Më falni! Kush jini ju ?!!!
"Vij në fshat e nuk më njohin
Nga t' më njohin, kur s'më
shohin?!!!"
Autori
Tregim i jetuar
Nga Përparim Hysi
Më duket
se kam lindur plak. Mos po zmadhoj? Jo. Aspak. Kështu është. Nuk më pëlqen që
të lëviz. Shkurt fjala: jam si ujë i ndënjur. E di që do më paragjykoni: në ujë
të ndënjur, kurrë mos pi ujë. Po. Ja i tillë kam qëlluar unë. Tek
shkruaj, më vijnë në mënd lutjet e
kolegëve në Drejtorinë Arsimore në Fier. Sa na kish dalë një sponsor për në Maqedoni.
Gëzimi i madh. Askush prej nesh nuk e kish kaluar klonin dhe unë thashë nuk
vij. - Po si është e mundur? Ne mezi gjetëm një sponsor dhe ti vërvit
shqelma? Po unë në timen: nuk vajta. Nuk vajta,
po kot nuk thonë që dardha e ka bishtin prapa. Pa u kthyer mirë kolegët e mi
(qenë gati 12 vetë), ja tek mbrrin nga
im bir një garanci për në Amerikë. Tani po. Tani do kërcej si prifti nga
belaja. Imbir kish vjete në Florida dhe ish bërë me një vajzë. A nuk duhet të ishin
gjyshërit pjesëmarrës në këtë gëzim? Sa u gëzova për timembesë,aq u hidhërova
për këtë "prishje të statuquos" sime. E mora garancinë dhe,pasi
përpilova kërkesën për vizë,e përcolla për në ambasadë. Kur e postova, shpreha
dëshirën që kisha përbrënda:- Do Zoti dhe nuk na japin vizën! Mirëpo, brënda
javës, erdhi përgjigja që , bashkë me timeshoqe, të paraqiteshim atje, tek
rruga e Elbasanit. Herë e parë që qemë kundra njëri-tjetrit me timeshoqe. Ajo e
gëzuar se do vinte tek djali që kishte tri vjet pa e parë dhe unë (asaj nuk ia
shfaqja), i zymtë dhe sikur më kish ngrënë gomari bukën. Dhe ke parë:
ambasada na e dha vizën tri muajore si vizitor. Qe nëntor i vitit 2000. Tërë
natës sikur u përmbys dynjaja. Nuk ra
shi, po sikur binin kërcunj nga qielli. Zoti, siç duket, m'i kish lexuar
"teskeretë e shpirtit" dhe " vuloste" tapitë e mia të mërzitjes. Fshati ku banoja
prej 50-vjetësh, është i gjithi rrëzë një kodre të mbushur me ullinj. I gjithi
poshtë xhades Fier-Lushje dhe, ndërsa kodra është si një presidium i madh apo
si një tribunë gjigande prej dhjetra hektarësh, fshati është si një plate e
madhe. Në atë "presidium" apo tribunë, nën hijen e ullinjëve, kalonim
mbasditet në vitet e pasdiktaturës. E theksoj këtë, se tani kodrat me ullinj janë
mbushur me dhjetra vila që nuk u lënë gjë mangut. vilave
në Evropë. Në theksoj këtë "fizionomi" të fshatit, dua të jem dhe më
i përdrejtë. Kur dola nga fshati më 10 nëntor të vitit 2000, pashë që gjithë
dherat e kodrës kishin vërshuar nga kodra dhe kish mbuluar xhadenë. Në sinkron me
mërzitjen time. Nuk mbahej mënd, ndonjëherë tjetër, të kish ndodhur kështu. M'u kujtua
Shekspiri dhe tragjedia "Makbetth". Atje ka një skenë ku"Pylli i brinjës,i bie malit të
Dysinjës". Dhe thuaj, po deshe, që nuk ka ndodhur. Dherat që kishin
vërshuar mbi xhade, mbanin "ison" e dëshirës sime që fshihej në
shpirt. Por, kur bien këmborët, as që dëgjohen zilet.
* *
*
Vizën e
kishim tre muajore, po, sapo shkelëm në New-Jork, na i shtuan edhe tre muaj të
tjerë. Mbrritëm në Sant Petërsburg të Floridës dhe, veçanërisht, imeshoqe, mend
këndonte nga shendi. Malli për djalin dhe, si thelë mbi bisht, gugitja aq
qiellore e mbesës, Albës. Po, ndërsa unë nuk e kisha një ndjesi të tillë gazmore ( më
ishin prishur ajo qetësia dhe ngrohtësia e Mbrostar-Urës nga isha),
imeshoqe duket se gjeti parajsën.
Konditat që gjeti në Amerikë, as në
përrallë nuk i kish hasur. Kurse unë hundë e buzë.
Mbeta mbyllur si miu në çarg dhe fol o gur, fol, o mur! Pas një jave, më doli
dhe mua të "pirët". I hapa
vetes punë: Albën në karrocë dhe i bija gjithë rajonit ku banoja vërdallë.
Klima: behar, përgjithësisht, dhe katandisa "burrë me pantollona të
shkurtëra". Tri të katërtat e vitit, Florida, bën behar. Xhaketë dhe
pantollona të gjata, brënda vitit, mund të vishje veç një muaj. Goxha mirë dhe
nuk kishe seç i thoshe. Kur thonë: më mirë, prishej. Dhe, tek afrohej që po na
skadonte viza, bëmë kërkesë për ta shtyrë vizën. E shtymë me disa muaj. Mandej,
një avokat na mori në qafë:- Rrini se dokumentet për qëndrim të përhershëm, jua
rregulloj unë. Kështu bëmë. Dhe e "pësuam". Ndodhi tragjedia e
shtatorit 2001 dhe gjërat shkuan së
prapi. Për të mos mërzitur lexuesin as do flas për "maratonën" që
bënë dokumentet tona për t'u pajisur me "greencart", por ju tregoj
shkurt: ne e fituam këtë të drejtë pas 9-vjetësh. Vetëm e vetëm se shkelëm
vizën. Natyrisht, malli për Atdhenë, për
të afërmit, për miqtë e shokët na ngriti avadan. Na gjeti si punë e asaj që tregojnë: -vajti
shyta për brina, la dhe veshtë atje". Pra,erdhëm për tre muaj dhe mbetëm
me vjete. Por, kur u mbushën plot dhjetë
vjet, erdhëm në Shqipëri. Erdhëm dhe do qëndronim tri muaj e do ktheheshim
sërish.
* * *
10-vjet
nuk janë pak. Aq më tepër për moshën e
tretë si unë e imeshoqe. Mezi prisja që të gdhihej, mbasi sosëm në
Shqipëri, se do dilja që të çmallesha me shokët. Sa zbrita në Fier, hasa në një miken time të
vjetër. Për etikë, ca emra që do lakoj, do i ndryshoj, se nuk është faji i tyre. E,pra, takova miken time të vjetër,
Marjanën. E dija që i kish vdekur burri dhe,sa e pashë, i
hodha duarët në qafë, dhe i thashë:
-
Marjana, më vjen keq për ç' të ka ndodhur. Të të rrojnë fëmijët e, pas kësaj
fatkeqësie, vetëm gëzime të kesh! Ajo u skuq, sikur të kish bërë turp, ma priti:
- Më
falni! Po kush jini Ju ?!!! Po t'më kish qëlluar njeri me pëllëmbë a t'më kish hedhur dikush një kovë me ujë të
ftohtë, aty, mes qytetit, doa ta ndjeja veten më mirë se sa me këtë "mosnjohje". Vallë,
kaq ta kisha përtypur okallinë unë,sa mos më njihte dhe Marjana? Se, për t'i
vënë pikat mbi i dhe për lexuesin, po ju them: me Marjanën kemi ngrënë bukë
4-vjet në shkollën e mesme (kemi qenë konviktorë dhe në të njëjtët vite) dhe, veç këtij fakti
kokëfortë, kur dola mësues, unë u emërova në fshatin e Marjanës dhe atje, me
Marjanën, punova dhe tri vjet të tjera. Për 30-vjet të pas martesës së Marjanës
ne shiheshim, pothuaj, për javë. Dhe, ja tani ajo nuk më njohu.
U
zhgënjeva nga kjo mosnjohje e saj dhe nuk i dhashë kënaqësinë e njohjes.
- Nuk më
njohe,- i thashë,- më mirë të mos e dish kush jam. Ika si i fyer në mallin që
kisha dhe, tek bëra ta harroja Marjanën, ja tek përballem me Miçon. U rrokëm
përqafe dhe pyes mbarë e prapë. Epo dhjetë vjet. Nuk i thonë shaka. Ah,
Marjana,- thashë,- a e sheh? Ja Miçoja
më njohu, kurse ti... Pas Miços, agronomi ( nuk dua që ta fyejë se është i
pafjashëm). Unë , sigurisht, në qafë. Epo më ka grirë malli. Agronomit, për t'ia
bërë më "prezente" njohjen,zë e pyes mbarë e prapë. Për t'i thënë jam
unë, or mik, që mos qofsha! E shoh që
sikur nuk është ai që njoh dhe ia zbraz:
- Ore mik, më njeh apo nuk më njeh?
- Ti po
më provokon,- bërtiti dhe iku si i llahtarisur.
* *
*
Me një
sëmbim në zëmër u ktheva në shtëpi. Ia tregova simeshoqe se ç'më kish gjetur. Aha,- tha ajo,- po si nuk
të ka njohur Marjana? Ka dashur vetë dhe
ka bërë. S'të njohu ty, pse kaq ke ndryshuar? Më njohu,s'më njohu as që më
prishej puna dhe doja ta harroja, por "mosnjohja" ime vazhdoi të
nesërmen. Ballë për ballën me atë Miçon
e djeshëm. Sot Miçua është me të shoqen,
Valin. Vali,sa më pa, thirri:- Papi (kështu më thërresin të gjithë ata që më
njohin), po kur paske ardhur nga Amerika?
Tek po
përqafoheshim me Valin, dëgjoj Miçon:- Po, shyqyr,se kam tërë natës që vras
mëndjen kush qe ai që takova!!! U bënë
si shumë "msonjohjet" e mia dhe, ndaj i shkrova ato rreshtat e asaj poezie. Por ndërsa miqtë e shokët që
më"njohën" më bënin qejfin e më mbanin me kurajo,se " gjasme nuk
kisha rënë e kot ankohesha", kur, befas,dha ballë Elmazi. Ky i pret drutë
shkurt. As të njeh për Sulo-be dhe të prishet apo nuk të prishet ajka:- Papi,-
thirri gazmor,- mos shko më në Amerikë,se ke hyrë si doku në ujë. Ky përcaktim
i tij (qe më i saktë nga të gjithë), më vlejti si përgjigje për të gjithë ata
që më pyesnin. Ma ka thënë Elmazi dhe
nuk e luan topi. Por nuk mbaroi me kaq. Tek po vija nga qyteti për në fshat,
ballë për ballë me Hatixhenë. Hatixheja është nga Petova ku më ka rënur
koka. Sa më pa ( me mua qe dhe
imeshoqe), tha:- Dëgjo unë lakra , presh e spinaq shes në Fier, por ti ke humbur andej nga ke shkuar. Edhe bukën,
edhe gjellën ta heqë Hatixheja dhe sakën se shkon më andej. Unë tani sikur
qeshë bërë njeri tjetër: ca nga Miçoja, ca nga Elmazi dhe, ca më shumë, nga
Hatixheja, vendosa:- Do shkoj në Amerikë sa të bëj dorëzimet e shtëpisë (banoja me qera) dhe do kthehem. Dhe kështu
bëra. Ka qenë marsi i vitit 2012 kur e lashë Amerikën dhe,pasi botova poezinë
"Portën e emigrimit e mbylla" u ktheva. U ktheva dhe, pothuaj, kam
rilindur. Me "bukë e gjellë" më mban Hatixheja dhe, kur prek tokën,
bëhem dy herë më i fortë: si Anteu i Mitologjisë! E, ku ka si Atdheu yt? Këto
daulle unë i tund për të gjithë ata që kanë veshë. Ca më shumë për moshën e
tretë. Mos ikni se nuk do t'u "njohë Marjana" a do t'u marrë si
"provokatorë" agronomi dhe,sa të gjeni Elmazin që i thotë gjërat
copë, mund të jetë vonë.Po dhe një Hatixhe si ajo nga Petova zor se do gjeni.
Tepër vonë do të jetë, por si të doni...
Tiranë, 1
prill 2014