ngjyrosin me nuanca të errëta nga më të ndryshmet (diku janë veshkat e serbëve sipas Dick Marty-t, tjetërkund muxhahidinët e Haraçinës).

Po teksa emigrantët pakistanezë të shkretë të 2002-it, mbetën të pushkatuar pa gjyq, diku në një cep rruge të FYROM-it, pa u kujdesur kush për memorien e tyre, sepse gjithësesi përpjekja për t’a lidhur vrasjen e tyre, me një të ashtëquajtur prani “fondamentaliste” krah luftëtarëve shqiptarë të UÇK-së, nuk pati asnjë efekt mediatik, gjërat me ngjarjen e çështjes “Monstra”, kanë vajtur ndryshe.

Një (palo) gjyq është zhvilluar dhe disa shqiptarë janë dënuar, siç edhe pritej nga një gjykatë me prirje të qarta “apartejdiste”, me burgim të përjetshëm, të gjithë papërjashtim!

Të jetë e ditur sidoqoftë, që në rast se IRJ Maqedonia do t’a kishte në fuqi dënimin me vdekje, padyshim që të tërë me rradhë, do t’i kishin pushkatuar, mundësisht edhe varur në mes të Shkupit, mu ngjitur me të pasmen dhe bishtin e kalit të Aleksandrit të Madh tek sheshi qëndror i kryeqytetit.

Në një eveniment të tillë madhor, Gruevski dhe shpura e tij megallomane VMRO-iste përjetësisht e dyzuar midis (pseudo) identitetit sllav e atij fantomatikut antik maqedonas, rrezik që do t’a drejtonin vetë ceremoninë në fjalë, duke ua lidhur edhe litarin në fyt qyqarëve shqiptarë, të zënë në kurth nga stisja banale makabre e çështjes “Monstra”.

Por në mungesë të një ekzekutimi të shëndetshëm publik të këtyre shqiptarëve të këqinj (dhe “fondamentalistë”), pa ndonjë varje apo gijotinë të mundshme, ku pse jo, kokat e shqiptarëve do të binin si mollë në shportë, nga ku më pas Gruevski t’i merrte në duar e pasi t’i ngulte në hunj, t’ia tregonte me “krenari” turmës sllave (të vetëquajtur “maqedonase”)...të etur për gjak shqiptar, sido që të jetë, edhe një gjyq i tillë, në kombinim me dënimet maksimale të marra nga trupi gjykues në mungesë totale provash në ngarkim të të pandehurve shqiptarë...nuk është keq!

Padyshim që gjithë kjo “mise en scene” e dobët, për kryeministrin maqedonas, mund të quhet një sukses i plotë.

Në dy vjet, këtë njeri, askush, as partnerët e tij qeveritarë, ish luftëtarët shqiptarë të BDI-së, ata që në 2001-in i hapën aq shumë punë autoriteteve sllave të Shkupit, që me forcën e vendosmërisë së armëve të tyre çlirimtare, i detyruan sllavët që të pranojnë paqen dhe disa prej kushteve themelore të komunitetit autokton shqiptar të FYROM-it, këta e asnjë tjetër, nuk mundën (apo s’u deshi byça), që t’a ndalin planin djallëzor të Gruevskit.

Çështja “Monstra”  është gjithësesi ndërkaq, një humbje për shqiptarët!

Një humbje e shumëfishtë, ku aktorë të kësaj telendisje të faktorit shqiptar në FYROM, mund të konsiderohen ku më pak, e ku më shumë, të gjithë, politika, shoqëria civile, kushdo!

Dy vjet janë një kohë e gjatë për të mos ndërmarrë asnjë hap të vetëm, për të mos bërë as edhe një kundërshtim formal, për të mos ushtruar asnjë lloj lobingu apo presioni direkt apo indirekt ndaj klanit mafioz ultra nacionalist të përfaqësuar nga Gruevski dhe klika e tij në Shkup.

Por teksa shqiptarët shqyheshin mes veti papushim, apo ndërsa i vetëofroheshin me çmim të ulur pafundësisht pushtetit të Gruevskit, për të siguruar për vete apo rrethin familjar, ndonjë kolltuk komod e copa pushteti në Shkup a gjetkë nëpër provincat e Maqedonisë Perëndimore, kryeministri i FYROM-it, përparonte pandalur në realizimin e planit të tij ogurzi...

Në fund, vendime me dënime të përjetëshme, trajtim i shqiptarëve të FYROM-it si kope dhish pa kokë apo tru, porsi turma që vrasin si shtazë peshkatarët e pafajshëm sllavë e që sillen e jetojnë si fondamentalistë, që gjasme përbëjnë rrezik për IRJ Maqedoninë e më gjerë.

Ky është epilogu disfatues i ngrehinës së çështjes “Monstra”.

Gruevski kalëron kokëlartë triumfin e tij personal e patjetër që ndihet madhështor në momentin kur ia ka dalë që të shkatërrojë totalisht armikun e brendshëm (opozitarët e krahut sllav maqedonas, të nënshtruar të marrin pjesë rregullisht në zgjedhje të blera apo “kontrolluara” nga gjysëm-regjimi i kryeministrit e më pas të flakur si leckë WC-je, jashtë parlamentit, të trajtuar vazhdimisht si spiunë të grekut e bullgarit)...

...Por edhe shqiptarët në të njëjtën kohë!

Po, sepse pasi ia arriti të fitojë aq vota sa të kontrollojë parlamentin pa “kushtëzimet” e rrezikshme të BDI-së, pasi luajti sa mundi me vetëshitjen historike “për dy lekë” të PDSH-së për hir të interesave “madhore” dhe lidhjeve të lashta të kësaj partie me VMRO-në, tanimë Gruevski ia doli edhe që të vendosë një njollë “vrasëse e fondamentaliste” mbi shqiptarët e Maqedonisë.

Dikujt i gjetën librin e shenjtë të fesë islame në shtëpi pasi ia kontrolluan apartamentin...e menjëherë u shpall fondamentalist.

Kështu edhe kjo vrasje “monstruoze” e shumëfishtë, paska patur motive fondamentaliste...

Ky ka qenë plani i zyrtarëve të Shkupit, nuk do shumë mend kjo!

Ndërkohë që fakti se trupat speciale sllavo-maqedonase niseshin dikur për në front (për të therur gra e pleq shqiptarë), pasi një prift i Kishës Maqedonase (të panjohur nga asnjë kishë otrodokse në botë si e tillë, për shkak se realisht ajo varet akoma zyrtarisht nga Kisha e Serbisë)...u kishte dhënë bekimin, do duhej shikuar si fondamentalizëm i një feje tjetër, sipas këtij këndvështrimi.

Sllavët e kanë ngatërruar shpesh e për të keq, fenë me kauzat e tyre shoviniste kombëtare.

Me fe kanë tentuar të maskojnë krimet e tyre dhe të asimilojnë të tjerët.

Në këtë pikë, sllavët e Shkupit apo Beogradit qofshin, pak ndryshojnë nga fondamentalistët e botës arabe apo Erdoganasit, që me fenë abuzojnë pareshtur.

Shqiptarët për fat nuk janë të tillë!

As kur ndokush prej tyre, në protesta legjitime kundër këtyre dënimeve të turpshme, bën lojën e Gruevskit, duke ngatërruar qëllimisht emblemat tona gjithëkombëtare (flamurin me shqiponjën dykrenare), me simbole e kauza njëfetare fondamentaliste.

Flamuri ynë kombëtar, është i tërë shqiptarëve, pa dallim feje, krahine e ideje!

As kur analistë të “gjithëditur” nga Shkupi, shpallin Erdoganin si mbrojtës të shqiptarëve, si të ishte ky kalifi ynë!

Sikur këta njerëz t’a donin popullin dhe trojet e tyre shqiptare po aq sa “padishahun” Erdogan, atëherë Gruevski do të mendohej dy herë, përpara se të luante kështu me bashkëatdhetarët tanë në FYROM.



(Vota: 15 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora