E marte, 29.11.2022, 10:21 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Vullneti i tyne i fundit!

E merkure, 23.04.2014, 07:03 PM


“VULLNETI  I  TYNE  I  FUNDIT !..”

Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...

Nga Fritz RADOVANI

Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, Rrnoftë Papa, Rrnofshin Katolikët, Rrnoftë Shqipnia! U baj hallallë gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!” (At Mati Prennushi, Dosja 1302/A, ArkivMM)

Ky ishte vullneti i fundit të njenit prej Martirëve ma të mëdhej të Kishës sonë në vitin 1948, në Zallin e Kirit të Shkodres, pranë vorrezave të Rrëmajit.

U shkrue nga dora gjakatare e gjykatësit komunist Misto Bllaci, per të cilin mbas sa vjetësh tregon i biri se çka i thonte atij diktatori anadollak Enver Hoxha: “Prokurorët e vendosur si ti janë maja e shpatës së diktaturës së proletariatit, shoku Misto.

I tmerrove klerikët me pretencat e tua, që s’njohin dënim tjatër veç atij me vdekje. Uroj që edhe Agimi të eci në gjurmët e tua.

Në vitin 1464 Papa Piu II donte me vizitue Shqipninë dhe me kunorzue Mbret me doren e vet Gjergj Kastriotin, mbrojtësin e Trojeve Ilire nga robnia turke, po, që njëherit, njihej nga Europa “Mbrojtësi ma i rreptë i Krishtenimit” nga kamba ma dhunuese e atyne shekujve osmanllinjtë. Papritmas Papa vdiq në Ankona me 15 Gusht 1464.

Në vitin 1911 nder Malet e Hotit Burri i pathyeshem i Bjeshkëve të Nêmuna, me Flamurin e Kastriotit në dorë, Heroi i Pavdekshem Dedë Gjo’ Luli, trandi perandorinë otomane dhe njëherit i tha komshijve serb se “kanë mbetë edhe grusht Shqiptarë!”

Hakmarrja e tri palëve ndaj Këtij Burri kje e mnershme! Serbët, me otomanët dhe tradhëtarët e shitun të Esad Pashë Toptanit e vranë dhe i dhunuen edhe kufomen... Po, nuk u ngopën me aq, tue i vra djelmët e tue i shfarosë Fisin deri në vitin 1946, me të Pathyeshmin Gjelosh Luli, por nga dora tradhëtare e një turkoshaku tjeter të shitun tek po ata serbë, diktatorit Enver Hoxha, që punoi 50 vjetë bashkë me trashigimtarët e vet per shfarosjen dhe shitjen e shkatrrimin perfundimtarë të Atyne Alpeve kreshnike.

Shqipnia e Pavarun e Ismail Qemalit, Don Nikollë Kaçorrit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit, At Gjergj Fishtës, Bajram Currit, Imzot Luigj Bumçit, Hasan Prishtinës, Imz. Mjedjes, Mustafa Krujës e sa Atdhetarëve tjerë, plot 70 vjetë ma parë u permbytë nga një perbindsh e diktator i renditun në “100 Tiranët” e mbi 3000 vjetëve; Enver Hoxha.

Imzot Luigj Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës, Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në krahinën e Rugovës.

Imz. Bumçi, mbasi vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris, Ministër i Jashtëm i Italisë, me të cilin Ai u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen “Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz. Luigj Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz. Bumçit: Me 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit 1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni, të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme sikur dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra, të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve, Ai do t’u kërkonte me qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar…dhe, e mbajti premtimin, Korça dhe Gjinokastra mbetën Tokë Shqiptare!

Një dishmi e At Jakë Gardinit, jezuit italian që mbijetoi dhe erdhi në Shqipni në vitin 1992, tregoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu ka pas thirrë Delegatin Apostolik, në vitin 1925 që ishte në Shkodër, dhe i ka pas kërkue me dijtë se shka mendon Vatikani për lidhjet me né, në kjoftë se né mund të hyjmë në “Konferencën Islamike”, mbas një kërkese që i ishte ba Atij nga ana e tyne ato ditë.

Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjegjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju, nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian.

Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i ynë!”.

Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjegjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës.” (Dishmi A.J.Gardin)

Me 5 Maji 1945 qeveria Tiranës, e kryesueme nga Enver Hoxha po, e mvarun kambë e kokë nga shovenistë sllavokomunistë të Titos nxjerr jashtë Delegatin Apostolik të Vatikanit në Shqipni Imz. Leone Nigris... (shkresa e largimit nga qeveria shqiptare u ba me 25 maji...). Imz. Frano Gjini, Abat i Mirditës u caktue nga Vatikani si zevendës i Tij. Me kenë se Imz. Frano Gjini nuk pranoi me shkëputë Kishen Katolike Shqiptare nga Vatikani, u arrestue me 15 Nandor 1946 dhe u pushkatue me 11 Mars 1948.

Ja dhe vullneti i Tij i fundit i shkruem nga krimineli Misto Bllaci: “Rroftë Krishti Mbret, Feja Katolike dhe Katolikët në botë, Rroftë Papa, gjaku dhe trupi i em mbetët këtu, por Shpirti dhe zemra është tek Papa. Rroftë Shqipnia!” (Dosja 1302/A, Arkivi).

Edhe pse me 1 korrik 1951, gazeta komuniste shqiptare “Zëri i Popullit” bani të dijtun se Kleri Katolik Shqiptar “i ka pre mardhanjet me Vatikanin”, tue nenshkrue një “Statut”, per të cilin Ata që e kundershtuen u burgosën dhe Don Ejëll Kovaçi (1958) e Don Dedë Malaj (1959) u masakruen nder hetuesi dhe u pushkatuen, Papa Piu XII, me

3 shtator 1951 urdhnoi Sekretarinë e Shtetit të Qytetit të Vatikanit, që Radio Vatikani të flasë edhe në Gjuhën Shqipe. Udha e saj nisi me: “Udhën e Kryqit”, program i cili asht drejtue nga Don Zef Shestani dhe At Daniel Gjeçaj, gjatë gjithë “Udhës së Kryqit” që ka vazhdue me ba Populli Shqiptar deri në 1991, nën Gjenocidin komunist të E. Hoxhës.

Plot 55 vjet perpara Papa Gjoni XXIII, ditën e Pashkëve, nga Vatikani, kur i bani urimet popujve të Botës, ishte Papa i parë që na uroj nga zemra në Gjuhen Shqipe, të gjithë Popullit Shqiptar “të harruem e të coptuem”: “Per shumë mot Pashkët!”...

Në vitin 1980 asht Papa Gjon Pali II, nga Otranto i Italisë, që drejton mesazhin e Tij per grigjen e vogel Shqiptare të martirizueme nen thundren komuniste:

Sot nuk mund të mos e hjedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipni tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasunohet nga dëshmia e Martirëve të saj: Ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e rregulltare, e besimtarë të thjeshtë”.

Në vitin 1993 asht Ky Papë, që puthi Token e rijtun me gjak të burgosunëve që kishin ndertue Aeroportin e Rinasit, të Tiranës, per të cilin çast më asht shpreh Prof. Sami Rrepishti: “Sa herë shoh foton e Papës Gjon Pali II tue puthë token në Rinas, më kujtohen ata bashkvuejtës që vdiqën dhe që janë të vorrosun nen atë tokë...” (2013)

Në darken e 25 Prillit 1993, Papa Gjon Pali II, në Sheshin “Skenderbej” të Tiranës tha: “Ajo që ka ngja në Shqipni, të dashtun Vllazën dhe Motra, nuk asht pa kurrë në historinë e njerëzimit... Drama e Juej, Shqiptarë të dashtun, zgjon interesimin e gjithë Kontinentit Europian dhe asht  e domosdoshme që Europa mos t’ Ju harrojë.

Dhe, në fakt, ky duhët të jetë pikësynimi sot, me këthye shpejt fletën tue mos harrue atë që ka ekzistue, për me shikue përpara. Pikëpamje kjo, që në një prizem vështrimi asht e drejtë e madje, e domosdoshme, por me një kusht që me mbetë gjithmonë në kujtesën tonë ajo që ngjau në të kaluemen. Në të vërtetë ky asht kusht i domosdoshëm për mos me u rikthye tek të njajtat gabime të përlotuna dhe asht shtegu ma i mirë për një proçes pajtimi të vërtetë... Një demokraci pa vlera, - kam shkrue në Enciklikën Centesimus Annus - mund të shndërrohet lehtësisht në një totalitarizëm të hapun ose të fshehtë, si po na e tregon historia...Në emnin tand Popull Shqiptar, po i drejtohëm këtu, Komunitetëve Ndërkombëtare që ta këthejnë vëmendjen e tyne vepruese ndaj kërkesave të zhvillimit tand të përgjithёshëm. Vetëm kështu, mund të mëkambët Paqa në këte zonë të Ballkanit, të përgjakun nga konfliktet vëllavrasëse të ulta e të pakuptim...”

Papa Gjon Pali II, në mesazhin e tij “Urbi et Orbi”, pikërisht, për Pashkët e vitit 1999, ka thanë:"I lutem Zotit të Ringjallun t'i japë dhuratën e paqes, së pari tokës së martirizueme të Kosovës, ku lot e gjak vazhdojnë të përzihen në një skenar dramatik urrejtjeje dhe dhune. Mendoj për ata që janë vra, për ata që kanë mbetur pa shtëpi, për ata që janë largue me forcë nga familjarët, për ata që janë detyrue të ikin larg..."

***

Edhe pse Toka Shqiptare asht ma e aferta me Vatikanin (tue perjashtue Italinë), qeveritarët tanë vazhdojnë me u largue sa ma larg... E, mundsisht, me “harrue” të gjitha këto perpjekje shekullore të Papëve per vendosjen tonë në Vendin e merituem në shekuj!

Edhe pse Gjaku i Martirëve tanë vazhdon me vlue!.. Ai nuk shuhet kurrë, ashtusi, nuk shuhet as thirrja e Tij: “Rrnoftë Papa, Rrnoftë Shqipnia!’

Vetë Papa Françesko, me Flamurin e Gjergj Kastriotit dhe Nanë Terezës në qafë, tregon se, Papa, si gjithmonë edhe SOT, vazhdon rrugen e Paraardhësve të Tij:

Rrnoftë Shqipnia Europjane e Gjergj Kastriotit !



(Vota: 10 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora