E premte, 26.04.2024, 08:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Copëza kujtimesh…

E hene, 15.04.2013, 07:07 PM


SKËNDER R. HOXHA

 

LIRIKË PËR KËNGË HARRIMI

(Copëza kujtimesh…)

 

Në ditë festash

Ngjallen përfytyrimet

Kujtimet shpalosen vetë

Nëpër Dushkajën time

Nëpër vendlindjen time

Nga lodrat fëmijërore

Të asaj kohe të varfër

Fëmijë këmbëzbathur shkoja

Një lopë për ta kullotur e

Krande të mbledhja në mal

Se nëna më priste

Të piqte misërniken n’çerep

Tash kujtimi shpalos ditët

Se si kalonin

Bashkë me rininë

Time plot ëndrra

Nëpër peizazhe të vrugëta

Kohë e pamëshirshme ishte –

Largohu kujtim i hidhur!...

Më shtrëngon këngë harrimi

Dushkaja ime plakë këndellu!

Se buzëqeshjen kafshoj përmallshëm.

 

II

 

Se buzëqeshjen kafshoj përmallshëm

Shpesh kah 

E kaluara ime lëpihet

Dhembshëm e krenarisht

Kur atje në Dushkajë

Shiu rigon prajshëm

Në kodra e male

E luginave të buta e gurore

Lëshojnë shtat prroskat

 

Dhe derdhen në përroje

Lumbardhë

E Dri - rrëkajë

Nga Marmulli në jug

e deri në Butajë.

 

Gjithandej shtegtoja

Rrugëve të harruara

të baltosura

Rrugëve malore

Qafësukave monopateve

Të Dushkajës sime…

Më shumë këmbë

E dikur vonë

Me një biçikletë të ndryshkur

Kisha mësyrë dhe unë

Ndër të pakët atëherë

Të vazhdoj shkollën

Në Gjimnaz të Gjakovës,

Unë gëzimi i parë

I prindërve të mi malësorë.

 

III.

 

Nëna më jepte me vete

Bukë misri të haja

Gjatë një jave në qytet,

Nga e diela në të diel

Ishte skamë e madhe atëherë

E kuptoja gjendjen edhe vetë…

 

Kur udhëtoja me biçikletë

Asaj rruge të gjatë

Nga Shqiponja deri në Gjakovë

Më dukej se fluturoja

Më dukej se prekja ylberin!

Pranverave të hershme

Nëpër rrugët malore

Merrja lule e gjethe të reja

E me to –

Stolisja biçikletën…

Si i ri i papjekur që isha

Nuk kuptoja hallet e jetës

Por, lulet e gjelbërimin

I doja pa masë…

 

Eh, dikur më vonë

Në të tretën e në të katërtën

klasë të Gjimnazit -

shpesh udhëtoja me biçikletë

Nëna më përcillte të dielave

me do bukë e tesha mbështjellë

kaptoja rrugëve e rrugicave

malore të Dushkajës

Ndonjë të diel në mbrëmje

ktheja te tezja në Radoniq

dhe fleja një natë aty

se e kisha më afër Gjakovën

Edhe ajo më jepte nga ndonjë

monedhë që ta kem në xhep –

Të duhen, tezjo, më thoshte…

Po, ndonjë të diel

kur ishte kohë pune

nuk përtoja të bëj punë krahu

për të fituar ndonjë para

t’më gjenden për bukë goje

e për ndonjë libër a fletore…

Por, ka ndodhur ndonjëherë

që me ndonjë para

që mund t’i ndaja nga nevojat

në qytet të bleja

nga një thes bukë furre

e t’ua çoja prindërve

e familjarëve të tjerë

se në familjen tonë

vërtet kishim skamë!

(2012)



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora