E premte, 26.04.2024, 07:27 AM (GMT+1)

Kulturë

Fetah Bahtiri: Dashuria e çiftit të bekuar

E hene, 27.01.2014, 08:55 PM


Recension

DASHURIA DHE ATDHETARIZMI I NJË ÇIFTI TË BEKUAR

(Vilhelme Vranari Haxhiraj, Bashkë në dashur dhe atdhtari, Botim i dytë, Bukuresht, 2013)

Nga Fetah Bahtiri

Para disa javësh, me rastin e Krishtlindjeve dhe në vigjilje të Vitit të ri 2014, doli një dritë botimi i dytë i një libri shumë interesant me titullin simbolik e shumë domethënës: ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari” (Kushtuar Aurelia dhe Ajvaz Vokës nga Shipkovica e Tetovës). Autore e librit është shkrimtarja dhe publicistja e njohur nga Shqipëria, Vilhelme Vranari Haxhiraj. Libri është i formatit 14 X 20,5 me lidhje të butë, ndërsa sponsor i ribotimit është legjenda e gjallë e kulturës shqiptare në Suedi, Sadulla Zendeli Daja. Ballinën e ka me ngjyra, sikur edhe shumë foto që ndodhen në brendi, gjë që e rrit vlerën teknike dhe estetike të veprës, por edhe efektin e perceptimit të së vërtetës dhe realitetit që paraqitet në te. Në libër ndodhen afër 90 fotografi dhe dokumente origjinale të skanuara, të cilat më së miri e tregojnë atë që autorja ka dëshiruar ta paraqesë në këtë vepër vlerash të vjetra, impresionuse dhe interesante. Për këtë arsye dhe për shkak të mënyrës së shtruarjes së matetrialit, libri është një lloj dokumentari me elemente biografike për një çift me taban të shëndoshë, por edhe për kontributin e tij në fushë të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.

Vepra respektive është interesante sepse në te paraqiten ngjarje, rrethana dhe veprimtari të individëve në një kohë të kaluar ku protagonistë janë dy persona të dashuruar si burrë e grua, por edhe si dy luftëtarë të devotshëm në fushën magjike të veprimtarisë patriotike për çështjen shqiptare. Tema e librit që karshi dashurisë, brum kryesor e ka adhedashurinë, shtrohet e sqarohet aq bukur, aq rrjedhshëm dhe aq bindshëm, sa që atë që e merr në dorë këtë libër e bën ta lexojë me një frymë, pa u lodhur dhe pa e ndërprerrë lekturimin e tij. Autorja që e ka strukturuar librin në gjashtë kapituj, dëshmohet edhe si njohëse e mirë e gjeografisë dhe historisë së ambientit nga e ka prejardhjen Ajvaz Voka, i cili, për shkak të shtypjes sociale, politike dhe presioneve të pushtetit sllav të asaj kohe, ishte shpërngulur në Rumani më 1928, ku pas 4 vitesh (1932), ishte takuar me fatin e tij jetësor: Aurelia Graur. Këta dy të rinj u njohën, u dashuruan, u bashkuan dhe filluan jetën e përbashkët, por edhe veprimtarinë atdhetare për çështjen shqiptare në kohën e Asdrenit dhe rilindësve tanë të panumërt në Bukuresht. Mua më duket shumë ineresante veprimtaria e zonjës Aurelia Graur, një rumune e cila porsa u martua me shqiptarin e Sharrit – Ajvaz Vokën, me mish e shpirt iu përkushtua çështjes shqiptare.

Kjo zonjë tashmë e ndjerë, që në vitin 1932 kishte qëndisur në një pëlhurë artizanati kushtrimin ”Rroft Shqipnija e na nimoft Perëndija!”. Nuk mund të ekzistojë argument më i fortë se ky qëndrim i saj që vërteton se ajo qysh atëherë, nga bashkëshorti si saj ishte pajisur me njohuri të mjaftueshme për shqiptarët, për Shqipërinë dhe Kosovën. Prandaj, sikur që e donte Ajvazin, e donte jo vetëm  Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe Shipkovicën. Këtë dashuri të madhe të saj e argumenton edhe fakti se kur burri i saj vendosi të kthehet në vendlindje (1941), edhe ajo ishte kthyer bashkë me te, në një fshat të Malësisë së Sharrit, në Shipkovicë. Atje ku Aurealia kishte vazhduar një jetë të zakonshme, por e angazhuar me gjithë shpirt t`u ndihmojë femrave tjera në atë ambient, për emancipimin e tyre. Prandaj, ata që e njohën, e patën pagëzuar ”Nëna Tereze e Shipkovicës”. Nuk është vetëm veprimtaria e saj që bëri të quhet kështu. Ajo u lind në vitin kur u lind Gonxhe Bojaxhiu (1910), dhe vdiq në të njëjtin vit kur vdiq Nëna Tereze (1997). Edhe burri i saj u lind 500 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriotit (1905), dhe jetoi aq sa jetoi edhe Skënderbeu, 63 vjet (1968)! Bashkëpërkime interesante, apo jo!

Unë në vitin 2011 kam shkruar një roman me titullin ”Rrugëtimi i Dashurisë”. Moto e këtij romani është: ”Dashuria mes një gruaje dhe një burri është dhuratë e Perëndisë. Ajo nuk ka rregulla dhe nuk njeh kufij”. Në veprën ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari” shkohet edhe më larg. Dashuria është ajo që Aurelian e nxit të jepet me mish e me shpirt në shërbim të atdhedashurisë për atdheun e të zgjedhurit të saj. Autorja në libër sqaron edhe faktin se Aurelia Voka ka qenë e ndikuar edhe nga princesha me origjinë shqiptare, Elena Gjika, e njohur me pseudonimin Dora d´Istria dhe veprimtaria e saj. Por, unë gjithnjë mendoj se Aurelian e ka joshur me dashuri ndaj shqiptarëve i shoqi, Ajvazi, i cili në Bukuresht kishte zhvilluar një veprimtari aktive në bashkëveprim me figurat më të njiohura të kohës. Madje, në libër sqarohet se si atëherë Bukureshti ishte një koloni shumë e rëndësishme shqiptare. Aty kishin jetuar dhe jetonin e vepronin figurat më të rëndësishme të kohës, sepse në atë ambient lindi projekti i shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912. Aty lindi edhe hymni unë kombëtar. Aty u veprua me mish e me shpirt për interesat vitale të kombit shqiptar.

Ajvaz Voka aty pati rastin të njohë Asdrenin, Mitrush Kutelin, Ibrahim temon, Lasgush Poradecin, Petro Janurën, Aleko Vançin, Gjergj Bubanin e veteranë të tjerë. Ajvaz Voka në mënyrë direkte apo indirekte u ishte bashkangjitur këtyre veprimtarëve dhe atdhetarëve të shquar. Derisa jetonte dhe vepronte në Bukuresht, edhepse merrej me tregti të imtë si ëmbëltor, ai merrej edhe me shkrime gazetareske. Kemi aty artikullin në gjuhën rumune kushtuar shqiptarëve dhe Shqipërisë me titullin ”Populli Shqiptar dhe rendi i ri europian” (Curentul, maj 1941). Këto fakte të njohura historikisht sqarohen mjaft bindshëm edhe në këtë libër. Por, autorja gjenezën e përcaktimit patriotik të këtij çifti e gjen në rradhë të parë në ambientin e Shipkovicës së Ajvaz Vokës. Lexojmë të dhëna interesante gjeografike, historike dhe toponomastike për këtë fshat malor me një biografi të bujshme në zemër të Sharrit. E gjejmë faktin se kjo trevë shqiptare gjithmonë ka qenë dhe ka mbetur vendlindje e atdhetarizmit. Lexojmë të dhëna bindëse për fisnikërinë, bujarinë, miqësinë, atdhetarinë, atdhedashurinë dhe besnikërinë e shipkovicasve gjatë historisë. Madje, autorja këtë Malësi e quan ”Kërthizë e shqiptarizmit”.

Në libër e hasim edhe një fakt tejet interesant. Shihet dhe argumentohet me shumë fakte të shkruara, dokumente dhe të dhëna të tjera, se virtytet që i përmendëm pak më parë lidhur me Ajvaz Vokën, konstatojmë se këto i ka trashëguar edhe pasardhësi i tij, Baki Ymeri i cili jeton dhe vepron në Bukuresht. Autorja këto të dhëna i sqaron në mënyrë të plotë dhe bindëse, me foto të shumta, me dokumente dhe me biseda në formë intervistash e letërkëmbimesh. Në libër i shohim faktet se sot Baki Ymeri është personalitet i shquar dhe i dalluar i atdhedashurisë shqiptare në Rumani. Sipas atyre që e kanë njohur apo lexuar, ai është ”Oksigjen i diasporës shqiptare, Një zjarr i shenjtë për zemrat shqiptare, Një jetë e shkrirë në funksion të kulturës kombëtare, Simbol frymëzimi dhe admirimi, Krenari e mërgatës sonë në botë, Drita e Dardanisë në Bukuresht”. Dhe jo vetëm kaq! Baki Ymeri, trashëgimtari i Ajvaz dhe Aurelia Vokës, i persekutuar dhe i ndjekur politikisht në ish Jugosllavinë komuniste, është kryeredaktor i revistave ”Shqiptari” dhe ”Kosova”, autor i shumë veprave letrare, i antologjive të krijuesve shqiptarë, përkthyes i përsosur nga rumanishtja në gjuhën shqipe dhe anasjelltas, dhe mbi të gjitha një ambasador i vërtetë i kulturës sonë në Rumani dhe Evropë.

Nuk mund ta përfundoj këtë recension pa theksuar se shumë fotografi e dokumente që ndodhen në këtë libër me 150 faqe, janë një thesarr i mirëfilltë kombëtar. Është thënë shumë herë se një fotografi e mirë flet më shumë se njëmijë fjalë. Kjo thënie konfirmohet edhe nga begatia që ofron Vilhelme Vranari Haxhiraj në kuadrin e librit të saj ”Bashkë në dashuri dhe atdhetari”. Unë rekomandoj që secili lexues i cili është i interesuar për të lexuar libra që zgjojnë kureshtjen ta kenë këtë libër në bibliotekën e vet. Ju garantoj se Jua dërgon falas Bakiu sipas porosive, ngase tryezën e ka plot. Duke e shfletuar këtë vepër, njeriu mëson për shumë gjëra impresionuese, për një varg rrethanash e raportesh interesante, por në të njëjtën kohë e pasuron dhe fisnikëron shpirtin e vet, në rradhë të parë me dashuri ndaj familjes, kombit dhe atdheut.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora