Mendime
Saimir Lolja: Shpirti i turmës dhe i askushmërisë
E diele, 09.06.2013, 05:50 PM
SHPIRTI I TURMËS DHE I ASKUSHMËRISË
Nga Saimir Lolja
SHPIRTI I TURMËS bashkëjeton me njeriun dhe është
tipar i historisë njerëzore, sepse njeriu në mënyrë të natyrshme është qenie
shoqërore që kërkon përherë të shoqërizohet. Porse njohuria për të, përkujdesja
ndaj këtij shpirti dhe mbi të gjitha shfrytëzimi i tij për qëllime të caktuara
përbën anën tjetër të medaljes. Çeshtja madhore është se sa i theksuar është
shpirti i turmës në shoqëri, sepse njeriu i brymosur me një mendësi të tillë ka
në themel të mendjes së tij çiftin Sundimtari dhe Turma. Kjo është çeshtje
madhore sepse mendimet dhe ndjenjat janë shfaqje të shpirtit të njeriut dhe
janë pikërisht ato që përcaktojnë sjelljen e tij shoqërore, domethënë kufirin
ndarës çfar quhet e mirë dhe çfar quhet e keqe. Sjellja dhe puna e njeriut janë
dy gjëra të ndryshme por që njëkohësisht plotësojnë e bashkëshoqërojnë njëra
tjetrën, ngase në fund të fundit ato bashkëshoqërojnë njeriun. Sjellja
shoqërore është ajo që përcakton ngjarjet shoqërore, sepse njeriu bën atë që
dëshiron të bëjë.
Njeriu në
turmë ka një shpirt të ndrydhur, të pa lirë e të pa larmishëm dhe duke qenë në
gjendje të tillë ai kundërvepron duke i lindur dëshira në skutat e shpirtit të
tij për ta parë veten në krye të turmës. Shpirti i tij ngashëron, kredhet përqark, i friksuar mban
sytë e veshët hapur te të tjerët, frigon e idhtohet nga e mira e tjetrit, i
sheh të tjerët detyrimisht të barabartë me vetveten, sheh në të tjerët aspak
ndryshim nga vetvetja ose në rastin më të mirë ndryshime të parëndësishme. Ai
ndjehet njësh me “të barabartët e tij” dhe vetpërfytyrohet si përfaqësues i
tyre. Ky shpirt i ngujuar në mënyrë natyrale kërkon hapje, liri dhe
vet-dallueshmëri. Prandaj ai e anon ndërgjegjen e tij drejt njëshit, drejt
unit, drejt vetkuptimit me ndjenja të forta që ky vetnjësh kështu nuk ka vlerë
dhe si rrjedhim i mbin dëshira që të duket mbi të tjerët ose, e thënë sipas mendjes
së tij, mbi “të barabartët e tij”. Zgjidhja më e lehtë për të është mburrja ose
bërja e tjetrit me turp. Ai gjithmonë është në kërkim të rastit për t’u mburrur
ose bërë tjetrin me turp, sepse ai ndjehet keq dhe i turpëruar kur nuk mburret
apo kur nuk e turpëron tjetrin. Me ligësi, ai gjithmonë është në kërkim të
thashethemit për tjetrin, sepse edhe vetë ai është një thashethem. Kështu,
njeriu në turmë harxhon pa ndërprerje vëmendje dhe energji e tij për emocione
të panevojshme dhe hamendje të papëlqyeshme, për ngacmime nervore të nxituara,
për ëndërrime me sy hapur dhe thashetheme të pashtershme.
Njeriu në
turmë e ka të pamundur të pranojë se jo çdo gjë është apo i përket çdonjerit
dhe jo çdo njeri është për çdo gjë. Një mendësi e tillë nuk arrin të pranojë se
veç punës së tij egziston e duhet të egzistojë edhe puna e të tjerëve dhe nuk
vozit në mënyrë të atillë që puna e tij të plotësojë punën e të tjerëve ose
puna e tij të plotësohet prej të tjerëve. Për një shpirt të tillë i mirë është,
domethëne duhet të egzistojë, vetëm guri i tij dhe jo muri i përbashkët. Ai
vetëgjykon se është i pazëvëndësueshëm dhe ka edhe raste që ai përpiqet ta
prishë murin e përbashkët, sepse ka një shpirt të pabesë me aromë kalbëzimi.
Një shpirt i tillë nuk përcjell respekt për të tjerët e midis të tjerëve, biles
për të nuk egziston dhe nuk duhet të egzistojë edhe mendimi ndryshe, aq më
tepër të kuptojë se kur respektohet mendimi ndryshe edhe bashkimi është më i
fortë. E thënë më gjërë, një shpirt i tillë nuk pranon ndryshimin dhe
ndryshueshmërinë, domethënë harmoninë, dhe si rrjedhim nuk pranon përparimin,
madje e urren atë.
Njeriu në
turmë kthehet pa e kuptuar në një narcist. Si i tillë ai kërkon me këmbëngulje
në turmë vetëm pasqyrime të vetvetes; të tjerët janë njësoj për të, duhet të
jenë kështu ose përndryshe të shndërrohen në të tillë. Pëlqyeshmëria për
vetveten duke parë dhe prekur vetveten nga të gjitha anët e në tërë turmën
është e pakufijshme. Ndërsa narcistit të lashtësisë i duhej të qëndronte tërë
ditën mbi një pellg të vogël me ujë të patrazuar për të parë vetëm vetveten e
pasqyruar me qëllim që t’i avullonte kënaqësinë e pëlqyeshmërisë së vetvetes,
për narcistin e turmës pasqyra e vetvetes shtrihet në të katër anët e pafundme
për sa kohë që egziston turma e tij. Si e tillë kjo pasqyrë e nderë bëhet
njëkohësisht mjaft e brishtë, lehtësisht e thyeshme dhe e thërmueshme nga çasti
në çast për shkak të madhësisë e shtrirjes së saj. Një kënaqësi e tillë e dhënë
nga një pasqyrë e pafundme nuk mund të lëshohet apo të harrohet. Për ta ruajtur
këtë gjendje, mjetet e vetme të narcistit të turmes janë: vigjilenca, cmira,
urrejtja dhe dhuna ndaj çdo drithërime të sipërfaqes së pasqyrës ujore, ndaj
çdo tingulli sadopak të ndryshëm të dëgjuar, ndaj çdo njëshi tjetër në turmë
dhe ndaj çdo ndryshimi që shfaq ky njësh. Në mënyrë të veçantë, narcisti i
turmës hidhërohet thellë dhe mbushet me dëshpërim e urrejtje kur vëren ndonjë
të mirë që i shkon apo i ndodh tjetrit. Për të, njëshat e tjerë në turmë nuk e
meritojnë dhe nuk duhet t’iu ndodhin të mira. Ay i përqesh të tjerët kur
shprehen e shfaqen ndryshe, i pengon ato të ndryshojnë dhe të përparojnë. Për
të, vetëm sundimtari i turmës, idhulli i tij, vetvetja e tij e dëshiruar,
meriton të mira, prarim, vezullim e lartësi.
Një
shpirt i tillë i jep vlerë vetëm të qënit mundues për të tjerët, i jep vlerë
vetes vetëm duke ia ulur vlerën të tjerëve, i jep vlerë vetes duke përdhosur
vlerat qytetare, kulturore dhe kombëtare të shoqërisë që i përket. Një shpirt i
tillë njeh vetëm lirinë e tij të egërt e të pakufishme. Ay është shpirtërisht
pjesmarrës në krimin apo tradhëtinë që sundimtari (Mbinjëshi) i tij kryen. Ai
nuk arsyeton për këtë dhe nuk e arsyeton mbinjëshin e tij, sepse ay vetë është
sundimtari i ëndërruar pa qenë sundimtar. Ai dallon vetëm të drejta për veten e
tij; për të egziston vetëm liria e tij dhe jo e të tjerëve. Biles, kur mbaron
ai duhet të mbarojnë edhe të tjerët. Një shpirt i tillë është i pangopur, i
pakënaqur, i paqetë dhe rrjedhimisht mizor për të mbajtur gjallë pangopshmërinë
e tij. Ai vetmendon se është i pagabueshëm, i pacënueshëm, me të drejta
absolute e liri të pakufijshme. Ai nuk mban dhe nuk ndjen përgjegjësi për veten
dhe të tjerët; një shpirt i tillë është, bie fjala, një Ali Pashë Tepelenë. Një
shpirt i tillë synon që çdo gjë me vlerë të jetë brenda derës së tij, ai
dëshiron dhe përpiqet të ndërtojë vetëm ishullin e tij, kullën e tij me
frëngji. Atij nuk i intereson ambjenti përreth dhe madje ai e sheh me armiqësi
këtë ambjent, sepse atij nuk i interesojnë gjërat e përbashkëta. Një shpirti të
tillë i pëlqen të ndërtojë ishullin e tij të thepisur; ai ngazëllehet kur prish
urat lidhëse dhe pret telat ndërlidhëse për të ndërtuar garth përrreth vetes së
tij. Atij nuk i pëlqen bashkëjetesa paqësore, sepse ai nuk respekton tjetrin
dhe pjesën e tjetrit, ai është një fqinj i keq, ai urren dhe i erren sytë për
çdo ndryshim të vënë re tek “të barabartët e tij”. Dhe njëkohësisht, ai vrojton
se ç’bëjnë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë, për të mos ngelur mbrapa
emocionalisht.
Njeriu i
turmës nuk rri dot pa e parë dhe dëgjuar papushim e kudo figurën e mbinjëshit
të tij. Figura e stampuar e mbinjëshit të tij mishëron pasqyrimin e vetetes për
njëshin e vocërr dhe si e tillë tek kjo figurë ai gjen kënaqësinë dhe dehjen më
të madhe për veten e vet; kjo është ëmbëlsia për shpirtin e tij të idhtuar.
Karrikja dhe bëmat e sipërnjëshit i krijojnë njëshit të vocërr një rrymë të
atillë jehonash saqë pa atë rrymë as makina njësh nuk punon e as njëshi nuk
ndjen vetveten. Njeriu në turmë kthehet në vogëlinë e fëmijërisë e tij kur
ëndërronte të ishte i madh, mbinjësh i frikshëm, dhe papërgjegjshmëria fëminore
i jepte shijen e kënaqësisë pakufi. Prandaj, besimi i tij shkon andej nga fryn
era, andej nga burojnë valët e tingujt që e mbajnë të vogël atë, andej nga
shfryn sundimtari i turmës, andej nga është kahu i fuqisë së turmës. Turma
kërkon njerëz të vegjël, grimca rëre, që të prodhojë furtunë. Si një vocërrak,
ai gjykon vetëm duke thërritur për ndihmë paragjykimet e paharrueshme të
vogëlisë. Duke përfytyruar, ai e kthen veten mbrapa në kohë dhe emocionalisht
mburret me këtë. Kështu, me dashje e pa dashje, ai e shuan zgjuarsinë e tij,
bëhet i paaftë të dallojë dhe kuptojë të vërtetën, e ul veten aq poshtë sa të
mos njohë rrotën dhe të mos dijë sa bëjnë 1+1-1; dhe shpejt e shpesh bën keq
dhe gabime. Njeriu në turmë e ka të pamundur të kujtojë apo vrojtojë vetveten,
e si rrjedhim ai e ka të pamundur të kujtojë apo t'i lidhë veprimet e ndodhitë
e shkuara. Kujtesa e njeriut në turmë është e çastit, tepër e shkurtër. Ai
kujton vetëm çfar dëshiron në çast të kujtojë ose çfarë i shkon për shtat
shpresave dhe frikave të tij.
Njeriu në
turmë arsyeton mbi bazën e vetarësyes së shtypur të njëshit. Domethënë, ai
kërkon njësha për mendjen e tij të ngathët, sepse ai e ka frikë njëshin,
mundimtarin e mundshëm të tij, dhe mendon se edhe ai njësh e ka frikë atë për
të njëjtën arësye. Ay është një sundimtar i gurosur, sepse vetëm kështu mund të
jetë njësh, dhe si i tillë nuk pranon të dallohen njësha të tjerë në turmë. Kur
ia dënojnë të këqijat, ai kërkon vetëm njësha, sepse me dashje ose padashje nuk
e kupton se pse i sulen. Një shpirti të tillë nuk i intereson bashkëpunimi dhe
harmonia, atij i intereson vetëm mbinjëshi që ta sundojë në shpirt. Pavarësisht
sa larg është, ai gjithmonë vigjëlon që mbinjëshi, sundimtari i tij me të cilin
i mburret vetvetes, të mos cënohet, të mos iki, të jetë i përjetshëm e i
paprekshëm, i gurosur, i lartë deri në qiell, sepse vetëm kështu ai mund të
ngrejë sytë lart. Urrejtja e bën atë gjithmonë gati të bashkohet me shpirtra të
tjerë të tillë për t’iu sulur mizorisht “të barabartëve të tij”, për t’i
plaçkitur e përdhosur ato, për t’i tradhëtuar ato, sa herë i del rasti apo dëgjon
se mbinjëshi iu kërkon një gjë të tillë. Lëvizja barazitiste (komuniste, e
thënë jo shqip) në Shqipëri mori përmasa epidemike gjatë Luftës II Botërorë,
sepse njerëzia u josh nëpërmjet thënies “Ngrihuni t’iu biem atyre që janë
ndryshe dhe t’iua marrim atë çfar kanë”.
Njeriu në
turmë nuk ka forcë shpirtërore dhe gjithnjë bëhet akoma edhe më i pa aftë të
pyesë apo të gjykojë vetveten, të shkëputet prej kthetrave të brendshme, të
shmangë varësinë nga të tjerët, të mos përjashtojë vetveten, të përdorë ndonjë
dritëz kuptimi prej vetvetes; të ketë kureshtje kush është, nga vjen e ku shkon
dhe pse. Njeriu në turmë është një askush. Ai mendon sipas modës së turmës,
sipas propagandës zyrtare shtetërore apo botërore, dhe përqesh çdo gjë që është
ndryshe nga ajo modë. Njeriu në turmë i ngjan një cifle hekuri të cilën vetëm
fusha magnetike e mbinjëshit e mban drejt, të ngritur lart. Pa këtë fushë
magnetike jetike, ai bie përdhe e shkon me pluhurin. Prandaj njeriu në turmë
guroset pas mbinjëshit dhe shndërrohet në fanatik, domethënë ai e ka të
pamundur të ndryshojë mendjen dhe përmbajtjen. Një njeri me shpirt të tillë
është qenie emocionale, nervore, një tifoz, një spiun, një madhni që
përgjërohet për naltmadhninë e tij. Ay qëndron në turmë për shkak të urrejtjes
që ka ndaj të tjerëve, ndaj atyre që njeh apo ndaj fqinjit. Mbinjëshi është
shpirti i tij, emocioni dhe kënaqësia e tij, sepse prej hyjniut mbinjësh dhe
urrejtjes që ai mbjell egziston turma ku mund të bëjë pjesë. Urrejtja dhe
pickimi i emocioneve që i shërbejnë kësaj urrejtje janë ato që e mbajnë turmën
bashkë, sepse tek mbinjëshi ai gjen urrejtjen e dëshiruar dhe pickimin e
nevojshëm të emocioneve. Pa këtë pickim emocionesh njeriu i turmës nuk do ta
ndjente vetveten, nuk do ndjehej mirë, dhe do idhtohej duke u rropatur deri sa
të gjente një turmë ku helmi i mbinjëshit t’i ëmbëltonte emocionet. Turma e tij
është bota e tij, e kuptimtë për të egzistuar, në brigjet e së cilës përplasen
botë (turma) të tjera, të huaja dhe armiqësore.
Njerëzit
në turmë janë të egër e të dhunshëm. Shpirti i tyre dhunon dhe kërkon të
dhunohet. Me fjalë të tjera shpirti i tyre është i skllavëruar. Skllavërimi i
është bërë karakter, zakon, kërkesë, dëshirë dhe mënyrë të jetuari. Njeriu në
turmë shndërrohet në një skllav me dashje; ai nuk rron dot pa vuajtur. Ai nuk
ka nevojë më për zinxhirë që ta mbajnë të tillë, ashtu si fizikisht. Sa më
shumë koha kalon, aq më shumë ai e adhuron skllavërinë e tij dhe aq më shumë
krenohet me të. Meqenëse ky shpirt nuk pranon e respekton ndryshim tek “të
barabartët” e mendjes së tij dhe ndërkohë kërkon të dhunohet, atëhere këtë
dhunim e skllavërim e kërkon, e gjen si zgjidhje, dhe e pret vetëm nga
sundimtari i pashpirt i turmës. Domethënë, e kërkon këtë nga idhuli i tij, nga
i dëshiruari i shpirtit të tij. Meqenëse ky shpirt i egër është i pasjellshëm
ndaj “të barabartëve të tij”, meqenëse ky shpirt nuk pranon të renë dhe
ndryshimin e harmonishëm tek “të barabartët e tij”, ai ka vetëm një shtysë
mendimi: skllavërimin, dhe vetëm një gjuhë veprimi: dhunën. Egërsia i shkakton
dhimbje therëse në shpirt kur sheh harmoni në rrethin e “të barabartëve të
tij”. Vetëm dhuna e më të fortit, e më mizorit, e më të egrit, e më të
poshtrit, e atij që ka të drejtë të dhunojë e përdhosë të tjerët, e sundimtarit
të turmës, mund t’ia fashitë dhimbjen e instikteve të egra të tij. Vetëm kjo
dhunë madhore, vetëm ky sundimtar turme me të vetmen të drejtë fjale e veprimi,
mund t’ia shtypë egërsinë, shkaktaren e dhimbjes, t’ia qetësojë shpirtin e tij
dhe t’ia dehë emocionet. Ky shpirt nuk e kupton dhe nuk e kërkon mëvetësinë,
ndryshimin në lidhje me të tjerët. Më e shumta që dëshiron ky shpirt është të
bëhët një vasal mizor. Edhe kur e shtyjnë në liri të përkufizuar për të gjithë,
ai nuk mund të shkëputet nga e kaluara e skllavërimit dhe dhunimit mbi të.
Liria për të është dhuna, rasti për të shfryrë egërsinë e emocioneve të tij. Ai
po me dhunë kërkon të kthehet në skllavërinë e shkuar, me të njëjtat kushte e
mundësisht me të njëjtin sundimtar mizor për turmën. Shpirti i tij qan papushim
për egërsinë e sundimtarit të shkuar. Shpirti i tij i idhnuar psherëtin për
mungesën e munduesit të tij të egër, humbjen e të cilit e ndjen shumë herë më
të madhe se humbjen e vetvetes apo “të barabartëve të tij”. Ai dëshiron gjithmonë
që munduesi të ringjallet dhe shpreson në këtë.
Njeriu në
turmë shndërrohet në një makinë dhe si e tillë ai nuk e njeh dhe nuk mundet ta
njohë vetveten. Ashtu si makina, ai bëhet i papërgjegjshëm për veprimet e tija
dhe as dëshiron e as kërkon të dijë apo të kuptojë. Kështu ai shndërrohet në
një njeri mekanik me të cilin çdo gjë ndodh. Duke qenë se skllavërimi shoqëror
mbështetet mbi frikën, sundimtari i turmës ia ushqen papushim asaj frikën dhe
mospëlqyeshmërinë për çdo gjë ndryshe, të re apo të panjohur. Makinat janë të
verbëra dhe të pavetëdijshme; ato s'mund të jenë ndryshe dhe veprimet e tyre
duhet t'i përgjigjen natyrës së tyre. Njeriu në turmë, njeriu mekanik, i
plotëson këto veti të makinës. Si i tillë, ai nuk është njeri i lirë. Që të
çlirohet atij i nevojitet së pari të fitojë lirinë e brendshme, të vetëdijshme,
të ndërgjegjes dhe mëvetësisë së tij shpirtërore. Përndryshe ai ngec i
skllavëruar shpirtërisht sepse ai, para së gjithash, as nuk e njeh dhe as nuk e
kupton vetveten e tij. Prandaj njeriu në turmë e humb dhe nuk e kujton vetveten,
sepse ai edhe jeton e vepron duke qenë në gjumë të thellë ndonëse me sytë hapur
edhe nuk bën përpjekjet e duhura për t'u zgjuar.
ASKUSHMËRIA është një ndjenjë e skajshme
shoqërore që në situatë paniku e fut njeriun në ankth dërrmues dhe e zvetnon.
Nën ndrydhjen e skajshme të shpirtit të tij, nën hutimin dhe kotësinë që pëson
shpirti i tij, nën zhvleftësimin e historisë në mendjen e tij, i dalldisur nga
paarsyeshmëria, fillon të ndriçojë në shpirtin e tij të tymosur një flakë pishe
e zbehtë në degëzën e askushmërisë. Askushmëria bëhet për të frymëmarrje, liri
dhe shkak veprimi. Ai bëhet kështu një makinë që nuk ka fillim e qëllim rruge,
një makinë pa busull, që përpiqet të ngahet dhe po qe e nevojshme mund të marrë
një kthesë e të ecë për aq sa i kërkojnë shërbim. Duke harruar me dashje ose pa
dashje, ai humb vetveten dhe fshin nga mendja vlerat dhe historinë në origjinën
e tij, rrënjët. Ai nuk e dallon më tjetrin. Ndërkohë ai kërkon të mbushet me
vlera të reja, por nuk arrin të kuptojë se ato janë të pathemelta tek ai, janë
si gjethet të cilat zverdhen dhe nuk dihet se ku i flak era.
Ashtu si
natyra nga ku ka lindur, shoqëria njerëzore përmban në vetvete ndryshueshmëri.
Domethënë, njerëzit ndryshojnë nga pamja, mendimi, gjatësia, vendlindja,
dëshirat, kënaqësitë, aftësitë, dituritë dhe biles brenda një grupi shoqëror
(kombi) ka ndryshime në të folurat vendore e në veshje. Përtej kombit,
ndryshimet shtohen në tiparet e jashtme, ngjyra e lëkurës, gjuha, etj. Grupet
shoqërore (kombet) dhe nëngrupet shoqërore (brenda një kombi) kanë edhe gjëra
të ngjashme dhe të përbashkëta, por nuk kanë gjëra të barabarta. Nëse
respektohet natyra, duke përfshirë edhe shoqërinë e larmishme njerëzore,
atëhere jeta është e paqshme. Në të kundërt, përpjekjet për të krijuar fantazma
barazie përbëjnë dhe prodhojnë krime njerëzore dhe natyrore. Në rastin e
Shqipërisë zyrtare, për gjysëm shekulli u edukua dhunshëm me qëllim dhe me
absolutizëm fantazma e barazitizmit shoqëror dhe ndërkombëtar, aq sa u kërkuan “vëllezër”
edhe në xhunglat e Amazonës e tundrat e Azisë. Njerëzit u bashkëmblodhën
dhunshëm mendërisht dhe fizikisht. U punua për të krijuar të ashtëquajturin
“njeriu i ri”, domethënë askushin e dëshiruar të barabartë e të edukuar me
shpirtin e turmës.
Për
askushin e mirë është askushmëria dhe e keqe është çdo gjë tjetër e arsyeshme,
jo-paemër dhe me formë e përmbajtje të qartë. Askushi nuk di as çfar, pse e kë
të emërojë dhe as pse është emëruar; ai pret urdhër nga mbinjëshi për të
zbatuar një ligj që është urdhëri vetë. Ai nuk di pse është në një detyrë
zyrtare dhe çfar do të thotë ai emërim, çfar pritet e duhet të bëjë, çfar të
thotë e çfar të kërkojë. Ai është një vjedhës pune, vendi pune dhe vote. Ai nuk
e di ç’është e çfar përfaqson kombi e flamuri kombëtar ose çfar duhet të bëjë
për festën kombëtare, çfar flamuri duhet të mbajë, çfar të bëjë që ai flamur të
mos jetë thjesht një copë lecke me ngjyra, etj. Ay shndërrohet në spiun,
tradhëtar, vjedhës i vetvetes dhe brejtës apo shkatërrues i të tijëve.
Askushmëria shpesh e vozit askushin në veprime tradhëtie, sepse për të qenë një
njësh dikushi, një sundimtar i përmalluar, ai i hyn rrugës së krimit dhe
bashkëpunimit me armiqtë. Ai vetëm keq sheh, uron apo dëshiron, sepse ai vetë
është keq dhe të keqen ka si pikë krahasimi. Ai flet për gjëra të parësyeshme e
të pakuptueshme dhe biles ai nuk dallon ngjyrimet.
TË MENDUARIT TURMOR DHE
ASKUSHMËRIA të
para veçan dhe të veçuara për njeriun e veçuar nuk përbëjnë rrezik për
shoqërinë. Por meqenëse shpirti i askushmërisë lind prej shpirtit të turmës dhe
ndërthuret mjaft me të, atëhere kur shpirti i turmës dhe i askushëmrisë bëhen
tipare shoqërore të përhapura dhe të njëkohshme, atëhëre ai grup shoqëror është
në rrezikun e madh të mashtrimit dhe vetshkatërrimit. Rreziku bëhet akoma më i
madh dhe pësimi prej tij më i shpejtë kur armiqtë e këtij grupi shoqëror ia
njohin atij këtë shpirt dhe përkujdesen t’ia forcojnë pikërisht këto dy tipare
shoqërore. Në këtë rast, pasoja është e paqartë për çastin por e qartë pas një
periudhe të gjatë kohe. Si rrjedhim, ai grup shoqëror vetshkatërrohet, humbet
vlera njerzore, shpirtërore, kulturore dhe materiale, ose në rastin më të mirë
vazhdon të përtiqet në kufinjtë e mbijetesës duke ngelur i prapambetur, i vetpenguar
në përparim dhe i paqetësuar. Ngulmi i këtyre dy mendësive i mban njeriut
ndezur ëndërrën e barazitizmit dhe si rrjedhim ai cënon dhunshëm gjërat që s’i
përkasin ose që janë të ndryshme nga ëndërrimi i tij.
Veç
shpirtligëve, njerëzit që janë në detyra zyrtare dhe i përmbajnë në vetvete të
dy këto mendësi bëhen shumë dëmtues për shoqërinë gjatë marrjes së vendimeve.
Biles, ato zhyten në krime dhe tradhëti nga të cilat nuk dalin dot dhe
njëkohësisht kujdestarët e tyre nuk i lenë të dalin por i zhytin akoma më
shumë. Njerëz të tillë bëhen kukulla qeverisëse dhe nga veprimet apo goja e
tyre mund të dëgjohen gjërat më të paarësyeshme. Me njerëz të tillë në pozita
shtetërore, veprimtaria armiqsore e huaj, sidomos ajo e fshehta, ka fushë të lirë
veprimi dhe pasoja të dhimshme për vendin. Historia shqiptare vazhdon ta japë
këtë mësim. Ato njerëz që thonë se nuk ka armik, ose e thonë këtë nga mungesa e
zgjuarsisë së tyre, ose e thonë këtë nga vetvetja për shkaqe emocionale dhe
qëllime të ngushta vetjake apo përfitimi, ose iu është thënë nga armiqtë ta
thonë këtë gjë (duke e ditur ose duke mos e kuptuar këtë); ose shtyhen ta thonë
këtë jo nga një shkak i përmendur më
sipër. Shteti i Shqipërisë zyrtare u shpartallua në fillim të vitit 1997
pikërisht prej humbjes së armikut (një shembull i askushmërisë) dhe veprimit të
frymëzuar nga mendësia e turmës.
Të dyja këto mendësi ushqejnë njëra-tjetrën dhe përcaktojnë sjelljen shoqërore të njeriut, e cila do të thotë para së gjithash si sillet njeriu ndaj shoqërisë dhe çfar ka bërë për të. Egzistenca dhe nxitja e tyre nga ato që i duan të keqen shqiptarëve i rrisin mjaft pasojat negative mbi shoqërinë shqiptare, qetësimin, bashkimin dhe përparimin e saj. Ndikimi negativ në shoqëri i të dyja mendësive zvoglohet nëpërmjet ndriçimit të shpirtit me vlera dhe mendjes me ide, shkollimit matematik dhe shkencor, edukimit të njeriut si e pse të përdorë arësyen, edukimit kombëtar dhe atij bashkësor. Të gjitha këto kanë qëllim përparimin dhe përkufizimin e mirësjelljes shoqërore ndaj vetvetes, të tjerëve dhe ambjentit në rrugën drejt një shoqërie të udhërrëfyer prej arësyes dhe urtësisë, domethënë drejt një shoqërie që i përket e vërteta dhe që e sheh atë nëpërmjet arësyes. Pra çeshtja shtrohet: të dihen të metat e mendësisë shoqërore dhe të kundërveprohet butësisht për largimin e tyre, apo të mos dihen por t’i dijnë armiqtë dhe të veprohet egërsisht për thellimin e tyre. Meqenëse përmirësimi paraprak fillon tek vetë njeriu, fillimi i largimit të këtyre dy mendësive në çdo rast është shumë i thjeshtë: njeriu nevojitet të mos mendojë e të mos flasë me NE. Kështu ai do të fillojë të zgjohet, të kujtojë vetveten, të shkuarën e rrjedhimisht të ardhmen, dhe do të fillojë të egzistojë sepse do të fillojë të mendojë.