E shtune, 27.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Shqiptarët dhe Amerika

E shtune, 16.11.2013, 10:11 PM


SHQIPTARËT DHE SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Nga Xhelal Zejneli

Shqiptarët në Ballkan janë një popull që rrethohen nga armiq: nga serbë, grekë, bullgarë, malazezë dhe sllavo-maqedonas. Pra, shqiptarët e Gadishullit rrethohen kryesisht nga popuj sllavë. Këta janë popuj të cilët i takojnë të njëjtës familje – asaj sllave.

Sllavët e Ballkanit historikisht kanë qenë nën mbrojtjen e Rusisë së madhe.

Shqiptarët, jo vetëm që rrethohen nga popujt sllavë të rajonit, por këta popuj e kanë edhe mbështetjen e një fuqie të madhe – Rusisë.

* * *

Në Luftën e Parë Botërore, Greqia dhe Serbia luftuan në anën e Francës dhe të Anglisë, kundër Fuqive Qendrore – Gjermanisë, Austro-Hungarisë... Mbi këtë bazë, grekët dhe serbët që nga viti 1914 e deri në ditët tona, e gëzojnë mbështetjen e fuqishme të Parisit.

Në kështjellën Kalemegdan të Beogradit, që ndodhet 500-600 m larg qendrës së këtij qyteti, ka një përmendore monumentale prej mermeri të bardhë, në të cilën shkruan: “E duam Francën, ngase edhe ajo na ka dashur neve” (Volimo Francusku jer je i ona volela nas). Një president francez, gjatë vizitës së tij në Beograd në vitet ’80, në përputhje me agjendën e tij, vuri kurorë në përmendoren e lartpërmendur.

Nga kjo që u tha më sipër rezulton se serbët dhe grekët, këta armiq historikë të shqiptarëve, mbështeten jo vetëm nga Rusia sllave, por edhe nga Franca.

* * *

Një pjesë e madhe e shqiptarëve, si pasojë e sundimit të Perandorisë Osmane u konvertuan në fesë islame. Evropa ndërkaq, është kontinent i popujve të krishterë. Të jesh popull me fe islame, në kontinentin e popujve të krishterë, do të thotë të mos e gëzosh mbështetjen e njëmendët të kancelarive të Evropës. Fuqitë e mëdha të Evropës shqiptarët i kanë konsideruar si mbetje turke në Ballkan, si përçues të interesit turk në rajon dhe si popull që funksionon me vlera orientale – turke, arabe, persiane dhe islamike në Evropën e krishterë. Si të tillë, shqiptarët janë privuar nga mbrojtja e Perëndimit.

* * *

Si rrjedhojë e rrethanave të lartpërmendura, me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër të mbajtur në vitet 1912-1913, më tepër se gjysma e popullit shqiptar dhe e territorit të tij mbetën jashtë vendit amë – Shqipërisë dhe sot shqiptarët jetojnë në gjashtë shtete: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Çamëri.

Territoret e shqiptarëve u grabitën prej vendeve armike: Serbisë, Greqisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

* * *

Shqiptarët, një popull i vogël, si pasojë e rrethanave historike u përkasin tri feve: katolike, ortodokse dhe islame. Gjatë historisë politike të kohës më të re, shqiptarët ishin nën ndikimin e Romës, të Athinës dhe të Stambollit.

Ndikimet e qendrave të sipërthëna, me të madhe ushtrohen dhe sot. Roma dhe Vatikani synojnë të ushtrojnë ndikim mbi shqiptarët e besimit katolik; Athina dhe Moska synojnë të ushtrojnë ndikim mbi shqiptarët e besimit ortodoks; ndërkaq Ankaraja dhe bota arabe, përkatësisht ajo islamike synojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi një pjesë të shqiptarëve të besimit islam.

Përçarja eventuale e shqiptarëve mbi baza fetare do të shkaktonte bosnizimin, për të mos thënë dhe libanizimin e kombit shqiptar.

* * *

Duke qenë një gjysmështeti, Shqipëria gjatë tërë shekullit XX nuk arriti ta marrë veten. Ajo mbeti rajoni më i pazhvilluar i Ballkanit dhe i Evropës.

Viset shqiptare që u pushtuan nga Serbia, iu nënshtruan terrorit shtetëror të boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë).

Golgotë, prej eskadroneve të krimit dhe të vdekjes, të udhëhequra nga gjenerali kriminel Napoleon Zervas (1891-1957) përjetuan dhe çamët.

E përgjysmuar, Shqipëria nuk mund të konsolidohej, nuk mund të zhvillohej dhe as të ngrihej në shtet demokratik. Pjesën më të madhe të shekullit XX, si pasojë e përgjysmimit të trungut kombëtar dhe e ngecjes në zhvillim, ajo e kaloi nën diktaturë, si para Luftës së Dytë Botërore, ashtu edhe pas saj.

Pra, shqiptarët:

- ballafaqohen me një rrethim tragjik; d.m.th. janë të rrethuar prej popujve sllavë të Gadishullit: serbëve, bullgarëve, malazezëve dhe sllavo-maqedonasve;

- shqiptarët rrethohen edhe prej armiqve grekë;

- fqinjët e shqiptarëve gjithmonë kanë pasur aspirata t’i pushtojnë pothuajse të gjitha territoret e tyre;

- fqinjët grabitqarë të shqiptarëve kanë pasur mbështetjen e Rusisë;

- Serbia dhe Greqia e kanë gëzuar mbështetjen e Francës;

- një pjesë e kombit shqiptar i takon fesë islame, ndërsa gjeografikisht Shqipëria i takon Evropës së krishterë;

- shqiptarët u përkasin tre besimeve fetare dhe si të tillë mbi ta synojnë të ushtrojnë ndikim Perëndimi, Lindja dhe Orienti turko-arabo-islamik.

- shqiptarët janë popull i veçantë i botës indoevropiane. Me fjalë të tjera, ata nuk i takojnë asnjë familjeje të popujve idnoevropianë. Në gjirin e botës indoevropiane shqiptarët përbëjnë familje të veçantë. Duke qenë popull i veçantë, janë edhe të vetmuar.

* * *

Duke qenë të vetmuar, shqiptarët janë edhe të rrezikuar.

Duke qenë popull i islamizuar, me pozitë në Evropën e krishterë, prej disa kancelarive të kontinentit, e sidomos nga Moska, që nga kriza e dytë lindore (1877) e deri më sot, shqiptarët janë konsideruar si popull me identitet të diskutueshëm.

Një popull, fajet për ngecjen e vet në histori, më parë se te të tjerët, duhet t’i kërkojë në vetvete.

* * *

Shqiptarët janë i vetmi popull në rajon i cili nuk ka të ndërtuar një projekt apo një program kombëtar. Shqiptarët janë ndër popujt e rrallë në Gadishull i cili nuk ka të përkufizuar ideologji kombëtare.

Duke mos pasur një program kombëtar dhe një ideologji kombëtare, shqiptarët nuk e kanë të përkufizuar as edhe interesin strategjik kombëtar.

Shqiptarët nuk e njohin sa duhet historinë e vet kombëtare. Shqiptarët nuk u kushtojnë rëndësi të duhur vlerave mbi të cilat ndërtohet dhe ngritet vetëdija kombëtare, siç janë: gjuha dhe historia e saj, arti popullor, historia kombëtare, prejardhja e racës, pastërtia e racës, autoktonia, personalitetet historike, gjeografia kombëtare, etnografia, virtytet kombëtare, traditat kombëtare, arti muzikor popullor, arti figurativ kombëtar, raportet me fqinjët, armiqtë historikë, aleatët historikë, aleatët e natyrshëm.

Njohja e vlerave kombëtare dhe e vlerave shpirtërore është conditio sine qua non e ndërtimit të vetëdijes kombëtare.

Duke qenë se shqiptarët nuk e njohin sa duhet historinë e vet kombëtare, rrjedhimisht ata kanë një shkallë të ulët të vetëdijes kombëtare.

Pak shqiptarë e dinë se studiuesit gjermanë janë marrë me studime shqiptare, duke filluar që nga filozofi dhe matematikani Gotfrid Vilhelm Lajbnic (Gottfried Ëilhelm Leibniz, 1646-1716), i cili më 1705, bashkë me studiuesin e hershëm të gjuhës shqipe Erik Hemp i paraqitën teoritë e para të prejardhjes ilire të shqipes dhe këtë, gjermanët nuk e bëjnë rastësisht. Këto studime janë pjesë e interesit kombëtar të faktorit gjerman.

Në mungesë të programit kombëtar, shqiptarët nuk ia dolën të ngriten gjatë historisë, e deri në ditët tona, në popull politik.

Më kot je atdhetar, po qe se nuk ke formim politik. Atdhetarizmi nuk është vetëm folklorizëm.

Politika nuk është punë individësh, grupesh të interesit apo partish politike. Ajo është çështje që përpunohet deri në përkryerje dhe që ndiqet nga institucionet më të larta të shtetit, bazuar në studimet komplekse shumëdimensionale të institucioneve më të larta shkencore të kombit.

Si pasojë e rrethanave historike dhe e rrethimi tragjik, shqiptarët janë vonuar gjatë historisë.

Të vonuar në histori, shqiptarët kanë ngecur edhe ekonomikisht.

Si rrjedhojë e ngecjes në zhvillim, shqiptarët nuk kanë arritur të krijojnë determinantë sociologjikë dhe politikë relevantë të zhvillimit kombëtar. Me fjalë të tjera, nuk kanë arritur të krijojnë klasë politike, klasë intelektuale dhe klasë shoqërore të konsoliduar. Për elitë politike, intelektuale dhe shoqërore shqiptare as që mund të flitet.

Të vonuar në histori, të ngecur në zhvillim, me klasë politike, intelektuale dhe shoqërore të kufizuar dhe pa elitë politike, intelektuale dhe shoqërore, shqiptarët në Ballkan mbetën një popull social. E popujt socialë, preokupim kryesor e kanë,  jo kombin dhe shtetin, por ekzistencën dhe mbijetesën.

Shqiptarët si popull social, përbëhen prej dy segmenteve shoqërore:

- e para, një pakicë e vogël e kombit, në rrugën abuzive synon të pasurohet brenda natës dhe të shndërrohet në shtresë të lartë të shoqërisë;

- pjesa dërmuese e shqiptarëve luftojnë për të mbijetuar, ose synojnë t’i lënë trojet amtare, për të emigruar në Perëndim, deri edhe përtej deteve dhe oqeaneve, drejt SHBA-së.

Shqiptari i varfër nuk e ka preokupim parësor gjuhën amtare, flamurin, historinë kombëtare, Skënderbeun, fenë, virtytet dhe traditat kombëtare, lashtësinë e racës dhe pastërtinë e saj, prejardhjen ilire, të qenët autoktonë.

Në mungesë të vetëdijes historike dhe të kujtesës historike, në mungesë të programit kombëtar dhe të ideologjisë kombëtare, pas Luftës së Dytë Botërore Enver Hoxha e lidhi Shqipërinë me Lindjen bizantine dhe me lindjen e largët: me Beogradin, me Moskën dhe me Pekinin. Me fjalë të tjera, Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë nga Perëndimi, d.m.th. nga anglo-amerikanët për t’u lidhur me armiqtë e përbetuar të shqiptarëve – me Jugosllavinë të dominuar prej serbëve dhe me BRSS-në, të mbizotëruar prej rusëve. Komunizmi rus nuk ishte veçse pansllavizëm.

* * *

Në rrethana të rrethimit tragjik, shqiptarët duhet të ndërtojnë projekt kombëtar.

Projekti kombëtar shqiptar duhet ta ketë të përkufizuar ideologjinë kombëtare shqiptare dhe interesin strategjik të kombit shqiptar.

Shqiptarët janë popull me pozitë gjeografike në Evropë. Por, duhet ditur se nuk ekziston subjekti politik evropian. Me fjalë të tjera, Evropa nuk paraqet subjekt politik. Rrjedhimisht, aleat i vetëm dhe i përjetshëm i shqiptarëve duhet të jetë SHBA-ja.

Shqiptarët duhet ta dinë se kombi i tyre në Ballkan, pa SHBA-në nuk mund të bëjë asnjë hap përpara. Shumëçka në Evropë, për të mos thënë çdo gjë, është në duart e Uashingtonit.

Shqiptarët nga ky rrethim tragjik dhe fatal mund t’i mbrojë vetëm SHBA-ja dhe askush tjetër.

Miqësia me SHBA-në nuk duhet të shndërrohet në mit dhe në retorikë të zbrazët. Nuk mjafton të thuhet se shqiptarët janë populli më proamerikan në botë. Miqësinë ndaj amerikanëve duhet treguar me vepër.

Shqiptarët duhet ta dinë se nuk janë amerikanët ata që i lusin shqiptarët për t’i bërë aleatë dhe partnerë strategjikë. Përkundrazi, janë shqiptarët ata që kanë nevojë jetike për SHBA-në. Pikëpamjet se Uashingtoni u ndihmon shqiptarëve për interesa të veta – strategjike, jo vetëm që janë të diskutueshme dhe relative, por janë dhe thellësisht antishqiptare.

Shqiptarët duhet ta dinë se popujt e vegjël, shtetet e vogla dhe ekonomikisht të pazhvilluara nuk mund të bëjnë politikë dhe nuk mund të merren me politikë.  Një popull i vogël dhe me shkallë të ulët të zhvillimit ekonomik dhe social, duhet të lidhet me një shtet të fuqishëm dhe demokratik, ndërsa një pjesë të politikës kombëtare duhet t’ia lërë aleatit apo partnerit strategjik. Ndërkaq, detyrë e aleatit të madh dhe të fuqishëm është që këtij populli të vogël t’i mundësojë:

- bashkimin kombëtar;

- zhvillimin ekonomik;

- ndërtimin e shtetit demokratik dhe

- sigurinë dhe mbrojtjen prej fqinjëve grabitqarë

Bashkimin Evropian e udhëheqin Gjermania dhe Franca. Përballë tyre, jo rrallë dhe si oponente, qëndron Britania e Madhe, e cila ka lidhje speciale me SHBA-në. Shtetet e tjera të BE-së, sidomos ato që janë më të vogla, fare pak implikohen në punët politike dhe ushtarake të Unionit. Qëllimi parësor i tyre është zhvillimi ekonomik dhe jo ndërtimi i politikës së Brukselit. Shqiptarët pra duhet ta dinë se, duke qenë një popull jo i madh dhe në zhvillim e sipër, nuk duhet të pretendojnë e të bëhen kreatorë të politikës. Ata duhet të kenë synim bashkimin kombëtar, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e shtetit demokratik dhe mbrojtjen e sovranitetit.

Shqiptarët kurrë s’duhet të harrojnë se nuk janë shtet i plotë, por janë një gjysmështeti. Si të tillë nuk duhet të pretendojnë të luajnë rol të madh në politikën globale, në NATO apo dhe në BE.

Enver Hoxha dikur mendonte se ndjek politikë të madhe duke sulmuar verbalisht imperialistët amerikanë, revizionistët sovjetikë dhe socialimperialistët kinezë. Politika e tij e madhe, të vetmen mbështetje e gjente në grupet marksiste-leniniste të Amerikës latine.

Popujt që nuk kanë të ndërtuar projekt kombëtar, që nuk kanë të hartuar ideologji kombëtare dhe që nuk e kanë të përkufizuar interesin strategjik kombëtar, enden vazhdimisht, sa në Perëndim aq edhe në Lindje. Emisarët e tyre herë i gjen në Uashington e Moskë, herë në Bruksel e Ankara.

Politikat jokonzistente duken joserioze. Popujt e tillë kurrë s’mund të gjejnë aleatë të vërtetë, të sigurt, të besueshëm dhe afatgjatë. Popujve të tillë, partnerët strategjikë nuk u besojnë sa duhet.

Ndër shqiptarë ka edhe të tillë që duan t’i vënë kushte Uashingtonit. Të tillët duhet ta dinë se, sot e mot, s’ka fuqi në rruzullin tokësor që mund t’i vërë çfarëdo kushti SHBA-së.

Shqiptarët duhet ta dinë se në Konferencën e Paqes në Paris (1919) i mbrojti presidenti Vudro Uillson; në vitin 1992, presidenti Xhorxh Bush me rastin e Krishtlindjeve, e paralajmëroi Sllobodan Millosheviqin që të ndal dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës të cilët përbëjnë mbi 90%  të popullsisë së saj. Përndryshe, po qe se Beogradi e kalon këtë vijë të kuqe – paralajmëron presidenti Bush -  me këtë rast interesat amerikane në Evropën juglindore do të rrezikoheshin në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe për ta ndalur dhunën serbe, SHBA-ja do të ndërhynte me forca dhe në mënyrë unilaterale. Në vitin 1999, për ta ndaluar kalvarin dhe eksodin biblik shqiptar të shkaktuar nga dhuna serbe, dha urdhër të bombardohen forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi. Presidenti Xhorxh W. Bush, me rastin e vizitës së tij historike në Tiranë, paralajmëroi se Kosova do ta shpallë pavarësinë.

Me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, ndërsa me ndihmën kryesisht të Uashingtonit, Kosova u njoh nga më se 100 vende të botës.

Me ndihmën e drejtpërdrejtë të SHBA-së, ruhet dhe sigurohet edhe tërësia tokësore e Kosovës dhe sovraniteti i saj. Në saje të SHBA-së, gjatë luftës në ish-Jugosllavi, në Kosovë u shmang një tragjedi si ajo në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Roli i SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë ka qenë dhe është vendimtar.

Integrimi i rajonit në strukturat euro-atlantike, pra në NATO dhe në BE varet, jo aq nga Brukseli sa nga Uashingtoni.

* * *

Armiqtë e shqiptarëve bëjnë çmos dhe të pamundurën që ta prishin miqësinë e përjetshme të shqiptarëve me SHBA-në. Marrëdhëniet strategjike midis shqiptarëve dhe SHBA-së u pengojnë: Beogradit, Athinës, Moskës dhe lakejve të tyre në Shkup.

Në radhët e shqiptarëve ka edhe ndonjë mercenar. Këta i gjen ndër të ashtuquajtur analistë, botues gazetash dhe revistash, drejtues mediumesh, opinionbërës, klerikë, deputetë, ministra dhe politikanë.

Të ashtuquajturit analistë që i shtrojnë pyetje Uashingtonit, duhet ta pyesin veten: perse shqiptarët janë të ndarë në gjashtë njësi shtetërore? Përse shqiptarët, ekonomikisht janë ndër popujt më të pazhvilluar të rajonit dhe të Evropës? Përse shqiptarët pothuajse tërë shekullin XX e kalojnë nën diktaturë? Përse konsolidimi i kombit shqiptar dhe faza e tranzicionit është stërzgjatur? Përse shqiptarët me shumë mund e ndërtojnë shtetin ligjor dhe rendin demokratik?

Po qe se vazhdimisht do t’i fajësojmë: Kongresin e Berlinit (1878), Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1912-1913) dhe Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe po qe se sundimtarët e egër shekullorë do t’i shpallim vëllezër, pa e kërkuar kurrë fajin dhe përgjegjësinë në vetvete, ne rrezikojmë që të na përsëritet historia.

Lidhur me asgjësimin e armëve kimike të Sirisë, të rinjtë shqiptarë protestuan në mënyrë të kulturuar. Ndërkaq, para ambasadës së Shqipërisë në Shkup protestuan do sllavo-maqedonas, në mesin e të cilëve ishin edhe dy a tre mercenarë shqiptarë.

Këta kuaj troje të Beogradit, të Athinës, të Moskës dhe të lakejve të tyre anekënd, të infiltruar në shqiptarë, kurrë s’do t’ia dalin ta vënë në dyshim miqësinë e përjetshme të kombit shqiptar në Ballkan me SHBA-në.

Shqiptarët, duke mos qenë sllavë, janë aleatë të natyrshëm të SHBA-së dhe të faktorit gjerman. Si të tillë, janë dhe përçues të drejtpërdrejtë dhe të vetëm të interesit të tyre në rajon.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora