E premte, 26.04.2024, 07:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Damjani në oborrin e Sulltanit

E premte, 16.05.2008, 07:45 PM


Injac Zamputti ne rini
Nga Musa Vyshka

Për dramën e panjohur "Damjani himarjot" i Injac Zamputtit. Rrëfimi për djalin himarjot Damjanin, që mori guximin të hynte në oborrin e Sulltanit për të shpëtuar vajzat shqiptare nga haremi i përbindshëm.

Vetë fakti që Injac Zamputti, menjëherë pas botimit të novelave të tij, u "hodh" në dramaturgji me këtë vepër të shquar, duke iu drejtuar temës historike, dëshmon për shumë gjëra.

Së pari, që lëkundjet e zakonshme rinore të një mësuesi të njohur dhe të kulturuar, në mes të letërsisë e historisë po merrnin fund dhe ai po anonte e po kalonte përfundimisht nga kjo e dyta, pa harruar, siç ndodh përherë e siç ndodhi edhe me atë, dashurinë për artin poetik, shprehur edhe në këtë libër me shtojcën e këndshme me tingëllima. Kjo është një nga gjërat dhe vlerat kryesore të këtij botimi.

Së dyti, duke parë nivelin e dramës del në pah ajo që është gjithashtu e rëndësishme dhe e vënë përherë në dukje nga studjuesit shkodranë të zhvillimit teatror të qytetit të tyre. Në këtë lëvrim dramatitk të veçantë në Shqipëri qenë angazhuar nga Gjergj Fishta e Ndre Zadeja gjer tek talentet e reja. Një gjë e tillë, pasioni i të qenurit aktor, muzikant e krijues në të gjitha fushat, siç thoshte ai në bisedat e tij, i kishte pushtuar të gjithë intelektualët e qytetit. Nga ky masivitet i mrekullueshëm njerëzish të apasionuar, të talentuar dhe të kulturuar nisi lëvrimi i të gjitha llojeve të dramatikës, nga tragjedia tek format e saj më të thjeshta. Drama "Damjani himarjot" siç do ta shohim dhe siç thotë ai që në hapje është dramë lyrike, e një lloji të veçantë.

Së treti, duke gjykuar nga vepra dramatike dhe në prozë, Zamputti zbatonte në letër atë bindje, që kishte e që shprehte me gojë, se historia e letërsia kanë dhënë e kanë marrë përherë nga njëra-tjetra, janë në marrëdhënie jo thjesht teorike e artistike, por në marrëdhënie thelbësore, si binjake dhe, poqese do të pranojmë sadopak shpirtëzimin e tyre figurativ, janë në lidhje shpirtërore me themele të përbashkëta.

Së katërti duke iu referuar nga Shkodra e largët Himarës, historisë së saj, legjendave dhe gjithçkaje të bukur e heroike të atij bregdeti të adhuruar ai, si gjithë shqiptarët e vërtetë e të kulturuar dëshmonte në veprën e tij se kufiri krahinor tematik, i shfaqur jo dhe aq rrallë andej e këndej nëpër Shqipëri, qe kaluar me kohë, se Shqipëria ishte një dhe e pandarë dhe detyra e çdo shkrimtari qe që të pasqyronte jetën, luftrat e lavdinë e saj kudo, në çdo krahinë e vis, për t'i treguar botës se atje ku kishte e ku ka shqiptarë rron e gjallë dhe e pavdekshme ndjenja e lirisë, dashuria sublime për të.

Ai thotë që në parathënien e shkurtër dhe poetike se e shkroi dramën në nji hov dashurie, se u nis nga një fakt i njohur historik, shkroi një novelë me atë motiv por e pa të nevojshme e të domosdoshme ta hidhte mendimin në një gjini më të madhe e më të plotë e krijoi një dramë me vlera. Dhe ia kushtoi atë, siç e mbyll parathënien, fatosave shqiptarë të kohëvet të historisë që na lanë aq kujtime të lume.

Ngacmimi i atij fakti historik qe i fortë dhe i menjëhershëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke i zgjuar mendimin dhe duke i forcuar gjykimin shkencor dhe kombëtar, e shtyu autorin që përmes tij e fakteve të tjera historike të pasqyronte, lartësonte e përjetësonte të tjera tipare të kombit tonë.

Rrëfimi për djalin himarjot Damjanin, që mori guximin të hynte në oborrin e Sulltanit për të shpëtuar vajzat shqiptare nga haremi i përbindshëm, qe i njohur kudo në viset shqiptare dhe sakrifica e tij sublime qe një nga dëshmitë mbarëkombëtare të dashurisë për vendin, nderin e popullit të shtypur nëpër shekuj e që vërtetonte se zjarri i krenarisë dhe i dinjitetit nuk qe shuar e nuk do të shuhej. Ky rrëfim që shëtiste gojë më gojë e që kishte filluar prej kohe të depërtonte nëpër fjalorë e manuale historike e shkencorë merrte ngjyra të ndryshme e interpretime shpesh të kundërta me njëra-tjetrën. Por në çdo vis shqiptar, dhe këtu nuk mund të bënte përjashtim asesi Shkodra, interpretimi qe i njëjtë, në përputhje me të vërtetën e pamohueshme jo thjesht të kësaj ndodhie heroike por të të gjitha bëmave e trimërive shqiptare se Damjani himarjot e sakrifikoi jetën e tij të re për të mbrojtur nderin e dinjitetin e njerëzve të vet, kombit shqiptar.

Këtë lartëson Zamputti në dramën e tij, të cilën ai e quan "lyrike" dhe e justifikon e shpjegon gjer në fund. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1536 në Himarë. Shqipëria ka gati një shekull që ka rënë nën pushtimin otoman dhe tjetërsimi zyrtar i pjesës së saj më të madhe ka arritur shkatërrimin e plotë të strukturave të kombit të madh dhe po ngre një minikala mjerane të një shteti të shtypur. Por hija e Skënderbeut rron. Gjini, një nga personazhet më interesante të dramës këndon: "Ah! Moj Shqipni/ Si u mblove n'vaj e n'zi!", kurse Damajni e ka për krenari e lumturi të flasë për Shqipërinë e dikurshme, për figurën e Skënderbeut dhe ta lidhë jetën e tij, atë lumturi të pakët e të fituar me aq sakrifica me luftrat e përpjekjet e të parëve.

Në gjithë atë skëterrë të pushtimit që do të zgjaste edhe katër shekuj të tjerë të pamëshirshëm, Himara kishte akoma pak dritë. Ajo po i qëndronte ende pushtimit dhe tjetërsimit fetar, siç i qëndroi gjer në fund. Por rreziku qe përherë i madh dhe kërcënues ashtu siç qe e gjallë ndjenja e lirisë dhe betimi i Gjonit: "Ma mir' ditt' tona nën tagan le t'kputen/ se me marr' frym' n'vend ton' pa qen' zotni".

Dhe qëndresa e tyre vendoset në qendër të dramës. Kësaj qendrese i takon dhe marrja peng e Jonuz Begut, pavarësisht nga zgjidhja e saj. Sepse ai ar i marrë nga ky rrëmbim nuk e shpëton Himarën nga mjerimi. Autori e thekson këtë dhe synon të rrëfejë jo thjesht një rrëmbim personi por një paralajmërim të qartë se ata janë gjallë, nuk pranojnë asnjë lloj zgjedhe dhe se të rinjtë që po vijnë me Damjanët e shokët e tij do të kërkojnë e do të gjejnë rrugë të tjera lufte e fitoresh.

Në kërkim të një drame të re autori kalon nga shtrati klasik i kohës në atë të tragjedisë së lashtë, krijon personazhin e çuditshëm të Shqipnisë, të Orës, të Valleve, duke synuar të krijojë një mjedis sa më të gjallë, më të besueshëm e më të aftë për të qenë vendi ku jetojnë njerëz krenarë dhe me ideal të përjetshëm në shpirt.

Në këtë mjedis lindin e rriten Damjani që i akuzuar dikur për indiferencë e tërheqje merr përsipër udhëheqjen e njerëzve të tij, Gjini, Gjoni, Lena e Aleksandra me mendime e bindje të ndryshme por me një qëllim të madh të përbashkët: t'i qëndrojnë gjer në fund pushtimit të huaj e të ruajnë vendin dhe lirinë e tyre. Në qendër të qëndresës autori vendos fjalët domethënëse të Shqipnisë: "M'i ruani kraht' qi m'dridhen/m'i mlidhni flett;' qi m'hidhen!"

Amaneti i saj është i qartë dhe i pushtetshëm. Figura e Shqipërisë në postin e kryepersonazhit përcakton qartë mendimin se në emër të dashurisë për të bëhet gjithçka, se ajo drejton të gjithë rrjedhën e ngjarjeve në vepër. Gjithçka ecën shpejt e në mënyrë të natyrshme e bindëse. Paria me kryeplakun e dinë se çfarë i pret, çfarë duhet të bëjnë dhe bisedat me të dërguarin e Venedikut apo me cilindo tjetër që vinte gjoja për të na ndihmuar në luftën e madhe nuk arrijnë ta tundojnë atë, megjithë ndonjë lëkundje të vogël.

Damjani niset për të hyrë në legjendat e përjetshme të popullit të tij, jo për të vrarë Sulltanin si armik personal që po i shkatërron lumturinë por si njeri që po shkatërron kombin shqiptar. Ai i rrëfen Markut dashurinë për bijën e tij Aleksandrën, dashuri që priste dhe ëndërronte ta bënte kështjellë të lumturisë.

Kënga e tij është e mrekullueshme: "Vetëm me grigj' jetova/ vetmin fort e provova/ e zemra kurrë nuk m'qeshi/ vuejtja e mjerimi e veshi/ por veç nji lule e bardhë/ m'gazmoi n'gjithket vetmi/ shihshe me 'te tue ardhë/ nji shpresë', nji ardhmëni".

Ai i le unazën Markut dhe Lenës, prindërve të Aleksandrës dhe niset. Hyn mes armiqve të tij me qëllimin e madh. Nuk e kthejnë nga rruga as lutjet e Aleksandrës dhe të Gjinit. Dhe fundi dihet. Otomanët e kapin dhe e vrasin.

Dramën e mbyllin Shqipnia dhe Vallet me madhështinë e tyre, jo për vaje, por për t'i kënduar asaj, siç thotë Ora: "Me kndue, sa her' t'bij fli për ty shqiptari!". Vallet mbyllin gjithçka: "Një agim i ri/ ra mbi Shqipni!…"

Ky është agimi jo i lirisë,që donte dhe shumë të zbardhonte por i vazhdimësisë së përpjekjeve të damjanëve që do të sakrifikonin gjithçka për lirinë. Autori e ka të qartë këtë dhe arrin me lehtësi e bukuri poetike atje ku u nis.

"Damjani himarjot" si një dramë e llojit të veçantë është e mbështetur mbi një vlerësim objektiv dhe poetik të subjektit, duke synuar të nxjerrë atë që është thelbësore, thelbin shpirtëror dhe hyjnor të njeriut, shqiptarit për të ruajtur veten nga asimilimi mizor i cilitdo pushtimi. Ana lirike e kësaj ekzistence të mundimshme është në epiqendër të trajtimit të çdo veprimi qoftë i zakonshëm, qoftë i një shkalle të lartë heroike.

Personazhet e skalitur me penelata të shpejta nuk humbin kohë me deklarata, monologje e biseda të gjata por me pak fjalë, përmes asaj që thonë, zbulojnë veten dhe shtyjnë mendimin tonë të plotësojmë marrëdhëniet midis tyre e kohës.

Struktura dramatike është e ndërtuar qartë, e komanduar nga një dorë prozatori e poeti që synon të poetizojë përmes veprimit dramatik atë që kërkon të thotë.

Por ajo që duhet theksuar, përveç gjuhës, një gegërishte e bukur dhe e pasur, është mesazhi i madh dhe i përjetshëm i unitetit kombëtar, i dashurisë midis vëllezërve të të gjitha krahinave, dashuri që nuk e tundin aspak as kufijtë e largësia, as larmia e zakoneve dhe e traditave, që, siç e thashë, është larmi dhe jo kundërshti dhe aq më pak përpjekjet e cilitdo që synon të ndajë vëllain nga vëllai.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora