E diele, 05.02.2023, 04:12 AM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Mbyllet Panairi “Tirana 2013”

E marte, 19.11.2013, 07:00 PM


Në këtë panair u shitën më pak, u informuan më pak, kishte vizitorë, por jo blerës

Mbyllet Panairi “Tirana 2013”, asnjë risi

Nga Albert Zholi

Dje ishte dita e fundit e Panairit të Librit “Tirana 2013”. Komentet për këtë panair vazhdojnë edhe pse mund të themi se dy ditët e fundit pjesëmarrja apo vizitorët ishin më të shumtë. Bilancet janë nga më të ndryshmet, por ajo që është më kryesorja s’ka pse të mbulohet. Në këtë panair morën shumë më pak shtëpi botuese, u shitën më pak libra, organizimi vlente për të dëshiruar, informacioni i mangët, lidhja me shtypin e vakët. Ishte një panair pa nerv, thjesht një Panair i radhës. N.q.s do të bëjmë krahasimet me një vit më parë, si nga ana e organizmit, si nga ana mediatike, bashkëpunuese, niveli në të gjitha aspektet ishte më i ulët. Duke qëndruar dy ditë, për mëse 9 orë, shihje grupe nxënësish shkollash, grupe pensionistësh, apo dhe individë që, qarkullonin për orë të tëra nga njëra stendë në tjetrën, nga njëri kat në tjetrin, nga njëri krah në tjetrin, por më shumë si vizitorë se sa si blerës. Njerëzit i shihnin stendat dhe titujt e librave më shumë për kureshtje se sa për ti bërë pronë të tyre. Shumë prej tyre edhe psherëtinin kur kishin dëshirë për të blerë një libër, por xhepi i ngushtë nuk i lejonte. Librat më të mirë kishin një çmim të kripur, për xhepat e tyre të varfër. Ishte luks për disa kur blinin romane të përkthyera me një çmim prej 1 500 lekë, kur shumica blinin libra me çmime deri në 500 lekë, thjesht për të ngushëlluar veten, se erdhëm por nuk dolëm bosh. N.q.s një vit më parë, fëmijët nuk shkuleshin nga stendat pa u siguruar prej prindërve se do merrnin 4 apo 5 libra, këtë radhë pjesa dërrmuese e fëmijëve “gënjeheshin” dhe me një libër, atë më të domosdoshmin. U vu re se shumë pjesë të hapësirës së hollit kryesor, ku vjet nuk mund të kaloje, sivjet ishin të lira, pasi mënyra e keqe e organizmit kishte bërë që shumë shtëpi botuese të mos ishin pjesë e Panairit, për kontradiktat që u lindën gjatë lidhjes së kontratave me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë. Sigurisht, përpos më lart edhe kriza ka efektet e saj, që nuk duhen mënjanuar, por kryesisht problemet qëndrojnë tek organizimi. Çmimi i librave ishte i njëjtë por, të ardhurat e popullsisë shqiptare këtë vit ishin më të pakta se, një vit më parë, pasi është rritur çmimi i prodhimeve bujqësore është rritur çmimi i naftës, çmimi i gazit, çmimi i vajit, sheqerit, ujit, etj..

Cilat janë problemet e botuesve?

Ç’do shtëpi botuese dëshiron të shesë më shumë, të shesë vazhdimisht, por problemi kryesor mbetet çmimi i librit. Të gjithë qahen për koston e librit, pasi është rritur çmimi i letrës, është rritur çmimi i blerjes së drejtës së autorit të përkthyer. Shoqata e Botuesve ka vite që ka kërkuar heqjen e TVSH-së për letrën, por shteti e ka bërë një vesh shurdh për këtë problem jetik për botuesit, por edhe për blerësit. Nuk është pak ulja e çmimit sa TVSH e letrës. Në libraritë e Tiranës Kryebashkiaku Basha e ka ulur me një të tretën  taksën për libraritë (biznes i vogël), por kjo nuk e ka zgjidhur problemin e librit. Sipas shumë botuesve, që të ulet çmimi i librit, që të ritet numri i blerësve, duhen politika akoma më lehtësuese nga shteti si, ajo që shteti të rimbursojë siguracionet e përkthyesve, redaktorëve, dizajnit, gjë e cila është shumë e pamundshme. Ndërsa e veçantë sipas tyre mbetet një dëshirë si ëndërr që shteti ose Ministria e Kulturës të akordojë një fond për përkthyesit, si e vetmja mënyrë që libri ynë të shkojë jashtë, apo libri i mirë të hyjë në tregun tonë sa më lirë.

Krijimi i bibliotekave të shkollave

Ndoshta është problemi më i madh. Sot edhe në gjimnazet me jetë 60- vjeçare dhe një bibliotekë të vakët, të cunguar, pa sistem, pa orientim. Ato kanë një varfëri të tejskajshme në tituj. Edhe ata pak tituj që janë thuajse nuk frekuentohen nga nxënësit.  Është një detyrë e hapur e Ministrisë së Kulturës dhe Arsimit që t’i kthejë sytë sa më shumë nga këto shkolla. Bibliotekat e shkollave duhet të jenë të mbushura, ato duhet të gumëzhijnë nga nxënësit. Për çdo vit duhet që të bëhen listë-kërkesa të studiuara nga Shtëpitë Botuese, për ata tituj që i shërbejnë moshës, shkollës, edukimit të nxënësve. Pa shkolla me biblioteka të pasura, edukimi, informimi, përgatitja, e nxënësve do të jetë e mangët.

E drejta e kujt duhet të jetë Panairi?

Një pyetje që lind vetiu. Këtë vit Ministria e Kulturës ishte sponsorizuesja kryesore e kësaj veprimtaria kaq të madhe të librit. Sa ndikon shuma e dhënë nga Ministria e Kulturës në uljen e çmimit për metër katror të Shtëpiaë Botuese pjesëmarrëse? A ndikon kjo shumë në uljen e çmimit të librave? A nuk do të ishte më mirë që Këshilli Kombëtar i librit pranë kësaj ministrie të ishte vetë ideatorja dhe organizatorja e drejtpërdrejtë e kësaj veprimtarie?

Besoj se do të ishte më mirë, pasi vetëm kështu do të shmangeshin abuzimet. Përderisa Shoqata e Botuesve, paguhet nga pjesëmarrësit në Panair, përderisa sponsorizohet edhe nga Ministria, ahere pse Ministria e Kulturës të bëjë rolin e ndërmjetësit? Sipas një orientimi shumë të thjeshtë, me ato çka ministria investon, mund ta organizojë më mirë panairin, mund ta promovojë më mirë këtë festë të librit, mund ta thjeshtëzojë organizimin e këtij eventi, por njëkohësisht mund të ndikojë në uljen e çmimeve të librave në panair në mënyrë të kontrolluar.

Librat më të shitur?

Mbeten sërishmi romanet apo librat publicistikë të përkthyer. Kjo për shumë arsye, pasi Shtëpitë Botuese u bëjnë më shumë reklamë si televizive po ashtu edhe me mënyrat e tjera të reklamës si FB, Tvviter, Google, etj.. Rendja pas librave të përkthyer i ka dhënë frytet e veta, ndaj dhe botuesit rendin pas tyre. Janë shumë të pakët librat e autorëve shqiptarë, që zaptojnë tregun e sidomos panairet. Madje, edhe ata libra të autorëve shqiptarë që u bëhet reklamë, nuk arrijnë ato të përkthyerat, pasi tashmë është kthyer gati, gati në një besim tek lexuesi, sepse vetëm ato libra kanë vlera, artistike apo estetike.

Transparenca

Ende mbetet e hapur... Duhet të jetë në kulturën, emancipimin, detyrueshmërinë e Kryesisë së Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, që një javë apo diçka më afër apo më larg, të bëjnë transparente, vendin, kohën, pagesat për metër katrorë të marra nga Pallati i Kongreseve, apo pagesat që duhet të derdhin për metër katrorë çdo Shtëpi Botuese, financimet apo sponsorët.

Shtëpitë Botuese më të vizituara

Edhe këtë vit Shtëpitë Botuese më të vizituara, më të kërkuara dhe të diskutuara për nivel mbeten “Toena”, “Onufri”, “Bota Shqiptare”, “Botart”, “Labova”, “Eugen”, etj.. Korrektësia në shërbim, cilësia e librit, çmimet e ulëta, fletëpalosjet orientuese, ishin tiparet dalluese të këtyre Shtëpive Botuese.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora