Kulturë
Xheladin Mjeku: Vilhelme Vranari - ''Vonë... tejet vonë''
E marte, 16.04.2013, 08:42 PM
PREKJA E DHEMBES DHE MESAZHI PËR JETËN
Vilhelme Vranari (Haxhiraj): “VONË… TEJET VONË”,
roman, botoi SHB “NACIONAL”-Tiranë, 2011
NGA XHELADIN MJEKU
Vilhelme Vranari (Haxhiraj) (1944) për lexuesin e
letrave tona është emër i dëshmuar bindshëm dhe me një thesar të çmuar vlerash
e të arriturave në krijimtarinë e saj letrare në poezi, prozë, eseistikë dhe
publicistikë. Bindëse për këto arritje janë edhe shumë çmime që ka fituar për
këto angazhime të shumta, si në nivelin kombëtar edhe në atë ndërkombëtar.
Rreth tridhjetë tituj librash në poezi e prozë, që tashmë ia ka dhuruar
receptorit dëshmojnë përkushtimin e saj
në krijimtarinë letrare dhe publicistike. Ndonëse në një kohë të vonë është
paraqitur para lexuesit me librat e saj, sukseset dhe arritjet janë dëshmi e
qëndrueshme se vetëm me përkushtim dhe gatishmëri arrihet ajo që synohet,
pavarësisht situatave dhe momenteve që mund të krijohen në kushte dhe rrethana
të caktuara politike, që kishin për synim ndërprerjen e veprimtarisë krijuese.
Ndërtimi i fabulës mbi bazamentin e dhembjes dhe
jetës
Ndërtimi i romanit “Vonë… tejet vonë” që në
faqet e para shpërfaq një pamje sa joshëse me pamjet e ambientit mbi të cilin
zhvillohet jeta e personazheve, me bukuritë natyrore, me fshehtësitë rurale që
takojmë aty, të pikturuara me përkushtim me penën e kujdesshme të Vilhelme
Vranari–Haxhirajt, paraqitja me ngjyrim të qëndrueshëm të pamjeve pitoreske dhe
përshkrimi i viseve të virgjëra të trevës veriore, ku është përqëndruar
zhvillimi i ngjarjeve, prej nga takojmë edhe jetën tradicionale të vendit. Krijimi
i dashurisë për atë pjesë atdheu, ku dora e njeriut veçsa kishte filluar të
prekte bukuritë e virgjëra të natyrës që shekujve kishin qëndruar të pa
ndryshuara dhe fare pak të shfrytëzuara, ia shtojnë vlerën artistike këtij
romani dhe e bëjnë që lexuesi të absorboj kënaqësinë e ambientit që
krijohet gjatë tërë ngjarjeve të trajtuara në këto treva.
Nga këto vlera të hetuara dhe të analizuara profesionalisht për kohë të gjatë e
kishin dehur Yllka Janinën, një vajzë e
re që sapo kishte vënë hapat e saj të parë në ndërtimin e jetës dhe
ballafaqimin me sfidat dhe preokupimet për gjithçka e entuziasmonte
kjo perlë malore, me lumenjë, shkëmbinjë e pyje të
pasura, që siguronin një zhvillim të vendit edhe në sektorin e turizmit malor.
Mirëpo, përkundër dëshirës për të ndërtuar një jetë
të lumtur, në këtë kontekst qëndron si hije diçka që deri në momentet kur
zbulohet kjo enigmë, arrinë efektet e saja tepër fatale. Virusi vdekjeprurës,
që konsiderohet si transmetuesi i sëmundjes së pashërueshme arrinë të shkatërroj
një jetë, e në këtë relacion ndërlidhet
tërë rrjedha e romanit, ku pësojnë edhe personazhet tjerë, në forma të ndryshme, për të përmbyllur kështu
një jetë dhe njëkohësisht për të rinisur pjesën tjetër të jetës me bindjen se
jetën duhet jetuar me atë që ka mbetur për t’u shfrytëzuar. Autorja sjell
argumente e fakte të mjaftueshme për ta njohur këtë rrezikueshmeri që i kanoset
brezave në vijim, derisa devijimet e shoqërisë kanë filluar të vërehen dukshëm,
nga vese e sëmundje të ndryshme, si: pedofilia, prostitucioni, AIDS-i,
trafikimi i qenjeve njerëzore dhe narkomania, që marrin jetë njerëzish të
pafajshëm në vazhdimësi.
“Për mua dashuria është porta për të hyrë në rrugët
e jetës. Agim, më vjen keq që ta them…
Ngjarjet që përshkojnë gjithë shtjellimin e romanit
“Vonë… tepër vonë” bëjnë të kuptohet sa e madhe është dashuria e nënës
për fëmiun e saj dhe njëkohësisht sa e dhimbshme është humbja e djalit të
vetëm; përpëlitjet dhe shpresa e pafund deri në gjetjen e djalit të saj, pas më
shumë se një dekade.
“-Tani të gjeta bir… Kjo më mjafton, zemra ime…
Falemnderit o Zot, që ma ktheve djalin, Idlirin tim. Tani jemi bashkë. Kështu
do të jemi gjithmonë. Mbaruan vuajtjet si për ty dhe për mua, shpirt i ënës.
- Tani është vonë… tejet vonë, nënë.
- Kurrë nuk është vonë për një nënë që të bëjë
gjënë e duhur për të birin. Të dy së bashku do t’ia dalim, bir”, (fq. 134). Yllka mëson për ekzistimin e djalit të saj,
edhepse me një emër tjetër, por plotësisht
sigurohet se ai është Idliri i saj, se ende jeton dhe përpiqet të
mbijetoj duke shpenzuar edhe energjitë e
fundit të jetës. Rruga tjetër që pason pas këtij momenti është vendimtare dhe përmbyllëse për
një pjesë të jetës dhe peripetive të saj, e cila arrin ta zbuloj gjithë
ngjarjen dhe këmbëngulë të qëndroi pranë djalit të saj deri në përfundimin e
jetës së tij. Aty krijohen ngjarje e ngjarje, që në një formë bëjnë të kuptohet
se çka mund të bënte një nënë për pjesën e saj të shpirtit, edhepse e kupton se
biri i saj është në përfundimin e jetës.
Riorganizimi i jetës dhe ecja tutje në gjetjen e lumturisë është kaptinë tjetër e
ndërtuar me përkushtim dhe bindshëm reflekton mesazhin e dashurisë për jetën.
Epilogu që e përshkon pjesën e tretë të romanit, si përmbyllje e fabulës vjen me një riorganizim të fuqishëm
dhe shpresëdhënës për personazhet e ritakuar, sjell rikthyerjen e jetës së re, të ardhmërisë së
riparuar.
Pasqyrim
karakteresh
Karakteret e paraqitura në roman vijnë të ndërtuara
me përshkrimin e shumë elementeve që e rrethojnë jetën dhe bëmat e tyre, duke
sjellur kështu gjithë pamjen, me guximin, mimikërinë, zymtësinë, krenarinë dhe
forcën e mposhtjes së situatave dhe veseve tek bashkëvepruesit e ngjarjeve që
shtjellohen këtu. Personazhet, si: Yllka Janina, që paraqet strumbullarin e
ngjarjes në gjithë romanin, me virtytet e saja prej një intelektualeje me
qëndrim dinjitoz, pavarësisht sfidave dhe humbjes së familjes, ajo gjen forcë
të rinisë jetën, duke ngritur kështu moralin e saj në nivelin e një heroine që
përballet me stuhitë e jetës dhe ia del me sukses të tejkaloj gjithë atë mënxyrë. Një sfidues tjetër, që i qëndron
shumë fuqishëm ngjarjeve të shtjelluara aty është edhe Genti, i cili përkundër
shumë peripetive, ia del të rindërtoj jetën e tij, duke përmbushur ëndrrën e
filluar që në nismën e ngjarjeve në roman. Agimi këtu paraqet fytyrën e
heshtur, të përvuajtur dhe enigmatike deri ne fund të ngjarjeve. Ai edhepse për
Yllkën është “njeri i mirë. Ishte tip i qetë, korrekt, sillej mirë,
megjithëse i mefshtë për t’iu përgjigjur çdo veprimi në kohën e duhur. Njerëz
të tillë të ngathët shpesh bëhen pengesë për rrjedhën normale të jetës”
(fq. 97). Ky personazh nuk jep të kuptohet se çka e shtyn të jetë i tërhequr, i
painteresuar për jetën, personazh me shumë të panjohura, që në mbyllje të
romanit del sheshit enigma e jetës dhe peripetive të tij. “Nëna e Agimit
ishte e lumtur për të birin. “Të falemnderit moj bijë, që tim bir e bëre njeri!”,
(fq. 99). Kjo shprehje e nënës së Agimit flet për besimin
ndaj Yllkës, që e konsideron
shumë të afërt dhe me besueshmëri të fortë, duke e ndier një zbraztësi në shpirt për djalin e saj, ku
me kohë ka hetuar devijimet e jetës dhe mosinteresimin për ardhmërinë e tij.
Megjithatë një dozë optimizmi e përcjell si hije nënën e tij, duke shpresuar në
fuqinë intelektuale të Yllkës, me shpresë se do ta afroj në jetë dhe familje.
Kjo bindje dhe dashuri e nënës së Agimit vazhdon të qëndroj deri në mbyllje të
kapitullit të jetës së saj. Pothuajse në çdo ngjarje e me çdo personazh që
vepron Yllka, jep po të njëjtin mesazh, që nënkupton dashurinë dhe respektin
njerëzor me qëllim të ecjes përpara në përballjen e ecejakeve të befasishme të
jetës.
Persnazhet tjerë, si: Ariana, Bora, Kristina dhe
Vesa janë pjesë e pandarë e këtyre ngjarjeve, që ndërtojnë fabulën e romanit
dhe paraqesin pamje e ndodhi të shumta, që lexuesit i mundësojnë një ndërlidhje
organike të artikulluar me synimin kryesor të ngjarjes. Kjo nënkupton se
shkrimtarja ka arritur të krijoj një vepër letrare të zhanrit romanesk plot
ngjarje e probleme, që të lidhura mes vete sjellin nje prozë të ndërtuar mirë
dhe të artikuluar me konkretësinë e shprehur në ngjarjen bazë.
Karakteristikë e personazheve në këtë roman është
prezenca e tyre pothuajse tërësisht në rolin pozitiv të çështjes, e që pjesa negative
e ngjarjes konsiston në fenomenin e sëmundjes, që është e keqja e gjithë
ngjarjeve.
Shtjellimi i ngjarjeve në kthesën e tretë të jetës
“Para pak muajsh isha një tjetër. Nuk mendoja se do
të bëhesha përsëri njeri. Por shfaqja në rrugën time e Vesës së pafajshme dhe e
Gentit, dashurisë sime, të cilën ia mohova vetes dhe atij, më tjetërsuan, më
kthyen në jetë. Kjo ishte meritë e kohës që ndikoi tek arsyeja, e cila gjendet
vetëm tek qeniet humane”, (fq. 178). Këtë
fragment e sjell për lexuesin, që pa u hamendur të kuptoj se çka në të vërtetë
e shtyn Yllkën që të rinisë jetën. Janë dy faktorët kryesor: Vesa dhe Genti që
ia shtojnë besimin se ia vlenë t’i rikthehet jetës për hir të këtyre dy
personazheve që sërish e “kthyen në jetë”. Birësimi i Vesës, pastaj
njohja në detaje e së kaluarës së Gentit, humbja e familjes së tij në Amerikën
e largët, qëndrimi i pathyeshëm përballë tragjedisë së familjes së tij dhe
vazhdimi e jetës në kornizat e dashurisë së tyre të hershme. Mosthyerja për
asnjë çast e mirëkuptimit në frymën e ngjarjeve tepër të rënda, edhepse të
zhvilluara në sytë e tij, por nga pafuqia e tij të ndryshoj mendjen e saj
kishte rezultuar me një lëndim të përkohshëm shpirtëror dhe një largim nga
vendlindja ku pëson shumë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe familjar. Për
humbjet e përjetuara dhe për ndjenjën e keqe që ia përshkon gjithë kohën dhe
pamundësinë për ta ndihmuar Yllkën, që prej takimit të parë nuk kishte rreshtur
ta trajtonte si pjesë të pandarë të jetës së tij. Këtë ndjesi arrinë ta bëj
realitet duke mënjanuar gjithë të kaluarën, si një kaptinë e mbyllur e jetës së tij. “Gabimi im i
rinisë, një hap i pamatur, më solli deri këtu. Ishte fati im i keq që të shtyta
e të degdisa larg, shumë larg. Më pas ishte vonë, tepër vonë kur e ndjeva mungesën
tënde. Atëherë e kuptova se shumë të doja, por asgjë e bërë nuk ç’bëhet. Koha
nuk mund të kthehet pas kurrë. Edhe ajo na e dikton kur jemi vonë…” (fq.
123). Kjo flet mjaft për qëndrimin stoik në situata dhe ngjarje, e pathyer dhe
plot vullnet për jetë, edhepse “Vonë… tejet vonë”.
Shikuar nga ky prizëm ndërtimi i ngjarjeve në
roman, pavarësisht mosndarjes teknike të ngjarjeve në tri pjesë, hetohet
dukshëm një organizim i formës së trilogjisë, duke ndërtuar ngjarjet në tri
etapa të zhvillimit, që të kompozuara mirë dhe me ndërlidhje të qëndrueshme të
fabulës sjellin këtu një jetë plot ngjarje e ndodhi, që përmbyllen me një
ndërtim unik.
Fryma e mesazhit
Pa ndonjë hamendësim mund të konkludohet se tërë
ngjarja që shtjellohet në roman sjell pamje e episode të gërshetuara mes vete
dhe të ndërtuara mbi bazën e një teme bosht, me përpjekjet e parreshtura deri
tek mbijetesa e kryepersonazhit, që mund sfidat e panumërta për të sjellur tek
lexuesi fakte e dëshmi se koha dhe përvoja jetësore janë kushtimisht të lidhura
dhe që të dy këta faktor mund të triumfojnë çfarëdo situate që kanoset, me
përkujdesje dhe zemërgjerësi të njerëzve të mirëkuptimit dhe të arsyes që
mbisundon dëshirat dhe ëndërrat e një jete të lumtur e harmonike. Ndërlidhjet
harmonike të ngjarjeve, prekja tepër sensitive e shumë momenteve të krijuara si
pjesë e domosdoshme e tejkalimeve të situatave, frymëzimi i pamposhtur për jetë
dhe besueshmëria e kryepersonazhit – Yllkës, që ndonëse me shpirt të lënduar
rëndë dhe zemër të thyer, arrinë të rikonstrukturoj jetën e saj dhe të Gentit,
që ishte shpresa dhe shpëtimtari i saj i vetëm, për të ngritur familjen e tyre
në frymën e dashurisë së pashuar që nga
fillimi i takimeve të hershme dhe ngritja e vlerave të jetës me mundësitë e
reja, duke ngushëlluar të kaluarën, si vrragë
e madhe.
Në frymën e këtyre ngjarjeve, me një shtjellim tashmë të kuptueshëm për lexuesin, pavarësisht zhvillimeve të ngjarjeve të ndryshme, besimi dhe sinqeriteti ndërnjerëzor, gërshetuar edhe me mirëkuptimin dhe besimin e palëkundur për asnjë çast tek individ të caktuar sjellin triumfin e pamposhtur për jetë e ardhmëri, me të gjitha elementet e mundshme të një ecje tutje, përkundër të kaluarës përplot ngjarje të hidhura.